Hebrenjtë, si e pushtuan “mesin” e Beratit

Sulo Gazhina

 Berati në shekuj është shquar për qytetërimin e tij, për traditat, vlerat kulturore, historike e shpirtërore.

Por, një vend të veçantë zë dhe virtyti i mikpritjes dhe bujarisë, që është manifestuar ndaj hebrenjve, të cilët për shekuj me radhë kanë pasur në Berat lagjen e tyre në pjesën qendrore të qytetit, aty ku sot lexojmë rruga “Hebrenjtë”. 

Por, një kontribut i shquar është dhe mbrojtja e hebrenjve në Luftën II Botërore, në kohën e Holokaustit, kur Berati strehoi mbi 600 hebrenj, një numër i konsiderueshëm nga numri i përgjithshëm i tyre, të strehuar e të shpëtuar në Shqipëri.

 Për këtë akt mjaft familje beratase janë nderuar me medalje mirënjohjeje nga Izraeli. Në këtë kontekst, në prag të Ditës së Kujtesës, 27 Janarit, zhvilluam një bisedë me studiuesin Simon Vrusho, i cili e ka trajtuar gjerësisht këtë temë me botimin e librit “Hebrenjtë e Beratit”. 

Berati është i rrethuar nga fshatra që strehuan hebrenj si Kamçishti, Paftali, Molishti, Qereshniku…?  

Edhe me toponimi hebraike, do të shtoja unë, si Varri i Çifutit në Bilçë, apo Qafa e Çifutit. Kam qenë atje me një shofer nga zona ime, Ajet Meleqin bashkë me topografin nga Duhanasi, Isuf Morea, që ka punuar gjithë jetën në kadastër e 20 vjetët e fundit në Hipotekën e Beratit.

 Shpiragu, fshati Mbjeshovë, është nja 7 km larg nga Berati, madje 1 km duhej bërë dhe në këmbë . Rruga për tek Qafa e Çifutit ka shumë diell dhe tani në dimër,  diell të ngrohtë, të fortë, sepse dielli e rreh faqen e kodrës në 90 gradë.., 

gati pingul edhe në një paradite janari. Shumë diell dhe shumë ullinj. E kam fotografuar, më përket zbulimi e publikimi i toponimit Qafa e Çifutit për herë të parë para katër vjetësh. 

Është një Qafë e hapur, gjithë dritë e hapësirë (shihen Tomori në lindje, Shpiragu e Ura Vajgurore e Myzeqeja në perëndim), është dhe udhëkryq që të çon në Rrugën e Duhanasit, rrugën e Qereshnikut, Muçollasit (Lindje); 

rrugë që të çon në fshatin Vrion (Veri e Perëndim); rrugë që të çon në Berat ose rruga e Beratit, siç i thonë (Jug). Para se të mbërrinim tek Qafa e Çifutit, kaluam tek Qafa e Argatëve, ndërsa më tej Qafës së Çifutit, gjendet Qafa e Kodhelit. Pëllëmbë e qafa.

 1 km prej andej, horizontalisht, ndodhet fshati Bregas,/ Kodras, ndërsa tatëpjetë, (2 km) në atë grykën poshtë saj, gjendet fshati Duhanas. Kam takuar atje bujkun Luto Nazëri, 40 vjeç, që kishte pronë pjesën perëndimore të Qafës së Çifutit, ullishte, ku punonte dhe i ati, Muhamet Nazëraj. 

Sipas të moshuarit, Muhamet Nazëri (rreth 70 vjeç), Qafa e Çifutit quhet e tillë, ngaqë dikur, këtu ka pasur prona një çifut. 

Toponimi Qafa e Çifutit ndodhet në kodrat Gërricë, dikur tokë vreshtash, bahçesh e ullishtash, midis fshatrave Dyshnik, Vrion, Qereshnik, Muçollas, Duhanas e Bregas, një hapësirë e famshme ullishtore, ku gjendej, mbi Dyshnik, e famshmja ullishte Stasqind, për të cilin dikur kanë thënë:

 “Po u dogj Berati, e ndërton Stasqindi, por po u   dogj Stasqindi, s’ka kush ta ndërtojë më”.

 Në Tomoricën e Skraparit gjen David, por në trajtën Davidh, emër unik në Shqipëri. Si e shpjegoni? 

Është emri i mbretit David, të Izraelit të lashtë para 3 mijë vjetësh, mbret dhe profet, në besëlidhje të veçantë me Perëndinë. 

E këtë emër, në këtë trevë, e gjen edhe si emër banori, por edhe si mbiemër dhe si emër fshati. Ky emër fshati mund të burojë nga një individ, me emrin David, si krijues, themelues i tij, kryeplak, kryetar fisi. Mbase mund të ketë qenë një hebre, (mesjeta njeh jo pak raste kur hebrenjtë preferuan si rezidenca zonat malore), mbase dhe i krishterë, mbase dhe bektashi. 

Emrat e fshatrave përreth janë më ndryshe: Barçi, Dobrenj-Burenjë, Gerica, Çorati, Davidhi (Davidi), Duncka, Floq-Rehovë, Gradeci, Grevo, Gramshi, Gurazezi, Gjerbësi Gjokovica, Kovaçanji, Kuçi, Leskova, MiIova, Ujaniku, Vishanji, Zaloshnja, Zhepa, Gostencka, Krushova, Leshnja, Turbohova, Vlusha. Davidi/Davidhi ka zbritur në Berat, në Myzeqe, në Vlorë…

 si mbiemër jo pak i përhapur. Dhe emrin David në këto treva e gjen jo vetëm tek banorë të besimit të krishterë, ortodoks, jo vetëm në qytet, por edhe në fshat, tek banorë bektashinj. 

Dhe diçka tjetër: kur themi David në Shqipëri, kemi thënë dhe piktor. Na kujtohet David Selenicasi që ka lënë murale në kisha në Voskopojë,

 në malin e Athosit, në Kostur e Selanik, një piktor i shquar i fundshekullit të XVII, një nga figurat më të shquara të ikonografisë në Shqipëri. 

Mbiemri Davidhi i zbritur nga Tomorica

 “Ndonjë Davidh e gjen dhe në Berat, por Davidhët e shumtë janë në Krutje, në Lushnje. Kam qenë atje. Loli Davidhi, 80 vjeç, një jetë të tërë mësues, e di se të parët e tij, mbi 200 vjet më parë kanë zbritur nga Davidhi i Tomoricës së Skraparit.

 Ai thotë se të parët e tij me flori e morën Davidhin, me flori e lanë. Po pse nga pothuaj 800 metra mbi nivelin e detit, nga rrëza e Tomorit, të parët e Davidhajve zbritën në Krutje, 10 metra mbi nivelin e detit?

Kjo gjë ka ndodhur dhe me Milovën, dhe me Ujanikun dhe me fshatra të tjerë të trevës, ku epiqendër ka qenë Berati. Në vitin 1968, gjatë një seminari për probleme të shkollave të mesme, diskuton edhe Loli Davidhi. Në pushimet, mes seancave, ministri i arsimit i asaj kohe, Thoma Deliana, siç duket, nisur nga mbiemri, e pyet Lolin se mos ishte hebre. 

Mundet, iu përgjigj Loli. Nga një fotografi me qylafin e zi, si një skraparli, të sheh Kristo Davidhi, i ati i Lolit. Nuk mbante takie si myzeqarët e tjerë. “Kur vjetrohej qylafi, thotë Loli, më niste për në Berat për t’i blerë qylafin tjetër. Davidhët janë shumë. 

I gjen dhe në Lushnje, Goriçaj, Pishë Poro, Fier, Vlorë, Tiranë, por dhe në Greqi, Itali, Amerikë. Të paktën 720 veta që votuan në Shqipëri në zgjedhjet e fundit mbajnë mbiemrin  Davidhi, më të shumtët prej të cilëve i përkasin trungut të Davidëve të Krutjes. Punëdashës dhe arsimdashës. 

Vetëm mjekë janë 15 nga ky fis. Sokrat Davidhi, 68 vjeç, mjek veteriner, nga koha kur punonte në Drejtorinë e Bujqësisë në Lushnje, para disa vitesh, kujton një takim me një specialist bujqësie izraelit. “Më tha se ty do të jap një kafe; ndoshta e ngacmoi mbiemri, – thotë Sokrati.

 Jo,- i thashë, – këtu jemi në Shqipëri, kafen do ta jap unë. Më tha se Shqipëria bën pjesë në atë 20% të tokës që ka kushte ideale për të jetuar, ku janë kombinuar kaq bukur në një hapësirë të ngushtë dielli me detin, fushat e malet”. Sillet fjala tek hebrenjtë në kohën e Holokaustit.

 “Po, – të thotë Loli Davidhi, – dhe këtu, në Myzeqe janë strehuar 6 hebrenj nga Masar Karaosmani”. 

Strehimi i hebrenjve

 Studiuesi Simon Vrusho flet për strehimin e sigurt të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Mihallaq Cania nga lagjja Kala më ka treguar: “Babai im Miti Cania kishte marrë, në kohën e Luftës, një han me qira në mes të qytetit. Aty u strehua dhe një çifut beqar, nja 30 vjeç, e quanin Solomon Kalderoni. Punonte si shërbyes.

 Është dhe një foto e 1942-shit ku kanë dalë bashkë rreth një sofre.” Sipas studimeve të z. S.Lolja numri i hebrenjve të strehuar e të shpëtuar në Shqipëri arrin në 3280 e për këta ka pasur strehë të sigurt në gjithë hapësirën shqiptare, nga Mitrovica, Prishtina, Gjakova, Deçani, Peja, Shkodra, Burreli, Kruja, Dibra, Tirana, Durrësi, Kavaja, Fieri, Elbasani, Librazhdi, Lushnja, Berati, Vlora, Përmeti, Gjirokastra etj.

 Pra, pa dallim krahine, por edhe pa dallim besimi e qëndrimi, pa dallim feje e ideje, por dhe pa dallim përgjegjësie e pasurie, kulture, arsimimi. Sigurisht, Berati zë një vend specifik, edhe për numrin e strehuar. Mbi 600 hebrenj.

 Kjo sagë shpëtimi ka mjaft detaje oratorike, por edhe mjaft fakte e dëshmi të gjalla për historikun e hebrenjve në Shqipëri, ku veçanërisht ka spikatur porta hyrëse e çatia mbrojtëse, Vlora. 

Kur flas për historikun, kam parasysh fiset   e ndryshme hebre: romanjotë, sefarditë, ashkenazit etj. bashkëjetesën e hebrenjve me shqiptarët që nga koha e ilirëve, e pushtimit osman, e mbretit Zog dhe e komunizmit. Hebrenjtë kanë kontribuar si për Pavarësinë e Shqipërisë, ashtu dhe në Luftën Antifashiste. 

Në rrënjët e lirisë sonë gjendet dhe gjaku i 14 hebrenjve që, krahas shqiptarëve, dhanë jetën në vijën e zjarrit. Por shpëtimi ka një dramacitet e domethënie të veçantë.

 “Kur Qani Civeja, nga lagjja “Murat Çelepi”, lagjja më e madhe e qytetit të Beratit, po bënte përgatitjet për t’u larguar si familje nga Berati drejt një fshati në krahinën e Shpiragut, ndërkohë që kishte të strehuar dhe disa familje hebraike, hebrenjtë i thanë:

 “Po ne, ku do të na lini, këtu?!” “Jo, – iu tha Qani Civeja, – ju jeni një shtëpi me ne, do të vini me ne. Po u vramë ne, do të vriteni edhe ju”. Dhe shkuan bashkë në fshatin Kamçisht, në rrëzë të malit të Shpiragut. Ishin hebrenj nga Prishtina. 

Në një rast tjetër rreziku, hebrenjtë e strehuar tek Isuf Qojle, po nga lagjia “Murat Çelepi”, i dërguan në fshatin e largët e të sigurt Tozhar, në kufi me Skraparin, duke udhëtuar 10 orë rrugë më këmbë”. Nevoja për strehimi i ka çuar hebrenjtë edhe në fshatra të tjerë të Beratit: Qereshnik, Paftal, Vrion etj.  

Simbolika saudite

 Simbolikën hebraike në Berat e gjen kudo. E gjen tek rruga “Hebrenjtë” në qendër të qytetit, ku dikur ishte lagjja e hebrenjve dhe dyqanet e tyre; në dyer (porta me yllin e Davidit); në dysheme (tek kishat në kala, ku thuhet se ka pasur dhe një sinagogë), tek teqeja e helvetinjve, në tavane.

 Simbolikën e gjen tek kutia relikte, që hebrenjtë Samel e Joakim kanë lënë tek familja e Mehmet Xhezos, kuti ku është gdhendur ylli i Davidit nga njëra anë dhe sinagoga në tjetrën, e gjen në faqe muresh, në afresket me kapele izraelite apo me portretin e Abrahamit, në toponime  “Varri i Çifutit” (Bilçë), në një tapi të vitit 1931 referuar ullishtave në rrethinat e Beratit “Qafa e Çifutit” (Duhanas).

 Davidin e gjen dhe në emra e në mbiemrat e banorëve: Davidi e Avrami janë të shpeshtë në kronikat historike. 

Atë e gjen në hollin e bibliotekës së qytetit, tek vitrina e librave me tematikë Berati e gjen të ekspozuar librat që flasin për hebrenjtë e Beratit; e gjen në studion e skulptorit të talentuar Nezir Ago ku sheh maketin e memorialit me shandanin hebraik, ideuar për t’u vendosur në parkun e qytetit etj.  

Hebrenjtë në Berat 

Vitet e fundit është shkruar e botuar jo pak për praninë hebraike në Berat gjatë shekujve. Vend të posaçëm ka zënë strehimi e shpëtimi në Berat i mbi 600 hebrenjve në Luftën II Botërore. Studiuesi Simon Vrusho thotë: 

“Është një prani shumë shekullore, e shtrirë në hapësirë e në kohë, në histori e në gjeografi, një prani e gjerë, e gjendur dhe në kujtesën qytetare, sidomos me strehimin e hebrenjve në Berat e rrethinat e tij gjatë Luftës së Dytë. Në këtë këndvështrim historiku i Beratit nuk ka thjesht një faqe hebraike, por ka një libër të tërë”.  

Afresket dhe Abrahami 

Para ca kohësh në galerinë e arteve “Edëard Lear” në Berat u çel, nën përkujdesjen e Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, ekspozita fotografike “Afreskët e Çetirëve”, një rrugëtim nga stili post bizantin në atë laik. 

Në Berat e Myzeqe kanë qenë artistët e familjes Çetiri nga Grabova, piktorët e fundit post bizantinë. Ata ishin të parët huazuan frymën laike si një mënyrë shprehëse në pikturën murale të kishave. Në afreske ka mjaft detaje hebraike: “Shpirtrat e brengosur” që enden në Had… 

– “Fshikullimi i Krishtit”, një skenë, ku grupi i vogël muzikor  u bie daulleve që të poshtërohet Krishti. Njerëzit e thjeshtë të popullit të Jeruzalemit nuk ndryshojnë, thuajse fare, nga fshatarët vendës ose nga grupet e vogla muzikore të Myzeqesë. “Nëna e përjetshme Shën Mëri”. Një shenjtor i ri: “Shën Gjergji në kalë” me shtizën që vret kuçedrën… –

 “Lindja e Krishtit”… – Apostujt Pjetër e Pal… Dhe ja një tablo tjetër, vërtetë mbresëlënëse: “Abrahami në parajsën imagjinare”. E, pra, këtu në Berat e gjen Abrahamin. Ekspozita sjell një botë të tërë, si të thuash, të panjohur, nga dhiata e vjetër e dhiata e re. 

 Bashkëjetesa 

Por le të shkojmë në Davidin e Skraparit, një fshat i rrallë me këtë emër… Simon Vusho thotë: “Të mbërrish në David duhet të udhëtosh rrëzë Tomorit në Lindje, të kalosh Qafën e Devrisë, të kalosh poshtë masiveve të tij shkëmborë, që ngrihen me madhështi. Shkëmbinj masivë të gjallë, shkëmbinj në këmbë. 799 metra mbi nivelin e detit je në Davidh. Poshtë Lumi i Tomoricës… 

Përtej Tomorica e zezë. Në lindje Guri i Prerë, Qafa e Gjarprit… Fillon zona e Korçës. Për në Davidh të shoqërojnë në këmbë dy djem të gatshëm nga Gjerbësi, qendra e komunës: Santiliano Alushani e Denardo Zyko; të çojnë tek varret e vjetra, varret e kaurëve, siç i quajnë varret e vjetra të të krishterëve, ku ka fragmente qivuresh me gdhendje…

Po kodrën e varreve e ka mbuluar pylli. Konvertimi i besimit nga të krishterë në bektashinj këtu në Tomoricën e bardhë ka ngjarë para rreth 250-300 vjetësh. Në Davidh tani ka vetëm një shtëpi: 

Fetah Omeri, banori i fundit i Davidhit, 70 vjeç, bashkë me të shoqen, se fëmijët i kanë ikur në Tiranë. E vetmja shtëpi në këmbë në Davidh.

 Emri i fshatit u ka qëndruar si mbiemër gojorë banorëve, kur largoheshin që këtej, si: Sadush Shero Davidhi, Isuf Davidhi, Abedin Davidhi. 

Ja këto murishte, dikur kanë qenë shtëpi. 93 vjeçari Ibrahim Dhoga të thotë se Davidhi ka qenë dikur fshat shumë i madh, me 300 shtëpi, në atë kohë i njohur në botë, vinin, iknin që këtej.

 Ka pasur gurë me gdhendje të vjetra, po dhe si këto, të thotë për imazhin e shandanit hebraik apo yllit me 6 cepa, por janë prishur nga koha, kanë humbur, janë dëmtuar. Fshat i madh, vinin lloj-lloj njerëzish, rrinin nga 2-3 breza dhe iknin pastaj.

 Botë e madhe kjo. Edhe në Davidh ca u kthyen, por pati dhe nga ata që nuk u kthyen e zbritën poshtë, në Myzeqe, në Krutje. Janë kushërinjtë tanë të krishterë, të thotë Omeri.

 Ka varre në Davidh ku të vdekurit janë varrosur brinjazi, në ije, sikur t’i thoshin dheut se ja, po pushojmë pak e do të ngrihemi prapë… Varrosur në ije këtu në Davidh, këtu në ije të Tomorit, si të thuash brinjë më brinjë me Tomorin…”        

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Abissnet