Administrata në krizë, vonohen pagat e dhjetorit

Punonjësit e administratës ende pa një përgjigje për datën e kalimit të rrogave të dhjetorit. Listëpagesat nuk kanë kaluar ende në thesar. Opozita denoncon vonesën, akuza qeverisë për keqmenaxhimin

Neritan Gjergo

Edhe këtë fillim vit edhe pse data shënon 8 janar punonjësit e administratës nuk kanë marrë ende pagat dhe tashmë është bërë e udhës që çdo vit në të njëjtën periudhë ndodh e njëjta situatë. Ata ende nuk kanë përgjigje të saktë se kur do t’i marrin, por ajo që dihet është se gjatë datave 5 dhe 6 janar, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Financiare në Ministrinë e Financave ka kryer 259 veprime dhe asnjë nga to nuk ka lidhje me transfertat për pagat e punonjësve. Veprimet e fundit të kryera të Thesarit të Shtetit që janë të pasqyruara në faqen e Ministrisë së Financave, lidhen vetëm disa transferta për shpërblimet e punonjësve të administratës, për pagesat paaftësie e ndihmën ekonomike, si dhe për disa pagesa të tjera rutinë të buxhetit. Problemi final duket se janë listë-pagesat që duhet të dërgohen nga ministritë dhe institucionet e linjës në Thesarin e shtetit. Normalisht këto listëpagesa dërgohen në ditët e para të muajit, pasi pagat janë për punën e muajit të mëparshëm. Këto janë vonuar dhe është dashur një presion mediatik dhe individual i të punësuarve në shtet ai që nxit shumicën e ministrive të dërgojnë listë-pagesat e të punësuarve bashkë me ditët e punës së secilit në muajin dhjetor.

Denoncimi

Vonesën e pagave në administratë e pohoi edhe deputetja e Partisë Demokratike, e cila në statusin e pedagoges tha se në institucionet e arsimit të lartë, jo vetëm për shkak të protestave studentore, por edhe keqadministrimit në politikën qeverisëse. “Unë jam pedagoge në Universitetin e Tiranës, te Shkencat Sociale. Tani e jashtme, por kam qenë e brendshme prej 15 vitesh. E dini ju që nuk kanë kaluar pagat e pedagogëve në të gjithë Shkencat Sociale? Flas këtu për muajin dhjetor, nuk kanë kaluar pagat. Arsyeja është se, edhe pagat e tyre varen 35 për qind nga tarifat e studentëve, universiteti duhet të mbahet nga tarifat e studentëve. Problemet e studentëve për të paguar tarifën kanë sjellë edhe mungesën e pagave për pedagogët. Asnjëri prej tyre nuk reagon, unë habitesha se përse nuk reagonin ata, por me sa duket qëndrimi i pedagogëve sot është në solidaritet me një çështje më të rëndësishme, që janë vet studentët. Ata po qëndrojnë në vijën e dytë, për të thënë se pagat e tyre janë më pak të rëndësishme sesa kauza e madhe e studentëve. Sistemi është i tillë, në të cilin vet reforma në Arsimin e Lartë ka shkaktuar katastrofë cilësie e menaxhimi, e çfarë ka prodhuar në fund fare? A mund të imagjinojmë ne, se një universitet publik do të ketë mundësi të menaxhojë me eficencë paratë, njësoj si entitet privat? Kjo është e pamundur. Të gjithë historinë e menaxhimit midis privatit dhe publikut ne e dimë shumë mirë se ku shkon dhe ku anon”, deklaroi Grida Duma. E nëse arsyeja në thelb është politike, atëherë kemi të bëjmë me politikbërjen për Arsimin e Lartë. Qeveria thotë se ligji për Arsimin e Lartë nuk do të bjerë, por do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi. A ka opozita, PD-ja konkretisht, një propozim konkret se çfarë u vjen studentëve si alternativë në arsimin e lartë? “Që në momentin që nisi të hartohej drafti i ligjit, apo Reforma e famshme e Arsimit të Lartë, ne e kemi thënë se do të ishte katastrofa e sistemit universitar. Gjithçka kemi thënë në këto momente është hedhja poshtë e të gjithë paketës së reformës në arsimin e lartë, kalimi te tarifat me përshkallëzim kategorie, midis atyre që nuk kanë fare të ardhura. Çështja është diferenca midis një njeriu, që është në pushtet dhe duhet ta bëjë, e që nuk duhet të jetë njeriu që duhet ta thotë. Nga ana tjetër, nuk mund të thuash pas 5 viteve që do ta bëj sot, sepse u shtrëngova ta bëj. Përgjegjësia mbahet që nuk e ke bërë në kushte normaliteti. Ende edhe sot nuk ka bërë asgjë, buxheti kaloi dhe është gënjeshtër që do të bëhet. Buxheti për arsimin është i njëjti, ose rreth 2.2 milionë dollarë më pak. Nëse flasim për elementë ekonomikë, e gjithë paketa e tarifave dhe subvencioneve që u jepen studentëve shkon në 22 milionë.”, tha Duma. Por kryeministri ka thënë ndërkohë se nuk është e nevojshme të rishikohet buxheti, sepse zërat financiarë janë brenda këtij buxheti. “Edhe kjo është gënjeshtër e plotë”, tha më tej Duma.

Sondazhi

Kohë pesimizmi, bie besimi në ekonomi

Treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi rënie në tremujorin e katërt të vitit 2018. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi që mat besimin e bizneseve dhe konsumatorëve ra me 1.2 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Rënia u përcaktua nga rënia e besimit në sektorët e shërbimeve, të tregtisë dhe të industrisë. Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me 0.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, por megjithatë, vazhdon të qëndrojë mbi mesataren historike të tij. Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve vijoi tendencën rënëse edhe gjatë tremujorit të katërt, me 3.4 pikë përqindje. Kjo reflektoi rënien e të dy komponentëve të tij formues, balancës së kërkesës me 3.6 pikë përqindje dhe balancës së ecurisë së biznesit me 3.1 pikë përqindje. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 5.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar edhe më poshtë nivelit të mesatares historike të saj. Balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm ra me 6 pikë përqindje dhe balanca e ecurisë së biznesit ra me 4.4 pikë përqindje. Ndërkohë, besimi rezultoi i përmirësuar në sektorin e ndërtimit dhe për konsumatorët. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u rrit me 5.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Përmirësimi pasqyroi rritjen e dy balancave përbërëse, aktivitetit ndërtues me 6.1 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 4.1 pikë përqindje. Treguesi i besimit konsumator ndërpreu prirjen rënëse në tremujorin e katërt dhe u rrit me 0.7 pikë përqindje. Në përmirësimin e besimit konsumator ndikuan rritja e balancave të situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve, e blerjeve të mëdha dhe e situatës financiare të pritur të familjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet