Alkimia e mallit për atdhe si ndikim emocional

Kritikë letrare për librin me poezi “Melodi e Dhimbjes” të Fatime Kalimashi-Hotit. Dhembjet e motiveve, dhembjet e mallit e dhembja e frikës nga asimilimi dhe tjetërsimi

Shefqet Dibrani

Fatime Kalimashi – Hoti, është poete që përmes metaforës së dhembjes, të cilën e ka cilësuar si “Melodi”, i ka pashitur dhembjet, i ka mëkuar plagët dhe ka ecur vertikal. Po cila qenka ajo melodi? Ç’zë paska dhembja poetike, çfarë rënkimesh kanë lirikat e saj dhe cili qenka timbri i zërit që lëshojnë dhembjet, përveç gjëmës e kukamës e cila interpretohet në mënyrë artistike. Por fjala është për dhembjet e motiveve, për dhembjet e mallit, për dhembjen e frikës nga asimilimi dhe tjetërsimi, poezi këto më sa duket sikur janë shkruar në vitet e më hershme, kur poetesha ende nuk e ka gjetur veten si emigrante në një ambient të ri dhe mjaftë i ashpër për tu integruar. E këtë gjendje shpirtërore ajo e shpreh edhe në poezinë “E vetmuar”, duke qëndruar “në një dhomë të errët”, shkruan poetja që janë drithërima trishtimi, është ajo “Melodia e dhembjes”, me të cilën ajo ka ndërtuar një metaforë të fuqishme përmes së cilave sillet i tërë strumbullari i fenomenit “Melodi” mbi “Dhembje”.

Në anën tjetër është regjistruar edhe fenomeni dhembje, që ka të bëjë me mallin për vendlindje, ku ka ndjerë plagën në shpirt, dhe kështu e plagosur ka nisur jetën e re plotë frikë e pasiguri, por me kalimin e kohës ajo e ka mbushur me angazhime të shumta, andaj edhe motivet poetike i mbulon me ëndrra për tu bërë vetja e saj, tamam siç e thotë edhe në poezinë “JETA”: Nga puna dituri fitoj/Nga vepra ndihem krenare /Nga mirësia ndjej kënaqësi/ Nga dashuria ndihem e lumtur/ Nga buzëqeshja ndjej gëzimin /Nga pikëllimi psherëtij/ Nga dhembja ndjej plagën në shpirt/ Nga mërzia ndjej keqardhjen/Nga sëmundja kërkoj shërim/S’dua asnjë e keqe/ Ti ndodh jetës sime

Pavarësisht sukseseve në jetën private, në jetën kulturore dhe me poezitë e saj Fatime Kalimashi – Hoti, e plotëson boshllëkun me poezi, ku përmes vargjeve duket se shpirti i saj latent ende nuk e ka gjetur atë ngrohjen të cilën e ka imagjinuar, e ka fantazuar, me një fjalë nuk është e gatshme për të jetuar jetën larg andrallave që i ka pasur dikur në moshën e saj të rinisë. Tashmë dihet se edhe asaj, si shumë të tjerëve, ambiciet kanë devijuar, tamam si gjithë emigracionit tjetër botëror. Vargun poetik i Fatime Kalimashi – Hoti, ka një melankoli të theksuar, sado që aty këto ka dhembej por ka edhe revoltë për të mos u dorëzuar, ka mospajtime dhe paragjykime, e si grua që është ka qëllim të cilin dëshiron për ta realizuar, për ta identifikuar artin e saj kulturor me atë letrar, andaj të gjitha angazhimet e saj në jetën publike kanë një qëllim i cili motivohen nga ky synim, për të cilin ajo ka punuar dhe ka jetuar.

Në këtë plan ajo kishte mbështetjen e dikujt siç shkruan në poezinë “TI”, një përkushtim emblematik do të thosha: “Ti mi dëgjove trokitjet e zemrës/ Ma tregove rrugën e lumturisë/ Nga gjumi më zgjove/ Me ndjenja të dashurisë/ Ti dhe vetëm ti je bota ime”. Një përkushtim fisnik dhe dinjitoz, që e bënë atë “melodinë e dhimbjes”, edhe më përjetuese por nga ky fragment edhe më fisnike dhe ledhatuese.

Vargjet

Gjithçka që bëri kjo poete, janë sfida mbi risocializimin në jetën e re, në përpjekjet e saj për tu ambientuar por duke mos harruar vetën se është shqiptare, krenare dhe bujare. Në këto rrethana poetesha e mbyt pesimizmin dhe dëshpërimin, pikërisht me vargje lirike: “Më në fund e gjeta/ Dashurinë e vërtetë/ Më në fund mësova/ Si duhet vepruar në jetë”. Ambienti i ri e ka sfiduar, por edhe i ka mundësuar të shijoj përvoja të shumta, prandaj intuita e saj për të shkruar, themelet i ka në dhembjet e brendshme shpirtërore të cilat pasqyrohen kudo në poezitë e saj, sikurse edhe në këtë libër.“Të lutem më ndihmo/ Kërkoj ndihmë/ Të lutem më ndihmo…”, është një klithmë e veçantë dhe e sojit të vet.

Poezitë

Simbolika e rezistencës ngadhënjen mbi dogmat dhe paragjykimet

Ajo që bie në sy nëpër këto lirika, duket jep një tablo tjetër nga ajo që njohim poeten në realitet që e ka jetën të mbushur plot hare dhe duket sikur kurrë nuk ka pasur nevojë ta sfidoj vetën, në pengesat dhe vështirësitë që mund t’ia ketë sjellë jeta në mërgim, qoftë si nënë, qoftë si mërgimtare e qoftë si aktiviste kulturore e letrare. Andaj simbolika e rezistencës intelektuale, për të ngadhënjyer mbi dogmat dhe paragjykimet ka dhënë si rezultat edhe këto përmbledhje me poezi të cilat sado që janë modeste, është jeta e saj, janë dhembjet e saj, por janë edhe sukseset dhe ngadhënjimet që kanë rezultate të prekshme. D.m.th se Fatime Kalimashi – Hoti, është vetja e saj, dhe këtë e ka realizuar duke e mbushur ditën me angazhime prindërore në familje dhe fundjavat duke ua kushtuar aktiviteteve të shumta kulturore, qoftë si valltare, këngëtare, moderatore e më në fund edhe si aktore.

Karshi këtyre veprimtarive ajo ka mbushur edhe një boshllëk tjetër duke shkruar poezi me të cilat, e përmes të cilave, jo vetëm i ka shprehur ndjenjat e brendshme shpirtërore por ka përmbushur edhe një mision tjetër që kanë shkrimtaret për të lënë pas tyre vepra të artit dhe të letërsisë. SYTË E BUKUR –Sytë e tu të bukur/Ndriçojnë si yjet e qiellit/ Sytë e tu të shkruar/ Shkëlqejnë si ngjyrat e ylberit/Sytë e tu të bukur në agim /Rrezojnë si rrezet e diellit/ Sytë e tu të shkruar/ Ndriçojnë në natën e errët/Sytë e tu të ëmbël/ Më dhurojnë lumturi. Poezitë me përkushtime të kësaj natyre, qofshin lirika apo epika të saj, janë një ndjenjë e rrallë, kanë një fuqi tërheqëse që shfaqin një sinqeritet absolut në raport me njerëzit e zemrës së saj, jo vetëm në planin letrar, por edhe në raportet njerëzore, sepse pa pas njerëzi dhe fisnikëri nuk dalin as motivet kaq të fuqishme. Libri me poezi ”MELODI E DHIMBJES“, i Fatime Kalimashi – Hoti, është vazhdimësi e librave paraprak, me nuanca të stërholluara dhe me vargun e çrregullt, si një meditim artistik duke e bërë poeten më të kompletuar në fushën e poezisë.

Fatime Kalimashi – Hoti, është këmbëngulëse në kërkimet e saja poetike për të rrëfyer jetën e saj e cila i ka ecejaket e veta specifike dhe shumë ngjarje të tjera që mund të jenë ngujuar në shpirtin e saj pa i thënë dhe pa i rrëfyer. P.sh.: “Me sy të përlotur/ Shikoja në dritare/ Në xhamin e vjetër/ Shkrova disa vargje”, dhe për ta sublimuar këtë ndjenjë ajo do të vazhdojë: “Më mungon drita e hënës/ Dhe rrezet e diellit/ Marr një copë letër/ Ca fjalë të bukura shkruaj/ Nga shkronjat e arta/ Më del kjo psherëtimë”. Këso nuancash përjetimi gjejmë me bollëk, vetëm se të thëna përmes poezisë. Natyrisht edhe Fatime Kalimashi – Hoti, ka bërë përpjekje intelektuale për tu formësuar e për tu diferencuar, duke u dalluar nga një rreth shoqëror i cili si tërësi ekzistenciale e posedon ndjenjën e frikës nga shthurja, shpërbërja dhe asimilimi, pasi çdo gjë letrare e artistike tek Fatime Kalimashi – Hoti, është bërë e krijuar në mërgim andaj kjo “Melodi e dhimbjes ”, duhet kuptuar si refleksion i asaj situate. Prandaj mundësia e një frikë është bërë pjesë e qasjeve edhe poetike, që janë thënë drejtpërdrejtë, duke mos bërë përpjekje për ngritje e ngjitje artistike. D.m.th. poezia e saj është vetja e autores me të gjitha huqet e truçet që mund t’i ketë njeriu i zakonshëm, por përmes poezisë këto ndjenja relativizohen mjaftë mirë dhe suksesshëm.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet