Berisha: “Armët e Skënderbeut, në Shqipëri për 100-Vjetorin”

Berisha me SpindeleggerZv/kancelari dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, i ka premtuar kryeministrit Berisha, se shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të sillen për t’u ekspozuar në Shqipëri. Takimi mes dy krerëve ka ndodhur në Dubrovnik në Samitin e Kroacisë.

DUBROVNIK – Zv/kancelari Spindelegger, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, i shprehu kryeministrit Berisha urimet për 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e quajtur atë një jubile të madh për vendin. Në këtë kontekst, zoti Spindelegger premtoi se përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen në Shqipëri për t`u ekspozuar për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike. Gjithashtu, ai bëri të ditur se Austria do të marrë pjesë në festimet për 100-Vjetorin e Pavarësisë me përfaqësues të autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe lidhjeve të ngushta midis të dy vendeve e popujve.

Berisha: “Austria, mbështetësja e madhe e pavarësisë së Shqipërisë”

Kryeministri Berisha e falenderoi përzemërsisht zëvendëskancelarin Spindelegger për të dy lajmet e mira; të ekspozimit në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, si edhe për përfaqësimin e Austrisë në festimet e këtij jubile, përmes autoriteteve më të larta. Kryeministri, duke sjellë në vëmendje me vlerësimin më të lartë kontributin e jashtëzakonshëm të Austrisë e kombit mik austriak në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë në atë periudhë kritike për fatet e kombit dhe pavarësisë së Shqipërisë, tha se shqiptarët ndihen shumë të lumtur dhe mirëpresin me kënaqësi të veçantë lajmin, që autoritetet e larta të Austrisë mike do të na nderojnë me pjesëmarrjen në festimet e 100-Vjetorit të Pavarësisë. Në memorien e kombit, – u shpreh kryeministri, – kontributi i ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontit Bertochd dhe i vendeve mike Austrisë e Hungarisë do të qëndrojë përherë në altarin më të lartë të vlerësimit të kombit shqiptar.

Austria, mbështetje Shqipërisë edhe për integrimin

Zoti Spindelegger garantoi gjithashtu se Austria do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtjeshme drejt integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thelle për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë, gjatë gjithë kësaj periudhe, për mbështetjen për statusin e vendit kandidat dhe ecjen përpara me integrimin. Një falenderim të veçantë, kryeministri Berisha i bëri zv/kancelarit austriak për projektet e suksesshme të bashkëpunimit midis të dy vendeve, që po implementohen në Shqipëri, si ai në fushën e regjistrit elektronik të pronave dhe projekte të tjera, por edhe vlerësimin për suksesin e investitorëve të rëndësishëm austriakë në sektorë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare si ai i prodhimit të energjisë hidrike etj..

Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Zëvendëskancelarin Spindelegger me zhvillimet e fundit në Shqipëri, rezultatet e reformave në të gjitha fushat, në veçanti me punën intensive që po bëhet mbështetur mbi Planin e Veprimit për përmbushjen e rekomandimeve të Opinionit të Komisionit Europian dhe ecurinë shumë pozitive të këtij procesi gjithëpërfshirës. Kryeministri Berisha e njohu Zëvendëskancelarin Spindelegger me ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare, rritjen e investimeve të huaja, por edhe të eksporteve shqiptare, si dhe shndërrimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar për biznes, investime e turizëm. Shqipëria sot, tha Kryeministri, vizitohet nga të gjitha skajet e Europës e më gjerë.

Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi përzemërsisht atë në Shqipëri. Zot Spindelegger, duke e pritur me kënaqësi ftesën, i shprehu edhe një herë Kryeministrit, përgëzimet për arritjet e mëdha të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe.

/M.A./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Abissnet