Apartamentet në Tiranë e Durrës, flet Orgeta Bala: “Tërmet” në çmimet e shitjeve dhe qirave

Tërmeti i 26 nëntorit trondit tregun e pasurive të paluajtshme. Agjencitë imobiliare: Shqiptarët e kanë të vështirë të përballojnë blerjen e një banese. Qiratë janë rritur me 50 euro brenda muajit. 

Briselda Hoxha

Pas tërmetit të 26 nëntorit, kërkesat dhe çmimet e qirasë apo blerjes së apartamenteve kanë ndryshuar. Kjo, më së shumti për shkak të shpalljes së pabanueshme të shumë pallateve pas tërmetit. Ndërkohë, qytetarë të cilët janë të pozicionuar në kate të larta, kërkojnë kate më të ulëta për të jetuar ose banesa private, pasi ndihen më të sigurt. Meqënëse zona e qendrës ka çmime të larta, më shumë është “rrahur” zona periferike. Ndërtesat e vjetra dhe katet e larta kanë ndikuar shumë në interesin e njerëzve për të blerë apartamente të reja ku cilësia është më e mirë. Pavarësisht se çmimet vijnë akoma në rritje dhe shqiptarët e kanë të vështirë të përballojnë blerjen e një banese, përsëri kërkesat e tyre për qiramarrje dhe blerje të apartamenteve nuk është në rënie, por e kundërta. Agjentët imobilarë janë burime të besueshme për të na informuar në lidhje me kërkesat dhe çmimet në çdo zonë. Për këtë arsye, agjente imobilare, Orgeta Bala, informon dhe flet për “Shekulli-in” duke treguar me detaje për vlerat aktuale për apartamentet sipas zonave.

Znj. Bala, si janë kërkesat dhe ofertat e apartamenteve para dhe pas tërmetit? A ka ndikuar tërmeti në shtimin e tyre?

Kërkesat pas tërmetit kanë ardhur në rritje pasi shumë familje, duke qenë në kate të larta dhe në ndërtesa të vjetra,  shprehin interesin për të blerë një apartament tjetër në pallate të reja ku duket cilësia e ndërtimit.

A ka pasur rritje të çmimeve për metër katror të banesave në këto momente delikate të popullit shqiptar?

Po ka pasur në çdo kompleks të ri dhe në ndërtesa që duket hapur që nuk kanë asnjë plasaritje, me 150 euro për m² dhe për qira me 50 deri në 100 euro, varet nga zona.

Sa janë të gatshëm shqiptarët financiarisht për të përballuar blerjen e tyre?

Pjesa më e madhe e shqiptarëve e bëjnë blerjen me kreditim nga banka 80 % e tyre dhe një pjesë për 20 % janë me para në dorë. Por do të thosha gjithashtu që çmimet po vijnë në rritje çdo ditë e më shumë dhe pjesa më e keqe që njerëzit hasin në Shqipëri, është se janë të punësuar dhe marrin paga minimale dhe nga ana tjetër nuk kanë mundësi kreditimi. Kjo gjë ndikon shumë keq tek ata dhe e kanë shumë të vështirë të përballojnë blerjen e një banese, pasi kushtet nuk janë aq të favorshme.

Në përqindje, sa mund të jetë rritja e klientelës blerëse, në krahasim me vitet e kaluara?

Në nivel përqindjeje, ka ardhur në rritje kërkesa deri në 70 % duke qenë se po edukohen me faktin që me çmimin e qirasë, po paguajnë këstin e bankës. Kjo gjë i bën ata të mendojnë që më mirë çdo muaj investojnë për vete duke paguar këstin në bankë dhe në përfundim të shlyerjes të gjitha kësteve banesa mbetet e tyre, sesa të paguajnë për qiranë.

Cila pjesë e popullatës shqiptare është afruar më shumë për blerje, zona rurale apo urbane?

Pjesa më e madhe që afrohen janë nga zona rurale. Kjo për arsye se mundohen dhe mendojnë të sjellin familjet e tyre sa më afër qytetit për edukimi dhe punësimi.

Si variojnë çmimet për metër katror në minimum dhe maksimum sipas zonave? Cila konsiderohet si zona më e shtrenjtë dhe cila më e lirë në Tiranë?

Si fillim, po i përmbledh zonat e Tiranës, duke treguar ndryshimet në çmime para edhe pas tërmetit.

Në zonat: Fresk, Astir dhe Yzberisht fillonin me 450 euro për metër katror, deri në 650 euro m2 për shitje. Ndërsa çmimi për qira fillonte me 150 euro për hyrje 1+1 dhe 250 euro për hyrje  2+1. Pas tërmetit, përsa i përket shitjeve, nuk ka shumë ndryshime, por çmimet për qira janë rritur minimumi me 50 euro më shumë.
Në zonat: Liqeni i Thatë, Kopshti Botanik, Kodra e Diellit, çmimet për shitje fillojnë me 850 euro për metër katror, deri në 1200 euro për metër katror. Përsa i përket qirave 300 euro për hyrje 1+1 dhe 450 euro deri në 500 euro për hyrje 2+1. Apartamentet me mobilim të thjeshtë, pas tërmetit kanë pasur rritje të çmimit të qirave, duke ndryshuar me mbi 50 euro më shumë.
Në zonat: Fusha e Aviacionit, Don Bosko dhe 5 Maji, çmimet për shitje fillonin me 750 euro për metër katror deri në 850 euro, përsa i përket qirasë, janë 300 euro për hyrjet 1+1 dhe 400 euro për hyrjet 2+1 dhe gjithashtu kanë ardhur në rritje në 350 euro.
Në zonat: Bllok, Myslym Shyri dhe Selvia, janë me çmime të ndryshme sepse kryesisht janë prona për investim sepse çmimi i qirasë është i lartë dhe përdoret për zyra më shumë. Çmimet e qirasë variojnë nga 500 euro më e pakta.
Në zonat: Rruga e Kavajës, 21 Dhjetori dhe Bulevardi, çmimet për metër katror fillojnë me 1000 deri ne 1250 euro dhe për qira, nga 400 euro deri në 600 euro.
Pjesa më e shtrenjtë e Tiranës është qendra dhe Blloku, pa përmendur këtu pjesët e komplekseve të vilave pranë teg-ut, të cilat arrijnë shifra shumë të larta. Përsa i përket zonës më të lirë të apartamenteve në Tiranë, konsiderohet zona e Freskut dhe zona e Astirit.
Gjithashtu ka ardhur shumë në rritje kërkesa për toka që nuk ka qenë fare kaq e theksuar më parë. Kjo sepse tani njerëzit duan që të ndërtojnë shtëpi private.  Por  më shumë  zona e Liqenit të Thatë, pjesa e Saukut dhe Bulevardi Ri, sepse ka toka. Por pjesa Liqenit të Thatë ka ndryshim më të madh çmimesh, duke lëvizur me 200 euro për metër katror dhe në Sauk me 100 euro për metër katror.

Po në Durrës, si janë kërkesat dhe çmimet e banesave pas tërmetit?

Në Durrës shitjet janë ulur shumë, nga 5 mijë deri në 10 mijë euro më pak për shkak të ngjarjes së 26 nëntorit, ndërsa çmimet për qira  janë rritur me 100 euro e më shumë për arsye se nuk ka opsione të tjera të mundshme.
Durrësi tashmë ka shumë kërkesa për të blerë toka, nga Maminasi dhe Shijaku sidomos, kam pasur edhe kërkesa për të shitur tokë edhe unë personalisht.

Çmimet e referencës:

Çmimet e referencës në qytetin e Tiranës
“Xhamlliku”, “Profarma”, Rr. Bardhyl, Rr.”Kongresi i Manastirit” 77. 000 lekë për m2.
“Porcelan”, “Kinostudio”, Rr. “Hoxha Tasim”, fshati “Linzë” 60.000 lekë për m2.
Kompleksi i spitaleve, SHIK, “Oxhaku”, Allias, Tufinë 70.000 lekë për m2.
Rr. “Njazi Meka”, Bregu i Lumit, Allias i Ri, “Myslym Keta” 60.000 lekë për m2.
Ish-Blloku, Libri Universitar 190. 000 lekë për m2.
Stadiumi “Selman Stermasi”, Liqeni Artificial 132. 000 lekë për m2.
Kopshti Botanik, Rr. “Komuna e Parisit”, Liqeni Artificial 107. 000 lekë për m2.
Hotel “Diplomat”, blloku “Vasil Shanto”, Selitë e Vogël 82. 000 lekë për m2.
Shkolla Teknologjike, “Kombinati”, Vaqarr, Selitë, Yzberisht, Sharrë 65. 000 lekë për m2.
Gjykata e Rrethit, ish-Ekspozita 72 000 lekë për m2.
Blloku gjatë rrugës “Zogu i Parë”, Rruga “Fortuzi” deri te “Mine Peze”, 130. 000 lekë për m2.
Stacioni i Trenit, Arkia e Përgjithshme, Hipoteka 100. 000 lekë për m2.
“Don Bosko”, Fabrika e Këpucëve, Bregu i Lumit, “Rr.Siri Kodra” 77 000 lekë për m2.
Telekomi, ish-Lidhja e Shkrimtarëve 145.000 lekë për m2.
“Myslim Shyri”, “Drejtoria e Policisë”, Kisha Katolike 139.500 lekë për m2.
Ish-blloku i ambasadave, Prokuroria, Rruga e Durrësit 102. 000 lekë për m2.
“Ferluti”, ish-uzina “Tirana”, Shkolla e Partisë 87. 000 lekë për m2.
Laprakë, Drejtoria e Doganave, Bregu i Lumit, Fushë- Mëzes, 70. 000 lekë për m2

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet