Agim Hushi: Populli s’mund të gënjehet nga një klasë politike që është provuar!

Publikuar më 18. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Valeria Dedaj

Tenori Agim Hushi analizon situatën politike në vend, edhe veçmas në art. Ai rrëfen për “Shekulli”-n se edhe vet ra pre e fushatës së qeverisë aktuale, teksa kreu i saj Edi Rama bënte thirrje, që njerëzit që kanë kontribuar nëpër botë, të kthehen në atdheun e tyre për të kontribuar. Prandaj sot, pas disa muajsh ai ndien keqardhje, që konkursi për drejtues në Teatrin e Operës fyeu atë edhe artistët që konkurruan për këtë post. Por, Hushi nuk ndalet me kaq, ai mendon se askush nuk mund të gënjehet nga një klasë politike, që është provuar njëherë. Edhe pse politikanët i konsideron mjeshtra të fasadave, artikulimeve dhe premtimeve, aq sa jeta e shqiptarëve përmirësohet, në çdo drejtim, vetëm gjatë fushatës, sërish mendon se, realiteti paszgjedhor është kthim në traditën zhgënjyese dhe mashtruese!

Zoti Hushi sa të përfaqësuar ndiheni nga platformat që kanë shpalosur deri më tani politikanët shqiptarë gjatë fushatës zgjedhore, si artist dhe qytetar?

Të kërkosh edhe të hulumtosh vlerësimin e artistëve apo njerëzve, që merren me kulturë për vet kulturën është mbase një nga misionet më të munguara, që Shqipërisë i duhet. Para se të flas për artistin Agim Hushi, dua të ndalem tek Agim Hushi qytetar, që ka mbaruar tre universitete të plota, mban gradën profesor në një na universitetet më mira në botë, është Qytetar Nderi në qytetin e tij, Mjeshtër i Madh në fushën e artit, por edhe i vlerësuar nga kritika botërore.

Natyrisht që, edhe unë rashë pre e fushatës. Por, tashmë mendoj se nuk ka asgjë të vërtetë në thirrjen e pushtetit që: Njerëzit që kanë kontribuar në botë, të kthehen edhe të kontribuojnë në atdheun e tyre. Pas një viti mund t’u them, jo me keqardhje, por me krenari se po kthehem në atdheun tim të dytë, në Australi. Shkoj me një bagazh minus zero në Shqipëri, sepse jo vetëm që nuk m’u ofruan mundësitë, por në një farë mënyre m’u dhunuan, ashti siç mund të dhunojë rrugaçëria dinjitetin e një njeriu, që e ka ngritur me mund, sakrificë dhe përkushtim, me vlera reale.

Pra këtë shije u ka lënë politika, pas pjesëmarrjes suaj, në konkurrimin që morët pjesë për drejtues në Opera?

Po! Mundet t’u them se konkursi për drejtimin e operës për mua ishte ngjarja më e hidhur që përjetova në Shqipëri. Natyrisht që largohem me një shije më të hidhur, por nuk dua ta shpreh për t’i rënduar shoqërisë shqiptare më tepër, sepse është në përpjekje dhe procese të vështira rritjeje. Por, pushteti vazhdon të mbetet një tempull ku imoraliteti është bibla e tij! Unë nuk kërkova nga pushteti që të më përkrahte, por të më lejonte të konkurroja ndershmërisht. Riciklimi i drejtuesit ekzistues në opera është një ngjarje absurde në të cilën unë u ndodha. Ky riciklim fyeu edhe artistët e tjerë, që morën pjesë para një komisioni anonimat. Prandaj edhe unë mora me vete përshtypjen e një pushteti të kalbur, të cilin ndoshta një votë popullore mund ta shkund, por me shumë pak gjasa, sepse mesa kuptoj edhe vota është bërë pjesë e këtij instalimi moral. Njerëzit votojnë për interesa personale, pa gjykuar punën! Realisht nga ajo që po ndodh në politikën shqiptare, kam shumë pak shpresë!

Keni kritikuar ashpër edhe punën e ministres së Kulturës. Vazhdoni të ruani të njëjtin qëndrim?

Vazhdoj të shikoj përqark fenomenin e pandëshkueshmërisë. Ministren e Kulturës e kam kritikuar me të drejtë, sepse është e vetmja ministre, e cila ka rrënuar njerëzit dhe ka ndërtuar muzeume. Ajo mburret se ka ndërtuar, duke shembur aq shumë. Unë nuk kam takuar asnjë artist të lumtur, hiq artistët e përkëdhelur të rrethin e saj. Edhe pse vazhdon të mburret, unë s’kam parë asnjë masë dhe asnjë qëndrim, edhe pse flitet vetëm keq për punën e saj. Megjithatë, kryeministri i ofroi mundësinë që të kandidoi në Gjirokastër. Këto janë gjëra me të cilat unë jam mbarsur negativisht nga ky vend, ashtu siç jam mbarsur edhe me dashurinë për njerëzit dhe kafshët.

Ju do të votoni?

Po. Do të votoj!

Pra besoni te platforma e një partie?

Të jem i sinqertë, situatat dhe ngjarjet ndërrojnë me orë edhe është e vështirë që të predikatesh, por që gjithsesi unë e kam ndarë mendjen. Do të votoj për një njeri që mund të meritojë dhe mund të kontribuojë disi ndryshe, duke sjell risi me përvojat dhe kurajën e tij politike. Shpresoj që të hedh votën në drejtimin e duhur!

Ka elementë të rinj dhe momente politike, që sipas jush, duhet veçuar gjatë kësaj fushate?

Mendoj se secila parti ka njerëzit e saj të aftë. Natyrisht që politikanët tanë, nëse mund të kritikohen një  ditë për gjithçka që kanë bërë, nuk mund të kritikohen për ato që thonë. Janë mjeshtra ta fasadave, artikulimeve dhe premtimeve! Këtu pjesa më e mirë e jetës së shqiptarëve është gjatë fushatës, sepse dëgjojnë gjëra të mira për jetën e tyre. Për shembull, si do të jenë të parët në botë; në ekonomi, në arsim, mjekësi edhe në infrastrukturë. Ndërkohë, që realiteti paszgjedhor është kthim në traditën zhgënjyese dhe mashtruese. Është një teatër 27-vjeçar, ku nuk janë vetëm politikanët që gënjehen, por edhe shqiptarët që kanë dëshirë të gënjehen. Efekti i Stokholmit i ka zënë të gjithë!

Pra ju mendoni se politikanët mund të përfitojnë akoma, përderisa shqiptarët kanë ndjenja pozitive ndaj tyre?  Apo kjo nënkupton kjo faktin, se nuk do të ketë asnjë “kthesë” në politikë?

Unë mendoj se, edhe pse të gjithë e dinë se nuk mund të gënjehen nga kjo klasë politike që është provuar, sërish nuk ka asnjë të ri, që të zgjojë shpresën. Në forma të ndryshme; kryeministër, ministër, kryetarë bashkish, janë të gjithë të ricikluar dhe sillen rreth të njëjtit bosht. Janë të njëjtit njerëz, të cilët më bëjnë të besoj se nuk ka kthesa dhe as ngjarje politike nga të njëjtët politikanë. Kjo është e pamundur!

Nëse fiton partia që ju do të votoni, çfarë do të dëshironit të ndryshonte në fushën e artit?

Shumë gjëra! Arti në Shqipëri nuk është kuptuar akoma, mbi të gjitha, sepse ata që drejtojnë artin mendojnë se janë menaxher. Por, menaxheri i artit nuk është një politikan. Menaxheri rinovon muzeume, çati dhe jep e heq lekë. Ndërsa, politika e artit duhet të ketë të bëjë me artistin, me kulturën e një kombi, me ata që ishin, janë dhe do të jenë. Kombi ekziston në tre kohë, me historinë; të kaluarën, të tashmen edhe të ardhmen e tij. Një politikan që merret me tulla dhe tjegulla dhe që harron njerëzit është as më pak dhe as më shumë një makinë e shëmtuar, që sa më shumë mure dhe gjëra të bukura të bëjë, aq më shumë do të shëmtohet, sepse rrënon njeriun. Kur nuk mendon se si duhet të jetojnë edhe krijojnë artistët, të vlerësohet e shkuara, e sotmja edhe e ardhmja e njerëzve, që do të mbajnë mbi supe të ardhmen e kombit, mendoj se ke një vizion totalisht të munguar. Është një qenie me gjysmë trupi, që është më shumë sesa handikapat. Vizioni im është shumë më i plotësuar edhe i plotë, por për fat të keq zëri i artistëve nuk dëgjohet, sepse pushteti ka dëshirë që artistëve; t’u shikojë pikurat, t’u dëgjojë këngët, por jo t’u dëgjojë mendimet.

Kjo ndodh edhe kur artistët takohen me ta?

Kur ata takohen me artistët flasin për artin, por asnjë fjalë s’kam dëgjuar për artin gjatë fushatave. Mbase në një kuptim social është disi e tepruar që njerëzit të flasin për art, kur ata flasin për bukën e gojës. Në këtë drejtim mbase edhe i kuptoj, sepse edhe vet zgjimi i shoqërisë mbase lë për të dëshiruar. Mendoj se duhet të flitet për artin, me zë aq të lart sa edhe për bukën e gojës, sepse është bukë shpirtërore, që mban gjallë një shtet në mënyrë dinjitoze. Por, për fat të keq Shqipëria ka një klasë politike me mendësi të ngushtë formimi dhe vizioni. Do doja një shtet social, kur njeriu çmon dhe vlerëson njeriun. Ndihmon njeriun dhe jeton me njeriun. Mesa kuptoj ka dy qenie të mëdha, një që është pushteti dhe një qenia, që mban pushtetin në mënyrë të pajustifikuar.

 

Intervista

“Të qeverisësh i vetëm në pushtet është një vizion totalitar”

 Agim Hushi analizon edhe thirrjen e kryeministrit të vendit, që u bën qytetarëve, duke u kërkuar votën, që të qeverisin më mirë të vetëm. Këtë gjë ai e sheh, si një vizion totalitar, që vë në rrezik demokracinë e vendit.

Po faktin, që një pushtet i provuar kërkon të qeverisë vetëm, si e vlerësoni?

Një pushtet që i ka ndjekur të gjitha etapat, që është konsumuar deri në kriminalitet dhe del me parullën: Duhet të qeverisim të vetëm, mendoj se nuk është demokratik. Të qeverisësh i vetëm në pushtet është një vizion totalitar, që sfidon demokracinë, zërin e masave, mendimin ndryshe, debatin dhe progresin. Të thuash: Unë dua timonin dhe dua të jem vetëm është dhimbja dhe regresi më i madh politik, që unë kam dëgjuar në këtë fushatë, si asnjëherë tjetër më parë. Unë e kuptoj luftën politike që bëhet, por kjo është zgjedhja e shqiptarëve, zgjedhja dhe mënyra se si e kërkojnë pluralizmin shqiptarët. Nuk ka të bëjë fare përsosmëria e pluralizmit me marrjen e pushtetit në mënyrë absolute në duart e një njeriu, kushdo qoftë. Sado i zgjuar apo demokratë të jetë, përpos kësaj ne kemi parë që s’ka demokraci nga ky njeri, kemi parë shfaqje të shëmtuara të njëshit, siç ishte rasti i shijeve personale të demonstruara në një shesh kombëtar, ku s’ka asgjë kombëtare dhe në vend të dekoracionit kemi shkurre.

Po prishjen e koalicionit PS-LSI para zgjedhjeve, si e vlerësoni?

Është e turpshme që këtë ta pranosh pas katër vitesh, që ne na është thënë se koalicioni funksiononte shumë mirë. Madje PS insistonte për këtë, vet kryeministri me insistim i vuri notën dhjetë koalicionit, ndërsa tani dilet mbas që koalicioni paska qenë një degjenerim dhe poshtërsi, një amoralitet. Një amoralitet që në fund të fundit e nënshkruan këta dy njerëz! Shqiptarëve po u thuhen gjëra të tmerrshme! Nëse ata nuk i kuptojnë ato që po u thuhen dhe këto i kuptoj vetëm unë, kjo është tragjedi për mua. Por, unë besoj se shqiptarët janë aq të zgjuar sa ta kuptojnë se e ardhmja e tyre është në rrezik serioz, nga politikanët e papërgjegjshëm që shkelin mbi çdo princip morali për hir të pushtetit. Politikanë që mund të hynë në histori nga më të errëtat, duke i paraqitur ato si histori nga më të lumturat për popullin e tyre, aq sa nuk e kanë për gjë që të ulin perden edhe të thonë:“Komedia mbaroi”.

Ekziston mundësia që “timoni” në të ardhmen të drejtohet nga opozitë dhe mazhoranca aktuale, PD-PS?

Nuk mendoj se timoni është një llokum. Mendoj se ka një abuzim me pluralizmin në Shqipëri, siç janë edhe partitë, që nuk janë të gjitha për të përfaqësuar pluralizmin. Por, besoj se janë thjesht Sh.p.k në duart e atyre që i ofrojnë, por dihet që spektri politik ka; qendër, ka të majtë edhe të djathtë. Mund të jenë pesë edhe forca politike, por nisur nga realiteti ynë mendoj se, kjo gjë nuk ka vend në filozofinë shqiptare, sepse shqiptarët janë ose majtas, djathtas apo me një klasë politike preferon një të mesme. Megjithatë mendoj se me votën e shqiptarëve është abuzuar për 27 vite radhazi. Unë do të thoja se nuk ka rëndësi sesa duar ka në timon, por destinacioni dhe harmonia mes tyre.

Dhe së fundmi, çfarë ju shqetëson juve realisht?

Nuk është burrnore dhe qytetare kjo që po ndodh! Realisht unë jetoj shumë qetësisht për vete, por më shqetëson fakti që shqiptarët duartrokasin këtë show dhe lejojnë këta aktorë të luajnë në skenë, në vend që t’i gjuajnë me domate, duke zgjedhur aktorë të rinj, që t’i përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze. Prandaj them se ndoshta shqiptarët i ka zënë sindroma e Stokholmit dhe u pëlqen të vetësakrifikohen apo të viktimizohen. Pra nuk besoj se kjo klasë politike mund të bëhet. Mund të dalin ligje me gjoba më të larta se në Vjenë, ku një qytetar rrogën minimale e ka 2000 euro dhe që shteti në pamundësi për t’i gjetur punë një individi të aftë për punë i jep 800 euro ndihmë sociale. Është një tragjedi të aplikosh këtë sistem, gjoja si shtet ligjor, duke bërë akte kriminale. Është tragjike, që njerëzve pabukë t’u marrësh gjakun për shkelje dritash! Nuk mundet të bësh këtë pa u siguruar njerëzve; ekzistencën dhe spitalin falas, shkollën që fëmijët t’i kenë të sigurt dhe mos t’u sëmuren nga të ftohtët apo nga gazrat e hashashit. Por mbi të gjitha duhet t’u bukën e gojës, asistencë e ligjshme, që shteti duhet t’u dalë zot qytetarëve. Kur t’u sigurojë rrogën 2000 euro limiti minimal, 800 euro asistencë sociale për ata që s’u gjen dot punë, atëherë le t’i fusë në burg edhe për shkelje dritash. Por, të bëhesh i fortë me njerëzit, që nuk kanë bukë për të ngrënë, ky është krim. Është turp për ata që e mendojnë! Ky nuk është shtet, por antishtet!