36 mijë maturantë japin në provimin e parë

Drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri”, Teuta Dobi shpjegon udhëzimet për maturantët në provimin e parë. Policia dhe kamerat nën vëzhgimin e ambienteve të gjimnazeve. 15 nxënës për çdo ambient të mbyllur

Enida Vërça

7 qershori shënon fillimin e sezonit të provimeve të Maturës Shtetërore, i cili do të nisë me atë të Gjuhës së Huaj. Janë rreth 36 mijë maturantë, të cilët do t’i nënshtrohen testit në gjimnazet përkatëse. Drejtoresha e gjimnazit “Sami Frashëri”, në kryeqytet, Teuta Dobi, thotë për “Shekulli”-n se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet dhe janë marrë të gjitha masat për zhvillimin e këtij testi. “Janë 476 maturantë nga gjimnazi ynë, që do t’i nënshtrohen provimit të parë, atij të Gjuhës së Huaj. Çdo gjë është drejt përfundimit. Sallat janë gati, policia është vendosur për të survejuar ambientin. Provimi do të zhvillohet edhe nën vëzhgimin e kamerave”, bën me dije ajo. Më tej shton se provimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë dy orë e gjysmë. “Maturantët duhet të paraqiten në shkollë në orën 08:00 të mëngjesit, pasi është një proces para se të hyjë në provim, leximi i emrave, verifikimi i çdo maturanti dhe kontrolli i tyre, për mjete të cilat nuk i duhen, siç janë pajisjet elektronike për të shmangur mundësinë e kopjimit”, nënvizon Dobi.

Masat

Drejtoresha Dobi thotë se do të merren të gjitha masat të cilat janë të përcaktuara edhe në rregulloren e Maturës Shtetërore, për zhvillimin e të gjitha provimeve. “Distanca e nxënësit nga njëri-tjetri do të jetë 1 metër. Në një bankë do ulet një nxënës dhe në një klasë do të ketë 15 nxënës mesatarisht. Administratorët e provimit, të përcaktuar edhe me udhëzimin, nuk do të jenë mësuesit që japin mësim në ‘x’ shkollë dhe po ashtu nëpër ambientet e shkollës do të qëndrojë vetëm drejtuesi i shkollës”, deklaron ajo. Në fjalën e saj, drejtoresha e “Sami Frashërit”, thotë se e vetmja gjë që duhet të kenë me vete maturantët janë: Mjet e identifikimit, mjetet e punës si dhe një shishe ujë, pasi detyrimisht provimi do të zgjasë. “Të jenë të qetë dhe të përqendrohen maksimalisht, pasi çdo gjë është në fazën finale tanimë. Ata kanë punuar gjatë gjithë vitit, përgatitjet i kanë nisur herët më mësuesit përkatës, tani duhet vetëm të tregojnë njohuritë e marra gjatë këtij sistemi”.

Risitë

Ndryshe nga një vit më parë, Matura e vitit 2019 është ndeshur me disa ndryshime. Si fillim, ka qenë heqja e një provimi për lëndët me zgjedhje, jo më dy, siç ka qenë në vitin 2006. Maturantët e vitit 2019 do të japin 2 provime të detyruara, njësoj si praktika klasike e maturës, që janë gjuha shqipe, letërsia dhe matematika dhe 1 provim me zgjedhje, që mund të jetë e ndryshme për çdo kandidatë. Së dyti, kurrikula e re, ku gjysma është bërthamë dhe gjysma me zgjedhje. Risia e tretë e këtij viti, është edhe korrigjimi i testit me alternativa në mënyrë të dixhitalizuar, nëpërmjet skanimit, e cila rrit më shumë sigurinë e korrigjimit të këtyre testeve. Në lidhje me këtë ndryshim, drejtoresha e QSHA-së, Rezana Vrapi u shpreh për “Shekulli”-n se kjo metodë do të rrisë transparencën dhe shmang gabimet njerëzore në korrigjimin e provimit. “E para, ka të bëjë me cilësinë, që është shumë e lartë në momentin që testi korrigjohet. E dyta, transparenca është më e madhe për publikun, por nga ana tjetër ne do të na mundësonte përfundimin në kohë më të shpejtë të procesit, po ashtu edhe kontroll më të mirë të të gjitha elementeve. Fillimisht, ne duam të kemi garancinë maksimale në këtë proces, pasi Matura Shtetërore është një provim, i cili ka një rëndësi shumë të madhe. Pra, diploma e Maturës Shtetërore, i gjithë procesi dhe çdo test, ka rëndësi jashtëzakonisht shumë të madhe. Për këtë arsye të gjitha hapat që ndërmerren, qoftë për hartimin e testeve duhet të jenë në përputhje më të gjitha metodat bashkëkohore dhe me standardet. Për këtë arsye po përpiqemi që të kemi garancinë maksimale në këtë proces”, deklaroi Vrapi.

Risitë, çfarë ndryshon sivjet

Në fjalën e saj, drejtoresha Dobi thotë se risia e këtij viti në Maturën Shtetërore është, kurrikula e re. “Risia e këtij viti në Maturën Shtetërore, është se për herë të parë del me kurrikulën e re. Kujtojmë që lëndët me zgjedhje në vitet e shkuara kanë qenë që në vit të parë, ndërkohë këtë vit këto lëndë janë vetëm në Maturë. Kjo është pritur mirë nga mësuesit, ndërsa nxënësit kanë pasur skepticizmin e tyre. Duke qenë se zgjedhjet fillojnë në vitin e fundit, ngarkesa e materialit është më e madhe. Në Maturë, gjysma e kurrikulës është bërthamë, gjysma me zgjedhje”, tha ajo. Më tej shtoi se në gjimnazin “Sami Frashëri”, nxënësit janë më të pirur drejt lëndëve ekzakte, si fizikë, kimi, matematikë etj.

Provimet e tjera

Pas provimit të sotëm, atij të gjuhës së huaj, në datën 12 qershor maturantët do t’i nënshtrohen testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë. Provimi për lëndën e matematikës do të jepet në datë 17 qershor, ndërsa sa i takon lëndëve me zgjedhje do të jepen më datë 22 qershor. Ato maturantë/kandidatë që do të rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2019, do t’i rijapin provimet në sesionin e dytë.

Bëhet gjithashtu me dije se institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, do të marrin nga shkolla listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor 2018-2019 dhe brenda datës 5 qershor 2019, do t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik Matura online.

Lista e maturantëve mbetës më pas do të dërgohen në QSHA, në format të printuar dhe elektronik. Po ashtu bëhet me dije se maturantët mbetës njoftohen që të mos paraqiten në provimet e Maturës Shtetërore 2019 pa likuiduar më parë provimet e klasës.

 

Nje kolone

Klasat

Mjediset e provimit dhe vlerësimi i testeve

Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim, testi i gjuhës së huaj që do të jepet si provim i detyruar (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë (gjimnazit) trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të studimeve të shkollës së mesme që maturanti kryen. Lënda që do të jepet si provim i detyruar i gjuhës së huaj, do të përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z. Për maturantët e viteve 2014-2018, që kanë rezultuar jokalues në provimin e detyruar të gjuhës së huaj, saktësohet se duhet që ta rijapin sërish këtë provim në këtë maturë.

Kushtet

Mjediset ku do të zhvillohen provimet duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre. Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë, përveç rasteve të veçanta. Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet. Maturantët/kandidatët duhet të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim. Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40×30 cm. Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Çdo qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

Vlerësimi

AKP-ja shpall skemën e vlerësimit të testit, jo më vonë se tri orë pas përfundimit të çdo provimi të Maturës. Vlerësimi i përgjigjeve të maturantit bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë të përshkallëzuar. Sa i takon personave të cilët do të kryejnë vlerësimin e testeve, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh. Sipas rregullores kërkohet që këta persona të kenë arsimin përkatës në fushën ku do të kryejnë korrigjimet, të kenë më shumë se 5 vite punë në mësimdhënie në shkollë të mesme, në lëndën që do të korrigjojnë. Të jenë korrektë me punën dhe në vlerësimet e mëparshme të maturës shtetërore, të jenë vlerësuar me “mirë” ose “shumë mirë”, e po ashtu dhe në kualifikimin e fundit të mësuesve, si dhe të jenë të certifikuar si vlerësues dhe të mos kenë konflikt interesi.

Rregullat e provimit, rastet që iu përjashtojnë

Maturanti paraqitet në qendrën e provimit, 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të provimit. Në momentin e paraqitjes në mjediset e provimit, duhet të ketë dokumentin e identifikimit dhe mjetet e nevojshme si: laps e stilolaps, vizore, kompas, makinë të thjeshtë llogaritëse. Kandidati plotëson testin me stilolaps me një ngjyre blu/të zezë. Në pyetjet me alternativa, maturanti/kandidat rrethon vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Nëse kandidati rrethon më shumë se një alternativë, ose nuk rrethon asnjë alternativë, vlerësohet me 0 pikë. Maturantët e seksioneve dygjuhëshe shkollore vendosen në një mjedis nga QSHA, për shkak të monitorimit nga përfaqësitë përkatëse dhe në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe. Për maturantët me aftësi të kufizuara, me miratimin e prindërve, u krijohen kushte të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Për ata që nuk mund të lexojnë apo shkruajnë, PAP-i autorizon një person jo të profilit, për plotësimin e testit sipas përgjigjeve të dhëna me gojë nga maturanti. Ndërkohë për maturantët e paraburgosur, u krijohen kushte të posaçme për dhënien e provimit, të shoqëruar nga forcat e policisë, të cilët duhet të jenë pa armë dhe uniformë. Maturantët që dorëzojnë testin, firmosin për dorëzimin e tij në listën që disponon AP-ja. Kandidatët që dorëzojnë testin e provimit përpara kohës së përcaktuar, nuk mund të dalin nga qendra e provimit para kohës së përfundimit të provimit. Ata grumbullohen brenda qendrës së provimit, në një mjedis të përcaktuar më parë. Kur maturanti vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ai ka të drejtë të informojë AP-në, PAP-in dhe përfaqësuesit e MAS-it. Kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve. Kërkesa me shkrim për fotokopjen e testit paraqitet në KSHMSH, e cila do t’i kthejë përgjigjen.

Përjashtimi

Maturanti përjashtohet nga provimi kur: Ndryshon vendin që i është caktuar; Merr, jep informacion apo kopje ose komunikon me maturantët e tjerë; Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit; Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimi; Refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjatë hyrjes në qendrën e provimit.

Maturantit nuk i njihet rezultati:

a)Nëse përdor laps apo stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuara ose përdor më shume se sa një ngjyrë në plotësimin e testit.

b)Nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (bar-kodin).

c)Nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal.

d)Nëse vërtetohet kopja, e pjesshme ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED-i.

e)Nëse është marrë masa e përjashtimit nga provimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet