Aksident nga moti i keq në Berat, makina humbet kontrollin dhe përfundon në Osum

Publikuar më 03. 02. 2018 nga Eno Shkëmbi

Një aksident i rëndë ka ndodhur në qytetin e Beratit si pasojë e motit të keq.

Mësohet se një makinë ka humbur kontrollin duke përfunduar në lumin Osum. Sipas informacioneve nga policia automjeti ka thyer kangjellat përgjatë urës së Goricës dhe ka rënë në lumin Osum.

Drejtuesi i mjetit ka marrë dëmtime të rënda, por mësohet se është nxjerr nga lumi dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Informacion paraprak nga policia

Rreth orës 14.15 Salla Operative ka marrë njoftim se një mjet i cili udhëtonte në rrugën Antipatrea, në vendin e quajtur “Tyneli” ka humbur kontrollin dhe ka rënë në lumin Osum.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, zjarrfikëses dhe ambulanca ku kanë bërë të mundur nxjerrjen e drejtuesit të mjetit nga lumi.
Nga informacionet paraprake rezulton se shtetasi K.S, 24 vjeç, banues në lagjen Çlirim, duke drejtuar mjetin tip “Benz” me targa angleze ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka rënë në lumë.

Shtetasi K.S, është transportuar për në Spitalin Rajonal Berat, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit. Për më tepër shihni pamjet e rënda që vijnë vendi i aksidentit.