Aktorët, letër përfaqësuesve të OSBE për shkeljet ligjore që janë bërë me teatrin

Sot pritet një marshim masiv në mbrojtje të kauzës së teatrit. Artistët shprehen të vendosur të luftojnë për të shmangur shembjen e tij

Është quajtur “Marshimi i Lirisë” ai i ditës së nesërme që nis nga Teatri Kombëtar drejt Kryeministrisë e më pas drejt Presidencës. Artistë dhe qytetarë paralajmërojnë një pjesëmarrje masive dhe ndihen më optimistë. Një shpresë e re lind nga reagimi që mund të kenë përfaqësuesit e OSBE ndaj kësaj çështje, të cilëve mëngjesin e djeshëm iu dorëzua një letër ku u bëhen me dije të gjitha shkeljet ligjore që janë bërë për të përmbushur synimin e qeverisë, atë të prishjes së Teatrit Kombëtar. Letrën e dorëzoi Neritan Liçaj ndërkohë që pranë zyrave të BE ishte një përfaqësi prej 10 vetësh.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u ka dërguar mëngjesin e ditës së djeshme letrën e mëposhtme disa prej zyrëtarëve më të lartë evropianë që merren me zgjerimin dhe integrimin e BE, si dhe ambasadorëve të vendeve të Be në Tiranë. Si objekt në këtë letër është përcaktuar informimi në lidhje me paligjshmëritë në miratimin Ligjit: “Përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Letra:

Duke ju siguruar për konsideratën më të lartë për Ju dhe punën Tuaj, dëshirojmë që përmes kësaj letre, t’ju informojmë në lidhje me miratimin nga ana e Parlamentit të Shqipërisë të Ligjit: “Për caktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si dhe njëkohësisht t`Ju shprehim mendimin tonë mbi shkeljet e rënda që përmban ky ligj. Kuvendi i Shqipërisë, në mesnatën e të Enjtes datë 05.07.2018 miratoi ligjin e sipërcituar, i cili sanksionon kalimin tek një kompani private e përcaktuar në ligj me emër, të hapësirës publike në qendër të Tiranës, në zonën ku sot gjendet Teatri Kombëtar. Që nga momenti i prezantimit të idesë, në vend ka pasur një reaksion publik, për shkak të faktit që një iniciativë ligjore e tillë qëndron kundër parimeve kushtetuese dhe morale, mbi të cilat është ngritur dhe funksionin shteti shqiptar.

Për rreth një muaj rresht, artistë, personalitete të artit dhe kulturës, aktivistë të shoqërisë civile, njerëz të letrave, gazetarë, aktorë politikë dhe qytetarë të shqetësuar kanë protestuar në mënyrë demokratike në oborrin e Teatrit Kombëtar kundër kësaj iniciative. Njëkohësisht, mbi pesë mijë qytetarë kanë firmosur një peticion drejtuar Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe një sërë personalitetesh vendimmarrës të vendit, duke iu bërë thirrje që të ndalojnë këtë iniciativë ligjore që në fakt vetëm ligjshmëri nuk ka. Procesi i firmosjes vazhdon dhe do Ju dërgohet edhe Juve një kopje e peticionit në përfundim të tij. Sikundër e theksuam dhe më lart, ligji i miratuar shkon kundër parimeve kushtetuese dhe parimeve morale mbi të cilët shqiptarët kanë vendosur të ngrenë shtetin e tyre. Së pari, ky ligj shkel parimin kushtetues të “Barazisë përpara ligjit” përcaktuar në Nenin 18 të Kushtetutës.

Ligji në fjalë me mënyrën sesi parashikon përfituesin(kompani private e përcaktuar në ligj me emër –rast i paprecedentë ky)në veprimtarinë ekonomike që rrjedh prej tij, shkel njëkohësisht parimin e barazisë përpara ligjit dhe parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve(e cila sanksionohet në nenin 11, pika 1 të Kushtetutës)pasi paracaktimi i operatorit ekonomik, i cili do të ngarkohet për kryerjen e aktivitetit ekonomik, pa ju nënshtruar konkurrencës, por me përcaktim të drejtpërdrejt në ligj, privon lirinë e veprimtarisë ekonomike për shtetasit e tjerë, vendas apo të huaj, që do të dëshironin të konkurronin për një mundësi veprimtarie ekonomike. Së dyti, me këtë ligj shkelet parimi i sanksionuar në nenin 4 pika 1 të Kushtetutës: “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Që do të thotë se asnjë institucion shtetëror nuk mund të veprojë jashtë kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese, sepse ato përbëjnë bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së atij institucioni.

Ndaj dhe kemi bindjen se parlamenti ka dalë jashtë kompetencave të tij ligjore dhe kushtetuese në miratimin e këtij lloj ligji. Nuk mund të miratohet një ligj për një emër të veçantë. Ky projekt i takon Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Kulturës, ose vetë e Këshillit të Ministrave, por jo Parlamentit. Parlamenti ka miratuar ligje të përgjithshme se si, qeveria apo pushteti vendor duhet ti realizojnë këto projekte, por jo vetë parlamenti realizon një projekt konkret me ligj, duke anashkaluar ekzekutivin në shkelje të parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve. Së treti, kjo formë veprimtarie ekonomike e parashikuar kështu në këtë ligj, vjen në kundërshtim me standardet e Bashkimit Evropian, ku ne aspirojmë të integrohemi dhe konkretisht me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) të nënshkruar dhe ratifikuar nga Shqipëria, ku sanksionohet detyrimi i shtetit shqiptar që kontratat publike ti nënshtrohen konkurrencës së lirë dhe transparencës (nenet 70 – 77 të saj). Me këtë ligj ky standard europian i detyrueshëm për ne, është shkelur.

Për ta konkretizuar se përse ligji në fjalë vjen ne kundërshtim me standartet e detyrueshme të MSA (nenet 70 – 77) po sjellim si shembull Ligjin nr.9643,datë20.11.2006 “PËR PROKURIMIN PUBLIK” i ndryshuar. Në nenin 4 të ligjit për prokurimin publik parashikohen përjashtimet nga procedurat e këtij ligji. Pra parashikon se në cilat raste kontratat publike nuk i nënshtrohen konkurrencës. Deri në vitin 2012 në këtë nen, si përjashtim ka ekzistuar dhe nje fjali “dhe ato qe rregullohen me ligj tjetër”. Pra deri më 2012 lejohej që, me ligje të tjera të parashikoheshin kontrata publike, të cilat si përjashtim nga ligji i prokurimeve të mos i nënshtroheshin konkurrencës. Por me ndryshimin e vitit 2012 qe ju bë ligjit te prokurimeve kjo fjali u shfuqizua. Dhe konkretisht me ligjin nr.131/2012 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.9643, datë20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar, hiqen fjalët “dhe ato që rregullohen me ligj tjetër”.

Dhe kjo ka ardhur si rezultat i presionit ndërkombëtar për tiu përshtatur standarteve të MSA. Kështu që, si përfundim, vetë parlamenti me ligj i ka hequr të drejtën vetes të miratojë me ligje të veçanta konkrata publike jashtë procedurave të konkurrencës sipas ligjit të prokurimit publik. Nëse do të lejohej ky precedent në fushën e ligjbërës atëherë çdo mazhorancë do të miratonte ligje personale pa kufi dhe nuk do të mbante asnjë përgjegjsi në lidhje me abuzimet, pasi do të justifikohej pas kartonëve të parlamentit. Një diskutim tjetër është ai i relativizmit të problemit në fjalë nga mbrojtësit e ligjit(qeveria). Ata e paraqesin sikur ky është një problem emocional, nostalgjie, problem artistësh, kushte pune etj, etj.

Ju theksojmë se konflikti nuk ka të bëjë asfare me gjëra emocionale artistësh, etj. Por ka të bëjë më standardet Evropiane të konkurrencës së lirë e transparencës në trajtimin e pronës publike nga qeveria dhe mbrojtjen e kësaj prone nga korrupsioni dhe krimi. Duhet shtuar këtu edhe fakti që jemi me një Gjykatë Kushtetuese jo funksionale dhe ky është një ligj me veprim të menjëhershëm ndaj dhe praktikisht mohohet e drejta themelore e ankimimit në gjykatë. Nisur nga këto, duam t’ju kërkojmë edhe një takim në lidhje me çfarë kemi parashtruar në këtë letër dhe t`ju informojmë se angazhimi ynë qytetar do të vazhdojë me të njëjtin intensitet, me protesta të përditshme me qëllim që të kujtojmë çdo ditë kush është interesi i publikut të gjerë.

Kjo formë veprimtarie vjen në kundërshtim me standardet e BE, dhe konkretisht me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) të nënshkruar dhe ratifikuar nga Shqipëria

Neritan Liçaj

“Është një kërkesë/shqyrtim nga Aleanca drejtuar drejtuar Bashkimit Evropian nëpërmjet ambasadores Vllahutin ku ne bëjmë një shqyrtim juridik sesi ligji i kaluar në Parlament të enjten e kaluar është krejtësisht në kundërshtim nga ana juridike me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Ky është një ligj që sjell një kundërshti që në thelb të asaj që duam të bëjmë ne Shqiptarët për të hyrë në Evropë. E kemi argumentuar edhe nga ana ligjore. Kemi pritshmëri shumë të larta sepse dhe Bashkimi Evropian duhet të mbajë një qëndrim ndaj një qeverie që sjell një ligj në Parlament i cili është në kundërshtim me pikat në të cilat ata kanë rënë dakord me Bashkimin Evropian. Ne e protokolluam e dërguam dhe jemi në pritje. Çdo lëvizje e jona do të jetë e konsultuar nga të gjithë bashkë në mënyrë demokratike sepse ne kështu i marrim vendimet, sigurisht duke u bazuar edhe në atë që do të bëjë qeveria dhe maxhoranca. Nesër do të jetë një ditë feste, ai do të jetë një marshim feste ku ne do t’i tregojmë një maxhorance ekstremisht arrogante se ne nuk trembemi, nuk tërhiqemi, përkundrazi festojmë lirinë dhe dinjitetin tonë si qytetarë dhe si artistë!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet