Krijohet arkivi i sistemit gjyqësor, pranë Ministrisë së Drejtësisë

Qeveria vendosi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për krijimin e arkivit shtetëror të sistemit gjyqësor, që do të funksionojë pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Arkivi shtetëror i Sistemit Gjyqësor ka për mision ruajtjen, përpunimin dhe administrimin e dokumentacionit gjyqësor, i cili i nënshtrohet procedurës së arkivimit nga gjykatat. Ai do të drejtohet nga drejtori, i cili i raporton ministrit të Drejtësisë.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, të neneve 20, pika 4, e 21, pika 2, të ligjit nr.9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat” dhe të nenit 6, pika 2, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pranë Ministrisë së Drejtësisë të krijohet Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor, me seli në Tiranë. 

2. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor ka për mision ruajtjen, përpunimin dhe administrimin e dokumentacionit gjyqësor, i cili i nënshtrohet procedurës së arkivimit nga gjykatat. 

3. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor kujdeset për menaxhimin e arkivave të gjykatave nëpërmjet aplikimit të teknikave të unifikuara për krijimin, përdorimin, mirëmbajtjen, ruajtjen, transferimin dhe asgjësimin e dosjeve, regjistrave dhe dokumenteve të tjera gjyqësore si dhe sigurimin e aksesit për të interesuarit. 

4. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor mban dhe përditëson regjistrin, në formë shkresore dhe elektronike, të të dhënave mbi dokumentacionin gjyqësor që i nënshtrohet procedurave të përpunimit dhe administrimit. Formati dhe përmbajtja e regjistrit përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor. 

5. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor ka të drejtë të kërkojë dhe të verifikojë, nga kancelarët e gjykatave, zbatimin e njësuar të shërbimit arkivor gjyqësor si dhe çdo informacion, të cilin e konsideron të nevojshëm për ushtrimin e funksioneve të ngarkuara. 

6. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor, nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë, bashkëpunon me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, për zbatimin e metodologjisë profesionale, rregullave dhe kërkesave të ligjit për arkivat. 

7. Arkivi Shtetëror i Sistemit Gjyqësor drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili i raporton ministrit të Drejtësisë. 

8. Drejtori i Arkivit Shtetëror të Sistemit Gjyqësor ushtron kompetencat e mëposhtme: 

a)  Drejton veprimtarinë e përditshme të institucionit; 

b)  Përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët; 

c) Bashkëpunon me gjykatat për realizimin e procedurave për transferimin dhe asgjësimin e dosjeve gjyqësore, në përputhje me kriteret dhe rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për arkivat; 

ç) I propozon për miratim ministrit të Drejtësisë rregulloren e brendshme organizative të institucionit dhe çdo akt tjetër normativ të nevojshëm për caktimin e rregullave për administrimin e dosjeve gjyqësore; 

d) Miraton rregullat tekniko-profesionale, metodikën dhe tipologjinë e unifikuar për shërbimin arkivor gjyqësor; 

dh) Kryen detyra të tjera, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi,  për arkivat dhe për organizimin e funksionimin e administratës shtetërore.

9. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë. 

10. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2015.

/Shekulli Online/E.H./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet