Zgjidhja është bojkoti

Publikuar më 05. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

 

Nga Genc Burimi

Më në fund një parti politike vendosi të hyje në këtë fushatë me të vetmen parullë të situatës, atë të bojkotit të zgjedhjeve të 25 qershorit. Që këtë iniciativë e ndërmori Zgjidhja, kjo nuk është surprizë. Ajo është partia më e re në spektrin politik shqiptar. Si e tillë ajo e ka të ardhmen përpara ndërkohë kur formacionet e tjera politike kanë bilance të trishta mbrapa.

Bojkoti, ose vota proteste si shenjë emancipimi të elektoratit

Bojkoti, ose refuzimi për të zgjedhur midis më të keqes dhe shumë më të keqes, ose midis “murtajës dhe kolerës” është sot një tendencë në rritje në Europën demokratike. Dhe në një vend aq të përparuar sa Gjermania, në dy zgjedhjet e fundit, abstenimi preku gati 1/3 e zgjedhuesve, ndërkohë që në vitet 1970 ai ishte nën 10%. Në France në zgjedhjen e fundit presidenciale, ishte një çereku i zgjedhësve që e përbuzën votën, qoftë duke mos shkuar në kutitë e votimit, qoftë duke shënuar fletën e votimit me shenja anti klase politike. Në Britani të Madhe, me 2010, u arrit një rekord, 2/3 e të rinjve 18-25 vjeç  nuk u paraqitën fare në kutitë e votimit dhe autoritetet menduan një moment ta bënin votën të detyrueshme si në Belgjikë , Austri apo Greqi. Kur zhgënjimi i popujve në Europën Perëndimore arrin në këto përmasa, ç’mund të thuhet për Europën Lindore ? Rekordin aty e mban Rumania ku abstenimi arriti në 40% në zgjedhjet e fundit të dhjetorit 2016. Zhgënjimit për dështimet në fushën ekonomike i bashkohet në Europën lindore dhe indinjata ndaj korrupsionit galopant. Shqipëria i kombinon “më së miri” të dyja këto zhgënjime. Me një veçanti shtesë qe s’e kanë vendet e tjera as në Perëndim dhe as në Lindje të Europës. Në Shqipëri vota vidhet. Shqipëria i ka kështu të gjitha arsyet të figuroje në krye të vendeve europiane për nga shkalla e abstenimit apo “e votës së bardhe” në zgjedhje. Kjo nuk ka ndodhur pasi asnjë forcë politike apo dhe apolitike , tip OJQ-je, nuk e ka shtruar këtë çështje  para opinionit si një mjet po aq të fuqishëm sa vota në ndryshimin gjërave në jetën e përditshme. Në këtë aspekt duhet rrokur merita e partisë së sapo krijuar, Zgjidhja, që po hedh në fushatë këtë ide të bojkotit sa avant-gardiste aq dhe përcaktuese për të ardhmen e afërt të Shqipërisë.

Çfarë mund të ndryshojë bojkoti i zgjedhjeve?

Mund të lindë pyetja, a nuk është bojkoti një rrugë pa krye, pasi kur një klase politike është e krimbur nga koka në këmbë, vjen një moment që një force politike duhet zgjedhur për të drejtuar vendin, mirë apo keq. Sigurisht, kur një ekonomi nuk shkon mirë, nuk është bojkoti i zgjedhjeve, i cili si me shkop magjik, do t’u hapë sytë politikanëve për të gjetur formulat ekonomike që funksionojnë. Në Perëndim pikërisht, bojkoti është më shumë një shenjë pafuqishmërie e opinionit ndaj klasës politike, e konsideruar dhe ajo si e pafuqishme për ta mbrojtur ekonominë vendase nga trysnia konkurruese e globalizimit dhe e dumpingut social. Por bojkoti, ose vota e bardhë (votë e refuzimit), ka rol të vërtetë konkret kur behët fjala për të ndryshuar sjelljen e politikaneve. Një shembull vjen këto ditë nga Franca. Presidenti i ri Makron e dëgjoi mesazhin e 25% të francezëve që bojkotuan aktivisht zgjedhjet, sepse u vjen për të vjellë, siç shprehen ata, nga kjo klasë politike që i akordon vetes shumë privilegje. Dy jave, pasi u zgjodh, Makron çoi këto ditë në Parlament për votim ligjin për “moralizimin e jetës politike dhe rikthimin e besimit tek francezët”. Me këtë ligj u kufizon shumë gjëra politikanëve. Ata s’mund të kryejnë më shumë se tre mandate si të zgjedhur. Ata s’mund të marrin në punë në shërbim të tyre me paratë e taksapaguesve njerëz të familjes së tyre (siç qe rasti i Fransua Fijonit që shokoi Francën dhe e bëri të eliminohet në zgjedhje). Po ashtu ish-presidentet e Republikës që deri tani kishin punë të garantuar deri në vdekje si anëtare të përhershëm të Gjykatës Kushtetuese u hiqet ky privilegj. Mesazhi i bojkotit u dëgjua. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe në Shqipëri. Bojkoti s’mund të ndreqë shumë gjera, por abuzimet më flagrante mund t’i “riparoje”, nëse ai realizohet në përmasa të mëdha popullore. Këtu qëndron dhe merita e dytë e Zgjidhjes, si partia e vetme iniciatore e fushatës së bojkotit. Zgjidhja i jep një tematikë të dyfishtë bojkotit.

Bojkoti si nevojë për reformë të plotë zgjedhore

E para, ka të bëjë me ndreqjen e absurditetit më të madh që e bën vendin tonë një rast unikal në Europë. Realizimi i një kuadri zgjedhor që ta bëjë të pamundur vjedhjen e votës. Nësë kosovarët, maqedonasit, bullgarët dhe rumunët ia kanë arritur , nuk ka asnjë arsye që banorët e Shqipërisë mos t’ia arrijnë që vota e tyre, qofte për këtë apo ato parti, apo qoftë për asnjë parti, mos të numërohet siç duhet. Mungesa e zgjedhjeve të ndershme është ta dënosh një komb për një kohë të pakufizuar të provojë alternativa të tjera ekonomike dhe sociale. Në kushtet kur dihet se asnjëherë fiton ngaqë rezultati vendoset gjëkundi, kush nga të rinjtë e këtij vendi do ketë motivacionin të propozojë një Shqipëri pa borxhe dhe koncesione si ajo e Edi Ramës, apo pa dhunë kundra manifestuesve si ajo e Lulzim Bashës?  Paradoksi është se kërkesa për reformë zgjedhore e paraqitur nga opozita u konsiderua aq legjitime , sa në emër të saj ra gjysma e qeverisë. Por sapo ndodhi kjo, kërkesa pushoi së qenuri si kusht i opozitës. Pa regjistrim elektronik të listave të zgjedhësve dhe pa numërim elektronik të votës, monopoli i “mbarëvajtjes” së zgjedhjeve do t’u mbese vetëm dy partive të mëdha në koalicion PS-PD, një monopol që duhet ta kenë shqiptarët kolektivisht. Pikërisht bojkoti i zgjedhjeve  mund ta ketë këtë virtyt,  t’i thotë PS-së mbaj premtimin e 2013-ës për reforme zgjedhore, dhe PD-se mos na merr për budallenj, sepse ajo që u kërkua me forcë në çadër, u harrua butësisht, sapo kjo parti rierdhi pjesërisht në pushtet. Do të ishte mirë që dhe LSI, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, t’i refuzojë tani këto zgjedhje dhe t’i bashkohet sa s’është vonë kampit të bojkotit me kërkesën e një reforme të plotë zgjedhore. Por LSI-ja pret me siguri pas 25 qershorin kur dyshja PS-PD do t’ia grabisë dhe asaj votën. Do jetë momenti kur Ilir Meta s’do ketë më asnjë iluzion dhe do të bëhet partizani më i flaktë i një reforme radikale zgjedhore. Më mire vonë se kurrë…

Bojkoti si nevojë për reformimin e brendshëm të partive politike

Mesazhi tjetër që do të tejçojë bojkoti, nëse lexohet mirë thirrja e Zgjidhjes, është nevoja çjerrëse për një reformim radikal te partive politike në Shqipëri. Një thirrje, qe si për ironi vetë Kryeministri Rama i dha materie gjatë komunikimit të tij javor të së dielës. Me tone lutëse ai iu drejtua shqiptareve t’i japin një shumicë absolute në 25 qershor, përndryshe do të detyrohet të hyjë në koalicion me parti që tradicionalisht kërkojnë në shkëmbim poste pune në administratë. Partitë, duke filluar nga PS-ja, janë kthyer kështu në metastaza të këtij vendi që mendojnë dhe punojnë si t’u shpërndajnë shpërblime me poste shtetërore, apo në Kuvend, njerëzve që i shërbejnë kryetarit dhe jo domosdoshmërish vendit. Ky skandal duhet të marrë fund. Zgjidhja, lexova se propozon që shqiptarët të venë mbi fletët e votimit një Z të madhe si . Zero, Zuzar, Zullumqar, Zagar. Epitete që i përshtaten realisht më së miri kryetarëve të partive politike që si bajraktarë të kohëve moderne vendosin me intriga, shantazhe e joshje të të gjitha llojeve për shitblerjet e vendeve me përgjegjësi, në injorim total të interesave të shqiptareve. Edhe ky monopol përtej atij të numërimit të votave u duhet hequr kryetarëve të partive me të vetmen reformë që do t’ua mbledhë një herë e përgjithmonë : zgjedhjen e kandidatëve në çdo post përgjegjësie nëpërmjet primareve brenda militantëve të çdo partie. Po nuk u konsultua demokratikisht baza e partisë për vendimet e rëndësishme që merr kryetari i partisë, atëherë ligji i ri  t’u heq çdo të drejtë financimi publik partive politike. Këtë metarmofoze të “zuzarëve” të partive politike mund ta arrijë bojkoti. Me një ligj të tille ku baza vendos, zor se militantet e PS-se dhe PD-se do t’i kishin lejuar liderit e tyre respektive të poshtëronin identitetet e tyre politike. Por asgjë nuk është humbur përfundimisht. Militantët e çdo partie do ta kenë ata fjalën e fundit. Me 25 qershor, Zgjidhja është bojkoti, ose bojkoti është Zgjidhja !