80 vitet “rock” të Adriano Çelentanos

Publikuar më 08. 01. 2018 nga Jola Alimemaj

200 milionë disqe të shitur në të gjithë botën, 5 Festivale Sanremo, 40 filma, 16 programe televizive, një martesë 54-vjeçare. Adriano Ccelentano mbushi 80 vjeç. Jeta, frika, idetë dhe një zë që magjeps, dhe që ndonjëherë të bën të dridhesh

Ekzistojnë zëra aq të dobët saqë nuk arrijnë të perceptohen dhe të tjerë aq të fortë sa për të shkruar historinë. Ai i Adriano Çelentanos ka qenë ngaherë me “volum të lartë”, nga ata që të gjithë dëgjojnë, e që disa të tjerë kanë frikë. Ishte vitit 20155 kur “Raiuno” transmetonte “Rockpolitik”, programin e mbrëmjes që Çelentano propozonte gjatë qeverisë së tretë Berluskoni. “Kanë të gjithë frikë nga fjalët”, thoshte ashtu me syzet e errëta, një këmishë prej mëndafshi dhe një palë çizme kauboj. “Sot mund të thuhen vetëm gjëra që nuk bezdisin askënd”. Një princip ky që ai nuk e ka respektuar kurrë, pasi Çelentano ka thënë gjithmonë atë që mendonte. Edhe tani që ai sapo mbushi 80-vjeç.

Një karrierë e jashtëzakonshme që filloi pikërisht në rrugën e quajtur “Via Gluck”, e që do të bënte në 1966-ën të arrinte atë sukses gati të pamundur për ta përshkruar me fjalë. Shumë suksese, shumë polemika, e tija ka qenë gjithmonë një jetë dhe një karrierë jo e zakontë, që kur braktisi shkollën pasi mori diplomën e fillores (“Jam penduar që nuk kam studiuar atëherë kur mundesha”) e deri kur Bill Haley dhe “Comets” ndezën tek ai shkëndijën e muzikës. Që prej kohës që fitoi nofkën “molleggiato” (elastik, me aftësi të shumta) për ato kërcimet e tij tipike që improvizonte në lokalet e vogla milaneze e deri tek batutat e Jerry Lewis që i përsëriste përmendësh gjatë koncerteve që bënte bashkë me Rocky Boys, grupin e tij të parë.

Mund të shkruajmë shumë rreth tij por ndoshta për të festuar 80-vjetorin e tij të lindjes si dhe thuajse 60 vite karrierë artistike, do të ishte mirë të niseshim nga gjërat e vogla. Ato gjëra për të cilat ai ka shprehur dashuri: “Mund të bëhesh padron i botës duke u përpjekur të njohësh vogëlsinë vetjake, pasi ne jemi të vegjël”. Si atëherë kur nisi të punonte si orëndreqës pasi “më pëlqen të rregulloj gjërat e vogla, aq sa është e vërtetë që nëse sot në shtëpi një rubinet pikon unë përpiqem ta rregulloj vetë”. Ose atëherë kur në “Palazzo del Ghiaccio” (Pallatin e akullt) në rrugën “Piranesi” ai firmosi kontratën e parë diskografike dhe gazetat e pagëzuan si “yllin italian të rock’n’roll-it”. Ose atë perlë të paharrueshme në “La dolce vita” kur ai këndonte “Ready teddy” në një lokal të Romës. Ose ato 24 mijë puthje që e renditën të dytin në Festivalin e parë të Sanremos (ishte viti 1961). Por ato që kanë shënuar më shumë karrierën e djaloshit me shumë talente, janë ato gjëra që jo të gjithë i dinë.

Ngjarje si ajo kur shtëpia diskografike “Jolly”, e akuzoi për shkelje kontraktuare për shkak të themelimit të “Clan” dhe që Çelentano e vendosi drejtësinë në vend duke fituar çështjen. Ngjarje me rëndësi si atëherë kur prestigjiozja “Olympia” i kërkoi të performonte për një javë të tërë në zemrën e Parisit, apo kur Frank Sinatra i propozoi ta arrinte përtejoqeanit, por që Çelentano nuk e takoi kurrë për shkak të fobisë që kishte nga avioni, apo martesa me Claudia Mori-n e celebruar në fshehtësi të plotë në zemër të natës në Grosseto, pasi privatësia është një privilegj i pak njerëzve dhe Adriano e ka ruajtur gjithmonë si një thesar të paçmueshëm shkruan “Vanityfair.it”.

Polemikat (si atëherë kur ftoi publikun e “Fantastico” të fikte televizorin për 5 minuta), sukseset si “Azzurro”, në 1968. Ndoshta një nga këngët italiane më të njohura së bashku me “Volare” të Mondugno-s, tërheqjet ( si atëherë kur nuk u paraqit në Sanremo’73 për shkak të një gastriti dhe tha se “këtë vit Festivali do të jetë më i zbehtë se zakonisht”), impenjimi i tij social (Svalutation, a ju thotë gjë?), besimi (me Parajsën e përshkruar si “një vend plot me kafshë që flasin”), investimet e guxuara si (kur shpenzoi 20 miliardë lira për realizimin e Filmit “Joan Lui”) kritikat (të fundit, kur ishte i ftuar në Sanremo 2012, duke thënë se “Avvenire” dhe “Famiglia Cristiana” , “duhet të mbyllen”). Me pak fjalë, 80 vite që Adriano Çelentano ka ndërtuar me kurajo dhe përkushtim, së bashku me zërit e tij “me volum të lartë” që vazhdon të shkaktojë entuziazëm dhe kuriozitet tek publiku, çfarëdo që të bëjë apo të thotë. Ai, ndërkohë thotë: Nga kjo jetë nuk mund të presë tjetër, por për tjetrën kam projekte. E kush mund ta thotë që ai zë, nuk do të arrijë të bëjë rrëmujë edhe atje.

V. Dedaj