Kërkonim uranium, e zbuluam dhe i “vulosëm” galeritë

Leonard Veizi

Uranium nuk kishte në sasitë që pretendohej por uraniumi duhej gjetur gjithsesi… …Gëzim Shima ishte një nga inxhinierët i cili bënte pjesë në ekipin që kërkonte uraniumin shqiptar, e që më pas u emërua si shefi i ekipit të rivelimit për kërkimin e tij. Në ato vite, puna e këtij ekipi ishte tepër e ndërlikuar dhe nën masa të rrepta sigurie. Ai thotë se në galeritë e kërkimit të uraniumit punonin njerëz që duhet të mbanin sekretin. Sot 26 vjet pas mbylljes së galerive ku u gjet mineral me përqindje të pakët uraniumi, Shima thotë se gjithsesi kërkimi intensiv i përket së ardhmes.

 Cila ishte detyra juaj si ekip inxhinierësh gjeolog?

 Hartat tona ishin më të rëndësishme se ato të topografisë ushtarake dhe puna jonë vlerësohej më shumë se sa e uzinave sekrete të ushtrisë. Detyra parësore ishte të gjenim gjurmët e uraniumit, kudo që të ndodhej ai, në Jug apo Veri. Ishte një detyrë e cila duhej zbatuar me çdo kusht, pasi vetëm në këtë mënyrë, gjithë bota do kuptonte se ekspeditat e huaja që kishin rrëmuar tokën shqiptare për të njëjtën çështje, kishin dështuar. Në këtë mënyrë, Shqipëria do tregonte gjithashtu se ishte e aftë të ndërtonte socializmin duke pasur si pasuri, lëndën e rrallë radioaktive që përdorej gjerësisht në elektricitet, mjekësi e armatim. 

Ndërkohë specialistë të huaj kishin kërkuar për uranium në territorin shqiptar? 

Specialistët rusë, që u larguan nga Shqipëria më 1960, thanë se Shqipëria kishte nivel të varfër me lëndë radioaktive të tipit uranium, por këtë duket se nuk donin ta besonin qeveritarët e lartë, të cilët në kërkime të këtij lloji orientuan dhe specialistët kinezë. Por duket se as kinezë, nuk ishin optimistë në gjetjen me sasi të konsiderueshme të uraniumit shqiptar. Kishim hartat e lëna nga rusët. Ata kishin përcaktuar disa zona, por pasi i verifikuam, nuk doli gjë. Kështu që na ra pjesa ne shqiptarëve t’i shtrohemi punës. 

Në fakt kishte Shqipëria vendburime uraniumi?

 Formacionet ku lokalizoheshin vendburimet e uraniumit në Shqipëri, kjo e mbështetur saktësisht në shkencën gjeologjike, kishin përhapje të kufizuar dhe rezervat ishin të papërfillshme. Në vitin 1972, në gazetën Zëri i Rinisë, në faqen e saj shkencore, botova një artikull të titulluar shkencërisht “Lantanidet”, por që në shqip vjen me emrin “Elementët e tokave të rralla”. Në këtë artikull, flitej për elementët në “tokat e rralla shqiptare”, mënyrën e përpunimit të tyre dhe koston e një shpenzimi të tillë. Mesatarisht gjatë përpunimit të 10 mijë tonëve mineral dilte 1-kilogram Metal, i cili përmbante në vetvete 14 elementë të rëndësishëm. Ky Metal, përdorej gjerësisht në të gjitha fushat e teknikës dhe në atë kohë në tregun evropian kushtonte më shumë se 200 mijë dollarë për kile. Gjithsesi, një punë e tillë kishte një kosto të lartë për një vend si Shqipëria. Në maj të vitit 1974, në një mbledhje ku merrte pjesë dhe Teki Biçoku, Drejtor i Drejtorisë Gjeologjike, relatova haptazi, që forcat e mëdha që përdoreshin në frontin e lëndëve radioaktive, të hidheshin për t’u marrë me kromin e bakrin, që ishin dhe mineralet nga të cilat vareshin më së shumti eksportet shqiptare. Por kjo gjë nuk u erdhi për mirë drejtuesve. Gjatë kësaj mbledhjeje, paraqita dhe pjesë nga punimi im, që cilësonte se zonat me material radioaktiv ishin: në mal të Dajtit dhe në Krujë për lëndën boksid, në Gjirokastër dhe Sarandë për lëndën fosforid, si dhe në Gur të Zi në Shkodër, ku kampionët e analizuar tregonin gjurmë metali radioaktiv tip uranium. Që të përpunoheshin e shfrytëzoheshin lëndët radioaktive, duheshin ngritur laboratorë të kushtueshëm, gjë që Shqipëria e kishte të vështirë t’i përballonte. 

Industria jonë kishte nevojë për uranium? 

Nuk është se industria jonë në ato vite mund ta përdorte uraniumin. Kërkimi i tij kishte lidhje me psikozën që duhet të krijohej në popull se nëntoka jonë kishte gjithçka, flori edhe argjend, bakër edhe krom e në fund edhe lëndë radioaktive. Për këtë arsye shteti shpenzoi miliona dollarë e mbajti për më shumë se 15 vjet rreth 250 specialistë e punëtorë me rroga të larta, të cilët hapën galeri kërkimi prej qindra metrash.

 Ku raportonit për punën tuaj? 

Kryeministrin Mehmet Shehu e takonim sistematikisht një herë në 6 muaj për t’i raportuar. Nëpër biseda kam kuptuar se ai e konsideronte uraniumin si rezervë, që mund të hynte në punë më vonë. Pra, Mehmeti ishte më i moderuar në koncept. 

Zbulimi i vendburimeve në Veri 

Para se të emërohesha në krye të ekspeditës, në Kukës, në zonën e Shishtavecit, në vendin e quajtur Nimçe, që në vitin 1970, ishte gjetur një damar minerali me përmbajtje uraniumi. Gjithçka ishte meritë e një grupi gjeologësh që drejtohej nga Llambi Llango e Vasil Nasi, ndërkohë që për kërkim/zbulimin fillestar patën merita gjeologët Petrit Kodheli dhe Ismail Balluku. Për zbulimin e vendburimit të dytë, atij të Muhurit në zonën e Peshkopisë, ishte edhe kontributi im, por meritën më të madhe e kishin teknikët gjeofizikë Sulejman Dama, Sabri Luli e Gëzim Kalldani. Një ndihmë të madhe në kërkim/rilevime dhe kërkim/zbulime kishin dhënë inxhinierët gjeofizikë Safet Dogjani, Osman Lika, Pëllumb Kasapi etj. Por gjithsesi vendburimi i Kukësit, apo galeria e Nimçes, kishte përmbajtje më të madhe të uraniumit. Nëse në Muhur të Dibrës u gjet mineral që kishte deri në 0.05% uranium, në Nimçe të Kukësit kjo sasi ishte në rastin më të lartë deri në 0.5 për qind”. 

 Dy vendburimet 

Sipas Gëzim Shimës, në vitet 1970- 1986, ishin vetëm dy galeritë ku u gërmua vetëm me qëllim kërkimin e mineralit të uraniumit. Një prej galerive u rrëmua në këmbë të lumit Topojan, në zonën e Shishtavecit në Kukës, kurse galeria tjetër në Muhur të Dibrës, në breg të lumit Setë. Në galeri u gjet një shtresë e mineralit uraniummbajtës e trashësisë nga disa milimetra deri në dhjetëshet e para të metrave.   

Në krye të ekspeditës sekrete 

Në 1972 Gëzim Shimën e emërojnë në krye të ekipit që kërkonte uranium. “Në Ndërmarrjen Gjeofizike të Tiranës u hodhën për herë të parë idetë e nisi puna për kërkim/vlerësimet e mineraleve të rralla, të çmuara dhe radioaktive. Kisha dëgjuar për një ekspeditë që kërkonte uranium, se ajo ishte pjesë e ndërmarrjes sonë, por e dija mirë se gjithçka ruhej sekret e nuk guxoja të pyesja më shumë. Përmes tyre mësova se materialet radioaktive lokalizoheshin në zona me ndërtim gjeologo-tektonik të ndërlikuar, me zhvillime të magmatizmit acid. Zona ku nxirrej uranium në përqindje të vlefshme për t’u shfrytëzuar, kishte shumë pak në Evropë. Nxirrej vetëm në Çeki, Francë e Suedi. Ndërkohë që në Rusi, SHBA, Afrikë të Jugut, Kongo, Gabon e Australi, përqindjet e përmbajtjes së uraniumit në mineral ishin shumë më të mëdha.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Abissnet