3440 kontrolle,1487 biznese me shkelje

Shifrat e anti-informalitetit/ Në 45 ditë kapen mbi 1250 punonjës pa sigurime. Gjysma e bizneseve janë gjobitur ose bllokuar.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, ka bërë një përmbledhje të të gjitha kontrolleve të deritanishme, në kuadër të aksionit kundër informalitetit. Ibrahimaj deklaroi dje se janë kontrolluar 3440 subjekte, prej të cilëve 1487 kanë rezultuar me shkelje të ndryshme.“3440 subjekte janë kontrolluar, 1487 me shkelje, një pjesë janë gjobitur dhe një pjesë janë bllokuar. Janë kryer rreth 50 mijë vizita në Shqipëri, me qëllim që t’i sensibilizonim se do fillojmë me planin. Aktualisht jemi shtrirë në gjithë bregdetin, në bar-biznese, hoteleri-turizmit. Kemi konstatuar shkelje të ndryshme, regjistrim subjekti, faturë, sigurimi i punonjësve. Kemi konstatuar shkelje të të gjitha llojeve. Numri më i madh i shkeljeve ka qenë për moslëshim të kuponit tatimor, ku subjektet janë bllokuar. Qëllimi ynë ka qenë formalizimi për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve. Niveli i shkeljeve rezulton ende shumë i lartë, edhe në fazën e dytë. Qëllimi kryesor është që ata biznese që paguajnë të gjitha taksat e detyrimet të punojnë në kushtet e një konkurrence të rregullt. Është shumë e padrejtë, që gjysma e bizneseve rezultojnë me shkelje. Kur nuk jepet kuponi, paratë shkojnë në xhepat e një biznesi”, tha drejtoresha e Tatimeve. Më tej, ajo u shpreh se plani operacional do vijojë me kontrollin e karburanteve dhe subjekteve të ndërtimit. Sipas saj, shkeljet më të mëdha janë konstatuar në bizneset VIP dhe të mëdhenjtë, që janë dhe qëllimi i këtij aksioni. “Plani operacional nuk ndalon vetëm këtu. Ne po monitorojmë subjektet e ndërtimit, karburantet, ku kemi evidentuar një sërë shkeljesh, që po inspektohen. Synimi është që plani operacional të jetë i shpërndarë gjatë gjithë vitit. Duket sikur jemi vetëm te turizmi, por është vetëm sezoni që e bën të ndihet në këtë moment si një plan i drejtuar vetëm te ky sektor.

Fushata

Punëdhënësit vijojnë në masë të shfrytëzojnë maksimalisht punonjësit e tyre duke mos përmbushur detyrimet ligjore.  Puna në të zezë, ku bizneset nuk deklarojnë të punësuarit, duke iu shmangur kështu detyrimeve të pagesave për sigurime shëndetësore dhe shoqërore, apo taksave mbi pagën, vijon të mbetet një fenomen shqetësues në vend. Fushata anti-informalitet e ndërmarrë së fundmi, ka nxjerrë në pah këtë problematikë, ku sipas të dhënave zyrtare vetëm për 45 ditë janë kapur të pa siguruar 1245 punonjës. Një shifër rekord kjo, që thuajse i afrohet asaj të një viti të plotë, pasi në  total në 2018-ën u evidentuan në të zezë 1580 punonjës.Tashmë të punësuarit pa të drejta janë referuar në organet tatimore dhe janë futur në skemën e detyrueshme të sigurimeve, nga ku dhe marrin përfitimet e përcaktuara me ligj. Sipas të dhënave,  rajoni qendror ka rezultuar më problematiku në këtë drejtim, me 580 punonjës informal ku peshën kryesor e zë Durrësi dhe Elbasani. Ndërsa rajoni jugor dhe ai verior janë në shifra të përafërta informaliteti në këtë drejtim,  ndërsa Vlora, Gjirokastra dhe Shkodra rezultojnë me problematikë më të theksuar.

50 mijë kontrolle janë kryer te bizneset para se të fillonte aksioni anti-informalitet, i cili gjatë kësaj periudhe është shtrirë në gjithë bregdetin, në bar-biznese, hoteleri-turizëm etj.

Fiskalizimi

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar detaje teknike që lidhen me procesin e ri të faturimit dixhital, teksa një paketë e re ligjore për jetësimin e këtij sistemi është lëshuar për konsultim.Ka raste kur fiskalizimi i faturës nuk do të jetë i mundur në momentin e lëshimit të faturës. Arsyeja për këtë mund të jetë mungesa e lidhjes në internet për shkak se emetuesi mund të jetë në zona të largëta. Sipas tatimeve në këto situata emetuesi do të lëshojë faturë të blerësit, së bashku me të gjitha karakteristikat e tij, por në vetvete fiskalizimi nuk do të bëhet në momentin e lëshimit të faturës. Emetuesit do të ruajnë faturat që lëshuan në pajisjen që përdorën (arkën ose të ngjashme). Çdo mesazh do të futet në dosjen e vet të cilësuar “RegisterInvoiceRequest_.xml”.  Pasi emetuesi të lidhet me internetin do të bëjë fiskalizimin e faturave të tij përmes portalit. Shërbimi në internet ka disa operacione të cilat do të përdoren nga tatimpaguesi që ka nevojë të bëjë fiskalizimin e faturave. Faturat lëshohen nga pajisja elektronike e faturimit e përfaqësuar nga kodi i saj. Kodi caktohet në funksion të regjistrimit të pajisjes elektronike të faturimit, e cila duhet të ekzekutohet gjatë instalimit të secilës pajisje elektronike të faturimit. Në fillim të çdo dite, pajisja elektronike e faturimit e cila merret me transaksione në para duhet të regjistrojë shumën e parave të gatshme në depozitë dhe vetëm atëherë duhet të fillojë të lëshojë faturat. Çdo faturë duhet të regjistrohet në shërbimin e fiskalizimit dhe pas regjistrimit të suksesshëm faturës i caktohet FIC e cila shtypet në faturë. Në rast se fatura duhet të korrigjohet, lëshohet faturë e re korrigjuese duke iu referuar faturës e cila duhet të korrigjohet. Kjo faturë e re korrigjuese ka artikuj me sasi dhe çmim negativ që korrespondojnë me artikujt në faturë origjinale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet