Kapedan At Stath Melani, Hero i pashpallur i luftës kundër shovinizmit grek

DR.Apostol Kotani  

Përmeti i ka dhënë shumë figura  të shquara luftës për liri,  pavarësi dhe përparim ekonomik  dhe shoqëror, një pjesë e  të cilëve janë vlerësuar dhe  një pjese jo. E shoh të nevojshme që  me këtë rast të përmendim disa prej tyre. Dhe tani të ndalemi tek biografia  dhe bëmat patriotike të kapedan At  Stath Melanit…  Atë Stath Melani lindi më 1858 në  fshatin Melan të Shqerisë së Përmetit  në një familje me tradita atdhetare.  

Mësimet e para i mori në fshat  në gjuhën greke. Kur arriti moshën 20  vjeçare i ati e mori në Stamboll. Këtu  filloj edhe veprimtaria e tij patriotike,  sidomos pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,  bashkë me Stefan Pellazgun, shqiptarin  siç filluan ta thërrisnin, nga  fshati Postenan i Leskovikut. Krahas  punës u morën edhe me shpërndarjen e librave dhe gazetave shqipe.  

Veprimtaria 

Kjo veprimtari ra në sy të autoriteteve  vendase dhe kundër tyre filluan ndjekjet  për arrestim. Stefani u arrestua, ndërsa  Stathi mundi të arratisej dhe të shkojë  në Amerikë. Këtu menjëherë e u njoh  me rrethet patriotike dhe u vu në shërbim  bim të çështjes kombëtare.

Në vitin  1888 u martua me Kostandin Logon  me origjine nga fshati Izgar i Shqerisë,  me të cilën lindën, rritën dhe edukuan  me frymën patriotike 5 djem dhe  4 vajza dhe do ta shohim me vonë me  çifte në krahë dhe kobure në brez, në  mbështetje të bashkëshortit të vet. 

Kthimi në Atdhe  

Më 1899 Stathi u bë prift nga një klerik  ortodoks sirian, për të mos rënë nën influencën  greke, dhe veshi veladonin e  priftit. Po këtë vit me porosi të patrioteve  të Amerikës, u kthye në atdhe,  për të punuar e luftuar për gjuhën, shkollën dhe kishën shqiptare, që  kishin rënë në duart e shovinistëve  grekë, pas fitores së revolucionit grek  të 1820 me pëlqimin e pushtuesve  turq.

Me të shkelur në Përmet zhvilloi  një meshë në gjuhën shqipe, veprim  ky pa precedent për kohën, që  bëri bujë mes ortodoksve përmetarë.  Por, ky veprim tërboi grekomanët dhe  menjëherë u thirr nga zëvendës dhespoti, Spiridhoni, një filogrek i tërbuar,  që e qortoi pse kishte lexuar ungjillin  në gjuhën shqipe dhe e porositi në  mënyrë urdhëruese, që herë tjetër  ta kryente meshën në gjuhën greke,  sepse sipas tij dhe ustallarëve të tij,  ajo ishte gjuhë e Perëndisë, “gjuha shqipe ishte gjuhë e mallkuar”.

 Por, Atë  Stathi me një ironi therëse ja ktheu:  “Hirësi, shqiptarët merren vesh me Zotin  më mirë me shqipen se sa me greqishten!  Pastaj Zoti i di të gjitha gjuhët  pse të mos e dijë dhe shqipen!?”

Përplasja 

Grekomani Spiridhon, i tërbuar nga kjo  përgjigje e mallkoi duke i thënë: “Të  vaftë shpirti në xhehenem pasi ti ke  dale nga udha e perëndisë. At Stathi,  hazër xhevap ja ktheu: “ Do të ta di për  nder të më dërgosh në xhehenem, pasi  zotrote do të vesh në parajsë, kështu  që atje nuk do ta kem zotërinë tënde,  dhe atje do të më lësh rehat”. 

Ai u  shpjegoj si fshatarëve ashtu edhe  klerikëve të tjerë domosdoshmërinë  e të meshuarit dhe të folurit shqip,  si në jetë ashtu edhe në kishë. Ai u  thoshte se “Nga a pangrëna mund të  vdesin 20-30 shpirtra, ndërsa nga e  padija vdes mëmëdheu me të gjitha.” 

Autoritetet turke 

 Ai tërë jetën u ndoq si nga autoritetet  turke ashtu edhe nga Fanari Grek dhe  Patrikana e Stambollit. U arrestua  dhe u burgos disa herë, në Përmet,  Leskovik dhe dy herë ra në burgun e  Janinës më 1910 dhe 1913. Por, At  Stathi nuk u tut nga presionet dhe  torturat dhe nuk hoqi dorë nga idealet  dhe veprimtaria e tij atdhetare. 

Ai  dhe familja e tij në Melan, priti dhe përcolli,  pa iu trembur syri, gjithë komitetet,  që kishin dalë maleve për lirinë e  Shqipërisë të kryesuar nga Çerçiz Topulli,  Mihal Grameno, Riza Velçishti etj.  Mihal Grameno, duke portretizuar figurën  e tij shkruante: “Kur dridhej bota  nga Sulltan Hamiti dhe nuk guxonin të  shfaqnin as kombësinë, At Stath Melani  ishte nga të paktët që luftonin për  të drejtat kombëtare.” 

Lidhja Ortodokse 

 Kur u krijua Lidhja Ortodokse në Korçë  me 1908 nga Mihal Grameno, At Stathi  menjëherë u regjistrua anëtar i saj.  Në kohën e kryengritjeve të mëdha  të viteve 1909-1912, At Stathi me  të birin Manthon krijoi dhe u vu në  krye të një çete patriotike që luftoi  kundër pushtuesve turq për lirinë dhe  pavarësinë e Shqipërisë dhe me pas,  në vitet 1913-1914, kundër ushtrive  pushtuese greke që shkelën trojet tona  dhe synonin të realizonin ëndrrën e  tyre të hershme për aneksimin e Shqipërisë  Jugore.

Është tepër domethënës  fakti që në çetën e komanduar  nga një prift ortodoks, veç djalit të  tij Manthos, shumica e pjesëtareve  të saj ishin myslimane nga Përmeti,  Leskoviku e Kolonja.

Kjo çetë zhvilloi  në sërë betejash të përgjakshme  kundër andarteve greke si në Melan,  Delvinë, Postenan, Radimisht, Kokojkë  të Frashërit deri edhe në Sinjë të Beratit,  në gusht 1914 kundër forcave të  Esat Pashë Toptanit që ishte drejtuar  për të përmbysur Qeverinë e Vlorës.  Në një lajm të shtypit të kohës “Përlindja  e Shqypnisë” thuhet se Qeveria  e Vlorës e kishte caktuar komandant  ushtrie në Përmet.  

Arrestimi  

Me 1914 kur hynë forcat rebele në Vlorë  u arrestuan një sërë figurash patriotike.  Shtypi i kohës shkruante: “Forcat e Esat Pashë Toptanit dhe të Mustafa Ndroqit  si hynë në Vlorë zunë nja dhjetë nga baballarët  më të fuqishëm, si Marko Qypin me të vëllanë,  At Stath Melanin me të birin, etj”. Me gjithë  këtë ai prapë nuk hoqi dorë nga rruga e nisur. 

Me t’u liruar u nis për në Amerikë. Por, së pari  qëndroi në Bari pasi nuk kishte para për të udhëtuar  më tej. Që andej u telegrafoi shokëve të  Amerikës dhe kështu mbërriti në Amerikë për të  ngritur opinionin e atjeshëm dhe patriotizmin e  shqiptareve për të dhënë kontributin e tyre me  të holla apo fizikisht për të shpëtuar Shqipërinë  nga rreziku i madh që i kanosej. 

Terrori dhe masakrat  në Shqipërinë e Jugut 

Në këtë kohë krejt Shqipëria e  Jugut ishte përshkruar nga terrori  dhe masakrat me çnjerëzore,  me djegie, fshatrash, masakrime  klerikësh bektashiane,  priftërinjsh dhe përdhunime  grash e vajzash. Jo pak por dogjën  300 fshatra dhe masakruan  mijëra vetë. Kjo gjendje u bë pa    padurueshme për At Stathin, të  cilën ua bëri prezent edhe shqiptarëve  të Amerikës.

Ndonjë  mërgimtari që e këshillonte të  mos kthehej në atdhe me që  gjendja ishte e keqe ai ju përgjigj:  “Sot është koha për punë  atje, sot duhet të luftojmë, sot  duhet të vdesim për Shqipërinë, pa nesër kur të lirohet do të ketë shumë të tjerë”. Ndërsa atyre  që e këshillonin të qëndronte në  Amerikë dhe të fitonte para ju  përgjigj: “Pasuri e gjithë botës  nuk janë asgjë për mua, lumturinë  e kësaj bota do t’a fitoj kur të  kthehem në atdhe dhe të përmbush  detyrën”.   

Lufta kundër rebelëve  të Esat Pashës  

Patrioti dhe bashkëluftëtari tjetër i tij Kopi .V  Tushemishi shkruante: “Në luftën e Sinjës me  6 gusht 1914 kundër rebeleve të Esat Pashës,  guximi dhe trimëria e tij ishin të pakufishme,  qëndronte si një kapiten në mes të ushtrisë dhe  luftonte si një dragua”. 

Shoqëria Kombëtare  e Shqiptarëve Muhamedane të Amerikës, në  shpalljen e fushatës së ndihmës për At Stathin,  për t’u kthyer në Shqipëri shkruante: “Historia  zbukurohet e pasurohet me fytyrën dhe veprat  kombëtare të At Stath Melanit. Prej 10 vitesh  që kur e njohim ka qenë një Apostull i Kombit,  i Lëvizjes Kombëtare, duke mos u trembur as  nga ndjekjet e qeverisë turke, as nga patrikana  Greke”. 

Ndërkaq, populli, veprimtarinë e tij  patriotike e ka përjetësuar në këngë që këndohet  në gjithë Shqipërinë e Jugut. Në kohën e  Luftës Antifashiste NAÇL një nga çetat partizane  të Konispolit, u emërtua “Çeta partizane  At Stath Melani”. 

Portreti i tij është ekspozuar  edhe në Muzeun Kombëtar si një ndër figurat  e shquara. Është dekoruar me Urdhrin për  Veprimtari Patriotike si dhe me Medaljen e artë  të Shqiponjës. Për të unë kam botuar edhe një  monografi në gjuhën shqipe dhe atë anglisht me  titull: “Kapedan At Stath Melani me shokë”. Kam  botuar shkrime deri edhe në Revistën “BESA”  në Suedi më 1996.

Konferenca e Londrës detyroi  patriotët të rrinin larg Atdheut  

Me të mbërritur në atdhe mësoi  me hidhërim se vendin e pushtuesve  grekë, të cilët me paralajmërimin  e fuqive të mëdha ishin  detyruar të largoheshin jashtë  kufijve të shtetit shqiptar të caktuar  nga Konferenca e Londrës,  e kishte zënë një pushtues tjetër,  italianët. 

Por, nga këta ai nuk  kishte ndonjë trajtim të keq.  Fanari grek që e kishte shpallur  armik të krishterimit dhe të planeve të tyre shoviniste, aneksoniste,  e gjurmonte këmba  këmbës për ta vrarë. Më 24  dhjetor të vitit 1917 u nis nga  Përmeti për në Melan i shoqëruar  nga dy fshatarë, njerëz  të paguar nga Fanari Grek për  kokën e tij. Me të mësuar këtë  lëvizje, banditët me Josif Suropullin  në krye, i ngritën tri pusi,  njërën tek kthesa e rrugës për  në Trebozisht, njëra në baltën  e kuqe të Lipivanit dhe e treta  në Varret e Melanit.

 Tek e  përpjeta e Lushnjes tek Balta  e Kuqe e Lipivanit kish zënë  pritë vetë Josif Suropulli, një  krye hajdut dhe filogrek, i cili  e qëlloj në befasi teksa ishte  hipur në mushkë, e vrau. Largoi  shoqëruesit nën kërcënimin e  armëve, i preu edhe kokën dhe  ja çoi në Greqi për të marrë  shpërblimin e taksur nga Fanari  grek. Kjo vrasje makabre  helmoi gjithë shqiptarët brenda  dhe jashtë vendit. Trupi i tij  pa kokë u çua në Përmet, ku u  varros me nderime të mëdha në  kishën e Shën Kollit.    

35 vjet veprimtari  atdhetare  

Veprimtaria patriotike, 35 vjeçare  e At Stathit u vlerësua shume  nga figurat e shquara të kohës.  Kështu Fan. S Noli shkruante: “Nuk  jam fort i zoti të përshkruaj shërbimet  e mëdha dhe të rralla që i ka bërë  atdheut. Por, historia pasurohet me  shërbimet e tij të larta dhe të rralla.  Para detyrës nuk iu tremb as zjarrit,  as topit as plumbit. Vuan pasojat e  gjithë pengimet që gjeti në udhë, të  cilat nuk dukeshin gjë përpara detyrës  së shenjtë që kishte për atdheun  për të cilin u bë dëshmor.

Më poshtë  vazhdon: “S’ka zemër shqiptari që të  mos dëshpërohet, për të ndjerin por  të pa vdekurin hero dhe dëshmor i  madh i kombit. Ndërsa Mihal Grameno,  sikurse u përmend me sipër, e  cilësonte si nga të pakët atdhetarë,  që përpiqeshin për të drejtat kombëtare  në kohën e Sulltan Hamitit.

Pandeli  Çeço, bashkëluftëtar dhe patriot  ka shkruar; “U ndoq, u burgos e u arratis  si zogu i shqiponjës, por gjene flaka e atdhetarisë forcoi zemrën e  tij të fluturojë në mes të flakës për  t’i shërbyer Atdheut. Me ungjill, me  pushkë e penë, mal më mal e breg  më breg, mbrojti shenjën e shenjtë  (Flamurin), e cila përfaqësonte gjakun  dhe nderin e vatrave tona. Ky hero, ky  trim, ky Apostull i Kombit, u bë theror  duke dhënë shpirtin e tij”. 

Rrëfimi i Mihal Gramenos 

Më 1917, pas një sërë aktivitetesh në  Amerike mori rrugën e kthimit për në  Atdhe. Udhëtimit të tij i ka bërë një përshkrim  tepër të lartë Mihal Grameno.  Pikërisht, gjendjes të gëzuar shpirtërore  nga ky udhëtim me anije. Në librin e tij  “Kryengritja Shqiptare”, Mihal Grameno  ndër të tjera shkruan: “Një vapor i  madh po përçan detet dhe oqeanet,  pasagjerët ca nga frika e nëndetëseve  gjermane dhe ca nga dallgët e detit    janë strukur nëpër dhoma dhe hambarë. 

 Vetëm një plak flokë thinjur dhe  mjekër të bardhë qëndron në kuvertë  dhe shikon përpara dhe vetëm përpara,  aty këtu në fytyrën e tij shihet një  buzëqeshje, duket që është i kënaqur që  po udhëton”. Më poshtë sqaron: “Ky është  Stath Melani, i cili kur të tjerët luftonin  me Sulltan Hamitin, ai ishte nga të paktët  që luftonte për lirinë dhe pavarësinë  e Shqipërisë”.                      

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet