8 nëntori dhe 78 vitet kundër vetvetes

Xhevat Mustafa

78 vjet më parë, më 8 nëntor 1941, një grup komunistësh shqiptarë, me kujdesin, konsulencën dhe mbështetjen e “vëllezërve jugosllavë” Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, krijuan Partinë Komuniste të Shqipërisë. Edhe pse në këtë ditë ishte figurant, gradualisht, nën rrogoz e në prapaskena, ata punuan që në krye të saj të vihej Enver Hoxha dhe që më vonë të bëhej edhe kryeministër. Enver Hoxha e mbajti fronin deri më 11 prill 1985 me thonj e me dhëmbë, me ligësi e pabesi, duke eliminuar një e nga një rivalët apo secilin, që mendja e tij demoniake apo paranojake, e shikonte si kundërshtar, pengesë e rrezik. Pas tij, me radhë, në krye të PPSH-së, PSSH-së, “Rilindjes” u vunë Ramiz Alia, Fatos Nano, Edi Rama. Por, është shprehur shumë qartë, me veprime dhe mosveprime të panumërta, se tek të tre pasardhësit e tij, Enveri ka vdekur vetëm fizikisht. Edhe sot e kësaj dite, pra më 8 nëntor 2019, enverizmi vazhdon të vlerësohet e nderohet nga njerëzit që mbushin listat apo ekipet e vazhdimësisë, të paracaktuara prej tij për të gjitha fushat, për të paktën rreth 50 vjet mbas vdekjes së tij.

E keqja jonë si popull e si vend është se enverizmi do të na dëmtojë shumë gjatë, jo vetëm nga ata që i shkojnë Enverit tek varri me portrete dhe tufa lulesh në duar dhe i këndojnë më 11 prill, më 5 maj, 16 shtator, 24 maj,16 tetor, 8 nëntor, 29 nëntor… Për kursim kohe dhe vendi, do të përqendrohem në dy çështje madhore, që gjykoj se janë të bollshme për të lakuriqësuar karakterin, figurën dhe rolin e Enver Hoxhës si dhe i japin përgjigje pyetjes se përse sot, më 8 nëntor 2019, jemi po të fundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomiko-shoqëror e të mirëqenies, siç ishim më 8 nëntor 1941, më 29 nëntor 1944. Enveristët e moçëm apo të sotshëm, për hyjnizimin dhe mbrojtjen e idhullit të tyre, kapen fort dhe palogjikshëm tek “veprat dhe kontributi i tij” në fushat e industrisë minerare, të naftës, ushqimore dhe tekstile; mekanike; kundër analfabetizmit; për zhvillimin e kulturës dhe të arteve, e tj. Por, tregon primitivizëm, bajraktarizëm, kult individi, imitim të stalinizmit,  mungesë emancipimi demokratik, qytetar, kulturor,  mohim kolegjialiteti dhe pune ekipore, të personalizosh gjithçka të mirë tek një individ i plotfuqishëm politik dhe qeverisës dhe mos t’ia shohësh dhe njohësh edhe gabimet, dështimet, fajet, krimet, përgjegjësitë. Më shqip: nuk është as e saktë, as e drejtë dhe as e logjikshme t’i atribuohen të gjitha sa u bënë në Shqipëri në periudhën 1945-1985 Enver Hoxhës individualisht. Sepse ai nuk i bëri këto vetëm me kokën e vet.

Në vartësi dhe dispozicion të tij kishte ministri dhe ministra, institute studimore e shkencore, në të cilat drejtonin dhe punonin njerëz me diploma universitetesh prestigjioze nga vende perëndimore e të ish-kampit socialist dhe me nivel intelektual dhe shkencor më të lartë se të Enver Hoxhës. Duke ia dhënë të gjitha meritat Enver Hoxhës u bëhet një padrejtësi dhe u hahet haku krahëve të tij të djathtë e të majtë, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Abdyl Këllezit, Koço Theothosit…Për hir edhe të së vërtetës, Mehmeti, Abdyli dhe Koço, edhe për lidhje të drejtpërdrejtë funksionale dhe dikasteriale, deri sa nuk i pushkatoi Enveri i tyre, kanë qenë shumë më tepër se ai në ndjekje të zbatimit të projekteve në fazën e ndërtimit dhe më pas, gjatë procesit të prodhimit  të veprave të mëdha ekonomike, minerare dhe industriale. Sidomos Abdyl Këllezi, diplomuar për ekonomi në Universitetin e Firences dhe Koço Theothosi, diplomuar për kimi në Universitetin e Lionit, duhet ta kenë përjetuar më rëndë krizën ekonomike dhe varfërinë masivë në vend. Me formimin që kishin duhet ta kenë kuptuar dhe shprehur sinqerisht se e vetmja rrugëdalje nga kriza dhe për rritjen e ndjeshme të nivelit të jetesës së shqiptarëve ishte ndryshimi i politikës ekonomike, hapja drejt SHBA-së dhe Perëndimit kapitalist, si kishin vepruar më herët Jugosllavia e më vonë Kina. Por, Enver Hoxha u tha egërsisht “JO” dhe urdhëroi  pushkatimin e tyre. Sepse, me shumë gjasa, Enveri mund të ketë menduar edhe kështu: Sa të jem gjallë do të vazhdohet me këtë kurs dhe me këto politika. Shqipëria duhet të mbetet në këtë nivel të ulët zhvillimi dhe izolimi ekstrem, pa u hapur drejt SHBA-së dhe përgjithësisht Perëndimit! Se ndryshe, modernizimi dhe fuqizimi i ekonomisë do të sjellin rritje të të ardhurave të shtetit. Në këto kushte, populli do të kërkojë rritje të pagave dhe pensioneve.

Më e keqja, do t’i rriten tangerllëku dhe kërkesat për turizëm edhe në vende të tjera, sidomos në Italinë, Greqinë dhe Jugosllavinë fqinjë…Po dolën jashtë, shqiptarët do të shikojnë me sytë e tyre ndryshimin e madh në zhvillim dhe mirëqenie midis nesh dhe vendeve kapitaliste. Kështu do të kuptojnë se i kam mashtruar për rreth 30 vjet se në vendet kapitaliste” njeriu për njeriun është ujk”, se në këto vende” njerëzit vdesin urie për bukën e gojës”…Po e zbuluan se i kam mashtruar do të revoltohen e do të ngrihen kundër meje. Prandaj, Abdyli dhe Koço në plumba e në varre dhe le të vazhdojmë në rrugën time. Le të hajë edhe bar dhe të vdesë urie populli, mbi gjithçka “të mos i tradhtojmë dhe shesim parimet!”.

Nga ana tjetër, dihet se  kombinatet, uzinat dhe fabrikat e asaj kohe, nuk u bënë as me paratë individuale apo familjare të Enverit, por me miliardat e lekëve nga buxheti i shtetit, që mbushej me punën, djersën, gjakun, jetët e popullit. Nuk mund të harrohet edhe se deri në vitin 1961 Shqipëria u ndihmua jo pak nga BS dhe vendet e tjera të kampit socialist dhe më vonë, nga Republika Popullore e Kinës. Për kaq shumë kohë sa mbretëroi Enver Hoxha do të bënte disa punë për vend e popull, në arsim, shëndetësi, kulturë, mbrojtje, sepse përndryshe populli “i tërbuar”  nga uria e vet dhe e fëmijëve,  nuk do ta duronte gjatë, do t’i futej mu në kabinet apo në  dhomën e gjumit, për ta mbytur me thonj, sfurqe, sëpata, lopata…Në të vërtetë, në jetën e përditshme, plot nga populli  mplakeshin,  sëmureshin dhe vdisnin para kohe radhëve qysh nga mesnata për 1 shishe 1 kg qumësht në ditë, 1 kg mish, 10 kokrra vezë, i pako 100 gr gjalpë në javë e për plot ushqime të tjera…Fitimet e mëdha nga veprat industriale dhe nga pasuritë nëntokësore u shfrytëzuan kryesisht për mbrojte e ushtri, për tunele dhe bunkerë;  për financimin e “partive marksiste-leniniste”, të veprave të shkruara të Enver Hoxhës, etj, etj. dhe jo për të rritur nivelin e jetesës së shumicës së popullit, që punonte dhe mbijetonte vetëm për bukën e gojës dhe një menu të përditshme tejet të varfër.

Lidhur me flirtet dhe “divorcet” me ish Jugosllavinë, ish BS dhe me Republikën popullore të Kinës, enveristët mund ta justifikojnë pjesërisht Enverin e tyre për atë me Jugosllavinë, një armike historike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve si komb. Në mënyrë figurative, miqësia shqiptaro-jugosllave në vitet 1941-1948, mund të krahasohet me atë të qengjit me ujkun. Edhe atëherë e më vonë, deri sot e kësaj dite, me të drejtë janë shtruar pyetjet: dakord me prishjen politike dhe shtetërore, po, përse duhej ndërtuar një mur i padukshëm kinez apo Berlini mes shqiptarëve me lidhje gjaku e barku në të dy anët e kufirit, duke i ndërprerë për rreth 25 vjet thuajse tërësisht takimet mes tyre dhe duke i kontrolluar deri në trup edhe femrat në pikën doganore të Morinit?

Ndërsa prishja e marrëdhënieve politike dhe shtetërore më BS dhe Kinën, me sebep  ndryshimin e qëndrimeve të tyre me SHBA-në dhe Perëndimin kapitalist, përbën lakuriq megallomani, çmenduri dhe delirantizëm të Enver Hoxhës, deri në absurdin që t’u imponohej politikisht dy prej shteteve dhe fuqive më të mëdha të botës e të kohës. Çmenduria apo komedia enveriane apo shqiptare arriti kulmin kur Enveri pandehte dhe nuk kursehej për t’i mbushur mendjen shumicës së popullit se Shqipëria e vogël dhe e varfër  mund t’i përballonte ushtarakisht “imperializmin amerikan” me NATO dhe “social-imperializmin sovjetik” me Traktatin e Varshavës???!!! Nga veprime dhe deklarime të tij ishte bërë e qartë prej kohësh se Enver Hoxha nanurisej nga ëndrra e çmendur për t’u bërë lider i lëvizjes botërore marksiste-leniniste, e tejfryrë dhe investuar tmerrësisht shtrenjtë nga ne më të varfrit e Evropës, më së shumti për propagandë dhe imazh të rremë. Shprehur edhe më “shqip”: për t’u bërë klasiku i pestë, për së gjalli, pas Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit.

Pas këtyre “divorceve politike” të njëanshme, nga Enver Hoxha, u vendosën sistemi i tallonave dhe i radhëve qysh nga mesnata për shumicën e artikujve kryesorë të ushqimit të përditshëm; u intensifikua rrënimi ekonomik i vendit; sidomos nga ulja e ndjeshme e nivelit të eksporteve dhe të importeve. Në këto kushte, kur duhej të zgjidhte si opsion shpëtimtar vetëm ndryshimin e mendjes së vet dhe hapjen e vendit, Enver Hoxha, me shumë gjasa me mendjen dhe gojën e Ramiz Alisë, bëri marrëzitë e radhës apo të fundit, tufëzimin ekstrem të bagëtive në fshat dhe kundërshtimin e dorës së zgjatur për ndihmë nga RFGJ, nëpërmjet Franz Josef Shtrauss-it.

Ata që janë gjallë nga ferri enverian, me sytë në ballë dhe mendjet akoma të shëndosha, me përjashtim të atyre që ishin bashkëpunëtorë të afërt dhe të mirëshpërblyer nga diktatura komuniste, duhet të kenë kurajën, burrërinë dhe shqiptarinë që të pranojnë se regjimi enverian, për 47 vjet bëri një litar të gjatë me gabime fatale. Ashtu siç mendojnë se Enver Hoxha  ishte “arkitekti i fitoreve historike”, do të ishte e logjikshme të pranojnë se po ai ishte edhe “strategu i gabimeve, dështimeve dhe krimeve historike, i fushatave genocidiste ndaj elitave intelektuale në ushtri, ekonomi, kulturë…”. Natyrshëm e logjikshëm  mund të shtrohen edhe pyetjet: përse i bëri Enver Hoxha gjithë ato ” gabime katastrofike “? Nga padituria apo me logjikë të ftohtë? Nga idealizmi apo mercenarizmi? Kujt i shërbyen pehlivanllëqet e tij politike e këto gabime të shumta në ekonomi, mbrojtje etj.? Mos vallë, duke e katandisur  dhe lënë Shqipërinë në atë gjendje, u shërbeu më shumë “vëllezërve politikë jugosllavë” dhe grekë se sa vëllezërve gjenetikë shqiptarë????

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet