×

Rr. Ismail Qemali, Pallati 18, Kati 1, 1001, Tiranë, Shqipëri
“Shekulli Group”

Kadare më tha: Sakrifikohen më lehtë tre anëtarë të Byrosë se sa unë

Leonard Veizi

Tanimë nuk përbën asnjë problem, por 22 vite më parë ishte krejt e paimagjinueshme që një shkrimtar si Ismail Kadare ta braktiste Shqipërinë, sidomos në ditët e vështira të vitit 1990. Veprimi ishte befasues edhe për vetë miqtë e tij, që ndoshta deri në atë çast nuk kishin kuptuar se ai mund të bënte një “arratisje” spektakolare. Për shumëkënd Kadare ishte njeriu i privilegjuar i rregjmit, “me punë e rrogë të mirë” e me mundësi të pafundme për të shëtitur në botë me “vizën” e shtetit…

..Teodor Laço, shkrimtar e skenarist fort i njohur, e mik i afërt me Ismail Kadarenë, rrëfen detaje nga jeta e tyre e përbashkët në Lidhjen e Shkrimtarëve, “qarkullimin” pas Plenumit IV të Komitetit Qendror, e recensat e ndërsjellat që i kanë bërë njëri tjetrit për libra që dukshëm kanë lëvizur opinionin publik.

Cila ishte situata për shkrimtarët pas Plenumi IV të KQ?

Në vitin 1975, në pranverë filloi një valë e madhe qarkullimeve në bazë, unë i ndodha në një nga momentet më të vështira të jetës. Për disa shqetësime serioze të shëndetit u detyrova të shtrohesha në spital për t’iu nënshtruar një sërë analizash. Kadareja erdhi e më vizitoi dy herë. Mjeku Skënder Dauti, një figurë e famshme dhe e çuditshme, më tha me humor: “Deri sa erdhi dy herë Kadareja, diç do të jesh dhe t’i si shkrimtar”. Këtë parantezë e bëra për të treguar se në ka pasur ndonjë periudhë të jetës sime kur më është dashur mbështetje shoqërore, ngrohtësi, mirëkuptim, ka qenë pikërisht ajo pranverë e ’75-ës. Isha edhe vetë nën psikozën e një të ardhmeje të errët. Pikërisht në ato ditë, më erdhi “Qarkullimi”. Kjo fushatë  tinëzare që rrekej për një pastrim të dytë, disi më të lehtë, pas atyre dënimeve të viteve ’73-’74 me burgosjen e disa shkrimtarëve dhe artistëve si dhe ‘krerëve’ të liberalizimit Fadil Paçrami e Todi Lubonja si dhe dënimeve me vdekje të krerëve të kastës ushtarake, ky “qarkullim” po bëhej gjoja mbi disa kritere për të luftuar ‘shfaqjet e burokratizimit’. Ishte përcaktuar ‘qarkullimi në bazë’ i kuadrove që kishin mbi 10 vjet në të njëjtin vend. Ky ‘kriter’ kapte ata që piketonte Komiteti i Partisë dhe në atë çast këta quheshin pa dyshim njerëz jo të dëshirueshëm. Unë s’kisha mbushur as 5-vjet punë në Lidhjen e Shkrimtarëve e logjikisht ‘qarkullimi’ nuk duhej të më përfshinte. Por, si në rastin tim, ashtu dhe të disa të tjerëve si Vilson Kilica, Ruzhdi Pulaha, Neritan Ceka, Muzafer Korkuti, e deri te aktori i ri Fatos Sela që pat guxuar një herë në RTV të kundërshtonte drejtorin Thanas Nano, vepronin motive me ngjyrime ideologjike ose pakënaqësitë e shefave që gjenin shkak të largonin disa nga ata që nuk i donin. Në disa raste të tjera si ai i kompozitorit Pjetër Gaci e piktorit Danish Jukniu vepronte faktori ‘gra të huaja’ që ata nuk i patën ndarë gjatë asaj valës së prishjes me revizionistët.

Ku do t’ju transferonte kjo valë?

Më thanë ‘të qarkulloja’ në Korçë. Unë preferova Fierin. Mendova se po të rikthehesha në qytetin tim, atmosferën do ta kisha edhe më të keqe sepse pikërisht aty ishin bërë kritikat e mbledhjet më të egra kundër librit tim “Ajri i Ftohtë”. Kurse artikulli redaksional në “Drita” për novelën “Ditë dhe net që mund të vijnë” me akuzën se unë paskësha qenë përhapësi i teorisë ushtarake ‘të rrëshqitjes’ në letërsi, ‘teori’ që hëngri disa koka gjeneralësh, porsa ishte botuar. E vetmja kërkesë që bëra ishte të më çonin si shkrimtar në profesion të lirë. Veç asaj, si për të plotësuar kuadrin e njohjes së jetës, po vinin në bazë edhe mjaft shkrimtarë e artistë në profesion të lirë të cilët nuk patën rastin ta provojnë këtë metodë kineze në vitin ’67 kur u bë zbritja e parë në bazë e krijuesve. Por kërkesën time, Organizata Bazë e Partisë e hodhi poshtë. Të vetmit që më mbrojtën ishin Ismail Kadare e Llazar Siliqi. Këto unë i merrja vesh nga shoku im i vyer Faik Ballanca, i posa pranuar kandidat partie. Por edhe në rastin e Ballancës, e çmova guximin qytetarët të Kadaresë në mbrojtje të talenteve të vërteta të letërsisë, me prirje novatore. Kjo ngjarje ka ndodhur rreth majit të ’73 në një periudhë kur gjuetia e shtrigave në letërsi e art po bëhej përditë e më e ashpër. Viktimat tani kërkoheshin jo vetëm midis veprave të botuara, por edhe atyre që ishin dorëzuar për botim. Zelli i drejtuesve dhe ndonjë redaktori tek “Naim Frashëri” për të zbuluar ato që u pagëzuan si ‘ndikime të huaja’ i kalonte caqet jo vetëm si barrierë për të ndaluar gabimet, por edhe duke i bërë ‘problem’ ato dorëshkrime ku sipas tehut të mprehtë të vigjilencës dilnin më hapur letrat që kishin shkrimtarët në kokë. Ky vrundull i marrë përfshiu edhe romanin e Ballancës “Nomeja e largët”, dorëzuar para pak kohësh. Në vitet kur bëja ‘qarkullimin’ në Fier, Kadareja më ndihmoi shumë për botimin e romanit “Lëndina e lotëve” për të cilën bëri reçencën kryesore. Në atë kohë unë isha në periudhën e shikimit së paku me sy përgjues dhe për një roman që s’kishte asgjë nga gjurmët e ideologjisë, sepse merrej me dramën e kurbetit në vitet ‘30 reçenca e tij ishte vendimtare për botimin e tij. Ndërkohë që edhe unë bëra reçensat për “Prilli i thyer” e “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Ky i fundit nuk ishte aspak i lehtë.

Si do përjetohej largimi i Kadaresë për në Francë ku kërkoi dhe strehim politik?

Arratisjen e Kadaresë e mësova duke udhëtuar për në Korçë, më 26 tetor, ditë e enjte. Ishim në një mikrobus me Ruzhdi Pulahën, Nexhati Tafën, Spartak Pecanin dhe ime shoqe Loreta. Qëndruam në Pogradec.. Taku e Xhati zbritën për në hotel. Do të punonim një skenar. Ruzhdiu, që i kishte ngrënë nga katër vjet ‘qarkullim’ në Pogradec, doli të kërkonte ndonjë të njohur. U kthye shpejt, kundër zakontit të tij. Merrte frymë i emocionuar. “Agjencitë e huaja thanë se Kadareja kërkoi strehim politik”, – tha. -“Është e pamundur! Përse do ta bënte?” – thashë vetvetiu. – “Është e sigurt. Porse dëgjuam Radio Shkupin”. Ia thashë Nexhatit. Ai përgatitej të shkonte në Francë, në Festivalin e filmit në Montpelie. Aty ishte pranuar për t’u shfaqur filmi i regjisorit Esat Musliu. “Vitet e pritjes”, skenarin e të cilit e kishim shkruar të dy, sipas motiveve të romanit tim, ‘Lëndina e lotëve”. Kadareja ishte zgjedhur kryetar i jurisë së festivalit. Logjika e parë që na zotëroi të gjithëve ishte ajo që e kishim mësuar prej vitesh. Ndonëse ishim shokë, ku i dihej? Pra, logjika e dënimit. “S’kishte asnjë arsye! Këtu ia patën thënë të gjitha”. Në Korçë, në orën 20’30 u konfirmua çdo gjë. Shumë shpejt çështja u fokusua në një pyetje të vetme. Bëri mirë apo keq për kombin? Kjo mënyrë e të shtruarit të problemit do të thoshte se shkrimtari Kadare zhvendosej diku në periferi dhe mbetej raporti tjetër, kombi dhe një nga shpresat e tij, jo thjesht si shkrimtar me famë por si një personalitet i plotë brenda zhvillimeve politike. Në një bisedë me shokun tim të ngushtë Gaqo Mindilin, kureshtjes së tij të pashuar që e bënte të rreptë e të papajtueshëm me diktaturën, iu përgjigja se Kadareja bëri shumë më keq se sa mirë sepse këtu nuk e kërcënonte asgjë, kurse largimi i tij do të rigjallëronte krahun më konservator të PP duke iu dhënë argumente të reja kundër intelektualëve të artit.

Cili ishte qëndrimi zyrtar i shtetit në atë kohë?

Sa për qëndrimin zyrtar, edhe ai vlen të komentohet. Në fillim mobilizuam skalionet e besnikëve nga radhët e shkrimtarëve për ta denoncuar ‘tradhtinë’ e tij. Midis tyre kishte nga ata që Kadareja kishte mbajtur afër, i kishte ndihmuar të afirmoheshin dhe që deri ditët e fundit bënin pjesë në atë grup djemsh që quheshin ithtarët e tij më të zjarrtë. Pas një deklarate të shkurtër, thelbi i së cilës fokusohej te ‘dezertimi’, pasoi një ndërkohë e shkurtër hutimi. Mirë që njeriu Kadare do të damkosej, po me veprën e tij ç’do të bëhej? Me atë vepër që zinte kapitujt kryesor të teksteve dhe antologjive shkollore, që ishte botuar në 12 vëllime të plota, që mbushte raftet e bibliotekave e librarive. Në rastet e tjera kur ishin goditur shkrimtarë të përmasave më të vogla, zgjidhja kishte qenë e thjeshtë: bashkë me individin ‘burgosej’ ose zhdukej edhe vepra. Kjo quhej “heqje nga qarkullimi”. Për Kadarenë u vendos: “Autori dënohet, vepra mbetet”. Shkaku nuk ishte vetëm përmasa e veprës së tij, ndonëse edhe pse ky faktor nuk mund të mos merrej në sy. Shkaku ishte emri dhe prestigji i tij gjithnjë në rritje, sidomos në Francë. Ndonëse me shumë mënyra të stërholluara, ai mund të mbahej në survejim, t’i bëhej presion psikologjik dhe t’i shkaktoheshin trauma shpirtërore, dënimi publik sipas modelit: ‘t’i shuhet emri dhe fara’ nuk ishte e lehtë të zbatohej. Kadareja vetë e dinte këtë. Një herë më tha në intimitet: – “Është më lehtë të sakrifikohen dy-tre anëtarë të Byrosë se sa unë”.

 

Vizita në apartamentin e ri

Kadare, shkrimtari që kishte dobësi boksin

Ismail Kadarenë e kam njohur në fillim të viteve ‘70. Edhe më parë ishim takuar në ndonjë mbledhje shkrimtarësh, por ato takime të pamjaftueshme për të krijuar ndonjë lidhje. Rreth vitit ’67 botova librin me tregime “Rruga e bardhë” i cili po vlerësohej nga kritika zyrtare, më erdhi në vesh një opinion i tij negativ për këtë libër. Natyrisht s’më erdhi mirë. Por disa vite më pas e pashë se ai vëllim kishte mjaft tregime skematike. Në vitet ’70-’72 kur isha transferuar nga Korça në Tiranë e bëja jetë beqari se nuk po më jepnin shtëpi, ndodhte të takoheshim nëpër mjedise të ndryshme, herë tek i vëllai Shahini për të parë ndonjë ndeshje boksi në televizor e herë në klubin e Lidhjes. Nga të gjitha sportet, dobësinë e vetme ai e kishte për boksin. Sportet e tjera as nuk i njihte, as nuk i përfillte. Më vonë i hyri në qejf shau por e luante në mënyrë shumë mediokre. Nja dy herë na mblodhi në shtëpinë e tij. Kishte dëgjuar se unë i bija kitarës dhe ishte kuriozë të më dëgjonte. Në atë kohë kishte marrë e mobiluar apartamentin e bukur në rrugën e Dibrës, që ne na dukej si kulmi i modernes e komoditetit. Kishte një bibliotekë të madhe, studio më vete, dhe shumë tablo që ia dhuronin piktorët. Ishte në profesion të lirë dhe kushtet e tij, në përqasje me në të tjerët, ishin ku e ku më të mira, por unë nuk e kam pasur asnjëherë smirë për këtë gjë. Isha i bindur se ai i meritonte, madje dhe shumë më tepër se kaq. Një kat më lart, këtë mënyrë jetese kishte filluar të ngrinte dhe “rivali” i tij, Dritëro Agolli. Në këtë kohë libri i Kadaresë që më pat mahnitur më shumë ishte “Kronikë në gur”. Ndonëse kritika shtihej dita ditës pas “Gjeneralit…” edhe për shkak të mesazhit të tij, universal, por dhe shqiptar, unë jam i bindur se kryevepra e tij mbetet “Kronika…”

 

Diktatura i bëri lëshime famës së tij

Kadare nuk u arratis, iku legalisht në Francë

Në fund të vjeshtës ’90, arratisja e Kadaresë ka qenë një nga ngjarjet më të bujshme e të komentuara. Në të vërtetë, fjala ‘arratisje’ nuk është ajo e sakta. Ai u largua për në Francë në mënyrë legale, i pajisur me vizë të rregullt për veten dhe familjen, ashtu siç kishte ndodhur edhe më parë, sepse botimi i veprave të tij letrare tashmë ishin bërë një ngjarje kulturore që nuk mund të pengohej. Historikisht, edhe diktaturat më të egra janë detyruar të bëjnë lëshime para famës që figura të veçanta ia kanë dalë ta marrin në vende të tjera. Kjo tërheqje mund të ketë disa shpjegime, por gjithsesi dy mbeten kryesoret: E para, sepse ndonëse veprojnë me logjikën e sistemeve totalitare, propaganda e tyre përkundrazi predikon se pikërisht ky sistem përfaqëson një formë të përsosur demokracie e cila i përgjigjet dëshirës e interesave mbarë popullore. Në këtë kontekst, këto regjime janë të detyruara që herë-herë të japin shenja tolerance dhe rasti më i mirë është të lejojnë e madje të nxitin artistë të veçantë që të afirmohen me veprat e tyre nëpër botë. E dyta, afirmimi e fama e tyre gjithashtu, besohet se do të ndihmojnë për krijimin e një imazhi më të mirë për vetë regjimin sepse, ja “a nuk u rrit ky gjeni në klimën të cilën ju e përflisni si ndrydhëse e mbytëse për lirinë e fjalës e për talentet?”. Kjo kozmetikë përdoret gjithmonë, me përjashtim të rasteve të veçanta kur regjimet shpallin programe fundamentaliste që sfidojnë sistemet shoqërore të botës demokratike.

 

Opinioni për shkrimtarin: I privilegjuari i sistemit

Kadareja kërkoi strehim politik por ky term që ishte deri diku i panjohur për shqiptarët, njehsohej lehtësisht me fjalën ‘arratisje’, dhe kështu ai merrte imagjinatën e njerëzve në ngarkesë emocionale më të madhe, vishej me rrezikun e aventurës që e kishin provuar mjaft njerëz ose që e kishin dashur shumë të tjerë, për ta varrosur pastaj… Kundërveprimi i parë, ai zyrtar po se po, por edhe ai i pashpallur, ishte negativ. Në sytë e njeriut të zakonshëm që nuk kishte qenë afër tij dhe që nuk mund t’i dinte dertet, hallet, atmosferën përgjuese që e rrethonte, Kadareja shihej si një njeri i privilegjuar. Vërtet, thuajse të gjithë e pranonin se ai e meritonte atë trajtim të veçantë që i bëhej, atë farë ‘komoditeti’ që shteti ia pat krijuar prej disa vitesh (apartament i gjerë, veturë…) por ama ç’kërkonte më tepër? Qytetari i thjeshtë që gjykon vetëm çastin, s’mund të akuzohet përse nuk arrin të shohë më larg. Sikur Kadareja ta bënte këtë veprim në një kohë tjetër, nja dy vjet më parë, kur njerëzve po iu vinte thika në kockë nga skamja dhe vizioni i së ardhmes ishte fare i zymtë, reagimi mund të kishte qenë tjetër: “Çua bëri mirë!” Mirëpo situata kishte ndryshuar. Ishte ngjallur një shpresë, shpresa e ndryshimeve për mirë. Njëri nga ata që me figurën e tij bëhej garant i kësaj shprese, ishte ai. Emri i tij, tashmë si një figurë politike e së ardhmes, si një Havel i Shqipërisë, qarkullonte nëpër valët e radiostacioneve të huaja. Studentët e dhjetorit e vunë emrin e tij në pankartat e demonstratave. Në atë kohë, ata nuk i dinin motivet e thella të largimit të Kadaresë. E shumta që mund të merrnin me mend ishte se një përpjekje e tij për dialog me Ramiz Alinë kishte dështuar. Largimi i tij që veniste disa shpresa, nga kundërshtarët e Kadaresë, shumë prej të cilëve kanë qenë shkrimtarë, shpjegohej si një shfaqje tipike e karakterit të tij të diskutueshëm: “Sepse ai, sa i madh është si shkrimtar, aq i vogël është si njeri”, komentonin me cinizëm kafeneve ish-kolegët e tij. Gjesti i tij u quajt i gabuar, i dënueshëm, së paku i qortueshëm edhe nga intelektualë të tjerë të njohur të diasporës, të Kosovës e deri në SHBA, që nga Rexhep Qosja e deri te Nikolla Pano. Tipik ishte qëndrimi i Adem Demaçit në një letër të hapur ku pasi vinte në dukje meritat, arrinte në përfundimin se ky veprim ishte pak a shumë një dezertim nga llogoret e frontit të luftës për demokraci dhe më gjerë për çështjen kombëtare.

 

Qëndrimi zyrtar

Foto Çami: “Akti është i dënueshëm, vepra mbetet”

Më 30-31 tetor 1990, në Korçë u mbajt një Konferencë e talenteve të reja ku pati diskutime e qëndrime të guximshme. Ato silleshin rreth së drejtës për të kritikuar hapur ato dukuri që tashmë nuk mund të fshiheshin, midis të cilave ishin edhe privilegjet e kastës që përkundër predikimit komunist të një barazie sociale, dëshmonin për shtresime të dallueshme. Ishte një sallë e elektrizuar e cila me vështirësi mund të drejtohej nga presidiumi. Vetëkuptohej, ngjarja e ditës që quhej Kadare, nuk mund të lihej mënjanë, aq më shumë në një auditor me letrar. Foto Çami, autoriteti më i lartë i partisë që merrte pjesë, e kaloi këtë situatë me një frazë telegrafike: “Akti është i dënueshëm, vepra mbetet”. Ky përfundim u prit e duartrokitje të gjata. Një ditë pas arratisjes, nga programet e RTV ishte hequr dramatizimi “Kush e solli Doruntinën”. Për tri ditë qëndrimi po ndryshonte. Në ditët e mëvonshme u duk se lart ishte vendosur që taktika më e përshtatshme do të ishte ajo e heshtjes dhe injorimit. Pas dy deklaratave në “Drita” dhe “Zëri”, shtypi nuk foli më. Një heshtje e plot u ngrit rreth intervistës së tij në “Le Mond” si dhe ndaj komenteve të radiove të huaja. Buletinet e ATSH që ishin për përdorim të brendshëm, megjithatë e botuan intervistën. Shkaku kryesor i largimit ishte zhgënjimi, shkruante. Zhgënjimi është më i keq se sa shtypja. Kjo donte të përforconte bindjen se kombi, atdheu që sipas propagandës ishin më të kërcënuar se kurrë nga armiqtë, kishin halle ku e ku më të mëdha se kokëçarjet që po ua sillte individi Kadare. Koha provoi se kjo taktikë i përngjiste asaj të strucit. Ikja e Kadaresë ishte shuplaka më e fortë që i jepej farsës që po vinte në skenë Ramiz Alia. 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

gif

E FUNDIT/ Anglia fillon kthimin mbrapsht të azilkërkuesve, ja shteti ku do dërgohen

E FUNDIT/ Anglia fillon kthimin mbrapsht të azilkërkuesve, ja shteti ku do dërgohen

Publikuar më 14.04.2022
Qeveria konservatore e Britanisë së Madhe ka bërë një marrëv...

Qeveria konservatore e Britanisë së Madhe ka bërë një marrëveshje me Ruanda-n që të dërgojë në vendin e Afrikës Lindore, një numër azilkërkuesish. Ky hap i ndërmarrë nga qeveria është kundërshtuar nga disa politikanë dhe grupet e refugjatëve të cilët e kanë cilësuar si jonjerëzore, jo efektive dhe humbje të parave publike. Sekretari i Brendshëm […]

Lexo më shumë

Është konfiskuar jahti më i madh në botë që i përkiste motrës së oligarkut rus Usmanov

Është konfiskuar jahti më i madh në botë që i përkiste motrës së oligarkut rus Usmanov

Publikuar më 14.04.2022
Autoritetet gjermane kanë sekuestruar jahtin më të madh në b...

Autoritetet gjermane kanë sekuestruar jahtin më të madh në botë që i përket motrës së oligarkut rus Alisher Usmanov dhe Gulbakor Ismailova. Varka luksoze “Dilbar” është sekuestruar nga autoritetet e Hamburgut, bëjnë të ditur mediat gjermane. Jahti rus Usmanov mund të strehojë 24 persona dhe ka, ndër të tjera, një pishinë 80 metra dhe dy […]

Lexo më shumë

Gjermani/ Grupi i personave që kundërshtojnë procesin e vaksinave planifikojnë të rrëmbejnë ministrin e Shëndetësisë Karl Lauterbach

Gjermani/ Grupi i personave që kundërshtojnë procesin e vaksinave planifikojnë të rrëmbejnë ministrin e Shëndetësisë Karl Lauterbach

Publikuar më 14.04.2022
Një grup personash të cilët janë edhe kundërshtar të procesi...

Një grup personash të cilët janë edhe kundërshtar të procesit të vaksinimit kanë komplotuar për rrëmbimin e Ministrit gjerman të Shëndetësisë, Karl Lauterbach dhe të kryejnë rrëmuja të cilat synojnë përmbysjen e demokracisë, sipas gazetës gjermane Bild. Por autoritetet gjermane vepruan në kohë dhe në mënyrë efektive, duke kapur rrëmbyesit e mundshëm të 59- vjeçarit […]

Lexo më shumë

SHOKUESE / Ushtari rus telefonon gruan, ajo “i jep leje”: Përdhuno ukrainaset, por të paktën përdor mbrojtje

SHOKUESE / Ushtari rus telefonon gruan, ajo “i jep leje”: Përdhuno ukrainaset, por të paktën përdor mbrojtje

Publikuar më 13.04.2022
Një tjetër telefonatë e përgjuar hedh dritë mbi krimet çnjer...

Një tjetër telefonatë e përgjuar hedh dritë mbi krimet çnjerëzore që po kryejnë ushtarët rusë në Ukrainë. Sipas transkriptit të bisedës, një ushtar rus që ndodhet në Ukrainë ka telefonuar gruan e tij, teksa kjo e fundit i ka sugjeruar të përdhunojë gra ukrainase por duke përdorur mbrojtje. Gruaja: Po mirë, bëje. Përdhuno gratë ukrainase […]

Lexo më shumë

E tmerrshme në Shangai/ Video, qytetarët rrëmbehen nga shtëpitë e tyre dhe dërgohen në kampe karantine

E tmerrshme në Shangai/ Video, qytetarët rrëmbehen nga shtëpitë e tyre dhe dërgohen në kampe karantine

Publikuar më 13.04.2022
Pamje të pabesueshme vijnë nga Shangai, qyteti me 25 milionë...

Pamje të pabesueshme vijnë nga Shangai, qyteti me 25 milionë banorë që tani i ngjan një fortese të pafundme, me autoritetet lokale që përdorin çdo mjet për të penguar banorët të largohen nga shtëpitë e tyre. Videoja e fundit, e cila është vërtet tronditëse, por tregon edhe shkeljen e të drejtave elementare të njeriut, tregon […]

Lexo më shumë

Kaos në New York, njerëz të gjakosur përtokë lëshojnë ‘thirrje dëshpëruese’ për ndihmë

Kaos në New York, njerëz të gjakosur përtokë lëshojnë ‘thirrje dëshpëruese’ për ndihmë

Publikuar më 12.04.2022
Mediat amerikane janëduke raportuar për një sulm të ndodhur ...

Mediat amerikane janëduke raportuar për një sulm të ndodhur pak më parë në metronë e Brooklyn-it në New York ku dyshohet se ka edhe viktima. Përdorues të rrjeteve sociale shkruajnë se fillimisht kanë dëgjuar të shtëna në metro gjatë orëve të mëngjesit ku njërezit janë në lëvizje, ndërsa më pas kanë parë të dalë tym. […]

Lexo më shumë

Fëmijët ukrainas u dogjën të gjallë në dhomën “furrë”, Rusia vepron si Gjermania me hebrenjtë

Fëmijët ukrainas u dogjën të gjallë në dhomën “furrë”, Rusia vepron si Gjermania me hebrenjtë

Publikuar më 08.04.2022
Ashpërsia e sulmit rus në Ukrainë duket se ka qenë tepër e m...

Ashpërsia e sulmit rus në Ukrainë duket se ka qenë tepër e madhe. Mediat e huaja shkruajnë se në fshatin Husarivka të Kharkivit, është ngritur një dhomë torture, në të cilat, digjen për së gjalli gra e fëmijë. Kjo është raportuar nga policia ukrainase nëpërmjet një postimi në rrjete sociale. Pasi ukrainasit rimorën kontrollin e […]

Lexo më shumë

Trupat ruse morën peng për 1 muaj të gjithë fshatin, i mbajtën në bodrum dhe i detyruan të flinin mes kufomave

Trupat ruse morën peng për 1 muaj të gjithë fshatin, i mbajtën në bodrum dhe i detyruan të flinin mes kufomave

Publikuar më 08.04.2022
Trupat ruse kanë mbledhur banorët e një fshati ukrainas dhe ...

Trupat ruse kanë mbledhur banorët e një fshati ukrainas dhe i kanë mbajtur për 4-javë të mbyllur në një bodrum të ngushtë, ku gjendeshin kufomat e 12 personave. Yahidne, 80 milje në verilindje të Kievit dhe pak jashtë qytetit të dikurshëm të rrethuar të Chernihiv, u pushtua nga forcat ruse në fillim të luftës. Ushtarët […]

Lexo më shumë