530 mln dollarë vjedhje, arrestohet hakeri shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht

Policia e Shtetit bën me dije se është arrestuar një shtetas në kërkim ndërkombëtar nga SHBA, për vjedhjen e kartave të kreditit, që kapin shumën e 530 milionë dollarëve.

25-vjeçari lindur dhe banues në Fier, Aldo Ymeraj, bënte pjesë në organizatën kriminale kibernetike “Infraud”, e cila është përgjegjëse për 530 milion dollarë dëme.

Kapja dhe arrestimi janë kryer në kuadër të operacionit ndërkombëtar të iniciuar nga SHBA, në bashkëpunim me disa shtete, ndërmjet tyre edhe Shqipëria.

Njoftimi i policisë:

Gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë, nga Sektori Kundër Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me DVP Fier dhe Prokurorinë e Përgjithshme u kap dhe u arrestua shtetasi: A. Y, 25 vjeç, lindur dhe banues në Fier.

Ndaj shtetasit A.Y , ka një urdhër arresti nga SHBA, për vepra të ndryshme penale në fushën e krimit kibernetik, pjesëtar i një organizate kriminale që shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në thellësi të internetit, duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh.

Nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi, 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Grupi i quajtur Infraud, ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar ukrainas dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.

Të tjera

Abissnet