613 kg kokainë nga Kolumbia në Shqipëri, lihet në burg Arbër Çekaj

Pronari i kompanisë “Arbi Garden”, u njoh me masën e sigurisë “Arrest me burg”, nga Krimet e Rënda. Arbër Çekaj është shfaqur i qetë në gjyq, ndërsa qeshte me ironi kur prokurori lexonte akuzat ndaj tij

Xhentila Gjoshi

Arbër Çekaj, pronari i kompanisë që kishte porositur bananet ku u kapën 613 kilogramë kokainë një vit më parë, doli dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Dy ditë pas ekstradimit, ai u përball në Gjykatën e Krimeve të Rënda me akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nëpërmjet dy avokatëve te tij, Çekaj ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas avokatëve, kompania e tij kishte porositur banane dhe ato kishin ardhur të certifikuar si të pastra nga Kolumbia. Më tej, avokati u shpreh se kontenieri duhet te ishte kontrolluar pasi ai të dilte nga magazina për të parë destinacionin fundor, ku do të shkonte lënda narkotike ndërsa ndërhyrja e policisë me urdhër të prokurorisë ka prishur aksionin duke futur në burg persona të pafajshëm. Mbrojtësit e Çekajt kërkuan një masë më të lehtë sigurie, e cila nuk u pranua nga gjykata. Arbër Çekaj, është pronari i kompanisë “Arbi Garden”, në kontenierët e së cilës bashkë me bananet u zbuluan nga policia 613 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kapur e kësaj lënde narkotike. Në burg është lënë menaxheri Donald Lushaj dhe Armando Pezaku, shoferi i kamionit që transportoi kontenierët me banane dhe kokainë drejt magazinave të “Arbri Garden” në Maminas ku u zhvillua dhe operacioni i arrestimeve nga policia që zbuloi kokainën me vlerë 180 milionë euro. Çekaj u shpall në kërkim dhe u arrestua disa muaj më vonë në Gjermani, e cila e ekstradoi në Shqipëri më 19 shtator.

613 kg kokainë

Kokaina ishte transportuar nga Kolumbia në drejtim të Shqipërisë, dhe u kap në vendin tonë nën mbulesën e një kontenieri me banane të kompanisë pasi i kishte shpëtuar kontrollit në disa shtete të tjera. Autoritetet shqiptare pretenduan se operacioni ishte tërësisht i tyre dhe pa bashkëpunimin e agjencive të huaja. 613 kg kokainë është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe vlera e saj në tregun klandestin mund të shkonte deri në 200 milionë euro. Destinacioni i kokainës ishin tregjet evropiane, ndërkohë që dyshohet se Çekaj ka bashkëpunuar edhe me disa persona të tjerë për transportimin e drogës nga Kolumbia drejt Shqipërisë. Menaxheri i kompanisë “Arbri Garden”, Rolando Lushaj dhe shoferi Armando Pezaku, janë arrestuar në Shqipëri nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, lidhur me sasinë e 613 kg kokainë të bllokuar në Maminas të Durrësit. Të dy këta persona rezultojnë të jenë njerëzit që janë paraqitur në portin e Durrësit, ku kanë tërhequr kontenierin e mbushur me banane që vinte nga Kolumbia, por që bashkë me sasinë e bananeve në kontenier ndodhej dhe sasia prej 613 kg lëndë narkotike e llojit kokainë. Të dy punëtorët janë arrestuar sapo kanë filluar shkarkimin e kontenierit. Agjentët i kanë mbajtur atë kohë në vëzhgim të gjithë itinerarin nga Porti i Durrësit në magazinë. Që në momentin e parë të arrestimit Rolando Lushaj dhe shoferi Armando Pezaku, kanë mbetur të habitur kur ka ndërhyrë policia, duke pretenduar se nuk ka asnjë sasi droge në ambientet e kamionit dhe kontenierit. Policisë i është dashur të çmontojë me çelësa vidash dhe troko, një pjesë të kontenierit, ku ka konstatuar pakot me lëndë narkotike Kokainë.

Hetimet

Sasia e kapur prej 613 kilogramë kokainë në Durrës, një vit e gjysmë më parë ngjalli interesin edhe të autoriteteve gjermane. Ata nisën hetimet për trafikun e drogës nga Kolumbia në drejtim të Shqipërisë. Autoritet e drejtësisë gjermane nisën hetimin, duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila në fund të muajit shkurt 2018 sekuestroi 613 kg kokainë dhe arrestoi dy persona, ndërsa shpalli në kërkim Çekajn. Kujtojmë që personi kryesor i këtij trafiku droge, i dyshuari Arbër Çekaj, pronar i kompanisë “Arbri Garden” u arrestua në 14 Maj në Gjermani. Nga çfarë dihet deri më tani është se droga vinte nga Ekuadori dhe mbërrinte në portet gjermane. Pasi magazinohej, anëtarët e grupit shkonin nëpër magazinat e supermarketeve dhe merrnin sasitë e kokainës.

Ekstradimi

Arbër Çekaj është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri tre ditë më parë. Në kontenierët e kompanisë “Arbi Garden”, u zbuluan nga policia 613 kilogramë kokainë, sasia më e madhe e kapur e kësaj lënde narkotike. Lajmin për ekstradimin e tij nga Gjermania, e dha Zv/Drejtoresha e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në një deklaratë për mediat. Arber Çekaj u arratis në Gjermani pas zbulimit në Portin e Durrësit të kokainës së ardhur nga Kolumbia në mars të vitit 2018, dhe kërkoi atje azil politik me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Shkalla e parë e gjykatës gjermane vendosi për ekstradimin e Çekajt në Shqipëri, por më tej pronari i “Arbi Garden”, kërkoi apelimin e vendimit. Arbër Çekaj në aeroportin “Nënë Tereza” u shoqërua me forca të policisë për në ambientet e burgut 313 në Tiranë.

Vrasja e Santiago Malkos, policia shpall në kërkim ndërkombëtar 4 persona

Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim ndërkombëtar katër persona, të cilët dyshohen se janë përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos. Emrat e shtetasve nën hetim dolën pas dëshmisë së dhënë nga 39-vjeçari Blendi Teta. Sipas informacioneve nga policia, mësohet se urdhër-ndalimet për Ilir Sulejmanin, Ervis Metani, Elvis Gaçaj dhe Oltian Loga janë nxjerrë nga prokuroria e Tiranës pas, dëshmisë së dhënë nga Blendi Teta. Ky i fundit është personi i vetëm i cili qëndron në burg për akuzën e “moskallëzimit të krimit”. Nga sistemi TIMS, rezultoi se personat nën hetim nuk janë larguar nga territori Shqiptar, ndërsa nuk përjashtohet mundësia të kenë ikur nga kufiri i gjelbër pa u regjistruar në sistem. Në dëshminë e Tetës u përmenden edhe dy shtetas të tjerë që kanë lidhje familjare më të shpallurit në kërkim. Ata janë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe pas vrasjes së Malkos u shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës por, u lanë sërish të lirë për mungesë provash. Sipas prokurorit Naim Tota, Bendi Teta ishte filmuar nga kamerat e sigurisë duke pirë cigare para se të bëhej atentati në vendin ku u ekzekutua ish-polici Malko. Përfshirja e Blendi Tetës, sipas organit të akuzës, është e faktuar edhe nga përgjimet e bisedave telefonike që ky i fundit  ka kryer me bashkëjetuesen e tij pas atentatit, duke i thënë se, mund ta akuzojnë për vrasje. Santiago Malko u qëllua për vdekje mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e Porcelanit në kryeqytet dhe në atentat morën pjesë të paktën 5 persona.

Hetimet

Në dosjen e prokurorisë që implikon Blendi Tetën në ekzekutimin e Santiago Malkos, janë dhënë detaje para gjykatës. 39-vjeçari u arrestua tri ditë më parë për “pengim të zbardhjes të së vërtetës” dhe “moskallëzim krimi”. Mësohet se Teta ishte ulur për darkë me personat e dyshuar për vrasjen në fjalë, shtetasit me inicialet L. D., e D. A., dhe disa persona të tjerë. Darka ishte në një lokal në posedim të L. D e E. D., në zonën e “Freskut”. Policia ra në gjurmët e Tetës, në momentin kur në afërsi të ish-drejtorisë së pyjores, në rrugën “Dalip Topi”, është gjetur e fshehur një automjet tip “Skoda”, e cila shfaqej në kamerat e sigurisë që janë sekuestruar nga prokuroria. Nga verifikimet ka rezultuar se nga ky automjet, natën e ngjarjes kishte zbritur Blendi Teta. Pas këtij momenti ai ka filluar të shfaqë shqetësim gjatë telefonatave që ka zhvilluar me bashkëjetuesen e tij, duke i thënë se ishte në kërkim për vrasje. “Në këtë vend ku kanë ndaluar L. dhe E., po shikonin në drejtim të automjetit “BMV X5” dhe kanë thënë ‘do të qëndrojmë të katërt në makinë këtu për të ruajtur automjetin “BMV X5” që ishte e parkuar.

Në këtë moment ka dalë roja i kantierit i cili ka thënë të mos parkonin në atë vend pasi dilnin kamionët nga kantieri. Në këto momente I., ka ecur edhe disa metra më tutje ku ka parkuar në anën e djathtë të rrugës sapo kalon kazanët e plehrave. Automjeti tip “Skoda Rromster”, ka qëndruar ndezur dhe Blendi ka zbritur nga vendi ku ka qenë ulur në vendin e djathtë përpara. Ka zbritur dhe ka qëndruar pak në këmbë anës makinës ku ka pirë edhe cigare dhe i ka thënë shtetasit me iniciale L. D., ‘do të largohem’. Këtë ja ka thënë pasi ka kuptuar se ata po ndiqnin automjetin ‘BMV X5’, ngjyrë e zezë dhe se do të ndodhte diçka. L., i ka thënë pse do të ikësh dhe ai i është përgjigjur se do të ikte pasi nuk kishte lidhje me këtë punë. Është larguar deri te lokali që ishte ngjitur me hyrjen e Spitalit nr.5 Aty ka parë I. S., që ka zbritur një moment nga automjeti. Më pas ka hyrë në oborrin e Spitalit nr.5., dhe ka vazhduar rrugën ‘Kongresi Manastirit’ në trotuar në anën e spitalit të fëmijëve ku ka ndaluar te kioska ngjitur me murin e spitalit dhe ka blerë ujë. Aty është vendqëndrimi për taksi dhe ka hipur në një taksi, automjet ngjyrë e verdhë dhe ka shkuar në drejtim të bashkëjetueses S.V., në rrugën ‘Don Bosko’.

Kur taksia e ka lënë përpara hotel ‘Ferrara’ në rrugën “Don Bosko”, është ngjitur në shtëpi dhe rreth 15 minuta pasi ka hyrë në shtëpinë e bashkëjetueses së tij ka qenë duke parë televizor. Aty ka parë në lajme se ishte bërë atentat me armë zjarri një automjeti ‘BMV X5’, ngjyrë e zezë ku kishte mbetur i vrarë me armë një person. Aty ka kuptuar se bëhej fjalë për automjetin të cilin po e ruanin shtetasit, I. S, L. D, E. D, si edhe personat që ishin në automjetin ‘Golf 5’, ngjyrë gri me targë AA221XB. Ai (Blendi) është frikësuar në lidhje me këtë ngjarje dhe që nga ai moment, ka patur frikë sepse kishte qenë pikërisht me këta persona para ngjarjes tek vendi ku kishte qenë i parkuar automjeti ‘BMV X5’. Ditën e nesërme ai ka dalë përsëri në zonën e Freskut dhe në ditët në vijim dhe nuk ka takuar asnjë nga këta shtetas, përveç shtetasin E.M. Kur e ka takuar ka biseduar me të dhe i ka treguar për të gjithë ngjarjen dhe veprimet para ngjarjes. Aty E., është trembur dhe i ka thënë se kishte hallin e automjetit tip “Golf 5” ngjyrë gri. Pasi e kishte të regjistruar me emrin e tij, dhe kishte rreth 6 muaj që përdorej nga shtetasi E dhe L. D”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet