“Rama 2”, Masakra në Butrint/ 40 tonë beton mes rrënojave antike të Butrintit

Publikuar më 12. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u thirr dje në seancë dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Në katër orë debat Kumbaro raportoi për ndërtimet që po bëhen në Parkun e Butrintit. Fillimisht pati ankesa nga deputetët, sepse për herë të parë në një seancë dëgjimore, mungonte një relacion, të cilin MK duhet t’ua dërgonte anëtarëve të Komisionit, që të njiheshin paraprakisht me pikat, që do të diskutoheshin. Kryetarja e komisionit të medies, Albana Vokshi, fillimisht kërkoi që të ndalen deri në sqarimin e situatës, nëpërmjet ekspertëve të fushës, UNESCO-s dhe aktorëve të tjerë të përfshirë.

“Të ndërpriten punimet për aq kohë sa të informohet plotësisht publiku nga të gjithë profesionistët e fushës, nga historianët, arkeologët dhe pastaj të vazhdojmë me dëgjesën dhe sqarimin nga prokuroria dhe institucionet e tjera”. Ndërsa, Kumbaro u shpreh se e kishte informuar UNESCO-n para një muaj me emai-l për ndërhyrjet që po bënin në Butrint. Ajo shtoi gjithashtu se çdo gjë është brenda parametrave ligjorë, edhe nuk po bëhet asnjë ndërtim apo gërmim, por vetëm rehabilitimi i një godine të ndërtuar në vitin 1975, përdorur nga arkeologët. Çdo gjë tjetër që po i shtohet kësaj godine, sipas Kumbaros, është e lëvizshme në çfarëdolloj momenti edhe nuk dëmtohet asgjë.  

Alket Hyseni: Sa pika shërbimi janë? Çfarë do të bëhet me fatin e 17-të familjeve artizane?

Mirela Kumbaro: Shqetësimi i zotit Hyseni lidhur me pikat e shërbimit është se, nuk janë shumë, por vetëm dy të tilla, të cilat nuk i kemi krijuar ne. Ndërsa, ekzistojnë dyqane të komunitetit, të mbështetur nga fondacioni “Butrinti”, i cili ka qenë pjesë e idesë për të mbështetur komunitetin edhe për t’u dhënë atyre mundësinë për të përdorur produkte artizanale. Një pjesë e mirë e atyre produkteve kanë qenë të degraduara, nuk shprehin vlerat e vërteta të artizanatit edhe sidomos nuk janë as të certifikuara për një Park, që është i përfshirë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.

Në takimet që kemi bërë kemi kërkuar që ta standardizojmë këtë shërbim dhe të fiksalizohen në bazë të ligjeve. Për këtë kemi bërë edhe marrëveshje me secilin nga përfaqësuesit e komunitetit, që kemi edhe një kontratë, për një dyqan. Subjekti që është përzgjedhur për të arritur cilësinë, ka detyrë që të mbajë përgjegjësi për produktet artizanale. Ju garantoj, si ministre, edhe deputete e zonës afër tuajës, për mbikëqyrje të këtij projekti, që produktet artizanale në radhë të parë do të certifikohen nga MK.

Luçiano Boçi: A kemi bërë ndonjë studim në lidhje me impaktin? A keni bërë studim për komunitetin?

Kumbaro: Ndodhemi brenda parkut. Çfarëdolloj objekti që ekziston brenda këtij objekti gëzon status mbrojtjeje. Nuk parashikon ligji një gjë të tillë. Ndërsa, me komunitetin jemi në diskutim prej dy vitesh dhe sigurisht që ka pasur vështirësi në komunikim. Bashkëbisedimi i gjatë përfundoi një në marrëveshje përfundimtare.

Kumbaro: Më lini të përfundoj, pasi për shkak të detyrës kam lexuar më shumë se ju. Por ju për gjëra të tjera sigurisht që keni lexuar më shumë se unë.

Boçi: Numrin e faqeve nuk e përcakton dot ti, sepse mund të lexosh, por nxë më pak.

Rrokaj: T’i lëmë fyerjet personale, sepse secili ka një mision.

Boçi: Ju kemi thirrur ne që të përgjigjeni, jo të më pyesni mua për 2005-ën apo 2008-ën.

Kumbaro: A ka mundësi që të ruani etikën?

Boçi: Përse janë zgjedhur këto dy kompani private? A janë preferenciale? Sa është vlera e qerasë edhe e investimit?

Kumbaro: Ka pasur disa kërkesa për të ofruar shërbime të ndryshme për turistët, kërkesa të cilat mbasi janë shqyrtuar janë hedhur poshtë, sepse ose nuk ishin të përshtatshme dhe nuk respektonin volumet, ose nuk ishin të pajtueshme me mjedisin, ose ishin të papërshtatshme përsa i përket trashëgimisë kulturore, ose nuk ofronin garancinë e mjaftueshme lidhur me parametrat, që kërkoheshin për të respektuar kushtet favorizuese, që nga; orari, sipërfaqja e vogël, numri i kufizuar edhe i kontrolluar i produkteve që mund të ofrohen. Edhe në këtë kontekst ne në fakt për një kohë shumë të gjatë nuk kemi pranuar asnjë lloj propozimi. Kjo ishte arsyeja, se përse e gjykuam se ky projekt mund të bëhej vetëm nga një organ i specializuar, siç është IMK. Në kërkesat që ishin prezantuar njëherë për të marrë përsipër investimin, qiranë, edhe standardet cilësore të shërbimit që kërkuam ne, por edhe për të marrë përsipër realizimin e punimeve me një subjekt të licencuar për këtë lloj territori, të tëra këto bashkë i plotësonte kjo kompani. Edhe mbasi u mor vendimi është dhënë opinioni edhe nga drejtoria përkatëse financiare, nga drejtoria e trashëgimisë dhe juridike, që të kontrollonte nëse kishte të gjitha mundësitë financiare edhe licencat e domosdoshme për të kryer veprimet, edhe pastaj te komisioni i vlerësimit, para se të vinte te ministrja. Kjo është procedura! Kompania e zgjedhur është “Hako” e specializuar në këtë lloj shërbimesh, ndërsa për të kryer punimet kompania është zgjedhur nga “Hako”. Kontraktor është “Hako”.

Boçi: Sa është vlera e projektit? Po qiraja?

Kumbaro: Vlera e investimit është rreth 4 milionë (3.6 mln lekë për pjesën e rehabilitimit) dhe 11 milionë lekë të reja për pjesën e mobilimit të brendshëm.

Boçi: Qiraja?

Kumbaro: Vlera e qeras është vlerë e llogaritur sipas VKM-së, këtë mund t’ua dërgoj, sepse nuk e kam para meje të paraqitur, por është vlerë e kontratës. Ka një formulë të llogaritur nga VKM.

Boçi: Keni firmosë edhe nuk e dini sa është vlera?

Kumbaro: Zotëri vlerësimin e ka bërë drejtoria juridike e financës nuk e bën ministri.

Boçi: Zgjedhja e “Hakos” a është bërë në konflikt interesi? Ju keni konflikt interesi me kompaninë e kontraktuar nga “Hako”?

Kumbaro: Ma vërtetoni dhe jam gati të përballem. Zotëri kompania e kontraktuar është “Hako”.

Boçi: Është financuesja e fushatës së PS-së.

Kumbaro: Nuk e kam këtë informacion. Është komplet revelante.

Albana Vokshi: Përsa i përket materialeve të ndërtimit?

Kumbaro: Për materialet e ndërtimit dua që të sqaroj diçka, para se të flas drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani. Materialet e ndërtimit janë të ndryshme, sigurisht nuk është gëlqerja e staxhionuar, apo bio e para pesë shekujve. Por janë materiale për restaurimet, që përcaktohen shumë saktësisht se kur përdoret edhe nuk përdoret betoni në mënyrë të mirëfilltë, por nuk është një material i huaj brenda siteve të trashëgimisë. Edhe nëse shkoni në Apoloni gjeni plot materiale, të cilat në fakt dhe për ndërtim, edhe restaurim përdoren.

Valentina Duka: Në Apolloni janë bërë gabime.

Kumbaro: Nuk po i hyj, se nuk jam unë eksperte, por jeni juve. Ju lutem mos më ndërprisni. Pas kësaj do doja që t’ju ftoja për të parë se si kanë evoluar monumentet nga vitet ’70-të deri tani. Ndërkohë, që bëhet fjalë për një projekt, që përpara ka një platformë prej druri, të vendosur mbi zhavorre, edhe ka një platformë të ngushtë anash prej betoni të varfëruar në një shtresë hekuri mbi sipërfaqe, mbi të cilat do të fiksohen edhe kolonat e drurit edhe xhamit, sepse jemi pranë murit, që është komplet i hapur ndaj erës, që të mos thyhen edhe rrëzohen. Pas kësaj ju ftoj në IMK për të parë edhe projekte të tjera.

Duka: A duhet që të ishte kafja në mes të sitit?

Kumbaro: Të përgjigjem pastaj.

Endri Hasa:Në faqen 23 të projektit parashikoni armaturë hekuri fi 12 dhe fi 1. Në një llogaritje të bërë nga unë parashikoni 17.3 metra kub, që nga një llogaritje e shpejtë e peshës specifike të atij betoni duhet që të jetë 41 tonë. Që mua zonja ministre, për profesionin që përfaqësoj nuk më duket strukturë e lëvizshme 41.5 tonë. Një strukturë 12 metra beton, rreth 15 metra katrorë me lartësi 30 cm katrorë. Për të mbajtur dërrasat nuk duhet mbase, por cila është arsyeja që është parashtruar në projekt? A mund që të ma shpjegoni këtë që konstatoj në projektin, për plan themelet 30 cm, beton i klasit 45-50. ose këtu gënjen projektuesi, ose na gënjeni ju që thoni se është zhavorr. Pesha është mbi 40 tonë strukturë.

Arta Dollani: Projektet revelsibël, siç është edhe ky projekt që është hartuar nga specialistët e IMK-së, dhe është konsultuar me të gjitha institucionet përkatëse, me Institutin e Arkeologjisë, Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik. Ndodhemi që të gjithë shumë pranë, edhe konsultohemi në mënyrë periodike për projektet që bëjmë, kemi qenë të gjithë të pranishëm edhe në ekspeditat, që kemi bërë në terren, ku kemi caktuar pikat që do të ndërhymë. Së bashku me ekspertë shumë të njohur kemi përcaktuar këtë mënyrë ndërhyrjeje, e cila nuk është e re, por që është përdorur rëndomë në sitet arkeologjike. Prandaj do të doja që të bëja një prezantim më të gjerë të këtyre detajeve, të cilat nuk janë të shpikura, por të përdorua rëndomë në monumentet e Kulturës. Mundet që t’ju bëjë një prezantim shumë të gjerë të të gjithë projekteve, që nga ndërtimi i IMK-së, edhe deri më sot, se si janë përdorur këto projekte të projektuara nga ata autorë që ju përmendni, ata që punojnë sot, edhe nga ata që do marrin shembull edhe do të punojnë nesër. Ka një eksperiencë restaurimi në IMK, ka detaje teknike etj.

Vokshi: A lejohet betoni në këto site?

Dollani: Po sigurisht që lejohet.

Vokshi: Thatë që është e përkohshme. Thatë që është zhavorr?

Dollani: Beton ka pasur edhe është përdorur nga të gjithë ekspertët rëndomë në të gjitha sitet arkeologjike. Beton ka në Apoloni. Ky është një projekt i hartuar edhe i miratuar. Nuk është një tezë betoni. Zoti Endri projekti është i hapur për të gjithë ju që dini ta lexoni, nëse jeni i interesuar që të njiheni me detajet e projektit.

Vokshi: Ka beton apo jo?

Dollani: Po, unë u përgjigja vetëm disa detajeve që njohin normat. Zoti Boçi, objekti i ri nuk është ndërrimi i destinacionit. Për një ndërtesë të tillë, llogaritë janë kaq. Llogarinë e bëtë ju, unë nuk bëj llogari betoni, nuk e kam këtë profesion. Ju ftoj në IMK që të shihni sesa beton është hedhur në 50 vite.

Boçi: Betoni është i lëvizshëm?

Kumbaro: Sigurisht që është i lëvizshëm! Kemi rehabilitim të një godine të ndërtuar në 1975, i cili përshtatet në destinacion shërbimi për turistët edhe vizitorët. As ju edhe as unë se kemi tagrin të shprehemi nëse heqim apo vëmë një objekt. Këtë e kanë ekspertët.

Valentina Duka: Shërbimet në sitet tona arkeologjike dhe në muze është e vërtetë që nuk janë në nivelin e duhur. Por, ne vizituan Greqinë, edhe kurrsesi nuk na lanë që të përdornim asgjë gjë gjatë vizitës, as ujit. Po ju pyes a e keni parë që në Dodonë nuk ka asnjë shërbim brenda? A është eksperiencë botërore që të ndërtosh për këto shërbime?

Kumbaro: Sollëm këtu disa eksperienca, që në disa shembuj që dhatë kishte ajo jo pika shërbimi. Ashtu siç ju dhatë shembuj, secili nga ne mundet që të jap dy apo tre, apo katër, edhe këtu jemi në një logjikë të pasur subjektiviteti ku njëri rast nuk i ngjan tjetrit. Ashtu siç edhe ju mundet që të konfirmoni zoti Velaj, që në të gjitha sitet e vizitueshme në Vjenë ka një pikë të vogël, që shërbehet në një moment pushimi për turistët gjatë turit, pra shembujt që ju përmendët, sikundër mundet që të përmendnit edhe shumë të tjerë janë të ndryshëm. Ajo që mendoj është se shërbimin nuk e shpikëm ne në sit, por ne duam që të standardizojmë një nevojë, që është edhe prej vitesh për vizitorët që konsumojnë në mënyrë aspak higjenike, edhe ca më keq as të standardizuar nga pikëpamja fiskale për produkte të ndryshme. Në të ardhmen çdo gjë mund të rishikohet.

Vokshi: A ka arkeologë që ndjekin punimet?

Kumbaro: Po. Ka supervizor që ndjekin me urdhër të posaçëm.

Vokshi: Arkeolog?

Kumbaro: Në restaurime edhe në sheshe të trashëgimisë kulturore supervizorët janë arkeolog dhe restaurator.

Vokshi: Kush është?

Kumbaro: Është supervizori i IMK-së, një punonjës që nuk ia mbaj mend emrin. Do t’ju çoj. Nuk ka gërmim në sit edhe nuk preket fare nëntoka.