Abuzimet, shkarkohet drejtoresha e Hipotekës

Publikuar më 03. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Shkarkohet drejtoresha e emëruar për të zgjidhur korrupsionin masiv të hipotekave në vend. Socialisti Drini Mataj denoncon gjendjen e krijuar në dy muaj nga Blerina Doracaj. Si bëhej nepotizmi, shkarkimet dhe favoret klienteliste

Drejtoreshave të emëruara nga kryeministri Edi Rama po u del boja. Të gjitha fjalët e mira për të ngritur një administratë serioze e të shëndoshë, që vetë kryeministri përmendte dy muaj më parë për këtë mandat, i mori era. Shkarkimi i drejtoreshës së Hipotekave, Blerina Doracaj së cilës iu la detyrë edhe menaxhimi i konkursit për të përzgjedhur me drejtësi drejtorët e ZVRPP-ve, ka ardhur pikërisht prej padrejtësisë nga ana e saj. Manovrat e Ramës për të sistemuar drejtoreshat e reja që dalin bllof në çdo institucion, vërtetojnë edhe këtë herë dështimin e qeverisjes së tij, dhe ky nuk është aspak spekulim, por denoncimi i një socialisti besnik e të devotshëm, i cili është pushuar padrejtësisht nga puna me urdhrin e Doracajt.

Denoncimi

Drini Mataj në pozicionin e drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Zyrën Qendrore të Hipotekës i është drejtuar kryeministrit Edi Rama me një letër, në cilën nuk shpreh vetëm shqetësimin personal për pushimin nga puna, por i tregon edhe gjendjen e Hipotekës përgjatë 2 muajve të fundit nën drejtimin e Blerina Doracajt. Mataj e akuzon atë për shkelje të rënda të detyrës, nga emërimet nepotike te ndërhyrjet në protokoll dhe dokumente zyrtare, deri te seleksionimi sipas dëshirës në radhën e pritjes. Në letrën e socialistit Mataj, shkruhet se e vërteta e treguar prej tij dëmton direkt imazhin e kryeministrit.

“Quhem Drini Mataj, deri të premten si Drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Zyrën Qëndrore të ZRPP-së. Kam filluar pune në një dite me Kryeregjistruesen në detyrë, znj. Blerina Doracaj, pas një detyre 4-vjeçare në Agjencinë e Trajtimit të Pronave si përgjegjës sektori, ku kam pasur vlerësime maksimale të punës. Kryeregjistruesja Doracaj më propozoi të punoja me të dhe fillova punë menjëherë si drejtor i Shërbimeve Mbështetëse. Ditën e premte, 20 tetor 2017, në orën 18:00, në emailin personal, nga kryeregjistruesja me erdhi urdhri i shkarkimit pa asnjë motivacion. Ky urdhër ishte nxjerre 3 ditë përpara dhe mua nuk më ishte komunikuar.

Ditën e premte, 3 dite pas urdhrit të shkarkimit, më ka deleguar detyra me shkrim. Ky është një shpërdorim i hapur i detyrës pasi ka ndërhyrje në protokollin e një prej tre institucioneve me të rëndësishme në Shqipëri. Këtë e provoj me shkresa zyrtare. Ky veprim, më bën të përdor gjithë forcën që më jep ligji për të çuar në vend të drejtën time, qoftë edhe mediatikisht, por stepem pasi e di që ajo përfaqëson vullnetin tuaj. Duke pasur bindjen e plotë, që fryma që ajo përçon, nuk është vullneti juaj vendosa t’ju shkruaj për t’ju informuar dhe patur besimin e plotë që e drejta fiton gjithmonë”, i ka shpjeguar Mataj kryeministrit.

Por, nëse letra do të kishte përfunduar këtu, ky mund të ishte një problem i brendshëm, alla-shqiptar që mund të zgjidhej ose të mbetej i tillë heshtje. Në vijim të letrës, Mataj nxjerr gjithë dufin e vet për të treguar se një nga reformat e para të  qeverisë “Rama 2”, sapo u hodh në kosh, madje nuk kishte nisur. “Kaosi në ZRPP ka ardhur si pasojë e emërimit të kushërinjve të parë dhe bashkëshortit të Doracajt në Hipotekë; e ndërhyrjeve në zyrën e protokollit dhe dokumenteve zyrtare dhe e caktimit të sekretares së saj me një nivel aspak etiko-profesional dhe pa arsimin përkatës në komisionin më të rëndësishëm të ministres së Drejtësisë për përzgjedhjen e Drejtuesve të Hipotekave të rretheve.

Që nga emërimi i saj pranë zyrës vendore të Tiranës, në mënyrë që të kryhen shërbime për njerëzit e saj, Doracaj ka kryer shkarkime pa motivacion ligjor dhe të paarsyetuar. Kur një punonjës denoncoi fenomenin Xhuljen Sava, për praktikat që mbaheshin nga shoqja e znj. Doracaj (Jasmina Llukacej, shefe zonës 1), ky i fundit iku nga puna.  Z. kryeministër, u them me bindje të plotë, që nën kujdesin e Doracajt asnjë nga praktikat e qytetarëve nuk bëhet sipas radhës kronologjike dhe sipas ligjit.

Nga eksperienca ime, prej 3 muajsh në krah me të, po iu bëj me dije se është shumë e paqëndrueshme dhe e dobët në vendimmarrje, duke dhënë shpeshherë direktiva, të cilat pasi i rimendon ose i bëhet e qartë që janë të gabuara, i ndërron disa herë. Zyrat qendrore dhe vendore jane plotesisht jashte funksionit. Historia vazhdon edhe me keq se ka qene”, akuzon pa doreza Drini Mataj.

Shkarkimi

Doracaj është shkarkuar dje, vetëm pas dy muajve në post dhe Ministria e Drejtësisë ka hapur konkurs për vendin e kryeregjistruesit të Tiranës Shkarkimi i Doracajt vjen 2 muaj pas emërimit të saj në krye të këtij institucioni. Ka qenë Ministria e Drejtësisë ajo që ka publikuar ditën dje njoftimin për vendin vakant. Kryeregjistruesja e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila ka qenë në listën e kandidatëve të PS-së, për Tiranën, mësohet të ketë qenë dje në punë, por nuk dihet nëse ajo është njohur gjatë orarit me këtë vendim.

Drejtoreshat

Risia e Ramës për të emëruar në drejtori të rëndësishme, vajza të reja me idenë që nuk vijnë nga një përvojë e “panjollosur” që nga viti 2013 rezultoi një bllof.

Emra të tillë si Briseida Shehaj te Tatimet, Elisa Spiropali në Dogana, Luneda Sufali te Lojërat e fatit gjatë detyrës që kryen u përfolën për abuzime të mëdha. Dorëheqja personale e Spiropalit ishte e beftë dhe pa zhurmë por u fol për një masakër të vërtetë të zbuluar nga të afërm të kryeministrit. Ndërkohë, Shehaj u desh të dëshmonte në Prokurori, për skandale brenda institucionit që drejtonte

Luneda Sufali, ish-drejtoreshë e Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit, sot drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror dha dorëheqjen pa shumë bujë dhe javë më vonë u zbulua se ajo nuk e drejtonte më atë drejtori

Nr. 23

Në listën e kandidatëve për deputetë të Tiranës, e 23-ta në radhë, Blerina Doracaj pas humbjes fitoi privilegjin e Kryeregjistrueses. Doracaj është aktualisht kryetare e Forumit të Gruas në PS.