Anisa Markarian: Ju rrëfej të parët e mi armenë

anisa markarianJanula Vila

Anisa Markarian, artistja e njohur e kinematografisë shqiptare ka rrëfyer në një bisedë, origjinën e të parëve të saj armënë, që i mbujetuan genocidit turk, 100 vite më parë. Në këtë rrëfim, Anisa Markarian rrëfen jetën e babait të saj, sukseset e tij në karrierën mjekësore dhe mënyrën sesi mbërriti në Shqipëri. Aktorja përmend edhe gjenocidin armen mënyrën sesi u ndanë nga jeta gjyshërit e saj. Më poshtë po ju sjellim rrëfimin e saj:

“Im atë lindi në 3 mars 1898 në Afionkaraisar, një qytet i ish-Anadollisë perëndimore, ku jetonin një komunitet i madh armenësh. Gjyshi im Markar Markariani ishte specialist në përzgjedhjen dhe shitblerjen e opiumit, që përfaqësonte në atë kohë për të gjithë krahinën e Afionkaraisarit veprimtarinë tregtare më të begatë. Ndërsa gjyshja ime, Anisa Markarja ishte shtëpiake dhe luajti një rol thelbësor në rritjen dhe edukimin e pesë fëmijëve të saj, me respektin e traditës dhe kulturës armene.

Në prill të vitit 1915, që shënon fillimin historik të gjenocidit armen, im atë sapo kishte mbushur 17 vjeç. Ai së bashku me të gjithë familjen, si miliona armenë të tjerë, u dëbua nga qeveria turke e asaj kohe dhe u internuan në shkretëtirën siriane Derxor. Gjyshërit e mi fatkeqësisht vdiqën gjatë marshimit rraskapitës në kampet e qëndrimit në një moshë fare të re, respektivisht 39 dhe 35-vjeç, për shkak të epidemisë së tifos që preku pothuajse të gjithë karvanin e armenëve në internim.

I mbetur jetim im atë që ishte dhe më i madhi i të pestë fëmijëve, mori mbi shpatulla edhe përgjegjësinë e kryetarit të familjes. Ai për të ushqyer të vëllain dhe tre motrat punoi si stallier për kuajt dhe devetë pranë disa fiseve arabe në shkretëtirën siriane. Në vitin 1921, pas 6 vitesh internimi, mundi të arratisej nga Siria dhe u kthye në Turqi, në Kostandinopojë që është Stambolli i sotëm, ku gjeti punë si shegert pranë një dentisti armen. Në këtë kohë filloi dhe studimet në shkollën e mesme dentare në  Stamboll. Me pasionin për stomatologjinë në vitin 1926 mërgoi në Francë, ku u diplomua si një  kirurg dentist pranë shkollës dentare të Marsejës në janar të vitit 1931. Ardhja e babait tim në Shqipëri është fruti i njërës prej atyre rastësive sa të pabesueshme dhe të papërfytyrueshme të fatit.

Pasi u diplomua në Francë, im atë vendosi të ushtronte profesionin e vet në Etiopi. Pikërisht në trenin që po e çonte në Adis Abeba takon një shqiptar që fliste turqisht. Në bisedë e sipër udhëtari i tregon babait që në vendin e tij në Shqipëri kishte shumë pak dentistë të diplomuar. Udhëtari shqiptar i rrëfeu se nëse im atë donte të kishte dëshirë të shkonte atje do të kishte shumë pacientë dhe do të bënte karrierë shumë shpejt. Babi im nuk mendoi dy herë. I joshur nga fjalët e shqiptarit, zbriti nga treni në stacioni më të afërt dhe bleu një biletë trageti për në Selanik. Nga Greqia hyri në Shqipëri dhe punoi në Korçë si dentist për kryqin e kuq shqiptar deri në mesin e vitit 1931.

Në shkurt të vitit 1932 im atë hapi klinikën e vet private dentare në Tiranë, ku punoi deri në vitet e para pas çlirimit. Në vitin 1948 në kuadrin e shtetëzimeve të pronave private, klinika iu konfiskua nga qeveria shqiptare e asaj kohe dhe im atë u punësua si dentist në klinikën dentare qendrore në Tiranë. Këtë profesion e  ushtroi derisa doli në pension, në moshën 75-vjeçare. Pavarësisht nga pengesat absurde që herë pas here i krijonte qeveria shqiptare tim ati në jetën familjare dhe profesionale,  gjithsesi ai ishte shumë mirënjohës të gjithë shqiptarëve për mikpritjen dhe dashamirësinë me të cilën e rrethuan që ditë e parë që mbërriti në Shqipëri.

Këtë mirënjohje im atë ua shprehu shqiptarëve në shumë mënyra. Në radhë të parë me ndershmërinë e tij të pafundme, më cilësinë e lartë të punës, e veçanërisht me kontributin që i dha stomatologjisë. Im atë është themeluesi i ortodontisë shqiptare. Në vitin 1952 hapi laboratorin e parë në Shqipëri ku filloi prodhimin e aparateve për drejtimin e dhëmbëve. Pastaj me shumë kënaqësi dhe pasion këtë përvojë personale ua përcolli brazave të rinj, të cilët patën fatin të diplomoheshin gjatë viteve kur im atë punonte akoma në klinikën qendrore dentare në Tiranë.

Fakti se jemi fëmijët e një dëshmitari të drejtpërdrejtë të gjenocidit armen dhe mbajmë emrat e gjyshërve tanë Anisa dhe Mark Markarian, përfaqëson për mua dhe tim vëlla një trashëgimi të paçmuar në jetën tonë. Një trashëgimi morale, shpirtërore, historike, kulturore dhe në të njëjtën kohë një përgjegjësi të veçantë. Përgjegjësinë, tani që jemi vetë prindër po iu transmetojmë fëmijëve tanë këtë trashëgimni të paçmuar, në mënyrë që ti ndërgjegjësojmë për origjinën tyre armene.

Vargje nga vepra “Sënduku i Kujtimeve”

Artistja në mbyllje të bisedës, lexoi një paragraf të shkurtër nga tregimi autobiografik i librit të saj të titulluar “Sënduku i Kujtimeve”.

“Në shtëpinë tonë secili kishte sëndukun e tij të kujtimeve. Sënduku i tim eti me tri brava ishte më i rëndësishmi. Ne e quanim “bauli i madh”. Çdo herë që mbështesja faqen mbi kapakun e tij të drunjtë përfytyroja tim atë me sëndukun mbi sup që endej nga një shtet në tjetrin, i dëbuar me forcë nga shtëpia e tij. Shtëpinë që do ta kërkonte, do ta ëndërronte dhe që do na i përshkruante gjithë jetën me mall të përvëluar.

“Prindërit i humba rrugës së internimit, i kishin faqet ende të kuqe kur i varrosa, qante im atë. I groposa në varre të përbashkët se vdisnin me dhjetëra çdo ditë. I kishin faqet e kuqe dhe mos i kam varrosur të gjallë. Kjo brengë do t’ia digjte shpirtin deri në fund të jetës”. Vite më vonë kur studioja në mjekësi do të mësoja se të sëmurët nga ethet e tifos vazhdojnë të kenë faqet e kuqe dhe trupin e ngrohtë edhe shumë orë pasi kanë vdekur. Por nuk munda t’ia thosha, iku përgjithnjë me pengun pashlyer.

<a href=”http://imgur.com/SopJZYr”><img src=”http://i.imgur.com/SopJZYrl.jpg” title=”source: imgur.com” /></a>

Jeta artistike dhe profesionale e Anisa Markajanit

Anisa Markarian (1962) ka lindur në Tiranë dhe është me orgjinë armene. Studimet e larta i mbaroi për Mjekësi, por angazhimi i saj ka qenë i madh në kinematografinë shqiptare. Njihet jo vetëm si aktore e talentuar për rolet që ka interpretuar, por dhe si skenariste e tillë. Në vitin 1991 është larguar në Shqipëria për në Francë, aty ku jeton edhe aktualisht. Atje ushtron profesionin si mjeke nutricioniste. Ka një vajzë dhe një djalë. Në vitin 1997 ka botuar librin “ Sënduku i kujtimeve”.

Angazhimi i saj në kinematografi

-“Vajzat me kordele të kuqe”, me regji të Gëzim Erebarës (1978) -“Në çdo stinë”, me regji të Viktor Gjikës (1980). Në këtë film ka qenë aktorja kryesore, edhe është vlerësuar me çmimin si “Aktorja më e mirë” në Festivalin e IV-të të Filmit.

-“Pranvera s’erdhi vetëm”, me regji të Piro Milkanit (1988). Në këtë film ka interpretuar rolin kryesor, por ka qenë dhe bashkëskenariste. Filmi u vlerësua me kupën e Festivalit të tetë.

–“Ngjyrat e moshës”, me regji të P. Milkanit (1990). Ka interpretuar rolin kryesor, dhe ka qenë edhe skenaristja e filmit.

-“Loin des Barbaries” me regji të Liria Begeja (1994), aktore

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet