Aeroporti i Kukësit, dy firma pa përvojë fitojnë koncesionin

“Global Technical Mechanichs” dhe “Bami” nuk janë të specializuara për ndërtimin apo menaxhimin e aeroporteve. Fitojnë të drejtën për të vënë në funksion pistën për 35 vitet e ardhshme. Investimi 8 milionë euro

Neritan Gjergo

Oferta e vetme e dy kompanive “Global Technical Mechanichs” dhe “Bami” sh.p.k. është shpallur fituese për zgjerimin dhe operimin për 35 vjet të aeroportit të Kukësit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konsideroi të vlefshme kërkesën e bashkimit të dy kompanive. Menjëherë pas kësaj shpallje do të bëhet firmosja e kontratës dhe nisja e punës për vënien në operim të aeroportit. Aeroporti i Kukësit, në fakt mbeti një fushë e pashfrytëzuar që në fillim të viteve 2000 kur u ndërtua, ndërsa sot ai jepet me koncesion nga qeveria Rama pas disa procedurave tenderuese pa garë. Kjo për faktin se konkurrenti i parë, Kastrati tërhoqi interesimin, duke ia lënë vendin kompanive.  “Global Technical Mechanichs” dhe “Bami” sh.p.k. nuk janë të specializuara për ndërtimin apo menaxhimin e aeroporteve. Për të mos lënë hapësira debati në përvojën e tyre, të dy kompanitë do të bashkëpunojnë me firmën holandeze NACO për të administruar fluturimet në këtë aeroport. Sipas projeksioneve, të gjithë shtesat dhe parametrat e aeroportit të ri do të realizohen për ta përshtatur atë me standardet low cost, çka pritet që të ulë ndjeshëm koston e transportit ajror në Shqipëri, ku çmimet e biletave janë ndër më të lartat në rajon. Avionët që do të operojnë do të kenë kapacitet 180-189 vende. Në total  firmat shqiptare do të investojnë 8 milion euro për zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve dhe zonës së parkingut. Në korrik ishte konsorciumi “Kastrati” & T.M.D Systems LTD” që dorëzoi në qeveri një ofertë të pakërkuar për të përfunduar punimet dhe për të vënë në operim aeroportin, ku dhe u shpërblye me 8% të pikëve bonus në garë, por kjo shoqëri nuk paraqiti ofertë në tender. Nëse nisja e rehabilitimit të aeroportit do të bëhet brenda afateve, në Kukës fluturimet mund të jenë gati në fillim të vitit 2020.

Kompanitë

Pas tërheqjes së Kastratit, e vetmja ofertë për vënien në funksion të aeroportit ishte ajo e bashkimit të përkohshëm të shoqërive Global Technical Mechanics shpk dhe Bami shpk, ku në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre është përcaktuar se 30% e punimeve nëse do të akordohet kontrata e koncesionit/ppp do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga Bami shpk. Kjo e fundit administrohet nga biznesmeni Besnik Bami që nga viti 1999, dhe aktivitetet që kryen lidhen me punime të përgjithshme dhe speciale ndërtimi por pa u kufizuar vetëm në to; ndërtime civile dhe industriale, rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e tyre, veshje fasadash; ndërtim rrugësh, autostrada, mbikalime, hekurudha, tramvaji, metro, pista aeroportuale; ndërtime detare dhe punime thellimi në ujë etj. Ky është koncesioni i parë që fiton kjo kompani.

Investimi

Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj. Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët. Pista për avionët në flotën e linjave ajrore me kosto të ulët, do të zgjerohet deri në një gjatësi prej 2.200 metra, dhe do të ketë kodin me numrin 4. Me rritjen e kodit do të rritet edhe gjerësia e pistës në 45 metra. Me qëllim të zgjerimit dhe zonave të sigurisë do të bëhet një shtesë prej 66.000 m2 të zonës së aeroportit. Zgjerimi i propozuar i terminalit të udhëtarëve do të jetë nga aktualisht 600 m 2 deri 3.800 m 2 ose me fjalë të tjera do të bëhet zgjerimi i terminalit maksimumi deri në stacionin e zjarrfikës. Zgjerimi i terminalit të udhëtarëve është zgjerimi i dhomave të pritjes për të siguruar kapacitet të mjaftueshëm për ngjitje paralele në bordin e 3-4 avionëve. Përveç zgjerimit të terminalit, do të bëhet edhe zgjerimi i platformës dhe gjithashtu do të ndërtohet edhe sistemi i dytë i rrugës së manovrimit në pistë që do të lidhë platformën dhe pistën. Për shkak të statusit të aeroportit me kosto të ulët, do të përdoret ngjitja në bord e udhëtarëve duke ecur nga terminali në avion.

Historiku
Aeroporti i Kukësit ndodhet 3,5 km në jug të qytetit të Kukësit. Gjatë krizës në vitin 1999, Emiratet e Bashkuara Arabe organizuan në Kukës një kamp modern për të ndihmuar refugjatët e luftës në Kosovë. Së pari, ata zhvilluan një pistë ajrore për furnizimet e ndihmave hyrëse në Kukës. Në atë kohë, përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe paraqitën idenë për zhvillimin e aeroportit civil si një dhuratë për këtë zonë, e cila u përball me fluksin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Pas pranimit të kësaj ideje, projekti i Aeroportit të Kukësit u zhvillua më tej me studime të përbashkëta të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (AAC) dhe arabëve. Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të 15 shkurtit 2001, u miratua Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit. Aeroporti i Kukësit u ndërtua nga kompania Al-Kharafi që kishte përfaqësuesin e saj në Shqipëri. Fillimi i ndërtimit të aeroportit filloi më 10 maj 2003 dhe përfundoi më 31 tetor 2005. Pas përfundimit të ndërtimit, në 2016 u instaluan pajisjet e navigimit. Shuma totale e investimeve ishte afërsisht 20 milionë dollarë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet