Akademiku Luan Omari vlerësohet me çmimin e Karrierës

Nderohen me çmime njerëzit e letrave, Luan Omari dhe Moikom Zeqo. Themeluesit të Akademisë së shkencave i akordohet çmimi i Karrierës. Zeqo nderohet me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” nga Presidenti

Enida Vërça

Përmes një ceremonie të organizuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, janë shpallur ditën e djeshme fituesit e çmimeve shkencore kombëtare për edicionin e tretë për vitin 2018. Çmimin e Karrierës e ka marrë akademiku më jetëgjatë, Luan Omari, i cili është edhe themeluesi i këtij institucioni që daton prej vitit 1972. Me  modestinë që e karakterizon, profesori është shprehur se ky çmim është një nder për të. “Për aq sa mundem do mundohem, ato forca që më kanë mbetur t’i kushtoj për të mirën e akademisë tonë”, tha ai. Nga ana tjetër kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, i cili ka vetëm pak kohë në këtë post u u shpreh se Luan Omari është një krenari për çdo brez. “Është një nga baballarët e Akademisë së Shkencave dhe nuk është akademia që vlerëson profesorin, por është profesori që vlerëson akademinë duke pranuar këtë çmim”, tha Gjinushi mes të tjerash.

Çmimet e tjera

Çmimin kërkuesi i ri më i suksesshëm e mori Prof. Asoc. Belisa Muka dhe Prof. Asoc. Giuseppe Leppore, për veprën “La necropoli di Phoinike. Le tombe ellenistiche e romane”.  Pasi i dorëzoi çmimin, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti tha se është shpresëdhënëse që të gjithë të rinjtë që i hyjnë rrugës kërkimore mos të ngelin në nivelin sipërfaqësor të dijes, duke zgjedhur një punë e cila nuk i jep frytet menjëherë, por sipas saj, falë vullnetit të tyre do të vlerësohet patjetër.  Sipas Margaritit, kjo ceremoni ndarjesh çmimesh tregon se puna, vullneti e sakrifica vlejnë dhe shtoi se “Serioziteti i tyre na vë para përgjegjësisë për të qenë akoma dhe më mbështetës ndaj këtyre të rinjve”. “Jam dyfish e kënaqur që vepra fituese i kushtohet Finiqit, qyteti antik ku Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka bërë ndërhyrje me projekte. Dy vjet më parë u rikonceptua e gjithë struktura e parkut dhe shumë shpejt pritet që të hapen ekspeditat e radhës me shpresën që të tjera pasuri të fshehta të këtij qyteti do të dalin në dritë dhe do jenë akoma më tepër pjesë kërkimore për të rinj të e tjerë që do t’i afrohen studimeve”, deklaroi Margariti.  Përmes këtij botimi, vijoi më tej Margariti, Finiqi fiton më shumë njohje dhe na bën më të përgjegjshëm që t’i përgjigjemi më tepër kërkesave të arkeologëve, studiuesve dhe turistëve që duan të vizitojnë vendin tonë. E shikoj si një përgjegjësi të madhe dhe mbështete atë që na japin partnerët tanë të huaj.  Çmimi “Radovicka” për veprën “Atlas i Florës së Shqipërisë” e mori akademik Jani Vangjeli. Çmimet e mëdha kombëtare vjetore zhvilluan edicionin e tyre të tretë duke nxitur kështu shkencëtarët të jenë konkurrues dhe inovativë në fushën e kërkimit shkencor

Historiku

Akademia e Shkencave është institucion i lartë shtetëror ose shoqatë e përhershme dijetarësh e njerëzish të kulturës, që merret me organizimin e drejtimin e punës shkencor edhe me kërkime e studime. Akademia e Shkencave është  themeluar më 1972, është institucioni më i rëndësishëm shkencor në Republikën e Shqipërisë. Ajo përfshin shkencëtarë nga më të shquarit, akademikë, të cilët zhvillojnë veprimtari shkencore në institute dhe qendra kërkimore, si dhe organizma të tjerë shkencorë brenda dhe jashtë vendit. Akademia ka 24 anëtarë, akademikë; 10 anëtarë, akademikë të asociuar, 26 anëtarë nderi dhe 1 anëtarë nderi i ndarë nga jeta. Akademia ka dy seksione: Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike. Në strukturën e saj përfshihen gjithashtu, Njësia e Projekteve të Kërkim-Zhvillimit Teknologjik e Inovacioneve, Dega e Marrëdhënieve me Jashtë dhe me Publikun, Biblioteka Shkencore dhe Botimet.

Nderimi

Po dje, Presidenti, Ilir Meta nderoi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Moikom Zeqo. Në një ceremoni të veçantë, të mbajtur ditën e djeshme, ku ishin të pranishëm akademikë, shkencëtarë, diplomatë, arkeologë, studiues, shkrimtarë, kritikë, doktorë, botues dhe përfaqësues të mediave, Presidenti i Republikës vlerësoi lart veprimtarinë e shquar dhe kontributet e shumta të arkeologut, shkrimtarit, eseistit, historianit, filozofit dhe mendimtarit Moikom Zeqo në dobi të historisë, artit, kulturës dhe historisë sonë kombëtare.”Në vlerësim të kontributit të tij poliedrik në dobi të artit, kulturës e historisë sonë kombëtare. Me cilësitë e shquara si studiues, talentin dhe aftësitë krijuese i ka ofruar publikut shqiptar dhe të huaj vepra të spikatura në fushën e albanologjisë, muzeologjisë, etnokulturës dhe arkeologjisë, si dhe botime letrare në prozë dhe poezi, të vlerësuara për origjinalitetin krijues. Në mirënjohje të publicistikës së tij të mprehtë, studimeve shumëdimensionale për ndriçimin e gjenezës së kombit, mbrojtjen e monumenteve dhe identitetit tonë kombëtar me përkushtim, kurajë intelektuale, qytetari dhe profesionalizëm të lartë. Jam shumë i lumtur që i akordoj Titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’, një personaliteti dhe një njeriu të veçantë; një intelektuali të shquar; një zëri të fuqishëm dhe pene të fortë e të thellë; një ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë; një mendimtari të vyer për kombin tonë; një studiuesi të paepur; një miku të dashur, zotit Moikom Zeqo, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij “, u shpreh Meta gjatë akordimit të këtij titulli.

Biografi

Luan Omari ka një karrierë të gjatë në Akademinë e Shkencave. Në vitin 1972 ai bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 1975-1993 Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave. Në 1992 anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave e të Arteve. Në 1997 zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Në vitet1998-2006 anëtar i Komisionit “Demokracia përmes së drejtës”, pranë Këshillit të Evropës (Komisioni i Venecies) dhe në vitet 2003 – 2005 zëvendëskryetar i Komisionit të Venecies. Omari, njihet edhe për botime të shumta, ku më kryesorët janë: Revolucioni popullor në Shqipëri dhe pushteti politik” (në shqip, anglisht dhe frëngjisht)1977 “Histori e Shqipërisë” (bashkautor) 1984; “Parime dhe institucione të së drejtës publike” 1993 – Botimi i 7-të më 2004.“Histori e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri” (bashkautor) 1994; “Sistemi parlamentar” 1995 (Botimi i tretë më 2003)“Shteti i së drejtës” (2002) Botimi i dytë më 2004.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet