
Amerikani më i njohur i rrjeteve sociale në Shqipëri, Ben Washburn, tregon në një intervistë për “Shekulli”-n çfarë e ka bërë të bjerë në dashuri me vendin tonë dhe çfarë e habit më shumë nga traditat e kultura e shqiptarëve.
Lorena Resulaj
Nëse jeni përdorues i rregullt i rrjeteve sociale, me siguri nuk do ju ketë shpëtuar pa parë ndonjë video nga amerikani Ben Washburn. Prej 6 muajsh ai jeton në Shqipëri dhe këtë eksperiencë e ka dëshmuar në mënyrën më të bukur me video e postime të ndryshme. Ben u njoh me Shqipërinë për herë të parë nga e dashura e tij, Fiorina, dhe ai nuk dëshiron që të largohet më prej këtej. Ai ka mësuar deri më tani disa prej gjërave më të veçanta nga kultura e tradita shqiptare dhe tregon në një intervistë për “Shekulli”-n se çfarë i ka pëlqyer dhe e ka habitur më shumë prej tyre deri më tani. Ben tregon se përveç vendeve të bukura që ka Shqipëria, pëlqen shumë edhe mirësinë e shqiptarëve, që kanë qenë gjithmonë të gatshëm ta ndihmojnë me gjithçka.
Kur erdhe për herë të parë në Shqipëri dhe sa gjatë do të qëndrosh këtu?
Historia e shkurtër është kështu: Unë po studioja në nivelin master në Universitetin e Oksfordit në vitet 2016-2017 dhe aty njoha të dashurën time shqiptare: Fiorina. Ajo studionte në të njëjtën degë me mua dhe nisëm të dilnim me njëri-tjetrin pas pak kohësh. Unë vizitova Shqipërinë me Fiorinën për herë të parë në prill të 2017-tës dhe rashë menjëherë në dashuri me këtë vend! Ne vizituam Tiranën, Gjirokastrën, Beratin, Durrësin, Korçën dhe Thëthin. Pasi u diplomuam nga Oksfordi ne punuam në Amerikë, Tanzani dhe Vietnam për disa vite. Së fundmi vendosëm që të zhvendoseshim në Tiranë, kur Fiorinës ju ofrua një vend pune këtu dhe të dy menduam të përfitojmë nga kjo mundësi. Edhe unë kam mundësi të vazhdojë punën që këtej, kështu që lëvizja jonë në Tiranë funksionoi mirë për të dy ne. Nuk kemi plane për t’u larguar së shpejti.

Ben dhe e dashura e tij, Fiorina
Çfarë mendon për shqiptarët përpara se t’i njihje dhe të jetoje këtu? A ekziston ndonjë paragjykim për shqiptarët në Amerikë?
Për t’u treguar i sinqertë, nuk dija shumë për kulturën shqiptare përpara se të takoja Fiorinën dhe pasi vizitova Shqipërinë më vonë. Unë jam rritur në Connecticut në Amerikë dhe nuk kam dëgjuar ndonjë paragjykim për shqiptarët në vendin ku jetoja. Megjithatë nuk them se nuk ekzistojnë paragjykimet; mendoj se disa njerëz supozojnë për një vend vetëm duke parë një film si për shembull “Taken” apo duke lexuar disa artikuj në media dhe kjo është vërtetë për të ardhur keq. Por nga perspektiva ime, nuk kam vënë re ndonjë paragjykim për shqiptarët në vendin ku jam rritur.
Çfarë të pëlqen më shumë dhe më pak nga shqiptarët?
Nuk dua t’i përgjithësoj të gjithë shqiptarët. Megjithatë, një gjë që kam vënë re nga bashkëveprimet e mia këtu është rëndësia e mikpritjes. Unë jam ndjerë shumë i mirëpritur që kur kam lëvizur në Shqipëri dhe kjo për shkak të mirësisë së njerëzve këtu për të më treguar Tiranën, për të më shpjeguar kulturën dhe traditat shqiptare etj. Mendoj se shumë njerëz këtu janë të gatshëm të të japin dhe të ndihmojnë pa pritur asgjë në këmbim.
@bwashfit##foryou ##albania♬ 40 Day Dream – Edward Sharpe & The Magnetic Zeros
Ke thënë se e dashuron Shqipërinë. Pse? Çfarë të pëlqen kaq shumë nga vendi ynë?
Po, e dashuroj jetesën këtu! Unë kam udhëtuar dhe jetuar në shumë vende, por Shqipëria është përshtatur më së miri me prioritetet dhe interesat e mia. Duke folur për Shqipërinë në përgjithësi, është një qytet që të ofron shumë vende të mrekullueshme për të ecur, plazhe të bukura, vende ku mund të njohësh kulturën dhe historinë, etj. Kanë kaluar 6 muaj nga dita kur lëviza këtu për herë të parë, por mendoj se kam akoma shumë për të parë! Për Tiranën, mund të them se ka gjithçka çfarë dua nga një qytet. Duke qenë se jam duke punuar në distancë, më pëlqen shumë varieteti i kafeneve këtu, çmimet dhe kualiteti i kafes. Gjithashtu më pëlqen që nuk është një qytet shumë i madh dhe në këtë mënyrë mund të shkojë në këmbë në çdo vend (Blloku, Myslym Shyri, Parku etj) në më pak se 30 minuta. Gjithashtu më pëlqen shumë energjia e këtij qyteti, sepse unë jam rritur në një qytet shumë të qetë, kështu që tani jam kthyer në një person qyteti që i pëlqen edhe zhurma dhe gjallëria. Megjithatë, diçka që dua të theksoj është se unë jam i vetëdijshëm se eksperienca ime këtu nuk përfaqëson atë të të gjithë njerëzve. E di shumë mirë që shumë shqiptarë nuk jetojnë me të njëjtin komoditet si unë ose kanë prioritet të tjera për sa u përket interesave të tyre, mundësive etj. Por për mua Tirana është si një shtëpi perfekte.
Cila është gjëja dhe tradita më e çuditshme që të ka surprizuar nga Shqipëria?
Ka shumë ndryshime në kulturë mes Shqipërisë dhe Amerikës. Për shembull, unë jam surprizuar nga mënyra se si njerëzit përshëndesin njëri-tjetrin në Shqipëri në krahasim me Amerikën. Unë gjithmonë i kam përshëndetur njerëzit me një shtrëngim dore (ose nëse personi është një mik i ngushtë, ndonjëherë edhe me një ‘high-five’). Kur arrita në Shqipëri, nuk isha mësuar me përshëndetjen e njerëzve duke i puthur në të dyja faqet! Kjo më surprizoi shumë në fillim, kështu që kam pasur mjaft momente të sikletshme. Një tjetër ndryshim, nga i cili fillimisht u befasova, ishte sasia e herëve që njerëzit bënin “Gëzuar” me njëri-tjetrin gjatë një vakti. Më pëlqejnë shumë këto ndryshime dhe ju kam thënë njerëzve se ndonjëherë kam bërë më shumë “gëzuar” gjatë në një nate në Shqipëri se sa gjatë një viti të tërë në Amerikë. (qesh)
@bwashfitGëzuar ##foryou ##albania♬ original sound – bwashfit
Çfarë ushqimi tradicional shqiptar ke mësuar të gatuash dhe cili është i preferuari yt?
Deri tani kam realizuar 5 video duke gatuar ushqime të ndryshme shqiptare. Kam provuar të gatuaj byrek, pispili, fli, petulla dhe trileçe. Mund të them se disa ishin më të mira se të tjera, por padyshim flija dhe trileçet janë më të mirat! Do provojë të gatuajë ushqime të tjera së shpejti.
Të kemi parë të kërcesh valle shqiptare. A ke arritur t’i mësosh siç duhet hapat?
Fillova të praktikoja vallet kur ishim në karantinë, kështu që arrita të mësoja pak! E di që ka versione të ndryshme, por më së shumti kam praktikuar pogonishten, sepse dukej më e lehtë. Nuk jam kërcimtar aq i mirë (sepse unë kërcej shumë rrallë) kështu që më ka marrë pak kohë mësimi i hapave të duhur. Megjithatë, mendoj se nuk do e dijë kurrë nëse jam i aftë të kërcejë valle shqiptare deri sa të marrë pjesë në një dasmë apo party, ku do të vihet praktika ime në testim.
Çfarë fjalësh ke mësuar nga gjuha shqipe dhe sa e vështirë të duket?
Nuk kam mësuar akoma shumë nga gjuha shqipe. Kam vetëm 6 muaj këtu dhe kam arritur të mësojë përshëndetjet dhe disa fjalë bazike që përdoren shpesh. Më duket një gjuhë e vështirë, por po jap më të mirën time për ta mësuar duke dëgjuar bisedat me kujdes. Të flasë shqip ka qenë një sfidë e vërtetë, sepse ka disa tinguj që nuk i kam dëgjuar si folës i gjuhës angleze. Megjithatë, po praktikohem shpesh dhe e dashura ime më ka ndihmuar shumë me këtë gjë!
@bwashfitGoogle Translate is back 🤖🇦🇱 ##foryou ##albania♬ original sound – bwashfit
@bwashfitStill trying to learn… 😆🇦🇱 ##fyp ##albania♬ original sound – bwashfit
Bën punë tjetër në Shqipëri, përveç kësaj që bën nga distanca?
Siç thashë unë po punoj që një organizatë jofitmprurëse me qendër në Tanzani. Organizata quhet ‘Asante Sana For Education’, që është themeluar nga familja ime rreth 10 vite më parë dhe është rritur shumë që nga ajo kohë. Ne punojmë për të mbështetur studentët nga komunitetet vulnerabël në Tanzai duke ju siguruar bursa, ndërtimin e shkollave të reja dhe asistuar për aplikimin e tyre në universitet. Roli im kryesor ka qenë menaxhimi i këtyre projekteve dhe të lidhemi me donatorë potnecial. Përveç kësaj po punoj edhe si studiues i pavarur.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply