Adrian Shtuni: Ballkani përballë një sfide afatgjatë me luftëtarët e huaj

Situata e terrorizmit është një çështje e cila ka prekur edhe Ballkanin. Eksperti i çështjeve të sigurisë në Washington, Adrian Shtuni, flet për gazetën “Shekulli”. Rreziku kryesor është kthimi i luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku

Erjon Dervishi

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një nga rajonet më të rrezikuara si pasojë e kthimit të luftëtarëve të huaj nga Siria dhe Iraku. Krijimi i shtetit të ISIS, i cili sipas autoriteteve amerikane është në zhdukej, përbën një kërcënim real për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për ato vende të cilat kufizohen me rajonin e Lindjes së Mesme. Adrian Shtuni është ekspert i çështjeve të sigurisë, si dhe president i “Shtuni Consulting”, me seli në Washington. Në intervistën dhënë për gazetën “Shekulli”, Shtuni shpjegon se Shqipëria nuk është një kërcënim serioz nga ana e sulmeve terroriste, por ajo duhet të thellojë bashkëpunimin rajonal dhe qasje më të ashpër në legjislacion.

Shtuni, për sa i përket situatës aktuale të terrorizmit në botë, cilat rajone janë më të rrezikuara aktualisht?

Duke gjykuar në bazë të numrit të sulmeve terroriste dhe viktimave të shkaktuara prej tyre në vitet e fundit rajonet me indeksin më të lartë të rrezikshmërisë mbeten Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, Azia Qendrore, dhe Afrika Sub-Saharjane. Vendet më te prekura në shkallë botërore janë Iraku, Afganistani, Nigeria, Somalia dhe Siria. Afganistani ka pasur një ngritje të ndjeshme të aktiviteteve terroriste dhe viktimave gjatë viteve të fundit. Gjithsesi numri i përgjithshëm i viktimave të aktiviteteve terroriste ka pasur një rënie në vitet e fundit krahasimisht me vitin 2014 që ka shënuar kulminacionin. Kryesisht kjo rënie ka ardhur për shkak të zvogëlimit të fushëveprimit dhe aktiviteteve të ashtuquajturit Shteti Islamik, i cili gjithsesi mbetet grupimi terrorist trans nacional më vdekjeprurës në botë. Talibanët, Al-Shabaab, dhe Boko Haram renditen më pas.

 Për sa i përket Ballkanit, mendoni se ky rajon është i rrezikuar nga elemente të terrorizmit?

Krahasimisht me rajonet e tjera  të përmendura më sipër rrezikshmëria është e ulët. Gjithsesi, nëse i gjykojmë tendencat në Ballkan në vetvete, rrezikshmëria e matshme nga terrorizmi ka shënuar rritje gjatë dekadës së fundit. Them “rrezikshmëria e matshme” pasi fenomeni ka kaluar nga niveli disi abstrakt i mbështetjes ideologjike gjysmë aktive në atë të militantizmit me armë në dorë. Ka një numër treguesish të cilët dëshmojnë rritjen e rrezikshmërisë. Numri i lartë  i qytetarëve të Ballkanit që i janë bashkuar organizatave terroriste në Siri dhe Irak, numri i sulmeve të parandaluara terroriste në rajon, numri i arrestimeve dhe dënimeve gjyqësore të ndërlidhura me aktivitete terroriste vendore, etj. Që të gjithë këta faktorë statistikisht të matshëm janë në nivele historikisht të larta. Më konkretisht, mbi 1,000 personat kanë udhëtuar nga Ballkani për në Siri dhe Irak prej vitit 2012 dhe kryesisht i janë bashkuar organizatave terroriste si i ashtuquajturi Shteti Islamik apo filialeve paramilitare të Al-Kaidas. Përpara konfliktit të armatosur në Siri numri i luftëtarëve xhihadistë nga Ballkani pjesëmarrës në organizata terroriste ka qene i papërfillshëm. Ky fluks relativisht i madh njerëzish proporcionalisht me popullsinë, kanë bërë që vendet e rajonit të renditen ndër vendet Evropiane me numrin më të lartë të nënshtetasve që i janë bashkuar organizatave terroriste në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, një e treta e tyre janë kthyer në Ballkan. Por është me rëndësi të nënvijëzohet se kontingjenti i të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj” nuk doli nga hiçi, por është fryt i investimeve indoktrinuese dhe zhvillimeve transformative të disa dekadave në rajon. Luftëtarët janë manifestimi më i dukshëm i një problemi shumë më të përhapur të militantizmit fetar dhe mbështetjes ideologjike e materiale të organizatave terroriste në shoqëritë e Ballkanit. Kjo tregohet edhe nga numri i lartë i personave që janë arrestuar dhe dënuar për pjesëmarrje në aktivitete terroriste, që nga rekrutimi, financimi, tentimi i shkuarjes në fushëbetejat e Lindjes së Mesme, apo planifikimi i sulmeve terroriste. Për më tepër, në dy-tre vitet e fundit agjencitë e antiterrorit kanë parandaluar sulme terroriste në pothuaj të gjithë vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje- Hercegovinë, dhe Serbinë. Pjesa dërmuese e individëve të implikuar në këto sulme nuk ishin luftëtarë të kthyer nga Siria. Po ashtu nënshtetas të vendeve të Ballkanit janë arrestuar apo dënuar edhe në vende të tjera gjatë dekadës së fundit për veprimtari terroriste, si për shembull në Itali, në Turqi, Gjermani, dhe në Shtetet e Bashkuara. Por rrezikimi nga terrorizmi në Ballkan nuk është ekskluzivisht i lidhur me militantizmin fetar. Në Kosovë në vitin 2016 gjykatat e dy niveleve gjetën një nënshtetas të Serbisë fajtor për përgatitjen e sulmeve terroriste pasi është arrestuar pranë Ambasadës Amerikane në Prishtinë me mbi 12 kilogram lëndë eksplozive të përzier me bulona dhe gozhda në veturë.  Pra në esencë, treguesit e mësipërm demonstrojnë se Ballkani është si asnjëherë më parë i rrezikuar nga terrorizmi.

Po në lidhje me luftëtarët e kthyer nga vende si Siria, mendoni se ata përbejnë një kërcenim për shoqërinë?

Për të qene të qartë, këtu duhet të bëhet dallimi midis rrezikshmërisë dhe kërcënimit, pasi megjithëse janë terma që ndoshta përdoren rëndom si sinonime ato mbartin kuptime të dallueshme. Pa mëdyshje mund të thuhet se të gjithë të kthyerit dhe ata që do të kthehen në vijimësi nga Siria dhe Iraku përbëjnë rrezikshmëri potenciale si në aspektin shoqëror ashtu edhe atë të sigurisë kombëtare. Nëse përbëjnë apo jo kërcënim, kjo mund të përcaktohet prej vlerësimit profesional që i duhet bërë secilit individi pas kthimit dhe monitorimit të aktiviteteve të tyre në vazhdimësi. Ky vlerësim është proces i ndërlikuar që kërkon ekspertizë, kohë, dhe resurse që përgjithësisht janë të mangëta në rajon. Kjo e komplikon gjendjen pasi vlerësimi i të kthyerve është vendimtar për hapat e mëtejshëm që do të merren për rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri. Megjithëse në disa raste të kthyerit mund të deklarohen të zhgënjyer dhe penduar për atë që kanë bërë, pa e paragjykuar sinqeritetin e këtyre pretendimeve, kjo nuk e zhbën rrezikshmërinë që ata mbartin qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Të drejtpërdrejtë nëse janë kthyer me qëllim të vazhdimit të luftës nëpërmjet mjeteve dhe metodave të tjera, apo të tërthortë nëse megjithëse sinqerisht mund të kenë hequr dorë nga lufta në vetën e parë, vazhdojnë të mbështesin organizatat terroriste, propagandojnë ideologjinë e tyre, e nxisin të tjerët për të kryer akte terroriste. Këtu nuk bëjnë përjashtim gratë e shkuara në Siri dhe Irak, që megjithëse kryesisht nuk kanë marrë pjesë aktive në luftime, shpesh kanë mbështetur ideologjinë dhe kanë rekrutuar e mobilizuar të tjerë për t’ju bashkuar organizatave terroriste. Rrezikshmëria në këtë rast është ngushtësisht e lidhur edhe me indoktrinimin potencial të fëmijëve. Pra, këtu duhet vëmendje e veçantë. Po ashtu, disa individë janë kthyer nga lufta edhe me trauma dhe probleme psikologjike që ndoshta nuk janë diagnostikuar por mund të shkaktojnë rrezikshmëri shoqërore të formave jo nevojshmërisht të lidhura me terrorizmin.

Cilat janë politikat që duhet të realizoje Shqipëria për të pasur sa më pak element të luftëtarëve të huaj në territorin tonë?

Faktikisht me rreth 350 të kthyer, Ballkani është rajoni me përqendrimin më të lartë të luftëtarëve të huaj të kthyer nga Siria dhe Iraku në Evropë. Por po ashtu Ballkani është edhe rajoni i Evropës me mundësitë më të limituara në nivelin e financave, të kapaciteteve, ekspertizës së specializuar, logjistikës, infrastrukturës, e kështu me radhë. Pra të kthyerit përbëjnë një sfidë e konsiderueshme që pret të ngarkohet edhe më tej me kthimin e mundshëm të një numri akoma më të madh luftëtarësh të huaj, grash, dhe fëmijësh, nga të cilët qindra janë të lindur në Siri dhe Irak. Shqipëria krahasimisht me Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, dhe Maqedoninë e Veriut ka një problem më të vogël, qoftë sa i përket numrit të nënshtetasve të përfshirë në aktivitete terroriste, ashtu edhe në atë të luftëtarëve të huaj. Kjo tregon se rrezikshmëria e natyrës terroriste që origjinën e ka nga Shqipëria, është më e vogël. Po ashtu Shqipëria është disi në pozitë më të favorshme pasi nuk ka tensione ndëretnike apo ndër fetare që manifestohen tek fqinjët dhe galvanizojnë reagime të tipit ekstremist të dhunshëm. Gjithsesi, duhet theksuar se fenomeni i terrorizmit është trans nacional dhe rrjetet indoktrinuese dhe rekrutuese veprojnë të pa penguara nga kufijtë politikë. Kjo është parë edhe në rastin e sulmit terrorist të parandaluar në ndeshjen me kombëtaren e Izraelit në Shkodër, ku grupi që planifikonte të kryente sulmin nuk ishte vendor. Pra një prej hapave kryesorë për rritjen e efektshmërisë në përballjen me terrorizmin trans nacional është adoptimi i një qasjeje rajonale. Kjo kërkon bashkërendim të veprimeve dhe rreshtimin e forcave e resurseve të limituara në një front të përbashkët me fqinjët. Po ashtu, ndarja e informacioneve operative pa vonesa midis agjencive të specializuara dhe forcave ligj zbatuese është e një rëndësie të veçantë. Të gjitha vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë, i kanë bërë ndryshimet e nevojshme të kuadrit ligjor për të ndjekur penalisht luftëtarët e huaj. Po ashtu Shqipëria ka dhënë disa nga dënimet më të ashpra për vepra të ndërlidhura me terrorizmin në rajon. Gjithsesi, sanksionet ligjore që nuk shoqërohen me programe rehabilituese shpesh janë të pamjaftueshme. Për të ulur nivelin e rrezikshmërisë duhet që luftëtarët e huaj të kthyer dhe personat e dënuar për vepra terroriste t’i nënshtrohen ekzaminimeve dhe trajtimeve rehabilituese të qenësishme dhe të vazhdueshme si në burgje ashtu edhe jashtë tyre. Për t’u përballur me kërcënimin në mënyrë të suksesshme duhet që autoritetet ligj zbatuese dhe agjencitë e specializuara, të cilat kanë bërë një punë të përgëzuese deri tani, të përkrahen në ngritjen e kapaciteteve përfshirë ato teknike, rritjen e nivelit të ekspertizës, dhe resurseve që kanë në dispozicion. Kjo është kritike duke pasur parasysh numrin e madh të atyre që aktualisht mbahen nëpër burgjet dhe kampet e të zhvendosurve nën administrimin e forcave Kurde në Siri, e që do të kthehen në një të ardhme jo të largët.

Shtuni: Të frenohen agjencitë ku infiltrojnë terroristët

Si e shikoni faktin se një pjesë e mirë e këtyre luftëtareve të cilët shkojnë në Siri janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut?

Janë gjithashtu edhe nga Bosnje-Hercegovina, që ka numrin e dytë më të lartë në rajon. Të treja këto vende kanë veçantitë e tyre sa i përket dinamikave të radikalizmit, rekrutimit dhe mobilizimit të luftëtarëve të huaj, por kanë edhe ngjashmëri të theksuara. Janë shtete të reja që ende nuk janë konsoliduar për shkak të një sërë faktorësh destabilizues, duke filluar nga trashëgimia e luftërave të ndarjes së Jugosllavisë, raportet vazhdimisht të tensionuara ndëretnike, disfunksionaliteti i brendshëm politik, problemet strukturore ekonomike, dhe ndikimet e ndërhyrjet nga jashtë. Është e pritshme që në një botë globale disa vende të fuqishme do të tentojnë të imponojnë vlerat, ideologjitë, dhe interesat e tyre mbi vendet ku duan të shtojnë ndikimin. Jo rrallë këto vlera janë jo demokratike. Pikërisht në vendet ku identiteti është në tranzicion apo edhe krizë, ka amulli të sistemit të vlerave, keqqeverisje dhe shpërdorim të politikës vendore, këto ndikime gjejnë një ambient të përshtatshëm dhe marrin më shumë vrull. Padyshim që fundamentalizmi dhe militantizmi fetar i eksportuar kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme ka përgjegjësi të veçantë në zhvillimet aktuale në Ballkan. Agjendat dhe investimet e huaja, qoftë zyrtare apo jozyrtare, që cenojnë sigurinë dhe dëmtojnë interesat si edhe aleancat strategjike të vendeve të Ballkanit perëndimor duhet të frenohen. Besoj nuk ka dyshim se interesat dhe aleancat strategjike të vendeve të rajonit janë ato Euro-Atlantike. Frenimi i agjendave të mbrapshta bëhet duke identifikuar dhe parandaluar aktivitetet e organizatave që ushqejnë përçarje dhe urrejtje fetare, racore, e etnike apo instrumentalizojnë besimin fetar për qëllime të dhunshme. Gjithsesi, organizatat fundamentaliste rekrutojnë më lehtësisht aty ku ka pakënaqësi dhe probleme sociale. Këto probleme padyshim duhet te adresohen njëkohësisht. Por, për sa kohë nuk zgjidhen në mënyrë përfundimtare problemet e ndërlidhura me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe nuk ka marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive të hapura midis shteteve të rajonit do të jetë e vështirë të ndërtohen shoqëri të mirëfillta multietnike me harmoni sociale në Ballkan. Për këtë duhet pikë së pari lidership politik vizionar që shikon nga e ardhmja. Mëndje ngushtësisë nacionaliste dhe kapadaillëqet pseudo patriotike janë bunkerë që Ballkani duhet t’i lërë pas.

Mendoni se ka munguar një strategji e mirëfillte nga ana e Shqipërisë për luftën ndaj elementeve të terrorizmit?

Të gjithë vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, ndër vite kanë përgatitur dhe adoptuar një sërë ligjesh dhe dokumentesh strategjikë qoftë për luftën kundër terrorizmit dhe financimit të terrorizmit ashtu edhe të përballjes me ekstremizmin e dhunshëm. Unë jam i njohur me disa prej tyre. Gjithsesi përpilimi i strategjive apo ligjeve në vetvete nuk përbën përmbushje të objektivave kundër terrorizmit. Vlera e vërtetë e këtyre strategjive përcaktohet nga efikasiteti me të cilin zbatohen. Për sa kohë që ekspertiza, kapacitetet, dhe resurset në dispozicion nuk janë në përpjesëtim të drejtë me shkallën e problemit, atëherë edhe zbatimi i këtyre strategjive nuk do të mund të jetë optimal. Gjithsesi, sa më shumë qasja strategjike kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri është pro aktive e parandaluese në vend se ndëshkimore, aq më shumë rriten gjasat e rezultateve pozitive në planin afatgjatë. Kjo qasje kërkon një angazhim më të madh nga ana e gjithë shoqërive dhe jo vetëm e forcave ligj zbatuese dhe agjencive të specializuara. Kërkon një investim të vazhdueshëm në vetëdijesimin për rrezikun e terrorizmit, promovimin e tolerancës ndaj diversitetit, dhe rritjen e angazhimit qytetar në mbrojtje jo vetëm të sigurisë publike por edhe të vlerave thelbësore të identitetit, kulturës, dhe shoqërisë Shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Edhe unë

Koço Kokëdhima Nisma #Edheunë, e frymëzuar nga deklarata e mjeshtrit të mirënjohur Bujar Kapexhiu për të bojkotuar 30 qershorin, prej ditësh…

Abissnet