Ndahet nga jeta artistja e madhe Vaçe Zela

Ndahet nga jeta artistja e madhe e skenës shqiptare, Vaçe Zela. Këngëtarja me famë Vaçe Zela ndërroi jetë sot në moshën 74 –vjeçare pas një sëmundje të gjatë në Basel të Zvicrës. Lajmi konfirmohet nga familjarët e saj në Zvicër. 

Vaçe Zela lindi në Lushnjë në vitin 1939 dhe më 7 prill të këtij viti do të mbushte 75 vjeç. Ajo është gruaja e parë shqiptare e nderuar sa ishte gjallë me titullin “Nderi i Kombit”.  Me dëshirën e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe Zela do të prehet në atdhe.

Karriera e suksesshme e këngëtares

“Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigantja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Vaçe Zela kishte një zë të jashtëzakonshëm. Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara edhe sot nga publiku. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Sidoqoftë Vaçe Zela mbetet “zëri i jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare, duke u bërë idhulli i shumë brezave.

Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike. Vaçe Zela ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës në radio dhe më vonë në radiotelevizion që prej organizimit të parë të tyre, duke fituar plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur deri më sot. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të Parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. 

Repertori i saj është shumë i pasur, ku numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. Prej disa vitesh jetonte në Zvicër. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar për së gjalli me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga presidenti Bamir Topi me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”. Për nder të këngëtares, viti 2009 është shpallur nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj.

Të menjëhershme kanë qenë reagimet, pas lajmit për ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës shqiptare Vaçe Zela. Personalitete të larta të politikës dhe të artit kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Artistes së Popullit Vaçe Zela.

Ngushëllimet 

Agolli: Vaçe Zela s’do të vdesë, do të kthehet në një flutur

Shkrimtari i madh Dritëro Agolli në një intervistë telefonike për “A1 Report” tha se, Vaçe Zela nuk do të vdesë, por do të kthehet në një flutur.  Agolli kujton momentet kur bashkëpunonte me Vaçe Zelen artisten e madhe shqiptare, e cila mund të krahasohet me artistët e nivelit botëror.

“Vaçe Zela e ka ngritur lart edhe këngën e muzikës sonë. Vaçe Zela krahasohet me artistët më të mëdha të botës. Edhe këtë e them me bindje të madhe. Po të kishte mundësi ajo edhe sot do të zhvillonte karrierë në Europë. Është lavdia e këngës sonë në Shqipëri. Mburremi me këngën e saj dhe gjithmonë do t’i këndojmë edhe duke ecur në një fushë apo në një mal, auditor edhe në dhomë me të dashurit tonë. Ajo është një fenomen që do të jetojë tërë jetën.  Kam bashkëpunuar dhe kam bërë tekste bashkë me kompozitorët si Nikolla Zoraqi dhe kam vënë re një kërkesë të madhe të saj për të bërë një tekst kënge. Ajo nuk të linte të qetë derisa t’i pëlqente vargu. Nëse si pëlqente vargu e muzika e linte e thoshte nuk mund ta këndoj këtë këngë. Talenti i saj nuk binte në kompromis”,- tha Agolli. 

Këngëtari Sherif Merdani

Na mësoi si të dashurojmë këngën. Është një humbje aq e madhe sa nuk e krahasoj as me 100 politikanë. E kam njohur kur kam qenë në Lushnjë, këndonte në estradën e Lushnjës, me shokun tim u njoh që iu bë dhe bashkëshorti i saj. Ishte mina e Shqipërisë. Një dhuratë nga Zoti.

Kompozitori Robert Radoja: Është  humbje e madhe

Kompozitori Robert Radoja ka thënë se ndarja nga jeta e Vaçe Zelës është  humbje e madhe. Ai u shpreh se ajo dha shembullin e papërsëritshëm. “Është e para që e ngriti në piedestal muzikën tonë të re.  Është ndarje e madhe por njerëzit që bëjnë epoka kthehen në legjenda. Sa herë që kishin datëlindjen i telefonoja. Edhe sot në mëngjes fola me Irmën, vajzën e Vaçes, për ta konfirmuar nëse është e vërtetë. Më tha po. Nesër sipas amanetit të saj do ta sjellin këtu, sepse kërkoi që përjetësisht të prehet në Shqipëri”,- thotë Radoja për A1 Report. Edhe kompozitori Edmond Zhulali e vlerësoi si mit  i papërsëritshëm

Agim Krajka:  Vaçe Zela është e pazëvendësueshme

“Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, pavarësisht se ka vite që nuk i jep këtij populli se në dorën e Zotit jemi të gjithë, ishte sëmurë. Por ndryshe është të jesh gjallë, ndryshe të mos jetosh më. Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij. Nuk  e them dot sa humbje e madhe është”, shprehet kompozitori Krajka.  Për Krajkën, i cili ka punuar me Vaçen, ajo “ishte një vajzë jashtëzakonisht korrekte”.

“Vepronte një ligj tjetër në atë kohë. Vaçe Zela të befasonte, jo se ishin këngët e mia apo kolegëve të mi. Ajo kishte lindur artiste. Është një rast tmerrësisht i veçantë. Në disa 10-vjeçarë, rrallë ka pasur këngëtare si Vaçe Zela, për këngën shqiptare”.

Edhe pse prej vitesh, Krajka nuk ka pasur lidhje me Zelën, për shkak të largimit të tij për 17 vjet në SHBA, ai thekson se i duket sikur e ka takuar dje atë.

“Lidhje nuk kam pasur se në vitet ‘90 u largova kur u sëmur. Ika në SHBA për 17 vjet, por më duket sikur jam takuar dje me të. Nuk e zvogëlon apo zmadhon gjë Vaçe Zelën. Vaçja lindi këtu, u formua, ishte një popull që e ushqeu dhe u bë Vaçe Zela”, përfundon kompozitori Krajka. 

Edi Rama

Në një kohë e vend tjetër, Vaçja do ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë ndezur yllin e vet në qiellin e Shqipërisë.

Bujar Nishani 

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh ngushëllimet e sinqerta dhe dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të këngëtares së papërsëritshme shqiptare, Vaçe Zela.

“Në këto çaste dhimbjeje, kur mbarë kombi ynë po përjeton me hidhërim të thellë humbjen e këngëtares së papërsëritshme Vaçe Zela, dëshiroj të shpreh, edhe në emër të shtetit shqiptar, ngushëllimet më të ndiera e të sinqerta.

Vaçe Zela ishte magjia e madhe që e bëri kombin shqiptar të gëzojë dhe të jetë optimist për jetën, edhe kur jeta premtonte shumë pak mirësi.

 Artistja e madhe po ikën si rrallëkush: jo ka fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë, sepse kënga dhe arti i saj, vetë emri i ‘Artistes’ është shënuar në historinë e artit dhe të muzikës shqiptare.

 Vaçen tonë do ta mbajmë mend përjetë me admirim dhe mirënjohje për kontributin e saj të paarritshëm artistik, që e kurorëzoi me plot të drejtë si ‘Mbretëreshën e këngës shqiptare’.

 Kujtimi i interpretimeve të saj në skenat shqiptare dhe botërore, talenti dhe aftësia e lindur për të sjellë më tepër gëzim dhe liri mes atyre që kanë patur fatin ta shohin e ta ndjekin, ta njohin dhe ta vlerësojnë, thyerja e tabuve ideologjike në art e në jetë si dhe virtuoziteti i saj i pashoq do të mbeten ngaherë të gdhendura në mendjet dhe zemrat e artdashësve shqiptarë e të huaj.

 

 Familja, të afërmit, miqtë dhe dashamirët e panumërt do ta vuajnë mungesën e saj të pazëvendësueshme, por shpresoj që forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe do ta gjejnë tek shpirti i saj i pavdekshëm prej artisteje mbarëkombëtare, që do t’i shoqërojë e do t’i bekojë përjetë me ngrohtësinë e zërit melodioz, interpretimet e paharrueshme dhe vlerat e saj të rralla njerëzore. Iu prehtë shpirti në paqe!”.

Hashim Thaçi

Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të këngëtares dhe artistes së shquar Vaçe Zela. Vaçe Zela ka qenë dhe mbete ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, një zë origjinal, i papërsëritshëm dhe unikat në muzikën shqiptare. 

Zëri i mrekullueshëm dhe këngët e saj për Atdheun janë perla të përhershme të trashëgimisë sonë muzikore. 

Ngushëllime familjes dhe dashamirëve të shumtë. (Kryeministri i Kosovës poston nw “Facebook” njw video me Vaçe Zelën)

Lulëzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, ka shprehur gjithashtu konsideratën e tij për artisten Vaçe Zela.

“Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të artistes së shquar ‘Nderit të Kombit’ Vaçe Zelës. Për të gjithë ne që u rritëm me zërin e saj unik, sa më shume që koha kalon aq më e dashur dhe e veçantë është figura e saj.

Vaçe Zela do të mbetet përjetë mes nesh. Ngushëllimet e mia për familjen, të afërmit dhe miqtë e kësaj ikone të muzikës shqiptare. U prehtë në paqe”, vëren Lulëzim Basha, në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Ministri Arben Ahmetaj 

Një ditë e trishtuar për artin shqiptar dhe jo vetëm. Humbja e Vaçe Zelës është një humbje e ndjerë thellë në zemrat e të gjithë shqiptarëve, zemra të cilat Vaçja diti t’i ngrejë peshë me forcën e një vokali që i kapërcen caqet e kohës, me zërin dhe talentin e saj unik dhe të papërsëritshëm. Vaçja e fitoi betejën me kohen, e kapërceu sfidën e të qenit e paharruar. U preftë në paqe!

Ditmir Bushati

Talent i papërsëritshëm që do të na mungojë! RIP Vaçe Zela!

Kumbaro: “Valsi i lumturisë” kthehet në rekuiem

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është shprehur se që sot e tutje, “Valsi i lumturisë” kthehet “në rekuiem të pazëvendësueshëm për thesarin e kombit, që quhet thjesht Vaçe!”. 

Saimir Tahiri

Përulem me nderim për Vaçe Zelën. Iku për të mbetur në përjetësi, në zemrat dhe shpirtin e çdo shqiptari.

Ambasada amerikane

Ambasada amerikane në Tiranë në një postim në “Facebook”, ka theksuar se Vaçe Zela me zërin e saj u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare.

“Sot, Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund. Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare, jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe të dashurit e saj. U prehtë në paqe!”, shkruhet në mesazhin e ambasadës.

Jozefina Topalli

E dashura e shqiptarëve!

Iku Vaçe Zela, mbeti zëri i saj! I këndoi me dashuri pakufi vendit të saj si askush tjetër! I gëzoi jetët e shqiptarëve me magjinë e zërit të saj, kur nuk kishte asnjë gëzim për to! Ajo ishte e dashura e shqiptarëve!

/Shekulli Online/ E.L./

<iframe width=”560″ height=”480″ src=”//www.youtube-nocookie.com/embed/8GyHUAwsc4Q?rel=0″ frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet