Angela Fagu, galeristja shqiptare që përfaqëson artistët me famë botërore

Publikuar më 30. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Vajza e regjisorit të njohur Mit’hat Fagu rrëfen jetën e saj si galeriste në Firence. Teksa kujton vitet e para të fëmijërisë në Shqipëri, ndalet edhe tek ndikimi që kanë pasur prindërit, në rrugën e saj, si artiste e arteve pamore. Sot ndihet e lumtur që promovon artistë ndërkombëtarë, si Regina Noakes, Yu Chuan etj.

Pasioni për vizatimin dhe pikurën është rritur bashkë me të. Gjatë fëmijërisë kujton kur i ati, artisti i njohur Mit’hat Fagu e merrte pranë vetes në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”. Aty i zgjaste disa fletë të bardha e lapsa dhe ja, vizatimet e Angelës merrnin jetë. Si në filmin me metrazh të shkurtër të Mit’hatit “Vizatim me një zog”, ku ajo ishte protagoniste ka ndodhur edhe me pasionin e saj. Dashuria për artin ka fluturuar nga shpirti i Angelës dhe peizazhi i bukur që i bëhet shtëpi është galeria e saj.

Prej Akademisë së Arteve të Bukura në Firence, ku janë formuar mjeshtërit më të mëdhenj në botë Angela Fagu zotëron dy diploma për pikturë dhe gdhendje, edhe pse ajo rrëfen për gazetën “Shekulli” se mësuesi i saj i parë ka qenë i ati. Gjatë impenjimit të saj në një galeri arti në Firence ajo kupton se sa shumë e dashuronte këtë punë. “Aty punova dy vjet dhe kuptova sa shumë më pëlqente të isha mes artistëve”. Vendimi për të hapur një galeri të sajën u mbështet edhe nga familja, i ati pati besim tek Angela dhe në fakt koha tregoi se kjo ka qenë zgjedhja e duhur. Angela sot është një emër me rëndësi në botën e artit pamor në Itali dhe përfaqëson e bashkëpunon me artistë të famshëm ndërkombëtarë.

 

Angela, kanë kaluar shumë vite, por si i kujtoni vitet e para të fëmijërisë në Shqipëri?

Kam shumë kujtime nga fëmijëria ime, kujtime të bukura dhe më pak të bukura. Më kujtohet shtëpia ku jam rritur, kujtoj gjithashtu zotërinë që kalonte poshtë shtëpisë sime tek i cili unë blija lëpirëse në formë gjeli me sheqer të shkrirë. Kujtoj vaktet e shpejta me miqtë, të cilat ishin zakonisht bukë me ujë e sheqer ose vaj, kripë e qepë. Luaja me kukullat që ime më më sillte nga Italia, ose shkëmbeja me miqtë pakot me karamele, apo me çamçakëza (asokohe kishin edhe figurat ngjitëse).

Në “Facebook” ruani një foto artistike bardhezi kur keni qenë fëmijë. A mund të na thoni çfarë historie “fshihet” pas saj?

Gjatë fëmijërisë sime kam qenë gjithashtu protagoniste në një film me metrazh të shkurtër të realizuar nga babai im. Edhe pse isha e vogël nuk e kam harruar asnjëherë këtë eksperiencë, madje ruaj edhe një foto. Unë luaja në atë film ku im atë ishte regjisor, si dhe drejtor artistik dhe duhej të vizatoja një histori në një fletë. Gjatë ziles shkollore që lajmëronte pushimin, vizatimi im kishte marrë jetë. Kur filmi doli në kinema në rrugët e Tiranës kishte panele të mëdha publicitare me fytyrën time. Janë kujtime shumë të bukura që i ruaj në zemër.

Më vonë, me familjen, shkoni në Itali. Si ka qenë ajo periudhë?

Në fillim isha e lumtur, që do të shkonim të jetonim në Itali, por nuk ka qenë aspak e lehtë. Gjatë studimeve pas fillores në Livorno jam ndier e diskriminuar, kanë qenë 3 vite të vështirë. Njëkohësisht me leksionet duhet të mësoja edhe gjuhën italiane. Ndërsa, në gjimnaz gjërat filluan të ndryshonin, kisha krijuar rrethin tim të miqësisë dhe nuk ndihesha më e diskriminuar.

Gradualisht mbaruat Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Përse kjo zgjedhje? Si nisi lidhja juaj me pikturën?

Zotëroj dy diploma prej Akademisë së Arteve të Bukura në Firence, një në pikturë dhe një në gdhendje. Që në fëmijëri kam pasur pasion vizatimin dhe pikturën. Kur isha e vogël dhe im atë më merrte me vete në studion e tij në ish-Kinostudio, atje më gjente disa fleta të bardha dhe lapsa ku unë vizatoja dhe interpretoja atë. Babai im kishte realizuar edhe filma të animuar me vizatimet e tij. Duke u rritur edhe pasioni im u maturua, derisa vendosa të studioja në Firence në Akademinë e Arteve të Bukura ku kanë studiuar mjeshtrit më të mëdhenj në botë.

Regjisori Mit’hat Fagu, babai juaj, si ka ndikuar në zgjedhjen tuaj?

Im atë përveçse regjisor ishte skulptor, si dhe një piktor i shkëlqyer. Ka qenë gjithashtu mësuesi im i parë, prej tij kam mësuar disa prej teknikave të pikturës dhe vizatimit.

Gjatë studimeve në akademi kam marrë pjesë në ekspozita dhe konkurse të ndryshme për të vlerësuar më mirë artin tim. Sa më shumë ekspozita bëhen, aq më shumë njihet artisti.

Çfarë mund të na tregoni për këtë eksperiencë dhe përse vendosët, që të hapni një galeri?

Para se të hapja galerinë time kam punuar dy vjet në një galeri arti në Firence, gjithmonë gjatë periudhës së studimeve në akademi, dhe prej aty kuptova se sa shumë më pëlqente të isha mes artistëve. Nuk më pëlqente mënyra se si drejtohej ajo galeri dhe pas dy viteve eksperiencë vendosa të hapja një timen. E dashuroj këtë punë, sepse më jep mundësinë të jem në kontakt me gjithë botën, pasi unë përfaqësoj dhe bashkëpunoj me artistë ndërkombëtarë.

Si ndiheni kur në galerinë tuaj promovoni artistë ndërkombëtarë?

Jam me të vërtetë e kënaqur, që promovoj artistë me të cilët bashkëpunoj prej shumë vitesh, artistë që janë edhe shumë të rëndësishëm. Nuk është një punë e thjeshtë, kërkon shumë orë dedikim, por në fund sodisfaksionet nuk mungojnë asnjëherë, mbi të gjitha kur artistët që përfaqëson e vlerësojnë shumë punën e bërë. Regina Noakes (e lindur në Singapor, por që jeton dhe punon në Australi) është një artiste me famë ndërkombëtare, në Australi është shumë e famshme dhe koleksionistë me famë, si Sting dhe Eric Clapton kanë blerë veprat e saj. Është një artiste në 360 gradë dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Një artist tjetër që më pëlqen shumë është Yu Chuan (kinez) pasi ka një teknikë të jashtëzakonshme dhe është gjithashtu me famë ndërkombëtare edhe pse në një moshë shumë të re, vetëm 35 vjeç ka dhunti unike.

Cili është koncepti juaj për artin bashkëkohorë, që zhvillohet sot nga artistët pamorë?

Arti bashkëkohor në ditët e sotme është kaq i gjerë, ka kaq shumë forma në të cilat shprehet saqë bëhet e pamundur ta përshkruash me pak fjalë. Nuk është aspak e lehtë, por para se të gjykohet një vepër arti duhet të njihet mirë koncepti që artisti ka dashur të shprehë, duhet të njohësh mirë historinë e artistit dhe vetëm më pas dikush mund të shpreh mendimin e tij qoftë pozitiv ose jo. Në Firence artisti bashkëkohor Ai Ëeiëei hapi një ekspozitë, ai instaloi gomone ngjyrë portokalli në fasadën e pallatit historik “Strozzi” në qendër të Firences dhe nëpërmjet atyre gomoneve, ai donte të përçonte një mesazh përsa i përket çështjes së emigrantëve. Qenë të shumtë ata që kritikuan instalacionin e tij, ndërsa mua m’u duk shumë interesant dhe me një impakt të fortë.

Çfarë mund të na tregoni për raportin juaj me zotin Fagu, si babë dhe vajzë?

Raporti me tim atë ka ndryshuar shumë në vite. Në fazën adoleshenciale ai ishte shumë i ashpër përsa i përket edukimit tim. Kur je 15 apo 18 vjeçe të gjitha Jo-të e thëna nga prindërit i shikon në mënyrë negative, por kur rritesh edhe kur je në moshën 25 apo 35-vjeçe brenda teje i falënderon ata për qëndrimin e tyre dhe që të kanë mësuar respektin dhe edukatën kundrejt tjetrit. Përveç kësaj, duke qenë se prej babait kam trashëguar pasionin për artin, ai ka qenë edhe mësues për mua duke më mësuar bazat e vizatimit dhe pikturës dhe është meritë e tij nëse unë sot di të vizatoj.

Cili është filmi i babait tuaj, që ju pëlqen më shumë?

Për fat të keq nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetje, pasi nuk i njoh filmat e babait tim, sepse nuk kam mundur t’i shijoj asnjëherë…!

Ai ka kaluar një jetë të vështirë për shkak të sistemit komunist, por çfarë ju ka mbetur më shumë në kujtesë nga ato që u ka treguar?

Nga regjimi komunist kujtoj shumë më mirë se çdo gjë ishte me orare dhe racion. Për shembull, më kujtohet mirë kur mamaja ime duhet të mbushte kovat me ujë pasi në një orë të caktuar rubinetet mbylleshin dhe nuk kishte më ujë, dritat me orare…, prindërit e mi duhet të dilnin herët në mëngjes për të blerë ushqimet bazë për mua dhe motrën.

Nuk ka pasur asnjë ndërprerje gjatë realizimit të ëndrrave të mia, pikë së pari, sepse kam ndjekur gjurmët e babait tim duke frekuentuar Akademinë e Arteve të Bukura në Firence dhe kur vendosa të hapja galerinë time babai im pati besim tek mua.

Dhe së fundmi, çfarë ju pëlqen dhe çfarë jo gjatë vizitave që bëni në Shqipëri?

Gjatë vizitës së fundit impakti fillestar nuk ishte pozitiv, përkundrazi. Vërejta kaosin, rrugët pa asfalt, makinat që ecnin me shpejtësi të madhe dhe mungesën e respektit për këmbësorët. Kur isha në Tiranë duke shëtitur në qendër vëreja diferencën e madhe midis të pasurve dhe të varfërve, ka akoma njerëz që shesin perimet për tokë si 40 vite më parë, më pas ngre vështrimin dhe shikon gradaçelat e luksit dhe lokalet e nivelit të lartë që frekuentohen nga njerëz të pasur. Me siguri që pasi ke jetuar për shumë vite në Itali, unë praktikisht jam rritur në Itali, vëren se vendi yt nuk ka bërë shumë hapa para në 20 vite. Ajo që më pëlqen prej Shqipërisë është mikpritja, buzëqeshja e njerëzve, bujaria, dhe që pavarësisht të gjithave mbetet vendi im.