30 dibranët e zhdukur, të braktisur nga shteti shqiptar

Nga Albert Nesimi

Historia e 30 dibranëve të zhdukur në brigjet e Otrantos është një tragjedi për familjarët, por për shtetin shqiptar duket si një lojë kukafshehti. 23 vite kaluan dhe asnjë hetim nga ana e shtetit!

Dua ta nis këtë ngjarje me ditarin e Abdurahim Ashikut: E mërkurë, 13 mars 1996 Kohë e butë, ditë me diell. Dëbora e cila që nga 9 marsi nuk rreshti, vazhdon të shkrijë.. Shefqet Rusi më informon se Maqellara ka shpërthyer në lot. Në brigjet e Otrantos është gjetur trupi i pajetë i djalit te Zaudin Qokut nga Kllobcishti. Ai ka qenë ne një gomone me 30 vetë të tjerë që synonin te shkonin në Itali…

Lajmi i zi arrin në Maqellarë.

Komisariati i Vlorës njofton komisariatin e Peshkopisë se një djalë i ri nga Maqellara e Dibrës është gjetur i vdekur ne breg te detit, nxjerrë nga valët e ftohta të tij. Njerëzit e familjes, me dhimbjen e madhe për njeriun e tyre të dashur nisën për të marrë djalin e vdekur. Në Vlorë mësojnë se kufoma nuk është gjetur në brigjet e detit shqiptar, por në anën tjetër të detit, në brigjet e Otrantos. Në Maqellarë të Dibrës është hapur mort. Deri tani për familjarët nuk ka asnjë lajm, asgjë që të qetësojë zemrat e ngrira nga tmerri të nënave, baballarëve, motrave, grave, fëmijëve, të afërmve të këtyre familjeve. Maqellara kërkon të hidhet zyrtarisht dritë mbi këtë ngjarje te rëndë, të qetësohen zemrat e ngrira te prindërve.

Por Xhide Hoxha, e afërmja e dy prej të zhdukurve nga Maqellara tregon se djemtë e deklaruar nga autoritetet greke dhe shqiptare si të mbytur, teksa tentonin të largoheshin nga Shqipëria, janë gjallë dhe ndodhen në burgjet e Korfuzit. Familjarët e të zhdukurve janë zvarritur nëpër dyert e gjykatave, prokurorive, por nuk kanë marrë kurrë përgjigje!

Neni 17 i Kodit Civil thotë: Personi që është shpallur i zhdukur, me kërkesën e çdo të interesuari, mund të shpallet i vdekur me vendim te gjykatës, kur kanë kaluar pa patur lajme katër vjet nga dita që është shpallur i zhdukur.

Unë si student i drejtësisë e hedh poshtë këtë nen sepse personi që është zhdukur ndoshta është rrëmbyer, ndoshta mund të jetë bërë sllav i dikujt. Mjafton shprehja e drejta është ligj, ndërsa ligji nuk është i drejtë! Dhe e kuptojmë mjaft qartë ligjin! Ti si shtet si mund ta quash të vdekur një person, ku ndërkohë ai mund të jetë gjallë apo është me thjeshtë për hetimet që mund të bëjë prokuroria në bashkëpunim me policinë? Për mua është krim, dhe do të mbetet krim derisa te zbardhet ngjarja.

Dhe këtë kriminalitet e lidh me nenin 148 te Kushtetutës ku thotë: Prokurori i përgjithshëm raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit, kur asnjëherë në kuvend nuk është folur për zhdukjen e 30 Dibranëve! Ku është Prokuroria që nuk e merr mundimin të hetojë për këtë ngjarje? Ku janë Gjykatat që të vendosin drejtësi mbi të zhdukurit në mënyrë misterioze? Ku është policia që nuk bashkëpunon me policinë greke? A kanë nëna këta politikanë që nuk u dhimbsen fare?

TURP PËR SHTETIN SHQIPTAR!

Shpresoj që një ditë të vihen para drejtësisë kushdo që ka gisht në këtë ngjarje për interesa të tyre vetjake. I bëj thirrje shtetit shqiptar, që të bëhen hetime, sepse asnjëherë nuk është vonë.

Edhe sikur të vdekur të jenë; le te varrosen ne vendlindjen e tyre, le të çmallen familjarët e tyre, sepse atyre 23 vite u duken si tre ditë! Edhe sikur eshtrat të vijnë, për familjarët është sikur te jenë te gjallë! Dibra kërkon që të zbardhet sa më parë kjo ngjarje që t’u shërohen zemrat nënave, baballarëve dhe të gjithë ato që kanë ndjenja!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Vija fatale e Ballkanit

Blerim Latifi Gjatë historisë, njerëzit në Ballkan kanë vuajtur nga një lloj fataliteti gjeopolitik. Ky fatalitet ka të bëjë me…

Abissnet