
Pas 5 vitesh, ekipi i Apolonisë rikthehet zyrtarisht në Superiore! Trajneri i skuadrës së Apolonisë Artan Mërgjyshi dhe kapiteni Eljon Sota rrëfejnë emocionet e fitores dhe pritshmëritë për të ardhmen
Briselda Hoxha
Ekipi i Apolonisë tashmë është zyrtarisht pjesë e kategorisë Superiore dhe sezonin tjetër do të luajë në elitën e futbollit shqiptar. Apolonia ka siguruar matematikisht ngjitjen në Kategorinë Superiore. Fierakët triumfuan me rezultatin 1-2 ndaj Lushnjës në derbi, duke prerë zyrtarisht biletën për rikthimin në elitë.
Gjata dhe Mihana ishin autorët e golave për fierakët, ndërkohë që për Lushnjën golin e vetëm e shënoi Pepa. Gjatë viteve të fundit Apolonia fuqizoi akademinë e saj të futbollit ku promovoi shumë të rinj premtues në të gjitha ekipet zinxhir si dhe në bazën e ekipit të madh të qytetit.
Emocionet
“Shekulli” ka kontaktuar me trajnerin e skuadrës së Apolonisë, Artan Mërgjyshi dhe me kapitenin e skuadrës Eljon Sota të cilët kanë rrëfyer emocionet e para të tyre dhe gjithashtu kanë përcjellë ndjesitë e ekipit pas kësaj fitoreje.
“Ky ishte objektivi ynë sezonal dhe e arritëm. Ishte një fitore shumë e merituar. Të gjithë lojtarët janë prodhimi akademik dhe skuadra jonë thyen një rekord pasi ka moshën mesatare 19.7 dhe janë të gjithë lojtarë të moshës së re.”– shprehet trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.
Të njëjtin emocion ndan me ne edhe kapiteni i skuadrës i cili thotë se pas 5 vitesh e arritën qëllimin.“Ndihemi shumë të lumtur që arritëm objektivin tonë, pasi kishim 5 vite që e kërkonim këtë gjë, ishim 5 vite pa qenë në superiore. Ndihemi shumë mirë me këtë arritje.”– shprehet kapiteni i ekipit, Eljon Sota.
Planet për merkaton
Në lidhje me pritshmëritë e Apolonisë, se deri ku mund të shkojë ekipi, Sota tha se është akoma herët për të folur për këtë, pasi varet edhe nga merkatoja që do të bëj ekipi, por pas Superiores, do të tentohet Europa. “Të flasim për këtë është pak shpejt. Merkatoja që do të bëhet verë do të jetë ajo që do të tregojë më shumë mbi këtë. Besoj do të afrohen, pra kemi të nevojshme të kemi lojtarë me eksperiencë që të na ndihmojë me eksperiencën e tij meqë ne jemi ekip shumë i ri.” – u shpreh ai.
Më tej, trajneri i skuadrës, Artan Mërgjyshi tha për “Shekulli”-n se sigurisht që do të bëhen investime për skuadrën por sipas bisedimeve për këtë gjë, lojtarët që do të afrohen në skuadër do të duhet të plotësojnë kriterin e moshës për të mos prishur mesataren aktuale të moshës së re në skuadër. “Patjetër që kemi diskutuar edhe për këtë por kemi rënë në konsensus se çdo lojtar që do të afrohet në skuadër në merkato, për të cilin do të investohet, do të jetë i përzgjedhur dhe do të jetë i moshës 23 vjeç. Investimi do bëhet që çdo lojtar të futet në treg e të rritet për të pasur më tej mundësinë që të luaj me ekipe më të mëdha.”- u shpreh Mërgjyshi.
Qëllimi
Përsa i përket sfidave që e presin Apoloninë në superiore, Sota ndihet shumë gati personalisht por edhe për ekipin shprehet se ata janë të motivuar dhe të përgatitur për në superiore pasi gjithë këto kohë për këtë gjë kanë punuar dhe e kanë pritur. Ai thotë se ekipi do t’i përballojë sfidat që e presin dhe mbi të gjitha, nëse ekipit do t’i bashkohen lojtarë të afirmuar dhe me eksperiencë të cilët do ta ndihmojnë skuadrën të rritet.
Nga ana tjetër, Mërgjyshi tha se objektivi është që të dalin në pah lojtarët e Apolonisë. “Nuk duhet të fluturojmë. Qëllimi kryesor është që të bëhemi Superligë dhe të promovojmë lojtarët tanë, duke u dhënë mundësinë atyre të shpalosin talentin e vlerat në të ardhmen”, shtoi ai.
Investimet
Pas shumë investimeve të bëra gjatë viteve të fundit, tashmë ringritja në Superiore e Apolonisë është një sukses mëse i merituar, duke ruajtur kështu edhe traditën e kahershme të klubit në Kategorinë Superiore. Sukses ky po ashtu edhe për tifozët e zjarrtë fierak që nuk e kanë braktisur kurrë ekipin e tyre të zemrës. Gjatë kohëve të fundit është investuar në stadiumin e Apolonisë “Loni Papuçiu”, ku brenda pak kohësh do të shikohet projekti i ri dhe një pamje e re e stadiumit.
Presidenti i klubit, Koço Kokëdhima ka theksuar se fierakët janë një klub me financa të balancuara dhe se nuk janë një gropë e zezë dhe nuk gënjejnë askënd. Sakaq, presidenti tregoi edhe filozofinë që do të ndiqet në merkato duke thënë se nuk do afrohen lojtarë mbi 23-vjeç. “Kemi ndërtuar një model, jo për të bërë futboll të pajustifikuar, por një futboll që bazohet mbi ekonominë që prodhojnë karrierat e të rinjve. Ne nuk jemi një futboll i pasur dhe në do rrisim futbollistë të rinj për t’i kaluar në vende të mëdha dhe për të fituar nga ta. Kjo është filozofia e jonë. Ne nuk bëjmë aventura.” – është shprehur presidenti Kokëdhima.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply