Në shtator fllon aplikimi për degët e Ekonomikut, ja dokumentat që duhen

Nga Lindita Bushgjokaj

Në shtator fillon aplikimi për degët e studimit në Fakultetin Ekonomik, dokumentacioni që duhet plotësuar. Pedagogu Alban Korbi tregon degët që ofrojnë punësim dhe që duhet të zgjidhen nga maturantët, procedurat për transferimin e degëve, tarifat do të jenë të njëjta si vitet kaluara.

Alban Korbi, pedagog në Fakultetin Ekonomik, tregon për “Shekulli”-n, se maturantët duhet të kenë parasysh kriteret e pranimit gjatë aplikimit për degët e studimit, të cilat nuk ndryshojnë nga vitet e kaluara, ndërsa dega më e kërkuar është Administrim Biznes, pasi ofron mundësi punësimi më shumë se të tjerat. Për të gjithë studentët që synojnë të transferojnë degën e tyre të studimit, fakulteti Ekonomik ofron kuota transferimi mjaftueshëm, ndërsa procedura e aplikimit për të interesuarit fillon në muajin shtator. Aplikantët duhet të plotësojnë dokumentacionin përkatës, ku kërkohet lista e notave, vërtetim dhe programet e lëndëve, tha Albani.

Kur fillon plotësimi i formularëve dhe si bashkëpunoni me MASR për kriteret e pranimit të maturantëve në universitet?

Kriteret e Pranimit të Maturantëve përcaktohen nga Departamentet përkatëse dhe pasi miratohen me vendim Dekanati, shpallen dhe bëhen publike. Në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, tashmë prej rreth 3 vitesh ato përcaktohen dhe afishohen në faqen zyrtare të Fakultetit që në muajin Dhjetor, në mënyrë që maturantët të kenë sa më shumë kohë në dispozicion për tu njohur me to. Në Fakultetin e Ekonomisë, UT, Kriteret e Maturantëve janë të pandryshuara në vitet e fundit, pra të njëjta me ato të vitit 2017, 2016, 2015.

Duam të dimë se çfarë duhet të kenë parasysh maturantët gjatë plotësimit të formularëve?

Maturantët që aplikojnë në FE, UT, duhet të kenë parasysh që kriteret e pranimit janë të njëjta me ato të viteve të kaluara. Kriteret e Pranimit të Maturantëve në FEUT janë përkatësisht: 50% mesatarja e thjeshtë e të gjithë notave të lëndëve të marra gjatë viteve të shkollës së mesme, përfshirë ato të maturës shtetërore; 15% gruplënda Matematikë, 15% gruplënda Fizikë, 10% Informatikë dhe 10% Gjuhë e Huaj. Sqarime të detajuara për secilën gruplëndë gjithashtu gjenden në faqen zyrtare të FE, www.feut.edu.al

Sa kuota të lira ka shpallur Fakulteti Ekonomik për pranimin në universitet?

Kuotat e pranimeve nuk janë shpallur ende pasi janë subjekt i vendimmarrjes në momentin e caktuar. Por vitin e kaluar ato kanë qenë 1280 në total dhe përkatësisht, 460 në degën Financë, 460 në Degën Administrim Biznes, 250 në Degën Informatikë Ekonomike dhe 110 në Degën Ekonomisë.

Cilat janë degët më prioritare dhe si mund të arrihen nga maturantët që aplikojnë?

Për të 4 degët ka një kërkesë shumë të madhe nga ana e maturantëve, pasi edhe tregu i punës në këtë fushë është mjaft i gjerë për të gjitha ato. Por vitin e kaluar mund të thuhet që dega më e kërkuar ishte ajo e Administrim Biznes.

Cilat janë risitë e fakultetit tuaj për maturën 2018?

Në lidhje me Kriteret e Pranimit nuk ka asnjë ndryshim. Për shkak të faktit se ato kanë rezultuar të qarta dhe të sakta që vitin e parë, duke mos pasur ankimime dhe duke qenë të kuptueshme për maturantët. Në këtë mënyrë ata nuk përballen me pasiguri në lidhje me kriteret nga viti në vit. Ndërsa në lidhje me mikpritjen e studentëve të vitit të parë, risitë janë të shumta, duke filluar nga informimi gjithmonë e më i plotë me mundësitë e studimit dhe të punësimit, organizimi i aktiviteteve si panaire punësimi e praktikash profesionale, guida studentore për aktivitetet shkollore por edhe sociale në qytetin e Tiranës.

A ka ndryshime në tarifën që duhet të paguajnë studentët?

Prej disa vitesh tashmë, nuk ka asnjë rritje në tarifën e studimit. Kjo të paktën që prej vitit 2014.

Çfarë procedure aplikimi duhet të ndiqet për transferimin e degëve të studimit?

Transferimi në degët e studimit kryhet në muajin Shtator, pra në këtë rast është i mundshëm në Shtator 2018. Kuota transferimi në dispozicion ka mjaftueshëm, pasi ato janë edhe në varësi të numrit të çregjistrimeve, pra të studentëve që largohen jashtë vendit apo në institucione të tjera. Për këtë arsye të gjithë studentët që duan të transferohen në Fakultetin e Ekonomisë, UT, janë të mirëpritur të vijnë dhe të ndjekin studimet e tyre në këtë Fakultet. Dokumentacioni i kërkuar për transferim bëhet gjithashtu publik dhe afishohet në faqen zyrtare dhe në media, por përgjithësisht përmban elementë të thjeshtë si vërtetim, listë notash, programet e lëndëve etj.

Të tjera

Abissnet