“3 lëndë në 6 orë”, lehtësim i çantave dhe shkarkimi i ngarkesës mësimore

Publikuar më 08. 02. 2018 nga Jola Alimemaj

Nga Lindita Bushgjokaj

Zëvendësminsitrja e Arsimit flet për praktikën e re mësimore, përshtypjet e para pas zbatimit të hënën. Projekti pilot do t’i shërbejë Ministrisë së Arsimit për të parë se si funksion dhe mbart edhe rrezikun e dështimit

Pas shumë reagimesh që kemi pasur për nismën “3 lëndë në 6 orë” nga mësues, nxënës dhe prindër ka reaguar dhe zëvendës ministrja e Arsimit, znj.Besa Shahini. Në një interviste për gazetën “Shekulli”ajo tregoi se projekti i ri mësimor konsiston në zvogëlimin e minutave të humbura, në lehtësimin e çantës, por dhe në thellimin e dijes. Ndërsa për nismën “Bëjmë detyrat e shtëpisë në shkollë”, Shahini e cilëson si një mundësi kryesisht për fëmijët që vijnë nga familje me gjendje të rënduar social-ekonomike. Ajo po pilotohet në 20 shkolla të vendit, ku po praktikohet në disa shkolla në Lezhë dhe Elbasan, ndërsa në Tiranë dhe Fier do fillojë të hënën. Ajo tha, se programi ka synim të na tregojë sesi do të funksionojë dhe rreziqet e dështimit.

Znj. Shahini, cili është qëllimi i nismës “3 lëndë në 6 orë”, strategjia dhe fokusi i saj?

“3 në 6” synon të riorganizojë oraret mësimore që të krijojmë sa më shumë orë “bllok” në sistemin arsimor, që e njëjta lëndë të mbahet për dy orë rresht, aty ku është e mundshme. Nisma ka për qëllim zvogëlimin e minutave të humbura që ndodhin kur kalohet nga një orë mësimore në tjetrën dhe mundësimin e aplikimit të metodave mësimore, që ndihmojnë mësimnxënien, por kërkojnë më shumë kohë se ajo që lejon ora 45 minutëshe.

Të pyetur prindër, mësues dhe nxënës, kanë treguar se nisma ka për qëllim lehtësimin e çantës, por nga ana tjetër ka pasur reagime se realizimi i mësimit në 90 minuta krijon ngarkesë psikologjike. A mendoni se kjo ishte mënyra më e mirë për të “lehtësuar” nxënësit?

Prindërit, mësuesit dhe nxënësit e kanë pritur shumë mirë nismën. Lehtësimi i çantave është një efekt anësor që nisma ka prodhuar për të cilin janë të lumtur sidomos nxënësit tanë nëpër zona rurale, që duhet të ecin për në shkollë. Por nxënësit kanë mirëpritur më së shumti shkarkimin e ngarkesës mësimore që nisma bën për ta. Më pak lëndë, por mësim më i thelluar gjatë ditës. Më pak stres në kohë provimesh kur ata duhej të përgatisnin apo bënin detyra për 6-7 lëndë në ditë. Deri tani komentet nga nxënësit kanë qenë pozitive dhe ata thonë që është përmirësuar shumë eksperienca e tyre shkollore.

A mendoni se “nisma 3 lëndë në 6 orë” është e përballueshme vetëm për nxënësit e mirë, pasi marrin shumë informacion gjatë dy orëve?

Përkundrazi, mësuesit do të kenë më shumë kohë të vlerësojnë dhe kushtojnë vëmendje nxënësve që kanë sfida në të mësuar dhe si rezultat ata do të përfitojnë më së shumti. Por, nëse mësuesi ka planifikuar të ligjëroj përgjatë të dy orëve bllok, askush nuk do të përfitoj. Ideja është që zhvillimi i mësimit të ndahet në periudha 15-20 minutëshe, brenda orëve bllok, që të mbahet vëmendja e nxënësve. Shikohet një video, shpjegohen dy mësime të integruara, zhvillohet interaktivitet me klasën, bëhen ushtrimet dhe pastaj pyeten nxënësit. E gjitha në periudha të shkurtra për të mbajtur vëmendjen e nxënësit.

Pse e ndërmorët vendimin në mes të vitit?

Propozimi na erdhi nga një grup mësuesish dhe prindërish në portalin e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al në dhjetor 2017 dhe ne vendosëm ta implementojmë përgjatë planifikimit 3 mujor që filloi në janar. Ngaqë ndërhyrja nuk ishte kurrikulare as strategjike, por thjesht riorganizim orari, me fleksibilitet në nivel shkolle dhe pas diskutimeve me mësues e prindër për nevojën e rregullimit të orarit që të mundësohej implementimi i kurrikulës së re, vendosëm ta implementojmë tani. Nga informacioni që kemi deri tani nga shkollat, nuk ka probleme në implementim dhe shpresoj të vazhdojë kështu.

Ku jeni bazuar për realizimin e këtij programi mësimor dhe a mund të flasim për një nismë sipas standardëve evropiane?

IZHA në dhjetor na informoi që ata qysh në vitin 2016 kanë marrë propozimin nga disa mësues krijimin e orëve bllok dhe qysh atëherë kanë studiuar modele të ndryshme nga vende si Holanda, Greqia, Anglia etj. Secili shtet, apo edhe secila shkollë, e aplikon ndryshe modelin e orëve bllok, ashtu siç i përshtatet me specifikat e shkollës. Kështu që nuk ka një standard të vetëm për këtë, por është praktikë e aplikuar gjerësisht nëpër sistemet arsimore perëndimore.

Si nisi ideja për realizimin e nismës “të bëjmë detyrat në shkollë”?

“Bëjmë detyrat në shkollë” pilotohet në 20 shkolla të Shqipërisë për të parë se si mund të implementohet pastaj në nivel vendi. Nga studimet që i kemi bërë sistemit arsimor kemi kuptuar që nxënësit që kanë gjendje të rënduar socio-ekonomike, që vijnë nga familje ku nëna nuk ka shkollim përtej shkollës 9-vjeçare dhe ata që nuk marrin ndihmë me detyra në shtëpi, ngecin prapa të tjerëve. Në mënyrë që të balancojmë arritjet akademike dhe të zbusim ndikimin që gjendja socio-ekonomike e nxënësve ka në arritje akademike, ne pilotuam këtë nismë që krijon kushte në shkollë për të bërë detyrat e shtëpisë.

Cili është qëllimi i kësaj nismë dhe sa ka filluar të zbatohet në shkollat e vendit?

Katër shkollat në Lezhë kanë filluar të parat. Këtë javë ka filluar Korça dhe Elbasani, ndërsa nga java tjetër fillon edhe në Tiranë dhe Fier. Pilotimi do të na mundësojë të shohim se cilat janë sfidat dhe mundësitë për zgjerimin e nismës tutje.

“Projekti pilot do të rishihet në verë”

Dreka falas është pjesë e nismës?

Jo, pjesë e nismës nuk është ushqimi. Bashkitë dhe Ministria e Bujqësisë, aty ku kanë mundësi duan të ofrojnë ushqim në ambientet e shkollës. Nisma “Bëjmë detyrat” ka vetëm komponenten akademike dhe ne sugjerojmë prindërve që të paketojnë ushqime që fëmijët e tyre të marrin me vete dhe të konsumojnë gjatë orës së drekës.

Disa mësues thonë se detyra e shtëpisë është produkt i studimit të lëndës në shtëpi, ndërsa me nismën detyra realizohet në klasë. A mendoni se është produktive realizimi i detyrave të shtëpisë në klasë, vetëm me shpjegimin që marrin gjatë orës së mësimit?

Detyrat në klasë bëhen nga nxënësit në formë të punës së pavarur. Mësuesja apo mësuesi mbikëqyr procesin dhe asiston ku ka nevojë. Por ne synojmë të krijojmë shprehitë e punës së pavarur, mësimit të rregullt duke ofruar hapësirën e nevojshme brenda shkollës për kryerjen e detyrave.

Pas drekës fëmijët mund të ndihen të lodhur, pasi sistemi nervor ka nevojë për pushim. Mendoni se pengon në përqendrimin e duhur për realizimin me eficencë të detyrave në klasë?

Pritet të shihet gjatë pilotimit. Por nga përvoja greke nuk paraqet problem, nxënësit adaptohen. Unë vij nga një sistem kanadez që na mbante shumë gjatë në shkollë dhe nuk mbaj mend të kem pasur lodhje apo shpërqendrim jashtë normales.

A keni marr parasysh riskun e mospranimit apo dështimit të kësaj nismë?

Ky projekt është pilot. Pra, ka qëllim të na mësoj se si do të funksionoj dhe cilat janë rreziqet për dështim. Mund të flitet sërish në verë kur ta kemi mbyllur raportin përfundimtar të studimit të nismës.