Për projektin e 15-katëshit, arkitektët u dërguan dy javë në Jugosllavi

Leonard Veizi

 –Për herë të parë në Shqipëri po ndërtohej një godinë shumëkatëshe që edhe pse nuk i përmbushte kushtet për të qenë një qiellgërvishtës sërish do të ishte tërësisht dominuese mbi të tjerat. Përveç kryeqytetit, Tiranës, askush nga qytetet e tjera nuk mund ta kishte këtë privilegj dhe firma ishte dhënë nga lart: Të ndërtohen 15 kate në qendër të kryeqytetit.

 Tirana kishte hotel “Dajtin” të ndërtuar nga italianët, por arkitektët gjithsesi ishin të papërgatitur për të modeluar një hotel luksi ku mund të kënaqej syri i çdo turisti të huaj që do të akomodohej në të. Duke kujtuar periudhën si pjesëtar i projektit në fjalë, P tregon në këtë intervistë për “Shekullin” peripecitë e grupit të punës që nga komunikimi i vendimit e gjer te udhëtimi në Jugosllavi për të marrë shembull nga infrastruktura e vendit fqinj.

Si lindi ideja që në Tiranën me katër dhe pesë kate të nderohej një “pesëmbëdhjetëkatësh”?

Ishte viti1972. Tashmë isha bërë i njohur si arkitekt me projektet e banesave të ndërtuara në Tiranë e në Korçë, si dhe në shkrimet e herë pas hershme në shtypin e përditshëm, mbi probleme të arkitekturës. Ishte bërë takimi i parë kombëtar i arkitektëve, ku ndonëse në radhën e dytë, isha në tribunë dhe fola në atë takim. Në këtë kohë, pushteti donte të bënte diçka që të dukej, të bënte përshtypje në popull e në ata pak të huaj që vinin. Si mjet efikas u gjet ndërtimi i hoteleve turistike nëpër qendrat e qyteteve kryesore, ku mund të bëheshin ndërtime disi të larta. Arkitektëve kjo gjë u pëlqente shumë, se ishin të etur të projektonin objekte të këtij lloji. Pra, interesat e pushtetit dhe të specialistëve në këtë pikë shkonin paralel. Gjithashtu, linja moderne në arkitekturë, tashmë ishte bërë fakt dhe ndihmonte në projektimin e hoteleve. Në këtë atmosferë, na u dha lajmi i bujshëm se do të projektohej hoteli i madh në qendër të Tiranës. Vendi i ndërtimit dhe forma relativisht e lartë e objektit, ishte caktuar që më parë nga disa studime urbanistike të bëra për qendrën. Rëndësi kishte se kush do ta projektonte.

Dhe kujt do t’i besohej ky projekt?

Kur ishte fjala për projektim objektesh të tilla të rëndësishme, udhëheqja shtetërore e partiake e ministrisë dhe e Institutit të Projektimeve, nën parullën e “luftës kundër individualizmit”, e kishte gjetur çelësin e artë. Krijonte një grup pune “me specialistët më të mirë”. Edhe për projektimin e hotelit të Tiranës, ky çelës hyri fort në punë. U krijua grupi i punës, ku ishin: V. Pistoli, K. Çomi, M. Pepa, nga Instituti, Petraq Kolevica nga Zyra e Projektimit e Komitetit Ekzekutiv Tiranë, si dhe disa arkitektë, që posa kishin mbaruar fakultetin, por që duhej t’u hapej vendi në Institut, si K. Kolaneci, N. Theodhosi, etj. Të gjithëve na mblodhi drejtori, S. Angoni dhe na propozoi që të ishte si kryetare grupi Valentina Pistoli, që – siç tha ai – është arkitekte me përvojë dhe anëtare partie… Shpejt, filloi puna. Para se të hiqja vijën e parë, e kisha vendosur të thosha deri në fund fjalën time, megjithëse e dija që nuk do të dëgjohej. Kjo ma bënte më të lehtë të mos kërkoja bashkëpunim. Gjithashtu, M. Pepa, për arsyet e veta, e dinte që nuk e kishin për zemër as të rinjtë e as të vjetrit, prandaj dhe ai u përpoq të punonte i pavarur. K. Çomi dhe bijtë e baballarëve të mëdhenj u afruan më shumë si fraksion i padukshëm i grupit. Valentina mundohej ta dridhte shkopin e dirigjentit, por orkestra me instrumente frymore të atij grupi, ekzekutonte melodi të parapëlqyera. Për fat të mirë, të gjithë e pranuam mangësinë e madhe që kishim: Ne, që do të projektonim hotelin e madh të Tiranës, nuk kishim parë asnjë hotel turistik të vërtetë.

Çfarë masash do të merreshin pas pranimit të këtij “handikapi”?

E ngritëm problemin në ministri. Nga Komiteti i Partisë ndihmoi Fadil Paçrami dhe ministri Rahman Hanku, keqdashës i deklaruar i arkitektëve, i cili mbeti ngushtë dhe tha: “Mirë, le të venë në Jugosllavi, por unë kaq para kam. Me këto para le të shkojnë. Për sa ditë do t’u sosin, aq le të rrinë”. E pranuam. I mbushëm valixhet tona me sallam, konserva e kaçkavall, na dhanë një mikrobus, prodhim polak, na dhanë ato të shkreta pasaporta për jashtë shtetit dhe u nisëm. Ishim gjashtë përfaqësues të turizmit dhe shoferi. Fjetëm një natë në Shkodër dhe të nesërmen ishim në Titograd (Podgoricë). Të pritur nga përfaqësuesi i Turizmit, filluam me hotelet aty. Shihnim me radhë ambientet, merrnim ndonjë përmasë. Unë kisha marrë aparat fotografik dhe fotografoja gjërat që më dukeshin me interes. Pas Titogradit, i ramë përgjatë bregut të Dalmacisë, nga Dubrovniku, deri në Rijeka e pastaj në Slloveni (në Lubljanë, ku pamë hotelin “Sllon”) e zbritëm poshtë, duke parë hotelet në Zagreb, Beograd, Shkup. Pastaj nuk pati interes tjetër, përveç se natyra e bukur e Shën Naumit, kisha e manastiri i atjeshëm, disi Struga dhe kaq. Në dy javë udhëtimi të lodhshëm, pas kësaj fasade, që mund të duket e bukur hapej kapaku i varfërisë së turpshme. Pesë inxhinierë, të njohur në vendin e tyre, hanin bukë e djathë apo bukë e sallam e ndonjë konservë duke ikur udhëve me makinë, pa guxuar të hynin në ndonjë gjellëtore, të hanim makar një supë orizi të ngrohtë. Flinim nëpër hotelet më të lira të periferive dhe copat e sallamit e të djathit, që ende nuk i kishim ngrënë, i vinim natën jashtë dritares, që të rrinin në fresk e të mos prisheshin. Në aventurën e trishtuar të të ushqyerit tonë autarkik, nuk do të mund të harroj të gjorën Valentinë. Si ushqim, ndër të tjera, ajo kishte marrë një pulë të zier. Ditët e udhëtimit ishin të nxehta, ca më shumë brenda në makinë dhe pula filloi të binte erë. S’ mbetej veçse të hidhej. Pastaj, gjatë rrugës, e gjora Valentinë, mblidhte fara trëndafili të egër, se, siç i kishte thënë Cirili, kishin shumë vitamina dhe ajo bënte me to çaj dhe njomte bukën. Po, Valentina Pistoli, që kishte punuar një çerek shekulli si arkitekte! Nga dieta mizerabël, mundoheshim të kursenim diçka, për të blerë diçka.

Si do të vazhdonte puna pas kthimit në Shqipëri?

 Pas kthimit, puna filloi edhe më intensive. Diskutuam të gjithë e ramë me zgjidhjen planimetrike të katit, të formës, mobilimit e të dhomave, banjave e ambienteve të tjera. Me vizatimin, konkret të tyre u mor kryesisht Valentina. Kur erdhi puna e trajtimit arkitektonik të fasadave, mendimet u ndanë. Ndërkohë po formohej një si variant projekti më i preferuar, ku zë i parë dëgjohej Klement Kolaneci. Ai këmbëngulte me kryeneçësi që fasada të ishte rreth e qark krejtësisht xhamllëk. Kundër isha unë e M. Pepa, kurse K. Çomi, ndonëse i mbështeste, vazhdonte të bënte më vete zgjidhjen planimetrike e vëllimore të dy kateve të para. Unë gjithashtu, vazhdoja të punoja variantin tim. Po afrohej dita e Këshillit Teknik. Atje, e dija se zëri im nuk do të dëgjohej, prandaj idetë e mia dhe kundërshtimet për variantin që po parapëlqehej, i shkrova e ia dorëzova S. Angonit. Mbledhja e Këshillit Teknik u bë në sallën e Komitetit Ekzekutiv (që u prish më pas). Mori pjesë dhe Fadil Paçrami. Atë ditë mua më kishte qëlluar radha të bëja roje te porta e brendshme e Komitetit Ekzekutiv. Mbledhja e Këshillit Teknik për miratimin e projektit të hotelit, bëhej 10 metra larg vendit, ku unë bëja roje, por asnjëri nga kolegët e as nga drejtoria, nuk u kujtuan të më thërrisnin brenda, duke më zëvendësuar me dikë, në mënyrë që të ruante portën e Komitetit Ekzekutiv, të mos hynte “armiku”. Projekti u miratua, por unë, anëtari i grupit, refuzova të quhem autor i atij projekti dhe nuk firmosa asnjë fletë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Abissnet