Akademikët prezantojnë draftin për reformimin e Akademisë (FOTO)

Publikuar më 23. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Reforma për Akademinë e Shkencave. Akademikët prezantojnë draftin e reformës për kërkim shkencor dhe rolin e ASH-së në kryeministri. Rama kërcënon, se nga buxheti i 2018-s, qeveria do t’i lërë Akademisë lekë sa për realizimin e reformës, ndërsa Akademia si shërbim social do të mbyllet. Një pjesë mendohet të shkojë për krijimin e bibliotekave digjitale në universitete   

Anëtarët e Asamblesë në Akademinë e Shkencave realizuan dje një takim me kryeministrin Edi Rama për t’i prezantuar pikat kryesore, që kanë miratuar për draftin e reformës për kërkim institucional dhe rolin shkencor të Akademisë së Shkencave. Pas prezantimit të pikave kryesore të këtij drafti akademikët ndalën edhe disa pika se si ky institucion mund të dalë nga gjendja ku është aktualisht. E megjithatë, Rama u shpreh se ky institucion do të ketë një shkurtim drastikë të fondeve, duke ruajtur pjesën e financimit, që ka të bëjë me honoraret apo shpërblimet. Ndërsa, akademikëve u vendosi kusht, që brenda muajit mars 2018, të kenë gati platformën e rithemelimit të ASH-së. “Nëse nuk prek, nuk besoj se kjo do të bëhet. Ne në buxhetin e vitit 2018 do të lëmë vetëm pjesën, që do të jetë në funksion të kësaj pune, ndërsa Akademia, si Shërbim social do të mbyllet”. Mendohet që fondi që do t’i hiqet ASH-së do t’i shkojë krijimit të bibliotekave digjitale universitare.

Vasil Tole: Ky proces është i vetmi, që mund të krijojë komunikim mes shkencës dhe politikës

Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave Vasil Tole u shpreh se akademikët mbeten të ndërgjegjshëm, se ky proces është i vetmi, që do ta shërojë gjendjen edhe është një përgjigje ndaj trendeve të kohës, për të ndërtuar ura të duhura komunikimi mes shkencës dhe politikës edhe anasjelltas. “Ne besojmë se Akademia nuk janë thjesht akademikët e një me kohe të caktuar, as ne të sotmit, Akademia është trashëgimia që ata lënë për vendin”, u shpreh Tole.

Apollon Baçe: Zgjodhëm modelin e Akademisë, pa institucione

Sekretar i Komisionit të Reformimit, Apollon Baçe para se të prezantonte pikat kryesore të draft reformës u shpreh se jo vetëm qeveria ka qenë kushinete, që Akademia duhet që të reformohet, por edhe akademikët. Baçe prezantoi dy modele se si mund të jetë Akademia e Shkencave: 1. Mund të jetë si ka qenë dikur Akademia, ku kanë qenë 7 veta me formim Perëndimor, 7 vetë me formim Lindor, të cilët kanë qenë drejtorët e institucioneve, ndërsa 7 kanë qenë shkencëtarët më të spikatur. “Edhe në procesin e Berlinit kërkohet dialogu midis shkencës edhe politikës. Njëkohësisht kërkohet që politika të bisedojë intensivisht me shkencën, por të mos e drejtojë ajo. Kërkimi shkencor duhet që të fillojë edhe të nivelohet në drejtim me vendet e BE-së, në mënyrë që të mos jetë vetëm ekonomia e niveluar, por edhe mendimi e kërkimi shkencor”.

Modeli i përzgjedhur, nuk është modeli i Akademisë me institucione, por të krijohet një qendër kërkimi shkencor, e cila është pjesë e kryeministrisë. “Ne mundohemi që të dakordsohemi me të, duke i lënë menaxhimin, administrimin, të gjithë implementimin e kërkimit shkencor, duke i lënë vetes këshillimin krijimin e grupeve të punës, menaxhimin etj. Midis të dyjave mendojmë që të ketë një këshillë koordinativ, që do të jetë me pjesëmarrje të barabartë, pa humbur autonominë”.

Aurel Anastasi: Akademikët duan që të ruajnë një Akademi, si një organ të pavarur me autonominë, që i ka njohur ligji

Akademikja Aurel Anastasi shtoi edhe disa aspekte kryesore, që kanë të bëjnë me procesin, që akademikët kanë ndërmarrë, për të treguar dy pika të rëndësishme: legjitimimin e këtij procesi brenda Akademisë dhe për të evidentuar faktin se nuk do të ishte asnjëherë e mjaftueshme një reformë vetëm nga jashtë, por kërkohet reformimi edhe brenda institucionit dhe koordinimi i përpjekjeve, midis qeverisë shqiptare dhe institucionit. “Pavarësisht nga pritshmërie që keni pasur nga ky dialog, mendoj se dialogu midis shkencëtarëve dhe qeveris është thelbësor, jo vetëm duke mbajtur parasysh interesat tona kombëtare, por edhe platformat ndërkombëtare edhe ato evropiane, e Berlinit në vitin 2014 dhe atë të Vjenës në vitin 2015, ku diktohet qartë nevoja për afrimi të kërkuesve shkencorë edhe qeverisë, që studimet e studiuesve të përthithen më mirë nga Akademia”, tha më tej Anastasi. Akademikët duan që të ruajnë një Akademi, si një organ të pavarur me autonominë e saj, që i ka njohur ligji, por natyrisht që e konsiderojnë të domosdoshme, që të vendosin ura lidhëse midis komunitetit mbarëkombëtar shkencor edhe institucioneve të tjera kërkimore shkencore në vend edhe Akademisë së Shkencave, duan që të jenë përfaqësues të denjë të kombit në botë.

Skënder Gjinushi: Duhet bërë reformim të brendshëm dhe të përcaktohet vendi do të zërë Akademia në kuadrin e kërkimit shkencor në Shqipëri

Akademiku Skënder Gjinushi bëri një analizë më përmbledhëse të gjendjes se ku është sot Akademia e Shkencave, duke kërkuar që të jetë e qartë ideja, se çfarë pozicioni kërkohet, që t’i jepet nesër Akademisë së Shkencave. Cili është qëllimi real i kësaj reforme? Çfarë vendi do të zërë nesër Akademia e Shkencave në kuadrin e kërkimit shkencor? Përse sot ASH është në këtë gjendje, a ka të bëjë me këtë fakti, se truri shqiptar ka emigruar jashtë vendit?

Janë dy probleme kryesore që ngre profesor Gjinushi: 1) Reformimi i brendshëm i Akademisë, edhe 2) Çfarë vendi do të zërë Akademia në kuadrin e kërkimit shkencor në Shqipëri?

“Duhet që të kuptohet se situata ku ndodhet, nuk është përgjegjësi e Akademisë në tërësinë e vet. Kërkimi shkencor në Shqipëri ka bërë mbrapa për dy arsye: 1) U godit dhe ra statusi i instituteve, ndërsa disa institute janë shkrirë; 2) Vet kërkimi shkencor në shkollat e larta nuk është në atë nivel që duhet, sepse kemi mijëra doktoratura, që nëse flasim për cilësinë e tyre, lënë shumë për të dëshiruar. Por një problem kryesor, që sot ka Shqipëria është edhe eksporti apo emigracioni i trurit, që do të thotë se më të zotët apo më të aftët, nuk rrinë më këtu. Kështu që për të dyja këto arsye, edhe për një politizim shumë të madh të reformës së fundit, bëri që ASH të kthehet në një organ honorifik. Një organ honorifik nuk është ai që prodhon shkencën, sepse shkenca prodhohet në katedra, atje ku investohet edhe njerëzit janë aktiv”, thotë profesori. Akademia, sipas tij, është një emblemë e këtij kërkimi shkencor edhe në këtë kuadër duhet, që të vendoset se cili është vendi i ASH? A do të kemi një ASH honorifike apo një Akademi, e cila duhet të ketë edhe funksion në institute. “Unë kam parë çfarë është propozuar edhe problemi nuk është: Çfarë duhet të bëjmë më këta që janë këtu apo atje?

Por problemi është që në të gjithë piramidën e kërkimit shkencor, cili do të jetë roli i ASH, i një qendre të koordinimit të kërkimit shkencor, por ka rëndësi edhe reformimi i brendshëm. Në bazë  të funksionit, të shihet edhe përbërja apo kriteret e Akademisë. Koha ishte e lavdishme, kur gjithë truri i Shqipërisë ka qenë këtu, atëherë Akademia ka pasur cilësi më të lartë për shkak të kësaj, por edhe sepse kërkimet e instituteve kanë qenë në kuadër të ASH-së?” Sot, shton Gjinushi, problemi është i qeverisë, ministrisë, instituteve, se si do luftojnë për ta rimarr apo ringritur? Edhe cili do të jetë roli i ASH-së në këtë piramidë? Të gjitha modelet që ekzistojnë, janë që ka një Akademi edhe akademikët nuk bëjnë shkencë në Akademi, por bëjnë koordinim dhe jo bilance.

“Me ligjin e ri të përcaktohet vendi i Akademisë, roli koordinues, botues etj. Me statusin e ASH-së të rregullohen edhe problemet e brendshme, sepse ka pasur politizime dhe anëtarësime jashtë kriteri, por janë gjëra që ndodhin kudo dhe do të ndodhin sërish. Nëse do të anatemojmë Akademinë anatemohet ajo, që vet kërkimi shkencor në Shqipëri është i hallakatur. Ka rënë niveli edhe ata që kanë pasur më shumë sukses janë larguar. Prandaj duhet që të krijojmë mundësi për ata që janë këtu edhe ata që janë larguar, të cilët mund të kontribuojnë edhe si të jashtëm, por edhe si kandidatë të ASH për t’i dhënë një gjallërim kërkimit shkencor në Shqipëri”.

Propozimet

Reformim nëpërmjet rithemelimit!

Artan Fuga

Deri tani është konceptuar dhe aprovuar unanimisht propozimi për pozicionimin e ri të saj, jo më si institut kërkimi shkencor, as si drejtori dekasteri, por si forum shkencëtarësh akademikë që kontribuojnë në strategjinë e kërkimit shkencor në partneritet me qeverinë, si komunitet përfaqësues i kërkuesve shkencorë shqiptarë përtej ndarjeve të tyre disiplinore, institucionale, metodologjike.

Por ka mbetur në mes të udhës reforma në këto plane:

  1. Reforma e analizës së deritanishme të punës së Akademisë dhe e rezultateve të kërkimit shkencor të çdo akademiku dhe e agjencisë në përgjithësi. Ende nuk ka një vështrim kritik të punës nga ana e kryesisë së mbetur apo e këshillit ekzekutiv për ecurinë e punës në këto vite, si edhe për pranimet pa kriter të akademikëve apo edhe për organizimin e zgjedhjeve të fundit-farsë? Pa u bërë ky katarsis, besoj Akademia nuk do të vendoset dot në shina!
  2. Reforma që lidhet me auditimin e përdorimit të fondeve deri tani, sepse nuk mund të kërkosh fonde të tjera pa parë me hollësi si janë përdorur të vjetrat, çfarë rezultatetesh kanë dhënë ato? Auditim jo thjesht si invetar, por i performancës të fondeve të marra! U bënë vite që e kërkoj, jam kam kërkuar edhe zonjës ministre, publikisht para tre vjetësh, por asnjë përgjigje nuk kam marrë. Cili është rentabiliteti i përdorimit të fondeve kur asnjë agjenci nuk i mat ato, kur botimet janë pa oponenca, pa komitet botimi, pa përkthime në gjuhë të huaj, pa redaksi?
  3. Reforma e personelit. Cili është potenciali real në funksion të moshës, të statusit profesional, të vendbanimit, të akademikut? A mundet që personeli i Akademisë të mos ketë as gradën doktor? A duhet akademiku të jetë edhe një burokrat, pra një punonjës administrate?A nuk i duhen nëpër seksione Akademisë së Shkencave doktorë të rinj plot vullnet dhe pasion në shërbim të akademikëve që punojnë sipas një strategjie të caktuar?
  4. Reforma e statusit të akademikut dhe e pranimeve të reja. A është akademiku vetëm përfaqësues i punës së tij, apo duhet të konsiderohet, si përfaqësues i fushës të shkencëtarëve brenda së cilës punon dhe të rekrutohet me mbështetjen e tyre? Pse nuk ka pranime mbi bazën e oponencave dhe paraqitjeve të arritjes të fushës? Pse ka pasur frikë Akademia të bëjë thirrje të hapur për anëtarësim? Përse nuk ka marrë gjykimin dhe aprovimin institucional të agjencive kërkimore dhe universitare nga vijnë anëtarët e rinj?
  5. Reforma e matjes së punës shkencore dhe e rezultateve të saj. A mund të matet puna shkencore vetëm me botimet dhe ato pa performancën e duhur dhe pa recencën e duhur? Ku i ka Akademia e Shkencave kriteret e performancës të punës shkencore? Apo në botime pa komitet shkencor, pa oponenca nga jashtë vendit dhe akademisë?
  6. Reforma e shpërndarjes të fushave, e hapjeve të fushave të reja, si edhe a vlen që Akademia e Shkencave të ndahet në seksione, sipas fushave logjikë që na vjen që nga pozitivizmi klasik i shekullit të 19 -të apo duhet organizuar sipas funksionaliteteve ndërdisplinore?
  7. Reforma e marrëdhënieve të Akademisë të Shkencave me shoqërinë. A duhet edhe të përfshijë inovacionin? Si të mos bashkëpunojë edhe kërkimin shkencor universitar? Pse Akademia fondet e veta për botim librash nuk i propozon për kontribute bibliografike të të gjithë komunitetit? Sa libra u shitën në panair? Perse projektet i ka mbajtur për veten e vet pa i shpallur me konkurs të hapur publik?
  8. Reforma e legjitimitetit. Kush e përfaqëson tani Akademinë? Komisioni i reformës, këshilli ekzekutiv, seksionet?
  9. Reforma e punës shkencore të Akademikëve. Përtej funksionit të shërbimeve, për statusin e akademikut, për funksionimin e saj institucional, ku fondet e dhëna dalin dhe teprojnë nëse me to nuk abuzohet, që nuk besoj se duhet të vihen në dyshim, nëse Akademia tregon se është reformuar sinqerisht, dhe për këtë besoj se duhet ngritur një grup besim – reformimi me tagrin edhe të qeverisë, fondet e tjera të kërkimit shkencor Akademia duhet t’i gjejë vetë mes projekte. Ky duhet të jetë besoj edhe modaliteti i cdo institucioni shkencor, fonde ekzistence, dhe liri për kërkim fondesh, si edhe për konkurim në një fondacion shkence me fonde publike.

Me këto propozojë përpara jush zoti kryeministër: 

  1. Akademisë së Shkencës t’i alokohen fondet, që planifikohen edhe në dokumentin e Ministrisë së Financave, por kundrejt angazhimit të saj solem, për reformim brenda vitit 2018, në mënyrë që duke marrë fondet e funksionimit, sipas parashikimit të ligjit në fuqi, të ketë mundësinë e reformimit.
  2. Akademia e Shkencave dhe qeveria të nënshkruajë një marrëveshje të vullnetit të përbashkët, të mirëkuptimit, të bazuar në një projekt strategjik reforme, të aprovuar nga të dy palët, qysh në fillim të procesit.
  3. Të ngrihet një komision qeveritar besimi reformimi në bashkëpunim me Akademinë, që në fund të procesit të vlerësojë performancën e reformimit, sipas strategjisë së rënë që në fillim dakord.
  4. Pas procesit të reformimit mbi bazën e një statuti të ri të reformohet asambleja e Akademisë së Shkencave sipas prurjeve të reja, në vendet vakante, që do të krijohet sipas pritshmërive të reja, sepse unë nuk e kuptoj, që një akademik të vazhdojë që të jetë akademik, nëse nuk është aktiv në një grup pune apo kërkimi universitar, që kontribuon në Shqipëri apo jashtë saj. Pas prurjeve të reja dhe rinovimit të asamblesë të bëhen zgjedhjet. Me këtë akt Akademia e Shkencave të konsiderohet e reformuar.