Adela dhe romani i saj i parë “Anabela”

Publikuar më 26. 12. 2017 nga Dionis Xhafa

Nga Miho Gjini

Gjithmonë e më tepër dalin në skenën e dijes emra të rinj shkrimtarësh e poetësh, sikundër u pa gëzueshëm edhe në panairin e sivjetshëm të librit. Kjo dukuri përbënte një nga vlerat parësore të këtij eventi kulturor. Dhe jo thjesht për numrin e tyre. Hapat në letërsi nuk hidhen menjëherë drejt majave, po guximi e bukuria e krijimit, mbeten tek gjithsecili nga të rinjtë e sotshëm të letrave, të cilët rrojnë me dinamikën e një kohe që ndryshon përherë, që zhvillohet e transformohet. Si edhe përballë një letërsie pa kufi, ku e gjithë bota e librit është prezente përreth tyre. Më vlejti, p.sh. tek mora nëpër duar aty, në stendat e thjeshta, të mbingarkuara me libra gjithfarësh, romanin e Adela Çaushllarit, i tërhequr më tepër nga ekspresiviteti i kopertinës e më pas nga shfletimi i mëvonshëm, tek do mësoja se kjo vajzë e re 25 vjeçare, ia dilte mbanë me “çmendurinë” e saj për të krijuar një libër prej 255 faqesh, pa botuar asnjë tregim më përpara dhe kishte merituar vëmendjen e një prozatori me përvojë si Bardhyl Xhama e të një poeti si Demir Gjergji. Demiri pëlqente shumë “ritmin e rrëfimit”, ndërsa Bardhyli vinte re se “dashuria mban gjallë shpresën e saj per t’ia dalë mbanë…!” Doemos, që në një libër të parë, për një krijuese të re, fshihen të gjitha ëndërrimet e saj letrare, ambiciet, dukja dhe fama, por le të pranojmë edhe atë që ka të bëjë me guximin krijues, me akumulimin e shpërthimin e dijes, të mbresave emocionale të leximeve të lira, të sensibilitetit vajzëror e të ekspresivitetit që ka një vajzë e re pasi ka parë vetë të dy kontinentet në të dy anët e oqeanit. Se, ta vendosësh subjektin e romanit në Amerike, me personazhe të këtij vendi të bekuar nga Zoti, nuk është thjesht një trill rinor, por edhe një realitet i këtij ndryshimi, kapërcimi e guximi në truallin e talenteve tona të reja. E lexon këtë libër dhe thua: “Si është e mundur qo të rroket kaq mirë saktësia e rrethanave, atmosfera e natyra e gjërave, deri në atë vërtetësi të jetës e të prakticizmit amerikan!” Aty do të gjesh edhe pasaktësi, mungesë thellimi e psikologjie në botën e brendshme të personazheve, po autorja jonë e re të bind se ndodhemi në SH.B.A e jo në një vend tjetër, se kemi përpara të rinj amerikanë, jetë amerikane dhe po atë prakticizëm të njohur në natyrën e njerëzve të këtij vendi të përparuar të lirisë, ku nuk mungojnë edhe dramat e tragjeditë, sikundër e trajton rrjedhën e tyre përmes një ngjarjeje tronditëse edhe autorja jonë.

Epiqendra e subjektit bëhet një vajzë e re që ka humbur prindërit e ka përjetuar shkatërrimin e plotë të familjes e të vetvetes (pas një përdhunimi tronditës), por që do të gjejë forca në vetvete për tu rimëkëmbur, ecur me kurajo, duke kërkuar ku janë e ku s’janë motrat e shpërndara e prindërit e humbur. E gjitha kjo i jep kuptim e energji jetës së saj, duke shtuar e paralelizuar edhe realizimin e ëndrrës së saj për tu bërë një aktore e madhe, sikundër ka qenë edhe e ëma. E gjitha kjo është rrëfyer mirë e bukur, në një gjuhë shqipe të pastër, të thjeshtë e me emocione, me sakrifica të mëdha e dhimbje të pazakonta, me skena prekëse e me kërshëri për ta ndjekur veprimin e saj deri na aktin fundor, kur atë e nderojnë me çmimin Oskar! Por, duke e mbështetur subjektin kryesisht vetëm në një figure, në atë të Anabelës, personazhet e tjerë mbeten si të skicuar, episodikë, ndërsa dy nga më kryesorët, e ëma dhe i ati, përjashtohen thuajse fare. Sa do të fitonte romani po të kishte drejtpërsëdrejti këto dy figura e linja subjekti, në masën e duhur e në ndërthurjen e ngjarjeve që pasurojnë kompozicionin e që do të mënjanonin, po ashtu, anën bulevardeske që posa duket në zhvillimet e veta. Është një e drejtë e autores sesi i shtjellon ato e në mund të jemi subjektiv në kërkesat e sugjerimet që bëjmë, por kur të vijmë pastaj në finalen e romanit, kur Anabela do të kurorëzohet prej autores së re me Oskarin, kemi edhe ne të drejtën të themi, po me habinë tonë: ¨Sa lehte qënka kjo punë, kur gjatë subjektit të dhënë nuk jepen aspak ato përpjekje, vuajtje të profesionit tepër të vështirë aktrues, për të bërë një film të madh e për ta rrokur çmimin më të madhërishëm të artit kinematografik!” Se, një kërkesë e tillë do të bënte të mundur edhe krijimin e një bote të brendshme të mundimshme e me plot zik-zake të heroinës kryesore. Dhe, në mungesë të një kompozicioni të shkallëzuar e më të ngjeshur, ku të mplekseshin të treja linjat që përmendëm më sipër, në të njëjtin bosht veprimi, ka rezultuar një shtjellim rrëfyes, me një dialog të pambaruar e pa aksionin e mprehtë, për të cilën kanë nevojë pashmangshmërisht drama të tilla shkatërruese, që të evitonin zhvillimet e trëndafilta, drejt hepi-endesh të lumtura dhe marrje Oskarësh, pse e do heroina e jo llogjika e ngjarjeve dhe e veprimeve!

Dhe do të vijmë kështu në një problem madhor që ka krijimtaria e të rinjve dhe botimi i librave të tyre: mungesa e recensentëve, e atyre shkrimtarëve e kritikëve, që ballafaqohen të parët me librin, që bëjnë analizën e domosdoshme për ta ndihmuar autoren a autorin e ri dhe që, në një farë mënyre, marrin përgjegjësinë e botimit… Reçenzenti nuk është as censor e as tutor i talente të reja, po një figurë parësore, e rëndësishme për ta, sdomos tani, kur askush nuk e merr përgjegjësinë e botimit e libri përfundon drejt e në shtypshkronjë, nganjëherë pa u lexuar fare nga askush! Per fat të keq të lexuesve, po edhe të këtyre autorëve të rinjë. Mirëpo, ndodhemi përpara këtij paradoksi: sa ka parti politike ne Shqipëri, aq ka edhe Shtëpi Botuese! Por, ndër autorët e rinj, ndodhin edhe nga këto “kapërcime ylberi”, edhe pse do ta quaja meritë të padiskutueshme të autores së re, me profesion gazetare, pikërisht largimin nga stili gazetaresk e krijimin e disa mardhënieve me vrulle shpirtërore erotike,  bile edhe nga ato skenëza që kërkojnë mjeshtri letrare, ku është evident edhe niveli psikologjik e një forcë burrërore në personalitetin e një gruaje të paepur tashmë. Ndaj, më bëri për vete ky roman i parë i një autoreje të re si Adela Çaushllari, e cila, me këtë vepër del mbi moshën e vet, fort e sigurt edhe në një terren të largët, të huaj për të e kaq të përparuar, sikundër është Amerika. Dobësitë e botimit të saj të parë, që lidhen edhe me mungesën e një ndihmese reçensionale, nuk na pengon aspak që, tek romani ANABELA, të shohim një shkrimtare të re që do të ketë të ardhme në tregun shpirtëror të librit. /D.Xh/