A është Ballkani në rrezik të ndonjë konflikti të armatosur?

Mujë Bucpapaj

Siç raporton Radio Evropa e lirë, e cila u referohet burimeve të Inteligjencës Amerikane, Ballkani Perëndimor është në rrezik të ndonjë konflikti ushtarak. Siç komenton “Evropa e lirë”, “mundësia e një konflikti të hapur ushtarak dhe ndikimi i Rusisë, mbeten kërcënimet kryesore për sigurinë e Ballkanit Perëndimor për vitit 2019, e cila i referohet raportit të Komunitetit të Inteligjencës së SHBA-ve rreth vlerësimit të kërcënimeve në botë për vitin 2019.” Ndërsa nuk dihet si do të jetë përfundimi i bisedimeve Kosovë-Serbi, një gjë është e qartë se qeveria e Prishtinës është e vendosur të refuzojë çdo presion, që kompromisi të ndërtohet mbi lëshimin e territoreve në veri të lumit Ibër dhe rrudhjen e mëtejshme të Kosovës. Nëse institucionet e sigurisë në Kosovë, kanë shmangur deri tani konfliktin me strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës, është e qartë se kryeministri Haradinaj nuk do të tolerojë më tej mbajtjen e këtij territori jashtë kontrollit të plotë të qeverisë së Prishtinës. Nga ana tjetër Beogradi nëpërmjet strukturave të veta do të përpiqet të minojë çdo përpjekje diplomatike të Kosovës për të arritur një paqe me nder me Serbinë duke ruajtur integritetin e shtetit të vet. Protestat e serbëve në veri të Mitrovicës, me slogane që kundërshtojnë projektin për bashkimin e qytetit, është një paralajmërim se burimi i konfliktit është ënde i fortë dhe i frymëzuar jo vetëm nga mitet që e patën filluar luftën në Kosovë 20 vjet më parë, por edhe nga strukturat shtetërore serbe të mbështetura edhe nga Rusia.
Vizita e fundit e presidentit rus në Serbi biles edhe në bazën ushtarake të Nishit, ngjitur me Kosovën, ishte një inkurajim për serbët, sido që me tone më të zbutura prej tij. Rusia, nuk do mend që vijon t’i japë garanci Serbisë për të rritur presionet ndaj mbeshtetësve perëndimorë të Kosovës, përfshirë edhe SHBA-ve, për t’u imponuar shqiptarëve “lëshimin e madh” përpara njohjes së shtetësisë nga pala serbe. Vetë paralajmërimet e administratës Amerikane ndaj qeverisë së Prishtinës për të shfuqizuar taksën 100% ndaj mallrave me origjinë serbe, është një rezultat jo thjeshtë i revoltës apo protestës serbe, por edhe i kërcënimeve diplomatike ruse se Beogradi mund të braktis dialogun, gjë e cila mund të rikthente bisedimet në fazën fillestare, për çfarë aleatët tanë perëndimorë, nuk janë të interesuar.
Inteligjenca amerikane, nuk ndodhë që të gabojë në parashikimet e saj, dhe mundësia e një konflikti mund të ketë si vatër përsëri Kosovën dhe hapësirat shqiptare. Ndërsa nuk ka akoma një dokument bazë që do të çonte në përmbylljen e bisedimeve apo edhe në refuzimin e tyre, negociatorët shqiptarë përfshirë edhe Presidenti Thaçi janë shfaqur konspirativë duke mos dhënë detaje rreth kushteve të marrëveshjes dhe as parashikimit të saj.
Nëse marrëveshja përfshinë shkëmbime territoresh apo popullsish kjo nuk është e qartë, pasi edhe vetë deklarimet e zoti Thaci, përfshirë edhe intervistën e fundit në Tiranë, janë kontraditore dhe në ndryshim të vazhdueshëm.
Ndërsa debatet, më shumë me frymë partizane se sa nacionale, kanë vijuar dhe do të vijojnë, ajo që ka lënë shije të keqe është se ndërsa Ballkani dhe hapësira shqiptare mund të përfshihet në një konflikt të ri, politika shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë duket e ndarë dhe e përçarë si kurrë më parë. Akoma ma keq e përfshirë në një debat ku dominon fjalori i ashpër dhe ofendimet e ndërsjella, ne vend të uljes në tavolinë për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe formuluar një qëndrim të qartë, mundësisht me konsensusin më të gjerë.
Megjithatë letra e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejtuar Presidentit të Kosovës Hashim Thaci dhe presidentit të Serbisë Vuçiç, dëshmon se në Washington interesimi për suksesin e bisedimeve është bërë i fortë, po aq edhe arritja e një marrëveshje paqeje. Padyshim përfshirja amerikane në këto bisedime ka qenë një kërkesë e opinionit shqiptar dhe është garanci e fortë se interesat shqiptare do të mbrohen si gjithmonë prej aleatëve tanë strategjikë dhe të përhershëm, SHBA-të, dëshmi për këtë është edhe qendrimi i fortë Amerikan për krjimin e ushtrisë së Kosovës.
Çështja është se sa janë vetë shqiptarët të gatshëm për të bërë kompromise me njëri-tjetrin, ndërsa protestat në Shqipëri mund të marrin drejtim të paparashikuar. Korrupsioni i përhapur, reformat e stopuara apo të stërvonuara dhe varfëria e paparë ndonjëherë gjatë 30 vjetëve të fundit, mund të çojnë vendin në spirale dhune dhe konfliktesh.
Një situatë e tillë, mund të çonte në trazira të brendshme, të ngjashme me ato të 20 viteve më parë, që patën rrënuar institucionet shtetërore dhe vetë demokracinë shqiptare.
2.
Në rast të një konflikti ushtarak në Ballkanin Perëndimor, përveç shumë dobësive të reja, Shqipëria dhe shqiptarët kanë një epërsi të madhe në krahasim me vitet 1997-1999. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndërsa Kosova një shtet i pavarur. Të dyja bashkë kanë ushtri të reja dhe të mirëtrajnuara nga aleatët perëndimorë. Në Kosovë gjendet prej vitesh një bazë e fortë ushtarake e NATO-s, ndërsa në Shqipëri sapo ka nisur rindërtimi i bazës së vjetër ajrore të Kuçovës, nga më të njohurat e ish-bllokut komunist. Kjo infrastrukturë e sofistikuar teknike dhe sigurimi i aleancave të fuqishme, i ka rritur kapacitetet mbrojtëse të shqiptarëve, por dobësia vjen nga zhvillimet e brendshme, qeverisja e dobët, korrupsioni dhe mosbesimi qytetar se vendi është duke ecur përpara.
3.
Demokracia ka pësuar regres për shkak të zgjedhjeve të diskutueshme dhe shpesh të manipuluara, korrupsioni i kudogjendshëm brenda dhe jashtë qeverive, brenda dhe jashtë partive, më së shumti tek një administratë partizane, e cila bazohet jo tek meritokracia, por tek partishmëria dhe blerja e vendeve të punës në të gjitha nivelet, fenomen ky i kthyer në një kancer të rëndë për shoqërinë tonë. Këtë nivel të ulët demokracie, për fat të keq, e shohim edhe tek partitë politike, të cilat kanë hequr dorë prej vitesh nga demokracia e brendshme, nga gara e ndershme dhe konsultimi me mbështetësit e tyre tradicionalë. Partitë politike, të dominuara kryesisht nga njerëz pa ndonjë interes të shprehur kombëtar, ndryshe flasin në opozitë dhe krejt ndryshe sillen ku janë në pushtet. Listat e mbyllura në të gjitha nivelet e zgjedhjeve i kanë shkëputur lidhjet me anëtarësinë përkatëse duke i nxjerrë partitë jashtë interesit publik. Kjo mënyrë drejtimi u ka sjellë deri tani përfitime klaneve që drejtojnë partitë dhe rretheve të ngushta financiare që qëndrojnë pas tyre, por u ka kthyer shpinën mijëra militantëve dhe mbështetësve, të cilët kanë bojkotuar dhe do të bojkotojnë edhe më shumë këto parti. Çlirimi i partive prej elitave të korruptuara dhe të kompromentuara është hapi i parë i kthimit të besimit qytetar në sistemin politik të vendit dhe vetë demokracinë.
Elitat, apo pseudo-elitat që ua kanë shndërruar në ferr jetën miliona shqiptarëve të cilët kanë zgjedhur të jetojnë këtu dhe të mos largohen akoma nga vendi, siç kanë bërë miliona shqiptarë të tjerë në këto vite, thua se në vend të këtë rënë një epidemi e rëndë. Në fakt epidemia më e rëndë qenka mashtrimi me demokracinë, varfëria shfarosëse dhe poshtëruese për miliona shqiptarë, blerja me para e çfarëdo shërbimi publik, nëpërkëmbja e intelektualeve dhe sidomos inteligjencës krijuese e cila rron për bukën e gojës si dhe vrasja e shpresës tek të rinjtë. Si mund të ketë besim në një demokraci, kur më i korruptuari flet për luftën kundër korrupsionit, kur më tradhtari flet për interes kombëtar, kur postblerësi flet për garë të ndershme dhe postshitësi për virtyt demokratik, kur porositua bën të ndershmen dhe më i ndershmi bën prostitutën politike për një karrige dhe tender. Si mund të ketë besim në një demokraci, kur qeni dhe i biri qenit kanë privatizuar edhe tokën, edhe detin, edhe ajrin që merr frymë ky popull, kur qeni dhe i bir qenit lehin nga mëngjesi në darkë për talentin e tyre në shitblerjes.
Protesta e stërzgjatur e studentëve shqiptarë nxori në dritë jo vetëm dobësitë e demokracisë dhe deformimet e tmerrshme që ajo ka pësuar në çdo qelizë jetësore të shoqërisë tonë(nga klasa e parë deri tek arsimi i lartë), por zbuloi fundin që ka prekur kjo shoqëri e dëshpëruar që jeton vetëm për të pasuruar në mënyra të pandershme një kastë shumëngjyrëshe që ndërron vetëm karriget, ndërsa korrupsioni dhe padrejtësitë sociale rriten e shumëfishohen, duke u bërë kërcënuese për jetën në këtë vend.
4.
Ndërsa flitet për bisedimet me palën serbe apo edhe me palën greke në jug, pak flitet për dialogun ndërshqiptar dhe kompromisin e nevojshëm. Kemi parë këto vite të ketë bisedime me palën serbe apo palën greke, por nuk kemi parë bisedime të vërteta dhe jo vetëm mediatike, ndërshqiptare. “Unë të jap detin përtej ishujve të Ksamilit, por nuk e lëshoj pushtetin në Tiranë”, apo “unë të jap tokën përtej lumit Iber, por nuk heq dorë prej pushtetit në Prishtinë”, është një dëshmi e qartë se çfarë udhëheqësish mercenarë kanë shqiptarët? Faktet nuk kanë nevojë për komente…
5.
Duke u kthyer tek argumenti i fillimit të këtij shkrimi, apo tek tema e një konflikti të ri ushtarak Ballkanik, është e qartë se shqiptarët edhe pse banorë autoktonë prej mijëra vjetësh në këto troje, nuk kanë shkaktuar as nxitur kurrë luftëra në rajon, dhe kështu do të jetë edhe tani, por në rast se të tjerët do të nxisin një konflikt të tillë të drejtuar përsëri kundër shqiptarëve, duhet të jemi të përgatitur. Dhe përgatitja e parë, mendoj unë, është gjetja e një konsensusi kombëtar; së pari për zgjidhjen e problemeve që po ballafaqohemi në dialogun e vështirë Prishtinë –Beograd, në Kosovë, me problemet e keqqeverisjes, varfërisë, korrupsionit dhe luftës për ekzistencë në Shqipëri, me jetësimin e të drejtave shtetformuese të shqiptarëve në Maqedoni dhe ushtrimin e të drejtave të fituara, me unitetin kombëtar dhe koordinimin më të mirë të elitave politike të përçara në Mal të Zi dhe kështu në Luginën e Preshevës e kudo ku ka shqiptarë në Greqi, në Italinë Jugut, në Serbinë Jugore etj. Nuk thonë kot, kambanat bien për ata që i dëgjojnë ato. Përpara Luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, kam shkruar dhjetëra shkrime paralajmëruese në shtypin e Tiranës si dhe qindra të tjerë gjatë kësaj lufte, përfshirë edhe dy libra publistikë. Për fat të keq ato paralajmërime nuk u dëgjuan në kohë dhe dihet si shqiptarët patën hyrë në këtë luftë të shpartalluar dhe në tërheqje të tmerrshme nga ajo betejë, përjashto luftëtarët e UÇK-së që bënë rezistencën e tyre heroike.
Kjo nuk duhet të përsëritet më!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet