Akademikët i kërkojnë Edi Ramës që të ulet në tryezë me ta

Publikuar më 03. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Akademikët bëhen bashkë për “të shpëtuar” Akademinë e Shkencave. Ata i kërkojnë kryeministrit të vendit një takim për të bërë debat konstruktiv. Në 16 nëntor prezantojnë projketpropozimin për reformën shkencore

Anëtarët e asamblesë së Akademisë së Shkencave bëhen bashkë për shpëtimin e Akademisë së Shkencave. Ata, i kanë kërkuar kryeministrit të vendit Edi Rama një takim për të bërë debat konstruktiv për reformën shkencore. Qëllimi i tyre është që dinjiteti i shkencëtarëve të vihet në vend, edhe akademia të vazhdojë që funksionojë, si një institucion i pavarur, por duke bashkëpunuar edhe me institucionet e tjera, qeveritare ose jo.

Pavarësisht deklaratave të kryeministrit në rrjete sociale, se fondet e këtij institucioni do të shkojnë për kërkime në universitet, ata pohojnë njëzëri, se ky problem do të bëhet edhe më i madh nëse ndodh kjo, pasi ky institucion ka rëndësi kombëtare më të madhe, sesa qeveritare. Gjatë takimit të djeshëm ata kishin si qëllim që të sqaronin opinionin publik për këtë situatë ku gjendet sot Akademia e Shkencës, duke thënë se, në datë 16 nëntor do të bëjnë publik edhe projektpropozimin për reformën në Akademi.

Vasil Tole

Në këtë situatë jo të zakonshme, mbështetur ligjit, drejtimi i Akademisë së Shkencave ka kaluar në dorë të Asamblesë, e cila përfaqëson bashkësinë e akademikëve, që është organi më i lartë drejtues i Akademisë së Shkencave, e cila, krahas të tjerash shqyrton probleme të zhvillimit perspektiv të shkencave në vend dhe u paraqet propozime organeve kompetente. Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole, sqaroi se Asambleja në mbledhjen e saj të fundit vendosi ndërmarrjen e disa veprimeve.

Akadeimkët që i prezantuan këto pika ishin: Aurela Anastasi, akademik Salvator Bushati, Apollon Baҫe, Artan Fuga, Beqir Meta dhe Vasil S. Tole. “Në vijim të dialogut me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, asambleja i është drejtuar dje me një ftesë zyrtare për takim për zhvillimin e një debati konstruktiv në këtë fazë përmbyllëse të reformës, si një fazë “bashkëqeverisjeje me shkencëtarët”. Akademia ka shprehur dhe dhënë në vijimësi disavjeҫare, angazhimin e plotë dhe ekspertizën për kryerjen e reformës institucionale të kërkimit shkencor në vend dhe si pjesë e saj edhe për reformimin e Akademisë së Shkencave. Asambleja vendosi që të sqarohet çështja e mbetur pezull në lidhje me emërimin nga institucioni i Presidentit të kryetarit të zgjedhur të saj.

Për këtë i është drejtuar së fundmi një kërkesë konform legjislacionit në fuqi për informimin për tu shprehur në lidhje me këtë praktikë. Megjithëse Akademia e Shkencave përmes disa përfaqësuesve akademikë ka qenë anëtare e grupeve të reformës së kërkimit shkencor, më konkretisht për draftet: 1. Dokumenti i strategjisë kombëtare të zhvillimit të kërkimit shkencor, teknologjisë dhe të inovacionit për vitet 2017-2022; 2. Dokumenti për politikën e reformimit institucional të kërkimit shkencor, dhe 3. Projekt-ligji i ri për shkencën, të cilat janë hartuar falë kësaj pune të përbashkët dhe që janë baza e puqjes së ekspertizës akademike me vendimmarrjen qeveritare e më gjerë, asnjëherë nuk i ka pasur në administrim zyrtarisht ato! Sigurisht që nuk është përgjegjësia e saj.

Për këtë, me përparësi Asambleja vendosi që t’i kërkohen Ministrisë së Arsimit këto drafte, të cilat na u vunë dje në dispozicion pas kërkesës sonë të menjëhershme dhe Asambleja e Akademikëve do të shprehet zyrtarisht për to. Krahas tyre u kërkua zëvendësimi i anëtarit tonë në këtë grup pune, ish kryetari akademik Muzafer Korkuti, i cili është dorëhequr nga detyra. Për këtë pranë Akademisë së Shkencave është ngritur Komisioni As Hoc i reformës, i përbërë nga akademikë nga gjithë hapësira mbarëkombëtare shqiptare, me përfaqësues të shquar të Asamblesë sonë, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të Maqedonisë, të botës akademike arbëreshe dhe diasporës shqiptare, të cilët brenda një afati 2 javor do të përgatisin propozimin tonë kolegjial për reformën institucionale të kërkimit shkencor dhe vendin e Akademisë së Shkencave në të”.

Tole shtoi më tej shpeshherë ngatërrohet akademia si institucion, i cili ka problemet e veta dhe nevojën e vazhdueshme për reformim, për të cilën akademikët janë plotësisht dakord dhe të ndërgjegjshëm për rolin e tyre, me akademinë si trashëgimi, ku padyshim institucioni i vërtetë i akademisë është trashëgimia e saj e madhe e krijuar me përpjekje të stërmundimshme të akademikëve dhe kërkuesve shkencore ndër vite.

“Këtë me sa duket ka pasur parasysh edhe kolegu ynë i nderuar, shkrimtari dhe akademiku ynë Dritëro Agolli kur u shpreh në vitin 2016 për çështjen e reformës sonë, tek mendimet e të cilit gjithkush mund të gjejë përgjigjen se (citoj): … Akademia e Shkencave është një institucion që duhet të forcohet, jo të dobësohet. Është e gabuar të mendohet se Akademia jonë është një trashëgimi e së shkuarës. Ajo u themelua nga dijetarë të mëdhenj, që ishin formuar në universitete me emër. Akademia e Shkencave gjithnjë ka pasur njerëz të zotë, të ditur e të mençëm. Akademia e Shkencave nuk është një çështje qeveritare, është çështje kombëtare”.

Aurela Anastasi: Jemi të angazhuar për të marrë pjesë aktive në dialogun shkencë-politikë, por kërkojmë, që dialogu të mbështetet në kushtetutë

“Asambleja e ASH të Shqipërisë, në datë 31 tetor 2017, pasi diskutoi rreth mbarëvajtjes edhe të ardhmes së ASH-së, në kuadër të reformës së kërkimit shkencor deklaron se, mbështet plotësisht reformën e kërkimit shkencor edhe vazhdon, që të jetë e angazhuar në këtë proces, si edhe në reformimin e vet ASH-së, me synimin kryesor fuqizimin e saj. Në vijim të procesit për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor jemi të angazhuar për të marrë pjesë aktive në dialogun shkencë-politikë, por kërkojmë që dialogu të mbështetet në kushtetutë në parimin e shkencës të së drejtës, lirisë së kërkimit shkencor, në pavarësinë institucionale edhe në kodin e etikës, Asambleja e Akademisë së Shkencave, duke iu shmangur debatit emocional, në komunikimin me epitete edhe metafora, njeh vetëm forcën e argumentit shkencor, logjikës edhe fakteve, ASH ka dhënë një kontribut të rëndësishëm me ndikim të konsiderueshëm në kërkimin shkencor dhe në zhvillimin e vendit, megjithatë asambleja e ASH e njeh të nevojshme rritjen e kapaciteteve të saj, në drejtim të rolit që duhet të luajë ajo në kërkimin shkencor, në politikëbërjen për zhvillimin e shkencës, si dhe të politikave të zhvillimit të vendit mbështetur në arritjet bashkëkohore shkencore. Prandaj Asambleja e Akademisë së Shkencave në kuadrin e procesit të reformimit do të miratojë në 16 nëntor projketpropozimin e saj për reformën e ASH-së, që do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave edhe do të bëhet i njohur publikisht”. Pas kësaj deklarate anëtarët e Asamblesë iu përgjigjën edhe pyetjeve të medieve prezente.

A ka një përgjigje nga presidenca për mosdekretimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave?

Aurela Anastasi: -Në lidhje me dekretimin që duhet të bëjë presidenti i Republikës, Ilir Meta, për kryetarin e Akademisë së Shkencave, nuk ka një përgjigje. Kryetari është zgjedhur në datë 4 shtator 2017, ndërsa Asambleja në takimin e 31 tetorit, i kërkon presidentit një përgjigje. Presidenti i Republikës në bazë të kushtetutës duhet që të dekretojë me qëllim që të legjitimohet dhe kushtetohet zgjedhja e asamblesë së Akademisë së Shkencave. Nëse nuk dekretohet do të thotë që ajo mbetet nul. Natyrisht që nuk është i detyruar që të dekretojë, por ne mendojmë se duhet që të na jap disa arsye në qoftë se vendos të mosdekretojë në krye të Asamblesë kryetarin e Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj. Kushtetuta nuk ka një afat për këto lloj dekretesh. Ne mbështetemi vetëm në afate të arsyeshme.

A keni gjetur një dakortësi për reformën e Akademisë së Shkencave, pasi ka akademikë, pro edhe kundër, që institutet të jenë në varësi të Akademisë së Shkencave?

Apollon Baçe: Asambleja ka vendosur që në datë 16 nëntor do të prezantohet projektpropozimi për reformim. Nuk do të jetë një opsion, por do të jenë të gjitha opsionet e mundshme, duke argumentuar se cilat janë anët pozitive, negative edhe sesa kushtojnë.

Përse s’ka pasur alternativa deri më tani për një reformim, por u la derisa u mblodh asambleja?

Vasil Tole: Siç e thashë çështja e zgjedhjes së kryetarit të Akademisë së Shkencave, në rastin tonë nuk është me emërim, por është me zgjedhje. edhe të gjithë anëtarët e akademisë mbështetur në një proces që ishte tërësisht i hapur, mund të kandidonin për këto pozicione. Alternativat e kandidimit mund të mos jenë të shumta, por sigurisht gjejmë një arsye që mund ta vëmë në zbatim të statutit të Akademisë, që të mos pranojmë më zgjedhje të kryetarit të Akademisë, pa kandidatura alternativa.

Ju flisni për reformën, por nuk e dini se çfarë do të bëhet pas janarit të 2018-s? Çfarë mendoni lidhur me këtë?

Vasil Tole: Ne si akademikë nuk jemi këtu për t’u trembur nga fakti nëse do t’i përfitojë akademia ato buxhete, apo ato përfitime modeste që ka. Këtu çështja është më e madhe. Po diskutojmë, së Shqipërisë pavarësisht problemeve që po kalon, i duhet Akademia e Shkencave edhe po punojmë për gjetjen e bonsensit edhe dialogut në të gjitha kushtet.

Artan Fuga: Nganjëherë nuk duhet që të konfondohen dy gjëra, të mbivendosen dy elementë të ndryshëm. Pa këto fonde, që janë minimale, po t’i krahasosh, akademia e ka të vështirë që të funksionojë, pasi nuk funksionon dot as pa strukturat administrative, nuk funksionon dot as pa pasur mbështetje financiare për shërbimet minimale që kryen, por problemi nuk është thjesht i akademikëve, por i modelit të institucioneve publike në Shqipëri, i statusit institucional të shkencëtarëve në Shqipëri. Edhe e treta, e politikave se si menaxhohet shkenca edhe kërkimi shkencor në Shqipëri. Kjo do të thotë që në qoftë se kjo akademi nuk i ka këto fonde është e pamundur që ajo të funksionojë, pavarësisht se atë që akademikët përfitojnë si shtesë në pagën e tyre, siç e përfitojnë qindra profesorë të asociuar, dhjetëra e qindra doktorë në Shqipëri edhe me këtë akademia nuk funksionon dot, sepse kërkon një buxhet funksionimi. Si është funksioni edhe si kompozohet akademia?

Ka një hyrje të individëve nga komuniteti shkencor në radhët e kësaj asambleje, hajde të diskutojmë edhe ne kemi pasur të gjithë vërejtjet tona, për mënyrën se si adaptohen anëtarët e rinj, që vijnë nga komunitetet universitare etj. sigurisht që ka nevojë që akademia të hapet edhe më shumë akoma te këto komunitete, por ligji duke pranuar këto personalitete shtesë në asamble, e bëjnë këtë asamble që në një farë mënyre të jetë përfaqësuesja më e pjekur edhe me përvojë më të madhe e gjithë komunitetit shqiptar të shkencëtarëve edhe kërkuesve, edhe nëse funksionon ose jo kjo akademi, nuk lidhet me anëtarët e asamblesë, por me të gjithë atë mekanizëm, ku shkencëtarë të afirmuar do të vijnë pas dhjetë vjetësh, brezat e rinj.

Problemi është që ky komunitet shkencëtarësh a do të ketë një organizëm të vetin, që bazuar në ligj do t’u njihet në mënyrë statutore, si një organizëm i pavarur partner apo jo. Edhe këtu humbja nëse ndodh nuk është joni si anëtarë të asamblesë së akademisë, ne nuk kemi asnjë konflikt interesi, por problemi është i komunitetit të shkencëtarëve. Thirrja ime është për tërë komunitetin e shkencëtarëve, që edhe nëse flukset hyrëse në akademi nuk kanë qenë, si duhet në akademi, kjo nuk do të thotë që ky status i akademikëve të prishet, por këtu ka nevojë për t’u ndrequr. Këtu është problemi se, çfarë statusi do të ketë në shoqërinë shqiptare shkenca dhe kërkimi shkencor, në një shoqëri që quhet shoqëria e kërkimit e shkencës dhe e dijes. Si mundet ne që të bëjmë një hap mbrapa, që komunitetit të shkencëtarëve t’u heqin statusin e tyre publik të njohur me ligj, duke e zëvendësuar me një OJF.