Aktivistja serbe kandidate për “Nobel”, vihet nën shënjestër

Të djathtët serbë protestuan kundër nominimit për Çmimin Nobel për Paqe të aktivistes së të drejtave të njeriut Natasa Kandiç dhe Qendrës për të Drejtën Humanitare, ndërkohë që mediat pro-qeveritare e sulmuan atë si një “mbështetëse terroristësh”

Një grup nacionalistësh serbë të krahut të djathtë protestuan të premten pasi dy kongresmenë amerikanë propozuan Natasa Kandiç dhe Qendrën për të Drejtën Humanitare, e cila dokumenton krimet e kryera gjatë luftërave jugosllave, për Çmimin Nobel të Paqes. Kandiç u dënua të premten edhe nga gazetat pro-qeveritare, njëra prej të cilave e quajti atë një “mbështetëse terroristësh” për punën e saj që kërkon drejtësi për viktimat e luftës në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe vende të tjera të ish-Jugosllavisë.

Anëtarët e grupit të krahut të djathtë Zavetnici ngjitën postera kundër Kandiçit me mesazhin “Çmimi Nobel për tradhti kundër popullit serb” në një ndërtesë ku ndodhen disa OJQ në Beograd. “Ne lajmëruam menjëherë policinë, por ata nuk erdhën, edhe pasi njerëzit u shpërndanë,” tha drejtoresha e programit të OJQ-së Nisma Qytetare, Bojana Selakoviç. Selakoviç tha se një grup prej rreth 30 protestuesish qëndruan para zyrave për rreth gjysmë ore dhe filmuan njerëzit që punonin në katin përdhes të ndërtesës.Megjithatë, Zavetnicit e kishin marrë gabim adresën pasi Qendra për të Drejtën Humanitare nuk ndodhet në në ndërtesën e cila quhet Shtëpia e të Drejtave të Njeriut. Ndërkohë, tabloidët serbë kritikuan kandidimin e Kandiçit për çmimin Nobel për Paqe duke përdorur sharje etnike dhe duke cituar kërcënime kundër Kandiçit nga ana e politikanit të ekstremit të djathtë Vojisllav Sheshel. Titulli kryesor në faqen e parë të gazetës së përditshme shtetërore Vecernje Novosti thoshte: “Ajo mbështeti terroristët, tani ndjek Çmimin Nobel për Paqe”. “Aktivistja polemike nga Beogradi konsiderohet nga publiku serb si një mbështetëse e idesë se Serbia ka përgjegjësinë e vetme për luftërat në vitet 1990,” thuhej në gazetë.

Ajo pretendoi gjithashtu se Kandiç e mbështeti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës. Vecernje Novosti i quajti kongresmenët amerikanë që e kandiduan atë, senatorin Roger Ëicker dhe përfaqësuesin Eliot Engel, si “lobistë shqiptarë”. Engel njihet për lobimin e tij në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Tabloidi Informer, i njohur për mbështetjen e tij për presidentin serb Aleksandër Vuçiç, postoi fotografinë e Kandiçit në faqen e tij të parë pranë një sharje etnike të përdorur për shqiptarët. Informer tha se Kandiç “e ndërtoi karrierën e saj bazuar në urrejtjen e hapur ndaj serbëve dhe të gjitha gjërave serbe”. Tabloidi citoi Sheshelin, i cili është në gjyq për krime lufte në Hagë, që tha se Kandiçit i duhet të vlerësohet “pas vdekjes”. Një tjetër tabloid, Srpski Telegraf, botoi gjithashtu një nxitje të dukshme për vrasje nga Shesheli, i cili tha se Kandiç duhet “të ngulet në një hu”. Tabloidët serbë njihen që sulmojnë rregullisht aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë si dhe kundërshtarë politikë të vërtetë apo të hamendësuar të presidentit Vuçiç. Kohët e fundit televizioni pro-qeveritar TV Pink transmetoi një sërë raportimesh duke e quajtur gazetaren Tamara Skrozza një “armike” të qeverisë. Grupi serb i paqes “Gratë me të zeza” aktualisht po padit Informerin se i ka quajtur aktivistët e organizatës “mercenarët më të mëdhenj të huaj” në vend.

 

 

Të tjera

Enklava apo komuna?

Emilie Fort Pothuajse një vit më parë, kur shkëmbeva disa email-e, me një profesoreshë në Beograd, unë theksova përdorimin e…

Abissnet