Aleksandër Lalo, artisti antikonformist që ua përplasi të vërtetën në sy ministreve

Publikuar më 20. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Aleksandër Lalo nuk do të mbahet mend vetëm si një kompozitor i madh i muzikës shqiptare, por edhe gjithaq si një artist rebel dhe antikonformist, i cili nuk bënte kompromis me të vërtetat e tij.

Kësisoj nuk kanë munguar momentet kur kompozitori do të përplasej me disa ministre të qeverisë Rama, atë të Kulturës Mirela Kumbaro, Milva Ikonomit të Ekonomisë dhe Milena Haritos së Inovacionit.

Më 27 prill të këtij viti, në ditëlindjen e tij të 68, Aleksandër Lalo do të mbante një fjalim gjatë një aktiviteti për ligjin e pronësisë intelektuale, ku ndodhi një incident që u duartrokit nga publiku.

Kompozitori i ka kërkuar llogari ministres Kumbaro për afatet e akordimit të tarifave për punën e tij. Një pyetje e kishte edhe për ministren e Ekonomisë. “Këto mbledhje mua më duken harxhim parash, harxhim qiraje, etj;”, tha Lalo.

“Tani do t’i bëj dy vërejtje të tre ministreve… Çfarë keni bërë për inspektoriatin… Ministres së Ekonomisë, kam konsideratë për Ekonomin më duket grua e mirë grua që punon. Kanë një vit që s’kanë bere asgjë. Çfarë ka bërë Ministra e Kulturës për këto akordimet e tarifave. Kanë një vit që nuk kanë bërë asgjë”, tha kompozitori.

Ministret u përpoqën të shfajësohen duke kërkuar ndihmë te e shkuara, por kompozitori nuk u ndal me kaq.  “Nuk na intereson e shkuara, se krahasimet i bëni gjithmonë duke futur politikën brenda. Nuk na duhet çfarë është bërë, na duhet se çfarë bëhet sot. Kaq ishte fjalimi im, se do të shkoj të bëj drekën”, u tha Lalo tre ministreve, duke i lënë pafjalë në sallë.

Pas këtij fjalimi të shkurtër, por domethënës, kompozitori la në shenjë proteste sallën. Me gjithë këmbënguljen e ministres Kumbaro për ta rikthyer në sallë që të priste përgjigjen, Lalo në ikje e sipër ia ktheu me ironi:  “Nuk e dua, jepua këtyre, unë nuk fola për vete…”.

Me ikjen e Lalos nga kjo jetë, bota shqiptare nuk humbi vetëm një artist, por gjithashtu një qytetar me kurajë intelektuale. Ky duhet të jetë edhe misioni i artistit, të kthehet në kundërtrup të pushtetit, kur ky i fundit është në anën e gabuar.