Sindikatat, me 17 kërkesa rrëzuam Qeverinë “Nano”

Leonard Veizi

– Që prej vitit 1990 u kuptua qartë se regjimi komunist në Shqipëri nuk kishte më këllqe të mbahej, as me ekonominë e planifikuar socialiste dhe as me vetëfinancimin ‘kapitalist’ shumë të vonuar që u kërkua të aplikohej së fundi. Pikërisht në periudhën kur ky sistem filloi të shpërbëhej, u ndje nevoja të lindnin forca të reja drejtuese. Vendi kishte një vakum të madh në këtë drejtim, dhe në këmbë mbaheshin veç ato organizma që nuk ishin gjë tjetër por instrumenta të cilat drejtoheshin nga Komiteti Qendror. Përveç Partisë së Punës si forum politik, në këtë proces shndërrimesh u asfiksuan dhe levat parësore të saj, e ndër më kryesoret: Bashkimet Profesionale, për të vazhduar më pas edhe me Bashkimin e Grave dhe atë të Bashkimit të Rinisë. Ndërkohë, krijimit të menjëhershëm të disa partive politike, frymëmarrja e re do t’u jepte mundësinë punëtorëve që të organizoheshin në formacione të tjera, të njohura tashmë si “lëvizje sindikale”… …Kur shteti shqiptar i vitit 1991 po përjetonte një traumë të fortë, që pasqyrohej me ndryshime të shpeshta dhe të papritura, shumica priste nga çasti në çast përfundimin e drejtimit 50-vjeçar të monopartisë. Pikërisht në këtë kohë, ndoshta më shumë se sa partitë politike që filluan furishëm fushatën elektorale të përfaqësimit në sallën e Kuvendit, një rol vendimtar luajti dhe lëvizja sindikale e cila solli një frymë të re.

Fillesat

Të paktën 22 vite më pas, Gëzim Shima, një nga drejtuesit e parë sindikalistë të vitit ’91, thotë se deri në atë kohë, ai nuk ishte zgjedhur ndonjëherë në forumet drejtuese të Bashkimeve Profesionale. “Për të mos thënë që nuk ia kishim idenë lëvizjes sindikaliste, mund të shprehem se inspirimi im për një frymë të tillë vinte vetëm nga romani i shkrimtarit britanik, Arçipald Kronin, ‘Dhe yjet rijnë e vështrojnë’, një libër që fliste hollësisht për jetën e minatorëve”, – thotë Gëzim Shima. Por koha kërkonte ndryshime të shpejta dheqendra e vëmendjes në fundvitin 1990 ishte përqendruar në tubimet studentore dhe në krijimin e Partisë Demokratike, si e para forcë politike e ligjshme që kishte marrë të drejtën për të ushtruar autoritetin e saj mbi jetën politike të vendit. Ka qenë pikërisht koha kur minatorët, në mënyrë fare spontane, po tentonin të bënin grevat e tyre të para, gjë që tashmë ishte parashikuar edhe nga ligji i ndryshuar. “Për herë të parë për formimin e një lëvizje sindikale, në mënyrë shumë serioze, bisedova me Hiqmet Melasin. Ishte 26 dhjetori i vitit 1990. Në atë kohë, Hiqmeti punonte në kombinatin Poligrafik. Sot për të nuk flitet asgjë, edhe pse ai është nga të parët që mori pjesë në organizimin e Bashkimit të Sindikatave, duke influencuar drejtpërsëdrejti në jetën e saj. Mund të them se ky ishte embrioni i parë që do të sillte krijimin e një formacioni të organizuar, edhe pse në Valias apo Qafë Bari grevat e minatorëve kishin filluar në mënyrë sporadike”, – dëshmon Gëzim Shima.

Përkrahësit

Duke kujtuar ato kohë të vështira, por me shumë emocione, Gëzim Shima thotë se përkrahësit kryesorë të lëvizjes sindikaliste ishin dhe Eqerem Kavaja, Kujtim Shtini, Ferdinand Temali, etj. Por ai nuk harron të përmendë dhe aktorët e Teatrit Popullor, Xhemil Tagani, Robert Ndrenika e Mirush Kabashi, të cilët në ato ditë iu bashkëngjitën lëvizjes sindikale duke u dhënë një kurajë të madhe. Ndërkohë, në sindikatën ende të paformuar ligjërisht, u afruan dhe intelektualë të tjerë, arsimtarë dhe pedagogë, midis të cilëve Gëzimit i kujtohet Agim Lami. Ndërsa, si iniciatorë të lëvizjes nëpër rrethe Gëzim Shima përmend emrat: Fred Skela nga Vlora, Demir Hasani nga Korça, Gëzim Saranai e Vilson Qëndro nga Durrësi, Gëzim Zhiti nga Kruja. Po në këtë kuadër, Gëzim Shima përmend si një njeri që ka dhënë shumë për lëvizjen sindikale edhe Xhevdet Lubanin, i cili pas disa vitesh do të zgjidhej edhe President i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura.

Greva studentore

Në 19 shkurt 1991, grupi iniciator sindikalist bën një mbledhje të zgjeruar në ambientet e Pallatit të Kulturës. Studentët ishin futur në grevë me një sërë kërkesash, ku ndër më kryesoret ishte: heqja e emrit “Enver Hoxha” nga Universiteti i Tiranës. “Pyetja e parë që u bë në mbledhje ishte se çdo të bëhej me studentët. Ndërsa në përfundim dolëm me konkluzionin për të organizuar një grevë të përgjithshme mbarëkombëtare”, – kujton Gëzimi. Ai thotë se po atë ditë, në lajmet kryesore, Televizioni Shqiptar lajmëroi se “Bashkimi i Sindikatave të Pavarura i bën thirrje popullit të solidarizohet në një grevë mbarëkombëtare”. Porse pak minuta më vonë, të skandalizuar nga ajo që u kishte shpëtuar dhe pas disa telefonatave të menjëhershme nga ‘lart”, folësja lexoi një lajm të dytë, ku thuhej pak a shumë se: ‘Sindikatat kërkojnë të bëjnë një grevë, porse kjo veprimtari është e paligjshme’. Në 20 shkurt, Gëzim Shima i shoqëruar dhe nga Eqerem Kavaja, Ilirjan Abazi dhe Fatmir Merkoçi, u drejtuan për nga Qyteti i Studentëve. “Sapo na panë, studentët filluan të thërrisnin për fitore, duke hedhur parullën: ‘Sindikata është me ne’. Kur u futëm brenda në godinë, na pritën si shpëtimtarë, pasi pothuaj i kishin hequr shpresat, duke menduar se po i linin që të vdisnin brenda, pa marrë asnjë masë. Mbaj mend që midis të tjerëve, në grevën studentore kam takuar Ridvan Peshkëpinë, Blendi Gonxhen e Ilir Metën”, -thotë Gëzimi gjatë dëshmisë së tij për gazetën.

 

Detaje

Njoftimi: Mbledhjet në autobusin e unazës

 

“Në datën 24 shkurt ’91, gazeta “Zëri i Popullit” botoi njoftimin se BSPSH është e jashtëligjshme. Mund t’ju them se që nga ajo ditë për ne filloi një jetë ilegalësh. Gjatë kësaj kohe të vështirë, më qëndruan afër Eqerem Kavaja, Ilirjan Abazi dhe Ibrahim Kërçiku. Madje ky i fundit ishte dispeçer tek agjencia e urbanëve dhe na vinte në dispozicion një nga ‘fizarmonikat’ e unazës, ku ne bashkoheshim për të bërë mbledhjet. Autobusi bënte xhiron e zakonshme, por nuk ndalonte në asnjë stacion. Njerëzit që prisnin në grumbuj habiteshin, ndërsa ne brenda autobusit vazhdonim të bënim mbledhjen. Deri në 10 mars, shumë nga ata që ishin aktivistë të sindikatës gati u zhdukën. Ndërsa në 11 mars ’91 ministria e Drejtë-sisë legalizoi BSPSH-së. Drejtuesi i parë i tij u zgjodha unë. Ndërsa shteti na dha në përdorim një dhomë tek ish-agjencia pranë Sahatit”, – kujton Gëzimi, duke shtuar se që nga ai moment sindikatat filluan një veprimtari aktive, që u mbështet edhe nga intelektualë të shumtë. Një ndihmesë të konsiderueshme për afrimin e sindikatës së minatorëve me BSPSHnë (në atë kohë nuk ishte pjesë e saj), gjatë asaj periudhe dhanë: Jonuz Gjetani, Llazi Gercali e Roland Përmeti. “Nga mesi i marsit, Eqerem Kavaja solli në BSPSH Valer Xhekën, i cili kishte ardhur me një qëllim të vetëm; shkatërrimin e lëvizjes sindikale. Dhe ia arriti këtij qëllimi”, – thotë gjatë opinionit të tij, Gëzim Shima.

 

 Rrëzimi i qeverisë komuniste

Në 16 maj ’91, BSPSH i dërgon Qeverisë Nano 17 kërkesa ekonomike dhe ndërsa pritej përgjigje për realizimin e tyre, u organizua një grevë minatorësh. Në fillim të qershorit, Nano jep dorëheqjen dhe më pas formohet Qeveria e Stabilitetit, me në krye Ylli Bufin. Në mes të gushtit, BSPSH përgatit kërkesat e reja për Qeverinë e Stabilitetit. “Në 13 shtator, së bashku me një delegacion, ika nga Shqipëria. Lajmërova që nuk do të kthehesha më. E kisha bërë të qartë dhe më parë, që do të merresha me lëvizjen sindikale deri në shëndoshjen esaj, më pas do të vazhdoja me punët e mija. Për 8 muaj rresht, nuk lashë vend të Shqipërisë pa shkuar dhe pa ngritur lëvizjen sindikale. Kam hyrë në të gjitha minierat, ku zhvilloheshin grevat e rënda të minatorëve. Për 8 muaj të tjerë pas largimit tim, vendi i drejtuesit të BSPSH-së qëndroi bosh, derisa më në fund u zgjodh Presidenti i ri. Por edhe pse në emigracion, jam përfshirë në lëvizjet sindikale në Gjermani, Francë dhe Itali, në mbrojtje të kërkesave të punëtorëve ndaj punëdhënësve”, -kujton Gëzim Shima, Presidenti i parë i BSPSH-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Komente

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet