Aktorëve u mbyllen dyert e TK, “shpërthen” Bujar Asqeriu: Vendin e drejtojnë hajdutët (VIDEO)

Publikuar më 12. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Artistët e Teatrit Kombëtar nuk janë lejuar sot që të hyjnë në mjediset e tyre të punës, në një kohë që vijojnë të kundërshtojnë fuqishëm  projektligjin e ri të ministrisë së Kulturës për artin dhe zhvendosen te “Turbina”. Regjisori Altin Basha ka ftuar ministren Mirela Kumbaro që ditën e mërkurë në orën 16:00 të vijë në godinën e Teatrit Kombëtar për dialog me artistët.

Aktori Bujar Asqeriu ka bërë një deklaratë të fortë, plot patos, teksa është shprehur se askush nuk e çan trapin për artistët. Ai tha se artistët kanë rroga më të ulëta dhe se nëpunësit e shtetit, ndërsa shtoi se politikanët e kanë mendjen të vjedhin.

“Një artist, më i miri i yni, merr rrogën më të ulët se një nëpunëse e rëndomtë e Ministrisë së Kulturës. Ky është vlerësimi që i bën shteti ynë, Ministria e Kulturës, artistëve, që luftojnë me gjakun, djersën dhe mundin e madh në skenë. Jo më kot, kolegët tanë të nderuar, artistët tanë të mëdhenj, ikën nga kjo botë në moshën më të re dhe askush nuk u kujdes për ta. Askush nuk pyeti për ta, askush nuk e çau trapin për ta. Ata ikën me një barrë pengjesh në shpirt dhe këto pengje të tyre ne duhet t’i ngremë me të madhe. Bujar Lako jetonte në një dhomë e kuzhinë, 50 metra katrorë, artisti ynë i madh, kurse qeveritarët tanë, kanë vila nga 5 milionë, nga 10 milionë euro. Kjo është drama e madhe e këtij vendi. Kjo është drama, që këtu udhëheqin hajdutët. Këtë vend e drejtojnë hajdutët miqtë e mi, prandaj nuk mbetet lekë për artistët”, tha ai.

Fjalimi i Asqeriut është shoqëruar me nota edhe më emocionale, ku ai do të shprehej: “Prandaj nuk ka lekë për teatër. Prandaj ne na fusin në vërrin e miut, atje të hidrocentrali. Prandaj, sepse hajdutët nuk lënë lekë! Edhe dosjet, edhe lekët e një dosjeje i marrin! 100 lekë që bën një dosje edhe ato i marrin! Kjo është administrata jonë. Ne kemi të drejtën legjitime të Zotit. Dhe Zoti i paftë ata! Ata dhe fëmijët e tyre që kanë vjedhur djersën, gjakun e këtij vendi! Zoti i paftë! Ne kaq kemi, të themi vetëm mendimin tonë”.

“Asnjë nga ne nuk e ka marrë një email nga ana e Ministres së Kulturës, ne si artistë nuk jemi lejuar që të hyjmë në ambientet e brendshme të Teatrit. Ky vend nuk është as i ministres dhe as i drejtorit. Ligji bëhet për artistët dhe atyre nuk iu është kërkuar mendimi i tyre”, u shpreh më herët regjisori Altin Basha.