Anesti Haviari, profesori i paharruar i katedrës së frëngjishtes

Sokol  M. Dangëllia

Emri i tij pothuajse është harruar dhe brezat e rinj nuk e njohin fare, por dikur, ai ka qenë padyshim një pedagog dhe intelektual i klasit të parë. Janë me mijëra në të gjithë Shqipërinë nxënësit dhe studentët që kanë pasur fatin ta njohin dhe të arsimohen prej prof. Nesti Haviarit. Nesti u lind në Korçë më 7 shtator 1918 në familjen e intelektualit Dhosi Haviari me prejardhje nga Osoja e Oparit. Prindërit e tij lindën 11 fëmijë nga të cilët vetëm 3 ( dy djem dhe një vajzë) mbërritën moshën e pjekurisë. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, në shtator 1930, ai hyri në Liceun Kombëtar të Korçës ku të gjitha mësimet zhvilloheshin në frëngjisht (qysh në vitin e parë, vogëlushët  merrnin 18 orë frëngjisht në javë), çka i jepte Liceut Frëng të Korçës një farë epërsie ndaj atyre pak shkollave të mesme që vepronin atëherë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Pedagogët (shumica frëngj) ishin të rreptë dhe parimin e meritokracisë e kishin të shenjtë. Me këtë frymë u edukuan nxënësit e kësaj shkolle dhe idetë iluministe të saj përçuan kudo që jetuan dhe vepruan.

Nesti i mbaroi studimet e mesme në v.1939 me rezultate shumë të mira (mention tres bien) duke dalë i pari në klasën e vet mes konkurrentëve të fortë si Behar Shtylla, Fuat Babani, Mikel Zavalani, Teodor Sterio, Vangjel Kondi, Miço Pisha, Dhimitër Skëndi, etj. Gjithsesi qeveria mbretërore atij dhe B.Shtyllës (nxënësve më të mirë të klasës) nuk u akordoi bursë për studimet e larta. Gjatë viteve 1941-42 familja e dërgoi me shpenzimet e veta të studionte në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Universitetin e famshëm të Padovës, Itali, ku pati rezultate shumë të mira në provimet e dy viteve të para. Në fillim të vitit 1943 u kthye në Korçë dhe duke ndjekur traditën atdhetare të familjes u lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Gjatë kësaj kohe përktheu mjaft letërsi antifashiste ( përkthyes i Komit. Qarkor të P.K.Korçë), midis të tjerash dhe veprën “10 ditë që tronditën botën“ të revolucionarit të shquar amerikan Xhon Rid. Pas çlirimit të Shqipërisë filloi punën si mësues në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” (ish Liceu Kombëtar i Korçës) dhe më pas në v.1946 u emërua drejtor i gjimnazit të Shkodrës. Në vitin 1945 ka marë pjesë në konferencën e Kryqit të Kuq të Rinisë në Stokholm të Suedisë.

Në vitet 1948-1965 Nesti Haviari punoi në Ministrinë e Arsim-Kulturës, fillimisht si inspektor për arsimin e mesëm (pranë Drejtorisë së Shkollave në Ministrinë e Arsimit, 1948-1955) dhe më pas si metodist i gjuhës shqipe dhe letërsisë (1955-1959) dhe përgjegjës i redaksisë së teksteve për gjuhën shqipe dhe letërsinë (1959-1965). Në vitin 1965, duke qenë se ishte dalluar për punën e tij skrupuloze në dikasterin e arsimit, u dërgua së bashku me prof. Skënder Vilën për një specializim 6 mujor për gjuhën frënge në Francë (fillimisht në Bezanson e më pas në Paris). Në vitet 1965-67 ai punoi si pedagog i frëngjishtes pranë Fakultetit Histori-Filologji të Tiranës, ndërsa në v.1967-1974 ai qe përgjegjës i katedrës së gjuhës frënge pranë atij fakulteti në Tiranë. Nesti ka përgatitur për shumë vjet me radhë tekste të gramatikës dhe të letërsisë frënge për degën e frëngjishtes së Fakultetit Histori-Filologji të Tiranës, ka shkruar një studim mbi sistemin e krahasuar foljor shqip-frëngjisht dhe ka kontribuar në redaktime e përkthime të ndryshme. Nesti ka referuar me një kumtesë në Konferencën e dytë të Studimeve Albanologjike me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (Tiranë 12-18 janar 1968). Niveli i lartë profesional, metodologjia dhe skrupuloziteti në punë janë vlerësuar shumë nga kolegët e tij në ministri e fakultet, po ashtu edhe nga studentët e tij të shumtë. Anesti Haviari ishte mishërimi i nëpunësit dhe pedagogut shembullor. Për meritat e tij në fushën e arsimit  Anesti Haviarit iu dha titulli “Mësues i merituar”. Ai vdiq në Tiranë në 31 janar 2004 duke lënë pas kujtimin e një atdhetari dhe intelektuali të vyer.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet