Aksioni i madh policor në Maqedoni, mbyllen lokale, ndalohen persona

Publikuar më 12. 11. 2017 nga Dionis Xhafa

Policia mbrëmë u fut në disa restorante dhe klube nate në Shkup dhe pas kontrolleve të kryera u mbyllën gjithsej 13 lokale. Përveç policisë kontrolle u kryen edhe nga inspektorët e DAP dhe disa inspektorë të punës. Nga MPB thonë se kanë pasur informacione se në shumë lokale nuk respektohen ligjet e orarit të punës, u shërbehet alkool personave në 18 vjeçar dhe se nuk jepen llogaritë fiskale. Përveç kësaj, policia ka hasur edhe persona të mitur në vende ku prindërit nuk duhet ti lejojnë fëmijët e tyre.

“Në tetë lokale është konstatuar prani e personave të mitur, ndërsa janë arrestuar katër persona të mitur, dy prej tyre për shkak se kanë përdorur substanca narkotike, ndërsa dy të tjerë për janë arrestuar për ta vërtetuar identitetin e tyre. Për shkak të parregullsive të hasura, janë mbyllur 13 lokale, ndërsa në edukim janë thirrur pesë pronar të lokaleve”, tha zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski. Zyrtarisht nga MPB nuk tregojnë se për cilat objekte bëhet fjalë. Jozyrtarisht sipas disa informacioneve thuhet se bëhet fjalë për disa objekte në Çarshinë e vjetër të Shkupit, disa objekte në Qendrën Tregtare në Shkup dhe në Autokomandë, të cilat pritet të jenë të mbyllura në afat prej 15 deri në 30 ditë. Këto janë disa nga objektet e mbyllura :

“MALL ALLTAN” – 15 DITË KLUBI I NATËS “KAPAN AN” – 30 DITË

“KABARE MIDNAJT” – 15 DITË KANTINA “TEMOV” – 30 DITË

“KAFE BAR VERSAÇE” – 15 DITË RESTORANTI “GIGO”– 30 DITË

KLUBI I NATËS ”VOKS” – 30 DITË

Kontrolli policor i kryer mbrëmë tregon se gjysma e vozitësve të ndaluar kanë qenë në gjendje të alkoolizuar. “Test i alkoolit u është bërë 272 vozitësve dhe tek 102 vozitës është vërtetuar se kanë konsumuar alkool. Janë konstatuar edhe 49 shkelje të tjera të ligjit për çka janë lëshuar 12 vërejtje dhe 37 dënime për kundërvajtje për vozitësit. Ministria e punëve të brendshme në bashkëpunim me institucionet e tjera do të vazhdojë me kontrollet e këtilla edhe në të ardhmen”, shtoi Angellovski. Nga Drejtoria për të ardhura publike thonë se po i presin vendimet e inspektorëve pas çka do të vendosin në lidhje me atë se a do të ketë dënime me të holla për pronarët e objekteve hotelierike në të cilat janë hasur parregullsi. Edhe pse një pjesë prej tyre nuk ishin të mbyllura sot nga DAP thonë se prej nesër pronarët do të duhet patjetër ta respektojnë masën e caktuar dhe ti mbyllin lokalet. /INA/