Anila Varfi kandidon në Akademinë Europiane të Filmit

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Anila Varfi është një ndër tre të nominuarit për pozicionin e zëvendëskryetares në Akademinë Europiane të Filmit. Ajo rrëfen se si ndikon kjo garë në eksperiencën e saj, si kineaste, por edhe për të lartësuar emrin e Shqipërisë. Në 9 dhjetor merret vendimi.

Kineastja shqiptare Anila Varfi është një nga tre kandidaturat, që kanë konkurruar për pozicionin e zëvendëskryetares së Akademisë Europiane të Filmit. Pas dy ditësh (9 dhjetor) merret vendimi, se cili do të jetë në këtë pozicion Mike Downez, Antonio Saura apo Anila Varfi. Gjatë një interviste për gazetën “Shekulli” Anila Varfi rrëfen, se çfarë rëndësie ka pjesëmarrja e saj në këtë garë, jo vetëm përsa i përket karrierës së saj profesionale, por edhe për lartësimin e emrit të Shqipërisë në botë. Regjisorja shqiptare është anëtare e Akademisë Europiane të Filmit prej pesë vitesh.

Zonja Varfi, pas dy ditësh zgjidhet zëvendëskryetari i Bordit të Akademisë Evropiane të Filmit. Një pozicion për të cilin jeni një ndër tre të nominuarit. A mund të na thoni se çfarë i shton kjo garë karrierës suaj, si kineaste?

Modestisht mund të them se është privilegj e nder të jesh kaq pranë emrave të mëdhenj, si Wim Wenders, Agnieszka Holland etj. Është një nga ato momente, ku fillon dhe reflekton pikë referimin tënd te bashkëkolegët artistë kudo që janë në botë. Është një ambicie për të bërë të mundur, që zërin dhe emrin e artistëve shqiptarë të mund ta përcjellim, përmes individit në majat më të larta të tregut kinematografik. Në këto vite arti dhe sporti kanë valëvitur lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë. Ndërsa, në drejtimin personal është një nga ato momente në jetë, kur njeriut i përkëdhelet sedra, por në të njëjtën kohë i zgjohen përgjegjësi shumë të mëdha për atë ç’ka është në raport me veten dhe artin.

Mendoj, se çfarëdo që të ndodhë mbrëmjen e së shtunës, fakti që jam e nominuar në  treshen finale, në garë me Mike Downey (UK), Antonio Saura (Spanjë), për pozicionin e zëvendëskryetarit të bordit të Akademisë Evropiane të Filmit, elita e artit kinematografik Europian, është shumë. Ndihem e përkëdhelur, nga ky moment i jetës, duke e ndjerë se energjitë që kam harxhuar në këtë punë, nuk paskërkan shkuar kot.

Sa kohë kanë kaluar nga dita që keni nisur punën tuaj të parë, si kineaste?

Në vitin 2004 kam nisur rrugëtimin tim me dokumentarin “Jetë Pezull” nën këshillimin artistik të Gjergj Xhuvanit. Ky dokumentar  konkurron në Prix Europa, ku filmi është selektuar në tetëshen më të mirë të filmave në Berlin. Më vonë kam vazhduar me një seri punësh të realizuara në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Të shohim se çfarë do të ndodh të shtunën (9 dhjetor), por sido që të shkojë nata e ndarjes së çmimeve në Kinemanë Europiane, unë ndihem e privilegjuar që do të jem mes emrave të mëdhenj, që ka tregu kinematografik në Europë.

Gjatë kësaj periudhe mbështetjen e kujt keni pasur dhe ndjerë më tepër?

Gjatë periudhës 1-mujore të nominimit, ku të gjithë anëtarët e Akademisë Europiane të Filmit duhet të votojnë kandidaturat kam pasur mbështetjen e miqve artistë, si Kujtim Çashku, Yljet Aliçka, Gjergj Xhuvanin, Veton Nurkollari, Isa Qosja, Roland Sejko, Iris Elezi, Kasem Hoxha. Janë edhe shumë miq të tjerë jashtë kufijve, që dhe pse nuk flasin gjuhën shqipe kanë ndarë me mua këtë gëzim të bukur. Gjithashtu mbështetjen më të madhe morale ma ka dhënë familja ime. Tani na mbetet vetëm të presim. Është shumë i rëndësishëm fakti që emri Albania (Shqipëri) bashkë me emrin tim kanë qarkulluar tek rreth 3500 anëtarë të Akademisë Europiane të Filmit. Në këtë rast bëhet një reklamë shumë e mirë për vendin, pavarësisht se Shqipëria është me anëtarësimin më të vogël në Akademinë e Filmit.

A ka një arsye konkrete, përse ne jemi me numrin më të ultë në këtë Akademi?

Kjo gjë hyn tek interesi që kanë kineastët për të qenë pjesë e një institucioni, që mbron dhe reklamon kinemanë evropiane. Mendoj se kjo është individuale, sepse fillimisht çdokush delegon atë që është puna e tij, edhe më pas referencat, që merr nga tre anëtarë e EFA. Pastaj i mbetet bordit të vendosë nëse duhet kaluar ai prag ose jo. Anëtari  më i hershëm nga Shqipëria i kësaj akademie, është kineasti dhe producenti Kujtim Çashku.

A mund t’i krahasojmë ne prodhimet kinematografike shqiptare me ato evropiane, përsa i përket nivelit?

Edhe pse janë të pakta në numër mendoj se kemi prodhime kinematografike ambicioze. Janë prodhime dhe bashkëprodhime ambicioze, siç ishte filmi më i fundit “Dita zë fill” i Gentian Koçit, që fitoi çmimin si “Aktorja më e mirë” në festivalin e Sarajevës. Ka dhe plot prodhime, që besoj se në të ardhmen mund të marrim edhe ndonjë vlerësim prestigjioz.

Po përsa i përket Festivalit të Filmit në Durrës, krijim i juaji, çfarë mund të na thoni?

Më mungon shumë! Është një krijesë, që e lindëm dhe e rritëm në shtatë vite. Më duket, si një krijesë që tani e kam braktisur me shpresën që do të mund t’i rikthehemi sërish, për ta sjell plot shkëlqimin. Një nga arsyet e ndalimit ishte, fakti se ne gjykuam për t’a rritur edhe për ta çuar në nivelin e duhur. Për këtë na duhej më shumë mbështetje, si financiare, por edhe morale. Në momentin kur ndodheshim në këtë lloj vakumi, gjykuam që ndoshta është më mirë të bëjmë një tërheqje e një ditë  të rikthehemi sërish për të sjellë më të mirën. Durrës International Film Festival arriti  në kuota emrash Hollivudianë.

Dhe së fundmi, çfarë projektesh keni në duar?

Aktualisht jam duke punuar me një dokumentar artistik. “Harru krejt” është bashkëprodhim me Akademinë Daneze të Filmit. Në vitin 2018 do të mund të kemi premierën. Ky bashkë realizim  me  Isla Badenoch, do të vijë jo vetëm, si dokumentar artistik, por edhe përmes  ekspozite fotografike.

Akademia Europiane

Akademia Europiane e Filmit është formuar në vitin 1989 dhe ka për qëllim që të bashkojë profesionistë europianë të filmit, në mënyrë që të promovojnë kulturën filmike të Europës. EFA inicion dhe merr pjesë në shumë aktivitete lidhur me politikën e filmit, si dhe me aspektet e ekonomisë, artit dhe trajnimit. Programi përfshin konferenca, seminare dhe punëtori, që kanë qëllim të përbashkët të ndërtojnë një urë në mes të kreativitetit dhe industrisë. Këto aktivitete kulmojnë në prezantimin vjetor të Çmimeve Europiane të Filmit, ku nderohen arritjet më të mëdha në kinemanë europiane.

Bio

Anila Varfi (1970) ka përfunduar studimet e larta në Akademinë e Arteve, dega Dramë (1994) dhe për Gjuhë-Letërsi (1996). Në vitin 1993 fillon punë në Radio Tirana në departamentin e kulturës, si gazetare kulture. Shkruan disa episode për skenarin radiofonik “Rruga me pisha” (2002). Dokumentari“ Jetë pezull” (2004) i cili konkurron në Prix Europe, Berlin dhe nominohet në 8-shen e dokumentareve më të mirë me buxhet të ulët. Bashkëpunon me Gjergj Xhuvanin te “I dashur armik”, si aktore.

Në vitin 2007- 2010 emërohet drejtoreshë programacioni në TVSH. Ka qenë drejtoreshë artistike e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës (2008) për 7 vite radhazi. Deri më tani ka realizuar disa dokumentarë si: “Dialog për ikjen”, “Shkodrani”, “Përtej kufijve”, “Ëngjëll i gjymtuar”, “ Dinastia e Tedeschini”, “Fisniku i muzikës” etj.