Aksion për kapjen e Balilit në Delvinë, kontrolle në banesën e vjehrrit

Publikuar më 12. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Një aksion i befasishëm është ndërmarrë sot në Delvinë nga Policia e Shtetit për kapjen e Klement Balilit, të cilësuar ndryshe nga mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”.

Mësohet se rreth orës 17:20 uniformat blu kanë kryer kontroll në shtëpinë e Avni Veizit, vjehrri i Balilit, i cili është banor i lagjes “Papuçi” në Delvinë.

Kjo lëvizje e policisë erdhi pas dyshimeve se i shumëkërkuari mund të fshihej aty. Uniformat blu kanë hyrë në banesë edhe pse konstatuan që në të nuk kishte njeri.

Pas një kontrolli në të gjithë ambientin e banesës ata janë larguar. Familjare të familjes Veizi shprehen të revoltuar me kontrollin, pasi pretendojnë se nuk janë pyetur nga askush paraprakisht.

Avni Veizi ka parlajmëruar madje se do të bëjë një kallëzim penal ndaj policisë, e cila sipas tij është futur në shtëpi pa vendim gjykate, duke shkaktuar dëme materiale.