“Përndjekja” e dytë

Tanush  Kaso

Kohë pas kohe, në gazetën “Telegraf”, del z. Simon Miraka, ish drejtori i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë nga viti 2002 e deri në nëntorin e vitit 2013. Tani që është larguar me dhimbje nga ajo karrige, të cilën e mbajti për më shumë se dhjetë vjet, me një rrogë mbi 1.200.000 lekë (të vjetra), ai jep mendime e sugjerime të vonuara, “pas të vjelave”. Shpesh, mendimi i tij “ndryshe”, bie ndesh me të vërtetat si dhe me interesat e ish të burgosurve politikë.  Kështu, p.sh., në gazetën “Telegraf” të dt.15 nëntor 2013, ai thotë se “Largimi im ishte politik”; por, nuk tregon se edhe emërimi i tij në vitin 2002, kur qeveriste koalicioni i majtë, ishte më tepër se sa politik. Ndërkohë, ai anashkalon edhe faktin se prej rreth katër vjetësh, vazhdonte të qëndronte në atë detyrë në kundërshtim me ligjet, mbasi e kishte mbushur dhe tejkaluar moshën e pensionit. Pra, në rastin e këtij 69-vjeçari, veproi ligji dhe jo politika. Sepse, tek e fundit, ai nuk mund të ishte i përjetshëm në krye të IIPP, mbasi nuk e gëzonte një mandat të tillë.

   Duke e parandjerë kohë më parë largimin e pashmangshëm nga ajo fole e ngrohtë, z. Miraka vuri në përdorim “taktikën e tokës së djegur”, duke e çuar në zero llogarinë bankare të Institutit të Integrimit dhe duke mos lënë pas asnjë veturë për nevojat e atij institucioni shtetëror. Në gazetën “Telegraf” të dt. 22 janar 2014, në një “Forum” ku “Flasin Simon Mirakaj, Kurt Kola dhe Reshat Kripa”, mendimi i tij është ndryshe nga ai i këtyre dy ish të burgosurve politikë. Pyetjes së gazetares Ledjana Saliu “A mendoni se ish të përndjekurit po përdoren nga politika?”, ai i përgjigjet prerazi: “Unë mendoj që të përndjekurit nuk përdoren nga politika”. Ndërsa z. Kurt Kola shprehet ndryshe: “me të thënë të vërtetën, jemi përdorur që në fillimet e demokracisë.” Edhe z. Reshat Kripa pohon se: “Deri në një farë mase po, sidomos nga qeveria e sotme”. Por, mendimi “ndryshe” i z. Miraka bëhet i papranueshëm, kur bie ndesh me interesat e ish të burgosurve politikë, siç është ai i shprehur në gazetën “Telegraf” të dt.04 shkurt 2014, ku ai thotë se “Fondi i mangët, s’i përballon gjithë të moshuarit”. Dhe përpiqet t’i vijë në ndihmë qeverisë me këtë “zgjidhje”: “Pension mujor për të moshuarit”! Me këtë propozim të tij, ish të burgosurit politikë dhe familjarët e tyre, janë ndier të fyer dhe të indinjuar së tepërmi. Sepse: ku e gjen atë të drejtë z. Miraka, që  t’ua heqë atyre dëmshpërblimin financiar të garantuar nga ligji dhe t’i shumëzojë me zero vitet e vuajtjeve të tyre si dhe punën e papaguar? Krejt ndryshe nga ai janë shprehur zotërinjtë Kurt Kola e Reshat Kripa, të cilët e kanë provuar mbi kurrizin e tyre peshën e rëndë të burgjeve komuniste. Kurt Kola: “nëse dëmshpërblimin nuk e merr njeriu që e ka vuajtur dënimin, do të ishte pa vlerë ta marrin të tjerët.” Reshat Kripa:  “Unë mendoj që fillimisht të shlyhen ata që janë gjallë”.

Kjo që thonë këta bashkëvuajtës të burgjeve, është ajo e kërkuar prej kohësh dhe e pranuar tanimë nga qeveria aktuale. Për hir të humanizmit, është parë si më e drejtë që dëmshpërblimi të fillojë nga të sëmurët e të moshuarit që jetojnë dhe që kanë vuajtur ndër burgje dhe nëpër kampet e punës së detyruar e të papaguar. Instituti i Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, i ka pasur të gjitha mundësitë (fondet, kompiuterat e dikur edhe inspektorë nëpër rrethet), për të nxjerrë me saktësi numrin e ish të burgosurve dhe të internuarve politikë që janë gjallë, moshat dhe sëmundjet e tyre. Kjo do ta kishte ndihmuar edhe procesin e dëmshpërblimit. Por, ai nuk e ka bërë këtë, për mungesën e përkushtimit dhe të aftësive drejtuese. Para dy-tre vjetëve, Instituti i Integrimit ka hamendësuar për rreth dymijë ish të burgosur politikë të gjallë. Po sipas të dhënave të shoqatave, ky numër është më i vogël se 1500 veta, nga të cilët, pothuajse gjysma  kanë kryer më pak se dhjetë vjet burg, që do të thotë se fatura financiare e dëmshpërblimit të tyre është e përballueshme, qoftë edhe vetëm me buxhetin e caktuar për këtë vit. Mirëpo, z. Miraka nuk është dakord as me ish-të burgosurit politikë dhe as me qeverinë, sepse atë, gjoja, e ha meraku i “buxhetit të shtetit”. Prandaj, ai e vret mendjen dhe gjen këtë zgjidhje “gjeniale”, që nuk i kishte shkuar ndërmend as qeverisë: Ish-të burgosurit politikë, të moshuar e të rraskapitur nga vuajtjet e nga varfëria, të heqin dorë nga dëmshpërblimi dhe të mjaftohen me një pension, të cilin mund ta gëzojnë vetëm për ato fare pak vite që u kanë mbetur për të jetuar!

***

 Është ende i freskët premtimi i bërë nga kryeministri i sotëm, z. Edi Rama, gjatë fushatës elektorale të verës së kaluar: “Të sëmurët dhe moshat mbi 70-vjeç, që kanë vuajtur nëpër burgje, do të dëmshpërblehen tërësisht brenda vitit të parë të qeverisjes. Ish të dënuarit e tjerë, që janë gjallë, do të dëmshpërblehen krejtësisht, brenda dy viteve në vazhdim”.  Ne jemi në pritje të realizimit të këtij premtimi, ndonëse po i afrohemi gjysmës së vitit të parë dhe ende nuk po duket fillimi. Ka vetëm fjalë nëpër gazeta, që dalin nga Ministria e Drejtësisë dhe nga ajo e Financave, të cilat nuk përputhen me ato që janë thënë më parë. Tani po thuhet se do të fillohet me ata që i kanë dorëzuar dokumentet me vonesë dhe nuk kanë marrë as këstin e parë dhe as të dytin dhe që përbëjnë një shifër mjaft të madhe e të papërcaktuar mirë. Po të jetë kështu, atëherë të sëmurët dhe të moshuarit duhet të presin gjersa të vdesin. Dhe për të tjerët që janë gjallë, do të duhen edhe shumë vite të tjera. Ka një pështjellim informacionesh, të cilat duhen sqaruar sa më parë nga qeveria dhe Kryeministri, i cili ka premtuar mbylljen e kapitullit të dëmshpërblimit të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, brenda këtij mandati. Sa për pensionin, kjo është një e drejtë tjetër, të cilën e gëzojnë edhe ish-të dënuarit politikë, ashtu si të gjithë shtetasit e tjerë të Republikës së Shqipërisë; me përjashtim të ish-ushtarakëve, për të cilët qeveria e mëparshme, ka dhënë tre lloje pensionesh: “të pleqërisë”, “të parakohshëm” dhe “suplementar”.

 Në të vërtetë, ekziston edhe një tjetër pension, i cili më së shumti qëndron nëpër sirtarë zyrash dhe rrallë herë vihet në zbatim. Ai quhet “Pensioni i posaçëm shtetëror”, dekretuar me Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, të cilin e përfitojnë: “ata persona që kanë marrë pjesë në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare; në lëvizjet popullore; në luftën kundër pushtuesve nazifashistë brenda dhe jashtë Shqipërisë; në mbrojtjen e kufirit dhe ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë; në lëvizjen demokratike dhe që kanë merita të veçanta; ata që kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë dhe politikës; ata që kanë vuajtur nga persekutimi politik nën regjimin komunist”. Mirëpo, sa nga këta të fundit, të persekutuarit, e kanë përfituar pensionin e posaçëm shtetëror gjatë këtyre 23 viteve “të tranzicionit demokratik”? Nuk janë më tepër se 10-15 persona! Ka shumë të tjerë që e meritojnë plotësisht këtë lloj pensioni; madje, që e kanë kërkuar atë dhe nuk iu është dhënë. Ndër këta, mund të përmendnim disa dhjetëra ish të burgosur të nderuar, që Shoqata e jonë ua ka plotësuar dokumentet përkatëse dhe ia ka përcjellë kërkesat e tyre Këshillit të Qarkut, i cili i ka miratuar e pastaj ia ka kaluar Prefekturës.

Kjo gjithashtu i ka miratuar dhe ia ka dërguar Kryeministrit për firmën e fundit. Aty kanë ngecur prej më shumë se dy vjetësh, rreth njëqind kërkesa për pensionin e posaçëm, të ish të burgosurve politikë të ndershëm e të merituar, por të paangazhuar me ndonjë forcë politike. Pra, ajo që iu mungonte atyre, ishte “partishmëria”. Për këto kërkesa ka qenë në dijeni edhe ish drejtori i Institutit të Integrimit, z. Miraka, por ai nuk ka guxuar të ndërhynte tek ish-kryeministri, për miratimin e tyre. Ai ndofta e di se në Tiranë jeton prej disa vitesh i verbuar dhe në gjendje të mjeruar ekonomike, ish i burgosuri politik Maksut Xhimaka, i cili mbahet mend si një nga qëndrestarët dhe guximtarët, që e ka sfiduar diktaturën, duke u arratisur në mënyrë spektakolare midis breshërive të plumbave, nga kampi i Fushë-Krujës.

I paralizuar prej disa vitesh, qëndron i mbyllur në shtëpinë e tij edhe ish i burgosuri i nderuar Hysen Xhiku. Në qytetin e Korçës, gjendet prej më shumë se njëzetë vjetësh, i verbuar nga torturat e policëve të burgjeve, ish i burgosuri politik Urim Elezi, i njohur për qëndrimin e tij heroik ndër burgje e kampe. Në Vlorë është Patriot Xhelo, i njohur për qëndresën e tij stoike ndër burgje, si dhe për hedhjen mbi telat me gjemba në Kampin e Laçit, ku u qëllua me breshëri automatiku nga    rojet, pasojat e të cilëve i ndjen edhe sot e kësaj dite. Këta dhe shumë ish të burgosur të tjerë të vërtetë politikë, që kanë përballuar me dinjitet dhe e kanë sfiduar diktaturën komuniste, të cilët edhe gjatë këtyre 23-vjetëve kanë luftuar për rivendosjen e drejtësisë dhe për mbrojtjen e vlerave demokratike, sigurisht që e meritonin një pension të posaçëm. Ky do të ishte sadisfaksioni i fundit që do të mund t’u epej nga shteti demokratik. Por, kjo nuk ka ndodhur. Dhe ish drejtori i Institutit të Integrimit i ka kaluar në heshtje këto, duke u kujdesur vetëm për veten e tij dhe për rrethin e ngushtë familjar e shoqëror. Tani që ka rënë nga fiku e nuk ia var më njeri, ai po ua qan hallin me “lotë krokodili”, disa ish të burgosurve 50-vjeçarë, që janë të papunë. Po çfarë bëri ai për punësimin e tyre, të paktën gjatë këtyre tetë vjetëve të qeverisjes demokratike? Punësoi vetëm të afërmit e vet, në Institutin e Integrimit, në atë të Studimit të Krimeve Komuniste  dhe në dikastere të tjerë, duke u shquar për nepotizmin e tij.

 Z. Simon Miraka mban mbi supe mjaft mëkate të kryera ndaj ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, gjatë më shumë se dhjetë vjetëve të qëndrimit në krye të Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, për veprimet dhe mosveprimet e tij. Nuk është fjala vetëm për shpërdorimin e detyrës, për shkeljen e barazisë në shpërndarjen e fondeve për shoqatat dhe individët; për korrupsionin dhe abuzimet, si zhdukja pa gjurmë e disa kompjuterëve dhe autoveturave etj., të cilat janë të vërtetuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në dy raportet  shumëfaqësh të kontrollit të ushtruar prej tij vite më parë, kopjet e të cilëve ne i disponojmë. Kjo është një çështje, me të cilën mund të merren organet e Drejtësisë. Por, ka gjëra të tjera edhe më të rëndësishme se sa ato. Siç është në dijeni publiku i gjerë, nga intervistat dhe filmimet e disa televizioneve, në vend-internimet e dikurshme, në Lushnjë e gjetkë, ka ende ish të internuar që vazhdojnë të jetojnë në një gjendje të mjeruar, pa punë e pa mjete jetese, në po ato barakat e mëparshme të vjetruara.

Ata nuk kanë mundur të shpërngulen andej, për mungesë të parave dhe të strehimit në ndonjë vend tjetër, ashtu siç ndodhi me pjesën më të madhe, të cilët u ndihmuan nga miqtë e tyre që ishin pranë pushtetit, shumë vite më parë.  A nuk ishte detyra e Institutit të Integrimit që të ndihmonte në sistemimin e tyre në kushte normale jetese, ashtu si bashkëvuajtësit e tjerë, në Tiranë ose në ndonjë qytet tjetër? Përse nuk është shqetësuar dhe nuk ka treguar asnjë interesim z. Simon për të ndihmuar ata vëllezër të pafuqishëm? Për vete ai erdhi në Tiranë, mori një shtëpi falas nga shteti dhe u rregullua për bukuri. Gjatë njëzetë vjetëve ka qenë në punë të shtetit, me pagë mjaft të lartë. Po ata ish të dënuar politikë që kanë mbetur në vend-internimet e dikurshme, përse të mos i gëzojnë të mirat e demokracisë, për të cilën ëndërruan dhe u sakrifikuan?  Si nuk e ka vrarë pak ndërgjegjja z. Miraka, për këtë padrejtësi shoqërore? Një tjetër mëkat ndaj të tjerëve, por edhe ndaj vetes së tij, si ish drejtor i Institutit të Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, është edhe mosinteresimi për rregullimin e ligjit të mbrapshtë, sipas të cilit, fëmijëve që ishin në internim nga mosha 1 deri 14 vjeç, nuk u njihet e drejta e dëmshpërblimit. A nuk është e padrejtë dhe tepër absurde, që të privohen nga kjo e drejtë, ata që kanë  kaluar një fëmijëri të mjerë në mes të telave me gjemba, nën britmat dhe presionin psikologjik të policëve të internimit? Edhe vetë Simoni i përket kësaj kategorie të internuarish, që u rritën  në një atmosferë terrori, pa gëzimet e jetës fëminore. Po përse nuk e ngriti një herë zërin ai, si drejtor i IIPP, për këtë padrejtësi, dhe pse nuk bëri asnjë përpjekje për ndreqjen e saj? Kjo shpjegohet vetëm me krijimin e mirëqenies së tij personale e familjare,  e cila e bëri që të harrojë të kaluarën dhe të vërë në zbatim thirrjen e Ramiz Alisë : “ Mos e ktheni kokën prapa!”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Abissnet