Albumi zbulon sekretin e këpucëve të dasmës së Orindës, ja sa kanë kushtuar

Publikuar më 15. 09. 2017 nga pandeli

Dasmat e personazheve të njohur të kohëve të fundit, na kanë prezantuar edhe me shifra të çmendura shpenzimesh. Kostoja e këpucëve të Xhensila Myrtezajt, një palë Jimmy Choo vezulluese, plot 3495 dollarë ishte sigurisht një zbulim tronditës…Edhe Marina Vjollca i kishte Jimmy Choo. Megjithatë në ditën e dasmës, mund të shkëlqesh edhe duke shpenzuar as një të dhjetën e atij çmimi.

Nuk po themi absolutisht që këpucët e Xhensilës nuk ia vlenin. Ishin të një prej stilistëve më të njohur të këpucëve, në mos më të njohurit dhe për më tepër ishin të serisë së veçantë të Hirushes, që Xhensila e kishte temën e dasmës së saj dhe sa i pa në vitrinë, sytë i shkëlqyen sepse me siguri do i jetë dukur sikur dikush, i kishte lexuar mendjen dhe kishte dizenjuar këpucët e duhura për të. Sigurisht që i meritonte këngëtarja e bukur në ditën e saj më të rëndësishme, por vajzat që po mendojnë për dasmën, nuk kanë përse demoralizohen kur mësojnë këto çmime. Nuk është e thënë që nëse nuk ke këpucë Jimmy Choo, nuk mund të jesh një nuse e bukur dhe të kesh një dasmë ëndrrash.

Mjafton ta duash, të kesh ide dhe mundësitë për ta realizuar sot janë të shumta. Orinda Huta bëhet që nga sot nusja juaj motivuese! Orinda u martua me Turin në një dasmë përrallore, me temën e pyllit të magjepsur dhe ishte një nuse elegante, romantike dhe e thjeshtë dhe shumë e bukur!

Dje, fotografët zyrtarë të dasmës së tyre, Armand dhe Rosita Habazaj publikuan albumin e plotë të fotove dhe në to mund të dallojmë edhe zgjedhjet e nuses dhe markën e këpucëve.

Janë një palë Badgely Mischka, ngjyrë bezhë, të hapura në majë, me një aksesor gurësh në pjesën e përparme dhe lidhëz në kyç. Me një kërkim të thjeshtë zbulon që këpucët i përkasin koleksionit ‘Bridal’ dhe kushtojnë 225 dollarë.

225 dollarë! Nuk janë pak, por nuk janë as shumë duke menduar që janë këpucët e dasmës së një vajze që punon prej vitesh. Janë një palë këpucë që çdo vajzë me një buxhet mesatar për dasmën, mund t’ia lejonte vetes për t’i blerë./revistaclass