Aktorët kundër Kumbaros: Duam teatrin tonë, ose grevë!

Nga Valeria Dedaj

Artistët revoltohen ndaj vendimeve të ministres së Kulturës, për zhvendosjen e trupës së Teatrit Kombëtar te skena e re, “Turbina” dhe projektligjin “Për artin dhe kulturën”. Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Mehdi Malkaj, Arben Derhemi, Neritan Liçaj etj., kërkojnë që të njihen me projektin e ri për TK para zhvendosjes, ndryshe artistët do të pezullojnë shfaqjet! 

Premtimet, se Teatri Kombëtar do të rindërtohet me standarde evropiane, tashmë nuk kanë asnjë vlerë për artistët shqiptarë. Ata i kërkojnë kryeministrit të vendit, Edi Rama dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, që të njihen me projektin e ndërtimit të godinës ekzistente (datë e fillimit dhe data e përfundimit), përpara se trupa e Teatrit Kombëtar të zhvendoset në skenën e re, të artit tek “Turbina”.

Ndryshe ata paralajmërojnë jo vetëm bojkotim të shfaqjeve teatrore, por edhe grevë para kryeministrisë. Por, jo vetëm kaq! Të gjithë njëzëri, si rrallëherë, në sallën “Black Boc” artistët u shprehen të indinjuar edhe kundër projektligjit “Për artin dhe kulturën”, në shtojcat e të cilit, ndër të tjera kërkohet që Qendra Kombëtare e Kinematografisë, të jetë në varësi të Ministrisë së Kulturës. Këtë projektligj ata e barazvlerësojnë me vendimet, që merrte Enver Hoxha.

Artistët më në zë të skenës, si Robert Ndrenika, Mirush Kabashi, Mehdi Malkaj, Arben Derhemi, Neritan Liçaj, Genci Fuga, Altin Basha, Kastëriot Çipi, Romir Zalla, Laert Vasili etj., i janë bashkuar kësaj nisme, të cilën nuk do ta ndalin, derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

Robert Ndrenika: Hapësirën e Teatrit Kombëtar po na i vjedhin, Turbina është godinë qesharake për fushata!

Aktori i mirënjohur i skenës shqiptare, Robert Ndrenika, rikthen edhe një herë në kujtesë frazën, që i tha para dy vitesh, kryeministrit dhe ministres së Kulturës: “Nëse ndodh që godina e teatrit shembet, unë nuk do të tretem në gropë, por do të shtrihem atje”. Ai pohoi edhe dje të njëjtën gjë, madje duke shtuar se ka pasur të drejtë kur është shprehur kështu. Këtë mendim tashmë e ka edhe më të përforcuar, pasi ka parë nga afër skenën e re “Turbina, të cilën e cilëson një godinë të mirë, për fushata elektorale, por jo për të bërë art.

  “Jam 99,9% dakord me pretendimet e artistëve, për projektligjin “Për artin dhe Kulturën”, por do përqendrohem tek ndërtesa e Teatrit Kombëtar”, kështu e nis fjalën e tij, Ndrenika, i cili rikthen në kujtesë premtimin e Partin së Punës. “Shumë vite më parë edhe partia e Punës thoshte, që do bëjmë një teatër, i cili nuk u bë. Edhe këto 27 vjet, siç jeni vetë dëshmitarë, edhe pse keni qenë më të vegjël, është folur që do të bëhet një teatër, dhe prapë nuk ka pasur pikë transparence. Di që prona juaj, Teatri Kombëtar është në një sipërfaqe prej 6-7 metra katrorë. Ajo është pronë e jona, e juaja dhe ish- të vjetërve. Kjo pronë gjatë viteve të demokracisë është vjedhur pjesërisht.

Ndërtesa të mëdha kanë ardhur në rrëzë të skenës, kur duhet të mbanin distancë 10 metra. Kur të ndërtohet i ashtuquajturi teatër, ne duhet të tërhiqemi. Kjo është vjedhja e parë. Të gjitha dyqanet, që janë ndërtuar pas kanë qenë pronë e teatrit. Vit pas viti ato janë privatizuar dhe tani privatët do të ndërtojnë kulla dhe aneks të jetë edhe teatri. Pra vazhdon një vjedhje, sheshit”. Ndrenika tregon se, që të gjithë kryeqytetet e Ballkanit, të cilët i ka parë, kanë teatro kombëtare, godina me infrastrukturë të mrekullueshme, sepse teatri ndërtohet një herë në 500 vjet. “Brezi juaj dhe i imi, mund të mos dimë të interpretojmë, mund të dalë ndonjë e të thotë: Hë, mo, ç’janë këta, por nuk mendohet që Shqipëria të rrijë pa aktorë.

Godinat e teatrit të Beogradit, Bukureshtit, janë 500-600 vjeçare, janë monumente kulture. Këtu po ndërtohen xhamira e kisha, dhe s’po ngrihet një teatër. Kisha dhe xhamia e shqiptarit është teatri dhe i takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër, që të jetojë 500-600, pse jo dhe 1000 vjet. Prandaj këtë ne duhet ta kërkojmë nga shteti shqiptar”.  Ndrenika, rrëfen se bashkë me miq inxhinierë dhe artistë ka parë nga afër dhe skenën e re të artit “Turbinën”. “Është qesharake, për teatër ajo nuk bën. Ajo është vetëm për ndonjë fushatë elektorale, në fund, prandaj ajo fjala që i thashë ministreshës, që do shtrihem para teatrit dhe që më ironizoi, duke më thënë të vijë të shtrihet, të interpretojë tek Turbina, paska qenë me vend. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai teatër, pa marrë vesh se çfarë do të bëhet në të”.

Ndërsa, përsa i përket lajmit se artistët e operës do të interpretojnë te Teatri Kombëtar, Ndrenika shton: “Opera të mos guxojë të qaset”. Ndrenika u bën thirrje artistëve, që mos t’i mbajnë shpresat tek analistët, sepse në momente të caktuara, 20 vjet më parë, ata u bënë të gjithë me ministrin dhe thoshin: “Ata duan ndërtesën e fashizmit, aty ku janë bërë gjyqet reaksionare, por asnjëri nuk tha se: Atje është ndërtuar teatri, opera, filarmonia, estrada, të gjitha institucionet kultu (rale apo rore). Ai është edhe monument kulturore. Të vetmit, që na mbështetën ishin Fatos Lubonja e Maks Velo e ndonjë tjetër. Të tjerët i kemi pasur kundra. Kjo është një çështje shumë serioze”. Aktori tregon edhe se si ministrja e Kulturës nuk e ka financuar për të bërë një lapidar për Kujtim Spahivoglin.

“Dua t’u them se, kësaj ministreshës i kërkova një herë ca para për të bërë një lapidar për Spahivoglin, një nismë e ish-nxënësve të tij, atje ku la kockat në Mbrostar. Dhe na tha: Nuk kam, na i ka vjedhur qeveria paraardhëse…, ndërkohë që gjatë 27 vjetëve, të dashurit e mi, janë harxhuar para për nja 5 apo 6 ministri kulture. Njëherë është bërë këtu, njëherë atje…, dhe nuk më dha 5 lekë për lapidarin e Spahivoglit. Nuk m’i dha! (Unë kam dhe të tjera por më vijnë kur jam në krevat, në ëndërr) Tiranës i takon të ketë një teatër serioz dramatik” (qesh).

Artisti kërkon, që sa herë të bëhen mbledhje të tilla ta thërrasin, sepse është i gatshëm të bëhet pjesë e tyre. “Punën e ligjit nuk e di fort mirë, por dua të them që kemi aktorë të mrekullueshëm që unë i ndjek, i shoh. I kemi shumë të mirë dhe paguhen për një çap bukë, për një kafshatë bukë. Kur të vënë në fyt litarin e bukës, ai është më i tmerrshmi nga të gjithë”, përfundon ai.

Mehdi Malkaj: Na trajtojnë, si skllevër!

Artisti Mehdi Malklaj me zërin që i dridhej rrëfeu se, po i trajtojnë, si skllevër, ndërsa nuk janë të tillë.

“Unë ngul këmbë në një gjë. Ne vet duhet të kuptojmë se nuk jemi skllevër. Ata na trajtojnë, si skllevër. Nguleni në kokë këtë, ne nuk jemi skllevër. Ne jemi vlerë kombëtare. Ata na marrin edhe na nxjerrin përjashta. Përse? Se nuk kemi gojë, se nuk kemi personalitet”.

Mirush Kabashi: Ky ligj që ne kemi është më autokratik se në kohën e Ramiz Alisë!

Kësaj nisme, i ishte bashkuar edhe aktori i njohur Mirush Kabashi. Ai e konsideron ligjin ekzistues, autoritar, sepse drejtorët artistikë i cakton kryeministri, bordin artistik e zgjedh ministrja dhe komuniteti artistik nuk ka asnjë lloj të drejte për të zgjedhur. “Skema është e gatshme. Si tek futbolli, edhe shkollat, ky duhet të jetë sistemi ynë, që ne të kemi mundësi të zgjedhim bordet artistike, mbi bazat e konkurseve dhe me votim. Nuk po flas për drejtorët, por këshilli artistik i tanishëm në Teatrin Kombëtar nuk ka asnjë aktor, asnjë regjisor, asnjë dramaturg.

Ky ligj që ne kemi është më autokratik se në kohën e Ramiz Alisë. Berti (Robert Ndrenika) e kujton, kohën kur u bë një Ligj për teatrin, që ua hiqte të drejtën komiteteve të partive, që të merren me problemet artistike dhe me problem të repertorit të teatrit. Këtë të drejtë ia delegoi këshillave artistike, që zgjidheshin nga kolektivi. Kjo zgjati për një apo dy vjet. Imagjinoni edhe atëherë ne kishim guximin të ngrinim zërin kundër një vendimi të Komitetit Qendror, kurse sot është kthyer mbrapsht. Është kryeministri që cakton drejtorin artistik, me propozim të ministrit të Kulturës. Sigurisht që ata do kenë menaxherët, supervizorët e tyre nga ana financiare, pasi paratë e biletave nuk e mbajnë teatrin, por kjo piramidë artistike është e turpshme.

Drejtorët i shkrinë sindikatat dhe kjo erdhi që nga kryeministri, i cili tha që tek ne nuk ka sindikata. Unë kam pasur fatin e keq që të jem në krye të sindikatës së Durrësit që në vitin 1990 dhe ta mbyll në TK. Dhe kemi punuar shumë për dy probleme: për ligjin dhe për statusin. Dhe ky i fundit është i gatshëm”. Kabashi u kërkon artistëve, që mos të bëhen zëdhënës të politikës. “Nuk dua të merrem me pikëpamjet tuaja politike, por në momentin që bëheni zëdhënës të politikës, i keni hyrë në hak profesionit tuaj. Rrini larg politikës. Ku e hidhni votën është punë për ju, por jeni shumë më lart se politika. Ne duhet ta shohim nga lart poshtë politikën. Rrini të bashkuar, mbani traditën e një zanati, që populli e do shumë”.

Arben Derhemi: Artistët janë kategoria më inferiore, që mund të ekzistojë në administratën e shtetit shqiptar, kanë kontrata 1-vjeçare

Aktori Arben Derhemi është ndër ata artistë, i cili ka pasur përherë guximin të flasë për problematikat, që shqetësojnë artistët e Teatrit Kombëtar, por jo vetëm. “Po ikën shtëpia! Po ikën shtëpia jonë, edhe në rast se nuk reagojmë tani, nuk do të reagojmë kurrë më, sepse nuk do të kemi shtëpi për të reaguar të  gjithë bashkë, nuk ka rëndësi se çfarë dëshirash edhe ngjyrash kemi, por duhet që të dalim në protestë të gjithë se në një moment të caktuar, që një njeri merr përsipër të thotë, që do të vijë Teatri i Operës në Teatrin Kombëtar dhe TK do të shkojë te “Turbina”, tek një teatër që nuk është teatër, por një pallat lojërash me dorë. Kjo është një çudi e madhe!

Përse duhet që të ndodhë, që një institucion të vijë në një institucion tjetër, edhe në atë ku është TK të vijë një tjetër edhe TK mbas pesë vitesh, që ka ikur që këtej, të vijë për godinën e re, që do jetë marramendëse edhe fantastike, por që nuk dihet se si është derisa nuk ka asnjë projekt”, tha Derhemi, duke e konsideruar këtë zhvendosje, thjesht një motiv për të përzënë TK nga godina ku është. “Para 25 vitesh na thanë njëherë që do të bjerë TK. Nuk ra TK në 20 vite. Pas mosrënies në TK për 20 vite, na thanë që nuk është më një teatër, që mundet të vinë spektatorët etj. Përse duhet që të vinë spektatorët e Operës në TK dhe spektatorët e TK-së të shkojnë edhe të ngihen tek teatri Turbina”. Këtë Derhemi nuk arrin që ta konceptojë dot.

“Unë personalisht, në emër të të gjithë aktorëve të TK-së, disave, se ka edhe nga ata që nuk merren me demonstrata. Por, në emër të të gjithëve mendoj se do të flasim edhe të dalim para kryeministrisë, sepse po tallen me ne. Na kanë lënë për një copë bukë, që kemi një problem shumë të madh, në 5 vite nuk kanë bërë asgjë. Nuk kanë bërë një status për ne! Për çdo lloj aktori, jo vetëm në TK”. Derhemi shton se artistët janë kategoria më inferiore, që mund të ekzistojë në administratën e shtetit shqiptar. Ata kanë kontrata 1-vjeçare. “A e kuptoni këtë? Kontratë 1-vjeçare do të thotë, që të të mbajnë të varur, që t’i të mos të flasësh, se ndryshe: Unë ta heq kontratën”.

Ai përmend edhe faktin, se fillimisht u është thënë, që do të merren shpërblime të figurës artistike. Kjo gjë u trumbetua nga drejtorët, por kjo nuk ndodhi. “Na thanë, që nuk ka një yçkël ligji, që të bëjë që ju të merrni shpërblimet. Ministrja nëse do të merrte përsipër që të diskutonte me ne dhe me grupet e interesit, që jo vetëm nuk e bën këtë, por na nxjerr edhe një projektligj të çuditshëm”. Derhemi ishte i mendimit, që të gjithë artistët, sepse TK është i të gjithëve, jo vetëm i disave; duke nisur nga studentët e UA-së e duke përfunduar, tek ai më i vjetëri i kësaj pune, Robert Ndrenika, janë më të fortë sesa duken, prandaj të dalin para ministrisë, të kërkojmë të drejtën për të ndenjur në atë institucion, që është i tyre.

“Të qëndrojmë në atë institucion, që është bërë pedonale, sepse bëhen foto artistike nga e gjithë Tirana. Pasi dhe pedonale ka një motiv, përse është bërë pedonale! Është bërë pedonale për motivin e vetëm, që të kuptohet se TK nuk eksiton, nuk ka oborr. Ne duhet që të ballafaqohemi me zonjën Kumbaro, që të kuptojmë se çfarë ndodh! A e ka nga padituria apo nga keqdashja? Nuk gënjehen 700 burra dhe gra!”.

Artistët:TK është Jerusalemi i kulturës shqiptare, në vend të tij duan të ndërtojnë kulla!

Artistët firmosin peticionin, ku kërkojnë pezullim të vendimeve të ndërmarra pa konsultim. Ndërsa, rrëfejnë se Teatri Kombëtar është hequr nga harta historike e Tiranës! Propozojnë, që “Turbina” të përdoret nga artistët e rinj

Artistët kësaj here janë të vendosur në kërkesat e tyre. Në peticionin që firmosën dje, ata i kërkuan ministres së kulturës, jo vetëm takim, por edhe pezullim të vendimeve, që janë marrë për Teatrin Kombëtar dhe për projektligjin “Për artin dhe kulturën”.

Altin Basha: Kjo është vrasje e pluralizmit kulturor, njësoj si të vendosësh bustin e Enver Hoxhës në mes të Tiranës!

Regjisori Altin Basha rrëfen se kjo çështje ka filluar që para 5 vjetësh, kur u mbyll Qendra e Artit, që ishte një akt shumë i rëndësishëm kundër zhvillimeve në kulturë, sepse ajo ishte një lloj qeverisje e artistëve, më pas u mbyll festivali i të rinjve, që u hoqi të gjithë të rinjve të aplikonin për një projekt. “Të gjitha këto janë në emër të abuzimeve. Po të ecnim me këtë logjikë duhet të ishin mbyllur të gjitha ministritë në Shqipëri për shkak të abuzimeve”, shprehet Basha. Sa i takon Turbinës, sipas tij, nuk u konsultua fare me komunitetin, kjo gjë u kuptua ditën e prezantimit të projektit, ku as drejtuesit e institucioneve dhe askush tjetër nuk ishte konsultuar për këtë çështje. “Për të ardhur deri tek ligji. Unë këtë e shoh si vrasje të pluralizmit kulturor.

Për mua kjo është si të vendosësh bustin e Enver Hoxhës në mes të Tiranës. Kjo është ajo që po ndodh. E centralizon në mënyrë përfundimtare dhe eliminon çdo lloj mundësie për zhvillime kulturore të pavarura në këtë vend”. Sipas Bashës, çështja e TK është një problem absurd. “Nëse do të ndërtohet një teatër i ri, duhet të njohim projektin. Nëse në godinën ekzistuese hyn opera, do të thotë që ajo ndërtesë është funksionale. Ato 4 milionë euro që janë hedhur tek piramida mund të ishin përdorur për Teatrin Kombëtar. Madje nuk është e vështirë edhe të rikonstruktohet ai. Nuk është edhe aq dramatike, të mos na bëjnë për budallenj. Sa i takon ligjit, ai duhet rishikuar”. Problemi nuk është vetëm tek Teatri Kombëtar, thotë Basha, në një kohë që duhet të ndërtohen institucione të reja, artistët shqiptarë kalojnë tek bazikja: Do kemi apo nuk do kemi teatër.

“Kjo është dramatike. Turbina meqë është ndërtuar të funksionojë si skenë e pavarur, pasi kemi alternative teatrore pa fund. Kemi regjisorë të rinj dhe aktorë që nuk janë të përfshirë në TK. Meqë është bërë investimi, pasi edhe si skenë alternative ajo ka problem të mëdha. Është si pallat sporti. Le të shkojnë artistët e rinj atje, por ama të spostohet TK, nuk ka asnjë kuptim. Së pari, duhet të kuptojmë nëse ka gatishmëri për dialog, edhe pse unë mendoj se nuk ka, pasi e kemi provuar 5 vjet me radhë. Është bërë vetëm një takim kur ministrja ka marrë mandatin, asnjë tjetër. Nëse nuk ka dialog do të provojmë forma të tjera”.

Kastriot Çipi: Teatri është hequr nga harta, si pjesë e qendrës historike të Tiranës!

Regjisori Kastriot Çipi rrëfeu se ka lexuar së fundmi vendimin e datës 12.04. 2017 për shpalljen e Qendrës Historike të Tiranës. “Kur e lexon nuk kupton asgjë. Teatri Kombëtar, nuk përmendet fare. flitet për ndërtesa që duhen ruajtur, sepse përfaqësojnë identitetin kulturor të qytetit të Tiranës. Kanë bërë një hartë me një kotur të zi, ku Teatri kombëtar është jashtë zonës së mbrojtur. Ky vendim rrëzon vendimin e vitit 2000, që e përfshinte TK dhe shumë ndërtesa të kohës, në atë që atëherë quhej ansambël kulturor. Sot kemi kryeministër atë që atëherë ishte ministër dhe doli hapur për shembjen e ndërtesës. Sot zbulojmë se edhe granti grek për teatrin i ka kaluar Teatrit të Operës dhe Baletit.

Nuk kam asgjë me këtë, por TK ka qenë më emergjent dhe mund të ishin përdorur për të”, u shpreh Çipi. Ajo që e shqetëson artistin është arroganca e institucioneve, që marrin vendime pa u konsultuar. “Askush nuk ka thënë që ndërtesa e teatrit është e mirë dhe duhet të vazhdojë kështu. Në vitin 1998, bashkë me drejtorinë krijuam një fondacion për ndërtimin e TK, fondacion që jetoi vetëm disa orë. Që atëherë ne kemi qenë në luftë të vazhdueshme me ministrinë. Dyshimi im është që ligji nuk bëhet se nuk është zgjidhur çështja e asaj ndërtese. Ajo ndërtesë është Jerusalemi i kulturës shqiptare. Aty ka lindur pjesa më e madhe i institucioneve të kulturës që janë sot.

Fakti që ajo ndërtesë nuk është shembur për të bërë kulla ka sorollatur edhe ligjin. Ne kemi 4 ligje, që asnjëri nuk i ka zgjidhur problemet e teatrit. Të gjithë jemi dakord që TK të mos lëvizë që aty pa u bërë i njohur projekti dhe afati, madje edhe që ky ligj nuk funksionon. Por ne duhet të paraqesim alternativa konkrete ligjore”. Çipi tha se ka lexuar statutin e Comedie Française. Sipas tij, modele bota ka plotë, dhe të gjitha modelet e Perëndimit për të, janë shumë të mira, por meqë ministrja dhe kryeministri janë frankofonë, mund ta lexojnë dhe ta kuptojnë. “Është rasti që t’i zgjidhim problemet njëherë e mirë”.

Neritan Liçaj: Kemi të bëjmë me njerëz arrogantë, që kanë ardhur për të shkatërruar!

Neritan Liçaj, edhe pse është i aktor i brendshëm në Teatrin Kombëtar, nuk ka heshtur asnjëherë përballë padrejtësive, që pengojnë zhvillimin e artit në Shqipëri. Ai mendon se të dyja pikat janë bazike edhe të papranueshme, sepse artistët kanë përballë një qeveri arrogante, ku drejtuesit nuk pranojnë biseda. Çfarë duhet të bëjnë artistët? Liçaj propozon, që të ngrenë zërin nëpërmjet protestave, shfrytëzimit të të gjitha institucioneve, të ftojmë shoqërinë civile kundër kësaj arrogance. “Ligji është i papranueshëm. Kemi të bëjmë me njerëz që kanë ardhur për të shkatërruar, që ta kthejnë gjithçka në kontroll, si në kohën e Enverit, ku gjërat centralizohen vetëm në një dorë. Në radhë të parë, për nga pikëpamja artistike.

Në radhë të dytë, është një dëm i madh kombëtar, sepse bëhet fjalë për teatrin, si fenomen, jo vetëm për TK ku jemi ne. Prandaj nëse do të duam, që t’i ulim në tavolinë edhe të negociojmë, duhet të rrisim presionin. Presioni duhet që të jetë i madh, sepse ne e dimë se si funksionojnë qeveritë shqiptare. Funksionojnë me mentalitet kriminal. Do të fusin përçarje mes nesh etj. Betejës duhet që t’i shkojmë deri në fund, sepse i kemi të gjithë me vete. të ngremë një valë të madhe ne që merremi me art, edhe të përfshimë të gjitha institucionet e tjera të artit dhe kulturës, që vuajnë të njëjtat problematika, në mënyrë që të zgjidhim çështjen. Nuk ka kohë për stërzgjatje. Kështu funksionojnë: Lëre që të kalojnë! Duhet që të jemi të shpejtë”.

Genci Fuga: Kjo ishte shashka e radhës e ministres!

Në konceptin e Genci Fugës të dyja çështjet mblidhen në një emër, që është: ministrja e Kulturës. E para, është një çështje teknike; lëvizja e dikujt nga institucioni, pa mandat edhe të çuarit atje e dikujt me mandat. “Këtu po dimitizohet dëshira e liderëve të komunitetit tonë, për “të shtrirë” në rast se prishet teatri. Pra jemi në situatën: Na ka ikur vendi ku të shtrihemi. Të gjitha lëvizjet unë i konsideroj shashka, edhe burim dhe të këtyre shashkave konsideroj në konceptin tim, ministren e Kulturës.

Nëse projektligji merr trajtën e një ligji, sepse në fakt nuk është ligj, është organizim i brendshëm i Ministrisë së Kulturës, që i shkoi deri në fund projektligjit, të dyja çështjet lidhen me një emër, atë të ministres së Kulturës. Në konceptin tim duhet të gjejmë format “atraktive”, për të arritur, që kjo situatë të ndryshojë, në të kundërt do të merremi përsëri me shashkën e radhës. Mesa duket janë shumë të mirë në shashka, edhe kam idenë se nuk ja dalin dot. Të mendojmë të gjithë në formën e protestës tashmë, se jemi të gjithë krijues edhe interpretë, që të arrijmë aty ku duhet”.

Taulanta Jupi: Qeveria dhe ministrja na kanë shpallur luftë!

Aktroja Taulanta Jupi bashkohet me të dyja pikat, që u diskutuan dje në sallën “Black Box”. Ajo u shpreh se përqendrohet me shumë forcë, tek ato që duhet të bëjnë. “Ministrja e Kulturës dhe kjo qeveri me këtë ligj, që duan të na përfshijnë edhe të aprovojnë na kanë shpallur luftë. Unë mendoj se është momenti, që: Boll 27 vite kemi dëgjuar fjalën, ne nuk kemi spitale, nuk kemi shkolla, rrugë etj., dhe arti është i fundit. Jo zotëri arti nuk i fundit, sepse unë nuk kam ndërmend, që ta kem mirë me zonjën ministre, që të bëjë një projekt teatror.

Unë dua që ta kem mirë më ligjin, unë dua që të kem një ligj, që të mbrojë të drejtat e mia, si artiste, qytetare edhe intelektuale. Kemi arritur në një pikë, që themi se nuk duhet që të ngremë zërin, nuk duhet të ngremë zërin, nuk duhet të ngremë zërin… Mjaftojnë 27 vite të dashurit e mi për të mos e ngritur zërin. A nuk ka ardhur ky moment, për të mos e ngritur zërin. Nuk është puna, që të dalim te kryeministria, por jam e mendimit, që të shkojmë edhe të zëmë derën e ministrisë. Kjo e zgjidh. Ajo nuk duhet të futet më në zyrë pa negociuar me ne!”

Romir Zalla: Të shpallim grevë, që mos bëjmë asnjë shfaqje!

Për aktorin Romir Zalla problemi është se ligji ka një frymë centralizimi, që duhet luftuar, sepse nëse zgjidhet kjo, çdo gjë arrihet. “Përtej faktit që është mbushur kupa, e duhet që të shpërthejmë, mendoj se duhet që të mbledhim të gjitha gjërat që nuk shkojnë edhe të jemi konkretë në gjëra.

Nuk zgjidhet çështja nëse ikën x apo y, sepse kjo është frymë. Fryma vjen nga mentaliteti që kanë këta zotërinjtë për të bërë diferencime të tipit, se opera qenka më e rëndësishme, edhe TK mundet që të shkojë edhe te diga, se nuk ka asnjë problem. Apo gjëra të tipit, që TK i shkrihet qendra e artit, apo edhe Qendra e Filmit që është duhet të shkrihet, sepse duan që ta kenë nën hiqmë, që të bëjnë çfarë të duan, edhe të na konsiderojnë pabukësa, që jemi të varur pas cikërrimave dhe pikatoreve që hedhin ata zotërinj.

Ne duhet që të kërkojmë disa pika: Të shpallim edhe një grevë, në kuptimin, që mos të ketë asnjë shfaqje. Pavarësisht se është krijuar përshtypja, që ky popull rron edhe pa teatër edhe pa film. Unë nëse do të isha: Do të shpallja grevë totale. Ne nuk bëjmë asnjë lloj aktiviteti, nëse gjërat nuk vihen në vendin e vet. Nëse ata nuk do të mësojnë që të na shohin, siç duhet që të na shohin, ne do ta vazhdojmë që të shfrymë nëpër tavolina. Në të gjitha format duhet të jemi dakord, vetëm që t’i japim zgjidhje”.

Laert Vasili: Të rrezikojmë vendin e punës, të na pritet buka e gojës!

Aktori Laert Vasili shpjegoi se nëpërmjet këtyre nismave të qeverisë propozohet në projektligj, një drejtim vertikal, që fillon me një centralizim, nga kreu deri në fund, por ajo që artistët dëshirojnë është një vetëqeverisje apo një vetëvendosje, që fondi të shpërndahet siç u takon dhe siç duan artistët. “Jo një shpërndarje që të vijë nga kreu edhe të shpërndahet në bazë.

Të mos marrim pjesë në aktivitete, le të rrezikojmë vendin e punës, të na pritet buka e gojës, edhe për ju që jeni familjarë t’u hiqet edhe ushqimi i fëmijëve. Nëse nuk rrezikojmë ne, një ditë do të ngrihemi edhe muri që është ngritur dhe përballë nesh do të shikojmë një gradaçelë, që nuk mundet që ta shembim dot. Pra, a bëhet fjalë për një vetëqeverisje tonën apo për një urdhër vjen nga lart edhe fondet shpërndahet ashtu siç mendojnë drejtorët, që janë tani në projekte, që e shohim çdo vit”.

Përmbajtja e peticiont, që u firmos nga artitët

Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit, Sindikata e Pavarur e TK, studentët, pedagogët e Universitetit të Arteve, krijuesit e pavarur

Drejtuar znj. Mirela Kumbaro, MInistres e Kulturës,

Lënda: Kërkesë për takim

E nderuar znj. MInistre, ne artistët, pedagogët, studentët dhe krijuesit e pavarur të teatrit, jemi kundër vendimit tuaj për zhvendosjen e TK tek skena e re e ashtuquajtur “Turbina” dhe projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin për artin dhe Kulturën.

Ne kërkojmë:

Të anullohet vendimi për zhvendosjen e TK dhe të bëhet transparenca e plotë në lidhje me projektin e ndërtimit të teatrit të ri.

  1. Të pezullohet projektligji dhe të hapet dialogu me përfaqësues të komunitetit për një projektligj tjetër.

Për sa më lartë, kërkojmë një takim të hapur në sallën e TK, brenda javës së ardshme.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, vijojmë me firmat e artistëve. Pedagogëve, studentëve dhe krijuesve të pavarur të Teatrit,

Faleminderit

Të tjera

Abissnet