Ben Blushi është fitues i çmimit letrar “European Union Prize for Literature”. Ky titull u jepet autorëve më të mirë të rinj në Europë. Këtë vit atë e fituan edhe 12 shkrimtarë të tjerë. Por kjo është hera e parë që ky çmim i jepet një autori shqiptar. Blushi u nderua me këtë çmim për librin “Otello, Arapi i Vlorës”. Fituesi u shpallën në panairin e librit, në Frankurt “Frankfurt Book Fair”. Ceremonia zyrtare do të bëhet në Bruksel, më 18 nëntor dhe çmimet do të ndahen nga Komisionerja e BE –së për Kulturën.
Konkurimi për këtë çmim është i hapur për vendet që marrin pjesë në “Europe Creative”, një program financimi për sektorët kulturorë dhe krijues të BE –së. Çdo vit, juritë kombëtare në një të tretën e vendeve, -13 juri kësaj here- emërojnë autorët fitues.
“U jap urimet e mia më të përzemërta fituesve të Çmimit Evropian për Letërsinë”, tha Androulla Vassiliou, Komisionere Evropiane për Arsimin, Kulturën, Shumëgjuhësinë dhe Rininë. “Çmimi u kushtohet autorëve më të mirë të rinj dhe në fillimet e karrierës së tyre në Evropë, pavarësisht nga vendi i tyre i origjinës apo gjuha. Qëllimi është të prezantohet letërsia më e mirë bashkëkohore e Evropës, të inkurajohen shitjet përtej kufijve dhe t’u jepet shtysë përkthimit, publikimit dhe leximit të letërsisë nga vendet e tjera. Programi i ri i BE-së Creative Europe ofron grante për përkthimin, duke i ndihmuar autorët të tërheqin lexues përtej kufijve kombëtarë dhe gjuhësorë”.
Për herë të parë, ky çmim është dhënë në vitin 2009. Që prej fillesave të Çmimit në vitin 2009, BE-ja ka siguruar financime për përkthimin e librave të 56 fituesve (nga 59 të tillë) të EUPL, në 20 gjuhë të ndryshme evropiane, duke mbuluar një total prej 203 përkthimesh, mesatarisht 3-4 përkthime për libër. Fituesit përfitojnë gjithashtu nga prezantimi i veçantë në panairet kryesore të librit në Evropë, përfshirë atë të Frankfurtit, Londrës, Goteborgut dhe Passaporta Festival në Bruksel.
Në faqen zyrtare të European Union Prize of Literature, në internet, dhënia e çmimit shoqërohet edhe me një biografi të autorit shqiptar, Ben Blushi. Theksohet fakti se me librin “Otello, Arapi i Vlorës, Blushi u shpall Autori i Vitit, në Panairin e Librit në Tiranë, në vitin 2009.
Ben Blushi lindi më 1969 në Tiranë. Ai ndoqi studimet në Universitetin e Tiranës, për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi. Ka qënë kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”, dhe në 1999 nisi një karrierë politike në kabinetin e kryministrit të Shqipërisë. Për disa muaj, ai mbajti postin e Zëvëndës Ministrit të Punëve të Jashtme dhe në 2011 u emërua Ministër i Arsimit. Aktualisht, Blushi është deputet i PS-së në Parlamentin e Shqipërisë.
Romani i parë i Blushit, “Të jetosh në ishull”, u botua në Prill 2008 dhe u shndërrua në një sukses fenomenal. Brenda disa muajsh, libri u shit në mbi 30,000 kopje, duke vendosur një rekord në tregun shqiptar. Romani i Blushit prej 400 faqesh sjell një përshkrim të historisë së Shqipërisë nën pushtimin Perandorisë Otomane përgjatë shekujve 15-18 duke e trajtuar islamizimin e vendit në mënyrë të gjërë dhe të padebatueshme. Romani i tij i dytë i pritur shumë mirë nga lexuesi, “Otello, Arapi i Vlorës” doli një vit më vonë, për t’u pasuar në 2011 nga romani i tretë “Shqipëria” . Per romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, Blushit iu akordua çmimi “Autor i Vitit” në Panairin e Librit në 2009. Të tre romanet e tij, formojnë një triptike të letërsisë së re dhe cilësore të Shqipërisë dhe përfaqëson një fenomen kulturor që meriton të shkojë përtej Shqipërisë në dekadën e ardhshme. Në Prill, 2014, Blushi botoi një libër me ese të titulluar “Hëna e Shqipërisë”.
Stili narrativ, gjuha e pasur dhe erudicioni i thellë që përmban romani “Otello, Arapi i Vlorës”, e vendos atë ndërmjet veprave më të bukura të letërsisë shqipe. Libri i vendos ngjarjet gjatë viteve 1300-1400, në dy qendra të njohura urbane të Mesjetës, Venecia dhe Vlorë. Konteksti historik është realist dhe krijimi letrar i autorit është kaq shumë i lidhur me faktin historik sa duket se këto ngjarje kanë ndodhur me të vërtetë në Vlorë, 600 vjet më parë, dhe Shekspiri thjesht i mori ato dhe i vendosi në Venecia.
Një nga elementet më intriguese në vepër janë personazhet që janë adoptuar nga një prej tragjedive më të njohura të Shekspirit (Otello, arapi i Venedikut), por të vendosura më shumë se 100 vjet përpara lindjes së Shekspirit. Otello, Dezdemona, Emilia, Jago, Kasio e tjerë janë figura të mirënjohura në letërsi, por në këtë roman ata veprojnë jo vetëm në Venecia, por më shumë në Vlorë, duke ndërvepruar me personazhe të tjera interesante si mjeku i famshëm, Stefan Gjika, djali trim nga Vlora, Andrea dhe pushtuesi turk, Hamiti.
Eshtë e pamundur të kesh Otellon, Dezdemonën dhe Jagon pa xhelozi, tradhti, intrigë, ligësi dhe vrasje në një shoqëri të zhytur në interesa dhe zakone të paskrupullta. Vendosja e ngjarjeve të këtij libri në brigjet veriore të Mesdheut në dy qytete të njohura mesjetare ka frymëzuar autorin të shprehë idetë dhe ndjenjat e tij lidhur me marrëdhëniet social-shpirtërore dhe traditat e kohës. Por, mbi të gjitha Otello, Arapi i Vlorës është një roman dashurie: mënyrën sesi ajo mund të përcaktojë fatin dhe të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve, shpeshherë për shoqëri të tëra.
/atsh/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply