Amaneti i albanologut shkon në vend! Robert Elsie do prehet me kostum popullor kombëtar

Publikuar më 16. 10. 2017 nga Elidona Syla

Albanologu, studiuesi dhe përkthyesi i njohur, kanadezi me origjinë gjermane, Robert Elsie, i cili u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare pak ditë më parë do të prehet në Shqipëri.

Ai e la amanet dhe një gjë e tillë do të përmbushet ditën e nesërme. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka njoftuar sot se në përmbushje të amanetit të fundit të albanologut të shquar, Robert Elsie për t’u varrosur në Alpet Shqiptare, trupi i tij do të qëndrojë nesër, më datë 17 tetor, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare për homazhet dhe nderimet e fundit, nga ora 14:00 deri më 16:00, kur edhe do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes për në Shkodër.

Robert Elsie do të prehet me kostum popullor shqiptar, shkruan “Balkanweb”. Disa ditë më parë, fotografi Roland Tasho i ka dërguar familjes së tij një kostum të zonës së Shkodrës, me të cilin është veshur trupi i pajetë i albanologut. Ai do të prehet në Theth, ashtu siç edhe e ka lënë amanet albanalogu.

Një gjë e tillë është konfirmuar nga miku i tij, Artur Metani, i cili ka qenë një ndër miqtë e tij më të afërt  dhe që e ka shoqëruar më 25 vite në udhëtimet e tij në Shqipëri.

I qetë, i qeshur, i urtë, i pazë, modest e timid, pa rrahur gjoksin, larg skenave e projektorëve, fjalë- pakë e punë shumë, Elsie qëmtoi për vite të gjata dëshmi të kulturës shqipe, në biblioteka e arkiva, anekënd botës. E nesër trupi i tij do të prehet në Shqipëri.